Organizatat ndërkombëtare e kombëtare të gazetarëve në mbrojtje të SCIDEV dhe KSHM, pas sulmeve denigruese nga 2 media online

Pas sulmeve denigruese ndaj Scidev dhe Drejtoreshës Ekzekutive Blerjana Bino, nga portali Prapaskena.com, dhe sulmit nga mediat online sot.com.al dhe prapaskena.com ndaj KSHM dhe Kryetarit të saj, Koloreto Cukali, knaë reaguar disa nga organizatat ndërkombëtare e kombëtare të gazetarëve.

Reporterët pa Kufinj (RSF), në një postim në platformën X, RSF shkruan:

“Shprehim mbështetjen ndaj Blerjana Binos dhe Koloreto Cukalit dhe ndaj organizatave të tyre — partnerë të RSF — të cilët janë sulmuar me akuza të pabaza. Këto sulme ndaj profesionistëve të medias që luftojnë për një media të lirë dhe gazetari cilësore duhet të ndalojnë.”

Po ashtu, SafeJournalists Network dhe organizatat e Media Freedom Rapid Response (MFRR) e kanë dënuar sulmin

duke thënë se këto “incidente, shenjojnë një trend shqetësues armiqësor ndaj medieve të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile, duke rritur shqetësimin mes grupeve që vëzhgojnë lirinë e medias“.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez dënoi përmes postimi në platformën Facbook sulmin ndaj SCIDeV dhe Znj Bino, duke shkruar që “Mbështetja jonë e plotë shkon për kolegen e shkëlqyer Blerjana Bino (SCiDEV), e cila prej vitesh dokumenton me shumë përmbajtje dhe objektivitet shkeljet e Lirisë së Shtypit në Ballkan. Sulmet e neveritshme ndaj saj nga propagandistët shqiptarë, të cilët e kalojnë kohën duke dezinformuar, tregojnë rëndësinë e punës së saj,”.

Po ashtu, Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) lëshoi një deklaratë duke u shprehur se “sulmet janë të motivuara ekskluzivisht nga puna e palodhur e organizatave në fjalë të cilat dokumentojnë, raportojnë dhe reagojnë për sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve”.

Sulmet e panënshkruara në këto media ishin të dhe mbushur me fakte të paqena e shpifje, siç dhe është argumetuar në reagimin e organizatave, këtu dhe këtu.

Reagim mbi sulmin e medias online Prapaskena.com ndaj Këshillit Shqiptar të Medias dhe organizatave të tjera të medias

Këshilli Shqiptar i Medias dhe disa organizata të tjera bashkë me kryetarët e tyre, janë sulmuar nominalisht përmes një serie shkrimesh online në portalin Prapaskena.com, në shkrime anonime të panënshkruara.

(këtu, këtu, dhe këtu)

Shkrimet, janë botuar pasi organizatat e medias bënë deklarata publike në mbrojtje të mbylljes së paparaljamëruar të faqeve në rrjete sociale të medias CNA.al, media me të cilën portali Prapaskena.com duket se është në konflikt, çka mund të lexohet dhe në shumë artikuj në faqet e saj.

Në deklaratat e tyre, organizatat e medias nuk merren me emrin e medias e as me pronarin e saj, por me principin në bazë të të cilit asnjë media nuk mund të mbyllet pa paralajmërim, dhe se kjo është censurë ndaj lirisë së informimit.

Shkrimi kundër Këshillit të Medias, botuar në datën 01/10/2024 në Prapaskena.com, me titullin “Këshilli i Medias i Koloreto Cukalit ose xhepi i pasëm i Berishës që ‘rruan’ fondet e BE-së, pseudogazetarë me vila dhe ish deputetë që po pasurohen në kurriz të gazetarëve”, është i mbushur me të pavërteta, fakte të paqena dhe shpifje të pastra.

