Standartet etike dhe incidenti me gazetarin e Ora NEWS, Isa Myzyraj

Në dritën e incidentit të ndodhur dje me gazetarin e Ora News (vjegëza këtu: https://www.oranews.tv/kryebashkiaku-i-tiranes-erion-veliaj-intimidon-e-dhunon-gazetaret-e-rtv-ora-dhe-ora-news/) Këshilli Shqiptar i Medias e ndjen për detyrë të përcaktojë standartet etike të intervistimit, detyrimet profesionale dhe të drejtat e gazetarit që interviston në terren, bazuar mbi Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar.

  1. Është e drejtë absolute e gazetar it të bëjë pyetje dhe t’i drejtojë mikrofonin kujtdo. Pyetjet e gazetarit duhet të jenë me interes publik.
  2. Personat e zgjedhur në poste publike, e kanë mbrojtjen e privatësisë më të vogël se njerëzit e zakonshëm. Sa më i lartë posti, aq më e vogël rrezja e privatësisë. Personat publikë e kanë për detyrë të përgjigjen pyetjeve me interes publik.
  3. Gazetari nuk mundet të fusë pajisje regjistruese dhe të realizojë regjistrime pa leje në ambientet private të një individi, qoftë ky dhe funksionar publik.
  4. Gazetari nuk mund të pengohet në punën e tij si gazetar, as ti kufizohet liria gjatë ushtrimit të detyrës, aq më tepër kur kjo detyrë realizohet në mjedise publike.

Për sa më sipër, KSHM gjykon që gazetarit të Ora News, Myzyraj, i është kufizuar ilegalisht liria e ushtrimit të profesionit, në funksion të informimit me interes publik, në ambiente publike.