Reagim mbi rregulloren e re të KLP për komunikim me mediat

KSHM shpreh shqetësimin e vet për RREGULLOREN “Për Komunikimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) me Median”

Ndërsa është një ide e mirë që të ketë një komunikim sa më të stukturuar institucional, në rregullore ka pika që bien ndesh me lirinë e medias dhe të informimit. Madje, disa nga ato pika sabotojnë vetërregullimin dhe tentojnë të rregullojnë etikën e medias në raportimet lidhur me KLP.

Si të tilla,

Tek PARIMET, Neni 5, pika B,  që thotë:

Parimi i prezantimit të saktë të lajmit, që nënkupton shmangien e deformimit dhe të keqinterpretimit dhe ndalimin e shpërdorimit të lajmit për komente dhe opinione që bien ndesh me vlerat e drejtësisë dhe të një shoqërie demokratike, apo që nuk kanë lidhje me vlerat e shtetit të së drejtës.

Kjo pikë i jep tagër KLP-së të gjykojë se çfarë është “deformim dhe keqinterpretim” dhe të pretendojë nga mediat (mos) “shpërdorim të lajmit për komente dhe opinione” duke bllokuar praktikisht jo veëtm lirinë e informimit por dhe lirinë e debatit.

Tek PARIMET, Neni 5, pika C, që thotë:

“Parimi i respektimit të pavarësisë së prokurorisë dhe mosndërhyrjes në funksionin e saj.“

Kjo pikë lë hapësirë keqinterpretimi. Media nuk ka asnjë instrument ligjor për të ndërhyrë në funksionimin e Prokurisë. Por, kjo pikë krijon hapësirë abuzive që çdo gjë lajm, koment, opinion, të mund të interpretohet si ndërhyrje në funksionin e Prokurorisë.

Të dyja këto pika praktikisht hedhin poshtë vetërregullimin e medias, dhe marrin përsipër ta rregullojnë sjelljen e gazetarëve përmes rregulloreve.

Tek Neni 8, “Lehtësitë për aksesin në informacion nga media”:

Pika 3, që thotë:

Çdo kërkesë për informacion duhet t’i drejtohet Koordinatorit për të Drejtën e Informimit, i cili është përgjegjës edhe për koordinimin e sigurimit të informacionit brenda institucionit. Koordinatori për të Drejtën e Informimit, me miratimin e anëtarit të caktuar të Këshillit, ka të drejtë të kërkojë nga drejtuesi përkatës i medias së akredituar zëvendësimin e një gazetari, nëse rezultojnë shkelje qartësisht të dallueshme të objektivitetit dhe profesionalizmit, si dhe për shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe të parimeve të kësaj rregulloreje.

Bazuar mbi Nenin ku shprehen “Parimet” përmes kësaj pike mund të bëhet një ndërhyrje abuzive, preferenciale, për të zëvendësuar gazetarët që bëjnë pyetje. Se çfarë mund të përbëjnë “shkelje qartësisht dallueshme të objektivitetit dhe profesionalizmit” ngelet në diskrecionin individual të Koordinatorit i cili, as ai e as institucioni që ai përfaqëson nuk kanë tagër ta përkufizojnë. Objektiviteti dhe Profesionalizmi, janë norma etike që vetërregullohen nga komuniteti i gazetarëve dhe nga asnjë pushtet apo institucion tjetër.

Kjo ndërhyhje nga institucioni për “eleminimin” e gazetarëve “problematikë” për pyetjet e tyre, shkon në masë edhe më drastike përmes Pikës 4 të Nenit 8:

Pika 4, po aty, që thotë:

Në rastin kur shkelja është publike, e rëndë, apo flagrante, anëtari i caktuar nga Këshilli merr vendim për heqjen e akreditimit të gazetarit që kryen shkeljen. Vendimi i komunikohet drejtuesit të medias përkatëse, nëpërmjet Koordinatorit për të Drejtën e Informimit. Në këtë rast, anëtari i caktuar njofton Këshillin në mbledhjen e radhës.

Bazuar në sa më sipër, KSHM, i kërkon KLP të rishikojë rregulloren në mbrojtje të lirisë së informimit e të opinionit, por dhe për mos të dëmtuar vetërregullimin.

Erjola Cahani – ABC News