  1. Vetë titulli është abuziv, dhe i pavërtetë dhe një shpifje e pastër. Në artikull nuk ka asnjë fakt që të vërtetojë “abuzimin me fondet e BE”, lidhjet e “KSHM me Z. Berisha”, apo “pasurimin në kurriz të gazetarëve”. Artikulli nuk fakton e nuk dop mundet kurrë të faktojë asnjë lidhje mes aktivitetit të KSHM dhe pasurisë së kujtdo gazetari, sepse lidhjew të tilla nuk ekzistojnë. Gjithashtu, të jesh ish-deputet nuk është as krim e as turp. KSHM është krenare që Kryetar të Bordit të Etikës ka një prej Profesorëve më të respektuar profesionalisht të gazetarisë, z. Mark Marku.
  2. Akuza për “rruajtje të fondeve të BE”, dhe që KSHM është një “zgafellë që thith, qarkullon dhe ndan donacionet e Bashkimit Evropian, që janë taksat e qytetarëve evropianë” përveç vulgaritetit, nuk ka asnjë të vërtetë. Praktikisht, krejt insinuata është shpifje, sepse: 1)Në momentin kur është botuar ai shkrim, KSHM nuk ka asnjë financim, as nga BE e as nga ndonjë burim tjetër. 2) KSHM është krenare që është mbështetur në të shkuarën nga BE e do të mbështetet në të ardhmen për punën e vet në promovim të vetërregullimit e të mbrojtjes së lirisë së medias. Të financohesh nga BE nuk është as krim e as turp, por e vetmja mënyrë për të ruajtur pavarësinë nga qeveria, oligarkët apo paratë e mafias. 3) KSHM, është audituar rregullisht në mënyrë të pavarur dhe nga donatorët, për të gjithë projektet e saj.
  3. Përmendja e z. Armand Shkullaku, Z. Sokol Shameti dhe z. Alfred Lela, është keqinformuese. Z. Shkullaku, Z. Shameti dhe z. Lela, janë vetëm 3 nga 36 themeluesit e KSHM, të gjithë gazetarë me emër e reputacion e që, njësoj si 36 themeluesit, në momentin e themelimit të Këshillit, nuk kanë pasur poste apo ofiqe partiake, institucionale apo shtetërore. Si z. Shkullaku, z. Shameti dhe z. Lela nuk janë të angazhuar në punën e përditëshme e as në vendimet e Këshillit. Në momentin që z. Shameti e z. Lela kanë marrë përsipër pozicione në institucione të tjera, i kanë shkëputur krejtësisht të gjitha ndërveprimet e komunikimet me KSHM.
  4. Përmendja e z. Baçi, znj Toçe dhe z. Haxhimihali është keqinformim i qëllimshëm. Zonja dhe zotërinjtë e cituar, secili me integritetin e vet personal e profesional, kanë qenë anëtarë të Bordit të Etikës deri në vitin 2019. Që prej atij viti nuk kanë më asnjë lidhje, të asnjë lloji me aktivitetin e KSHM. Që prej atij viti, KSHM ka një bord të ri etike i cili përditësohet rregullisht çdo vit në Aleancën e Mediave Për Etikën, e cila ka 38 media anëtare, e ku Prapaskena.com nuk bën pjesë.
  5. Akuza ndaj Kryetarit të KSHM, Koloreto Cukali, si “person, i cili merr fonde nga BE për të mbrojtur mediet, paraqitet si dëshmitar nëpër gjyqe kundër mediave, ndërsa e përdor Këshillin si një kondom për Ilir Metën dhe Sali Berishën” është shpifje e pastër. Z. Cukali nuk ka qenë në asnjë rast dëshmitar në asnjë gjyq kundër asnjë medie. Përdorimi i Këshillit, përtej vulgaritetit të shkrimit, në shërbim të një partie apo politikani është gjithashtu shpifje e pastër. Online mund të gjenden deklaratat e z. Cukali, në emër të Këshillit, kundër z. Meta dhe z. Berisha, kur ka qenë puna për të mbrojtur mediat dhe gazetarët. Gjithashtu, z. Cukali nuk ka asnjë njohje personale e asnjë kontakt të çfarëdo natyre me z. Meta e z. Berisha.
  6. Së fundi, fakti që Prapaskena.com sulmon 4 organizata të medias dhe/ose Kryetarët e tyre brenda pak ditësh nga botimi i deklaratave në mbrojtje të lirisë së medias ndaj censurës në platformat online, është një shenjë e keqe jo për organizatat, por për vetë lirinë, sepse tregon që ka dhe media të cilat janë të interesuara për censurën ndaj fjalës së lirë.
  7. Pavarësisht sulmit ndaj saj, KSHM, mbetet në mbrojtje të lirisë së cënuar të çdo gazetari e çdo medieje, përfshirë edhe Prapaskena.com nëse do vijë rasti, pa paragjykim.

