Workshop: “Të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve”

Njoftim për media

Tiranë, 25 Shkurt 2021-

Këshilli Shqiptar i Medias organizoi workshop-in në platformën Zoom “Mbrojtja e gazetarëve -Të drejtat dhe përgjegjësitë në ushtrimin e profesionit”.

Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Këshillit të Europës në kuadër të programit JUFREX , që synon të promovojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Shqipëri në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës.

Workshop i zhvilluar në Zoom “Të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve”

Qëllimi i këtij workshopi ishte njohja  e gazetarëve të rinj me standardet në mbrojtje të profesionit por edhe detyrimet që i rrjedhin në ushtrimin e tij.

Drejtorit ekzekutiv i Politiko.al,  Alfred Lela, i cili moderoi panelin e ekspertëve e cilësoi mbrojtjen e gazetarëve si sfidë të dyanshme ‘nga njëra anë standardet që duhen mbrojtur pavarësisht vështirësive dhe, nga ana tjetër ne si komunitet përballë faktorëve të tjerë’.

Në panel morën pjesë ekspertë ndërkombëtarë dhe lokal nga fusha e gazetarisë dhe jurisprudencës  ndërsa u ndoq nga gazetarë të rinj.

  1. Koloreto Cukali, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias tha se ‘për çështje të etikës shpresën e kam tek gazetaret e rinj pasi një pjesë e gazetarëve të vjetër i janë futur shumë thellë kompromiseve të profesionit. Ai iu drejtua pjesëmarrësve duke i thënë se ‘Nga puna e bërë me trajnimet jemi shumë entuziast që një pjesë prej jush do të ndihmojë për të ngritur sa më shumë profesionin në të ardhmen”.

Këshilltarja ligjore pranë Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari tha se sipas raporteve rreziqet qe i kanosen gazetareve janë të shumëansheme dhe përdoren si  mjet për t’i frikësuar dhe hutuar gazetarët që të mos e bëjnë punën e tyre ‘Efektet e kërcënimeve janë frenuese dhe nuk lejon kryerjen e një gazetarie të mirëfilltë’. Sipas Kusarit, ne nivele të larta është edhe dhuna ndaj grave që sipas një raporti të 2020  është fizike, politike a akoma më shumë on line. Presioni anonim online krijon një ambient të pasigurtë.

Këshilltarja ligjore pranë Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari gjatë prezantimit të saj

Shteti është garantuesi kryesor i të drejtës së profesionit. Siaps Kusarit ‘nëse për arsye të ndryshme Shteti nuk u frikësohet mekanizmave kombëtare të mbrojtjes së gazetarëve, qëndrimi i tyre ndryshon kur u tërhiqet vëmendja nga mekanizmat ndërkombëtarë’.

Kusari përfundoi duke thënë ‘nëse duam që të kemi një mbrojtje më efikase duhet që të ketë dokumentim të rasteve dhe ndihmë nga mekanizmat dhe platformat e huaja’.

Drejtori ekzekutiv i Res Publica Dorian Matlija i cili ka mbrojtur përpara gjykatës shumë çështje të gazetarëve tha se ‘gazetarët duhet t’i njohin të drejtat dhe detyrimet në mënyrë që të kenë konfidencë të mjaftueshme për të përballuar kërcënimet pasi në momentin e parë që marrin një padi krijohet efekti i intimidimit’.

Sipas Matlisë, ‘kur një gazetar bën përpjekje duke respektuar parimet e Kodit të Etikës, tregon që qëllimi i tij është informimi i publikut, jo shpifja dhe gjykata mban anën e gazetarit edhe nëse ky i fundit  ka një informacion jo të saktë në raportimin e tij’.

‘Fushatat shpifëse ndaj gazetarëve janë instrumenti më i mirë i padive. Padia është një proces që zgjat shumë po dhe nxjerr të vërtetën në fund’ përfundoi ai

Për të ndarë eksperiencën e tyre të kërcënimet për shkak të profesionit të pranishëm ishin dhe  gazetari Artan Rama dhe Alice Taylor.

Rama këshilloi gazetarët që nëse duan të zgjedhin që të punojnë shkrime investiguese në momentin e parë që rrezikohen nga kërcënimet apo sulmet nuk duhet të zgjedhin zhurmën si mënyrën më të mirë për tu mbrojtur pasi kështu vështirësojnë punën e tyre.“Të gjithë që zgjidhni gazetarinë investigative do të rrezikoheni të paktën një herë që të përfundoni si të paditur në Gjykatë’ tha ai.

Ndërsa Gazetarja e Exit.al, Alice Taylor, ndaj të cilës dy vjet më parë nisi një fushatë sulmi mediatik duke e akuzuar si ‘spiune ruse’  komentoi se sulmi nisi pas një interviste  për Russia Today dhe se e gjithë situata ndodhi në një kohë që ajo po përjetonte shtatzëninë e saj ‘Krizat e forta të ankthit që më pasuan nga kërcënimet e shumta në rrjetet e mia sociale krijuan një situatë të rrezikshme e cila mund të rezultonte fatale për mua apo vajzën time’ tha Taylor.

Alice i këshillon gazetarët që në punën e tyre, pavarësisht se mund të jenë të detyruar të bëjnë shkrime kundër një personi apo gazetari tjetër duhet të tregohen të kujdesshëm pasi informacion që ata publikojnë mund të krijojë pasoja negative tek individët për të cilët kanë shkruar.

Ky është aktiviteti i dytë në serinë e takimeve me profesionistë të medias që realizohen në kuadër të programit JUFREX.

Irena Dule – Top Channel

Arben Dizdari – Oranews