Në emër të KSHM,

Kryetari

Koloreto Cukali

Reagim mbi artikullin e botuar në Gazetën SOT me titull: “Këshilli i Medias apendiksi i Samir Manes, ja si kërcënojnë me gjyqe gazetën “SOT” shoqatat e paguara nga BE dhe…”

Në një artikull të botuar online në gazetën SOT, ngrihen disa akuza ndaj Këshillit të Medias.

KShM dëshiron të sqarojë publikun që akuzat janë të pabazuara në fakte, artikulli dezinformon dhe keqinformon, dhe në telb përbën një sulm të drejtpërdrejtë nga një media kundër procesit vetërregullues.

  1. Artikulli në fjalë është prodhuar pas një vendimi të Bordit të Etikës së Këshillit Shqiptar të Medias dhe Aleancës për Media Etike, në lidhje me një ankesë të ardhur ndaj medias Sot.com.al. Me vendim unanim të Bordit, Artikulli i Sot.com.al, objekt ankese u gjet  në shkelje të Kodit të Etikës, përkatësisht të Nenit 1. Argumentimi i shkeljeve të etikës në artikull, është si më poshtë:
    • Artikulli përmban informacione të paverifikuara dhe të pabazuara në fakte.
    • Artikulli është i pabalancuar pasi nuk jepet opinioni i palës së prekur. Nuk vihet re në artikull të jetë pyetur pala e prekur dhe opinioni i saj të jetë reflektuar në artikull.
  2. Jo vetëm një ekspert i etikës, por dhe një student i gazetarisë mund të verifikojë shkeljet e mësipërme dhe të vlerësojë vendimin e Bordit. Për median Sot.com.al u përdor metodologjia e punës standart në rast ankesash. Media u kontaktua paraprakisht, për t’u njohur me ankesën dhe pretendimin e ankimuesit dhe për të ofruar qendrimin e vet. Pasi media nuk e pranoi ankesën, sipas procedurës, ankesa kaloi në Bordin e Etikës, ku dhe u mor vendimi. Bordi jonë i Etikës nuk funksionon si gjykatë, dhe vendimet e tij për mediat jo-anëtare janë sugjerime. Vendimi i bordit për artikullin e sot.com.al objekt ankese, shprehimisht shkruan: “i sugjerohet medias sot.com.al të fshijë artikullin”.
  3. KSHM nuk ka kërcënuar me gjyqe median Sot.com.al. Ky është një dezinformim. Më poshtë, faksimile e komunikimit të plotë me median, ku përkundrazi, është media sot.com.al e cila kërcënon KShM me padi në prokurori.
  4. Akuza e medias Sot.com.al që “oligarku ka tentuar t’i bëjë presion gazetës me një organizatë të quajtur ndryshe Këshilli Medias” dhe “Futja në lojë nga Samir Mane një organizatë anonime që disponon vulën e një shoqate për ti bërë presion gazetës “SOT”” është shpifje e pastër. Stafi ekzekutiv i KShM nuk ka asnjë kontakt, as personal e as të çfarëdo forme tjetër me z. Mane. Ankesa është paraqitur në mënyrë elektronike nga z. Agim Fjolla, që u paraqit në pozicionin “Drejtor i Komunikimit” i Balfin Group. Përveç emaileve në lidhje me ankesën, me z. Agim Fjolla stafi i KShM nuk ka patur asnjë kontakt tjetër, të asnjë forme dhe asnjë njohje paraprake. Siç i është sqaruar me email medias Sot.com.al, ne nuk paragjykojmë askënd, dhe marrim parasysh çdo ankesë që plotëson kriteret sipas rregullores së funksionimit të Bordit të Etikës.
  5. Në të kundërt të asaj çfarë pretendon sot.com.al, KShM dhe Kryetari i saj, Koloreto Cukali, janë shprehur në mënyrë konseguente kundër kapjes së medias nga oligarkët. Këto deklarata gjenden lehtësisht online. Por pavarësisht qendrimit tonë për një media të lirë e të pakapur, kjo nuk do të thotë që komuniteti i gazetarëve, mediat dhe organizatat e mediave duhet të mbyllin sytë para shkeljeve etike. Lufta për të mbrojtur interesin publik nuk mundet e nuk duhet të justifikojë artikuj jo-etikë. Vetërregullimi është pikërisht kjo: gazetari etike pa ndërhyrjen e shtetit, por të komunitetit.
  6. Në lidhje me akuzën e medias Sot.com.al që “Këshilli Medias, e cila merr fonde nga taksapagues evropianë” duhet të sqarojmë 2 gjëra:
    • Në momentin e botimit të këtij shkrimi, KSHM nuk ka asnjë financim, as nga jashtë as nga brenda, dhe stafi i vet punon po pa pagesë. Kjo nuk na ka penguar të vazhdojmë të mbajmë funksional mekanizmin e ankesave e të vetërregullimit e as të luftojmë për lirinë e medias.
    • Në faqen tonë, ne ekspozojmë logot e partnerëve që na kanë mbështetur në 5 vitet e fundit. Ne jemi krenarë për partneritetin me BE, UNESCO, dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Të mbështetesh nga BE, nuk është as turp e as krim. Madje, është e vetmja mënyrë për të ruajtur pavarësinë tonë.
  7. Akuza që “Fondet që ky Këshill i Medias i merr nga evropianët nuk i shpenzon për të krijuar një terren sa më të sigurt për gazetarët, të ngrejë zërin për kushtet dhe presionet në punë, por vendoset në shërbim të interesave të Samir Manes” është një shpifje e pastër. KShM, ka qenë në ballë të luftës kundër paketës anti-shpifje. Kshm dhe Kryetari i saj, Koloreto Cukali janë shprehur e shprehen publikisht por dhe në takime të vazhdueshme me aktorët ndërkombëtarë në mbrojtje të lirisë së medias e të gazetarëve dhe kundër kapjes së mediave nga koorporatat, oligarkët dhe politikanët e pasur. Për këtë mjafton të bësh një search të thjeshtë në Google. Por, media Sot.com.al ngatërron mbrojtjen e lirisë së informimit dhe të gazetarëve me gazetarinë jo etike. Liri e medias nuk do të thotë papërgjegjshmëri, gazetari etike dhe shpifje. Vetërregullimi është procesi që i detyron mediat të ruajnë etikën e profesionalizmit, jo përmes ndërhyrjes së shtetit,por përmes mekanizmave të vendosur nga komuniteti i gazetarëve dhe i medieve. Bordi ynë i Etikës është një bord i zgjedhur nga Asambleja e përvitshme e Aleancës për Media Etike, e përbërë nga 38 media (në momentin që po shkruhet ky reagim). Pra, Bordi jonë i Etikës jo vetëm është i përbërë nga njerëz me integritet, profesionalë e të respektuar, por është i VOTUAR nga një organizatë me 38 media. (Media sot.com.al nuk ka pranuar të jetë pjesë e AME.) Kjo quhet “Vetërregullim”, dhe është alternativa e vetme ndaj rregullimit prej shtetit. KSHM mbron do të mbrojë çdo media e çdo gazetar, përfshirë dhe sot.com.al nga çdo cënim i lirisë, por nuk do të përkrahë e as mbrojë artikuj joprofesionalë dhe joetikë.
  8. Në lidhje me tentativën e Sot.com.al për ta quajtur KSHM “një organizatë anonime”, duhet të themi që KSHM është anëtare krenare e AIPCE – Aleancës Së Këshillave të Pavarur të Shtypit në Europë, dhe i vetmi organizëm vetërregullimi në Shqipëri i njohur nga organizatat ndërkombëtare dhe BE. Një vizitë në website-n tonë dhe të Aleancës për Media Etike, do i mundësonte medias Sot.com.al të informohej që Bordi jonë i etikës ka mbështetjen e 38 mediave, anëtare të Aleancës për Media Etike, që KSHM e operon.
  9. Përmendja e z. Shkullaku në shkrim është më e pakta një akt joprofesionalizmi, për të mos thënë një tentativë për të keqinformuar me qëllim. Z. Shkullaku është thjesht njëri 36 themeluesit e KShM, dhe nuk është aspak i angazhuar në punën e përditshme të KShM. Lapsi.al, e bashkëdrejtuar nga z. Shkullaku, është vetëm një prej 38 mediave anëtare të AME, qëzgjedh Bordin e Etikës. Një vizitë në website-n tonë, do i kish mundësuar medias Sot.com.al që të mësonte se vendimet për ankesat i merr një Bord prej 5 anëtarësh, ku z. Shkullaku nuk bën pjesë. Sa për akuzën për KSHM “pas të cilës fshihen gazetarë me vila pranë Samir Manes, ish deputetë dhe rrogëtarë pranë institucioneve të Edi Ramës”, është thjesht absurde, dhe është i paqartë labirinthi i fantazive të artikullshkruesit.
  10. Në tërësi artikulli pa emër në sot.com.al synon të diskretitojë procesin e vetërregullimit. Kjo është në linjë pikërisht me qeverinë shqiptare e cila po përpiqet prej kohësh të pretendojë që vetërregullimi nuk ekziston ose nuk funksionon në Shqipëri, dhe që vazhdon përpjekjet për të futur mekanizma rregulluatorë në tregun e mediave online, ku për etikën të mos vendosë Bordi i Etikës i AME-s, i zgjedhur nga 38 media, por njerëz anonimë në zyrat e shtetit.

Në emër të KSHM,

Kryetari

Koloreto Cukali

Faksimile të komunikimit me median sot.com.al

Bllokimi i faqeve online të CNA, akt censure

KShM shpreh shqetësimin e vet për sulmin e përsëritur në rrjetet sociale ndaj medias CNA.

Bllokimi i faqeve të çfarëdo medie, qoftë në web, qoftë në rrjete sociale mund dhe duhet të bëhet VETËM me një vendim të prerë të gjykatave shqiptare.

Nëse publikut i bllokohet aksesi, pa vendim gjykate, përveç rasteve të parashikuara me ligj, përbën një shkeljew të pastër të lirisë së infomrimt e lirisë së shprehjes dhe cënim të fjalës së lirë.  

KShM i bën thirrje platformave të rrjeteve sociale të evitojnë bllokime të mediave, dhe sidomos pa një njoftim paraprak të të prekurve.

SafeJournalists: Shqetësim në Rritje për Përpjekjet e Qeverisë për të Devijuar Kritikat duke Diskredituar Mediat në Shqipëri

KSHM i bashkohet SafeJournalists Network në shqetësimin e shprehur për trendin në rritje në Shqipëri, ku zyrtarët dhe qeveritarët fajësojnë mediat për dëmtimin e imazhit të vendit, në vend që të angazhohen për t’u dhënë përgjigje pyetjeve të ligjshme gazetareske. Kjo qasje shpesh përfshin mospërgjigjen ndaj pyetjeve legjitime, diskreditimin e gazetarëve dhe përdorimin e gjuhës përçarëse që minon rolin thelbësor të medias në një shoqëri demokratike.

Shembujt e fundit që ilustrojnë këtë model shqetësues janë:

Më 28 gusht 2024, gjatë një konference për shtyp, zëvendëskryeministrja Belinda Balluku nuk iu përgjigj pyetjeve në lidhje me sigurinë e Portit të Durrësit për eksportimin e mbetjeve të rrezikshme, duke akuzuar gazetarin Ermal Rizaj për paragjykim politik dhe pyetje me skenar dhe duke devijuar vëmendjen duke sulmuar pronësinë e mediave.

Më 24 gusht 2024, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministria e Mjedisit dhe Turizmit lëshuan një deklaratë të përbashkët, duke akuzuar mediat për fabrikimin e raporteve mbi eksportimin e mbetjeve të rrezikshme, duke sugjeruar se këto ishin përpjekje për të dëmtuar reputacionin e qeverisë.

Në qershor 2024, Kryeministri Edi Rama kritikoi një raport investigativ nga Rai 3, duke e quajtur atë një sulm pa bazë ndaj imazhit të Shqipërisë. Ai gjithashtu shënjestroi mediat në Shqipëri për ritransmetimin e raportit, duke i akuzuar për përhapjen e dezinformatave. Ai gjithashtu ka etiketuar disa media si “media e kanaleve,” duke diskredituar më tej punën e tyre.

Këto incidente duket se janë pjesë e një narrative më të gjerë që devijon kritikat duke diskredituar mediat dhe kufizon mbikëqyrjen publike të veprimeve të qeverisë. Kjo narrativë jo vetëm që shmang adresimin e shqetësimeve të rëndësishme publike, por gjithashtu dekurajon transparencën dhe llogaridhënien e zyrtarëve qeveritarë.

AMC i bashkohet Rrjetit të Safe Journalists në thirrjen ndaj qeverisë shqiptare që të ndalojë këto sulme ndaj medias dhe që të angazhohet me gazetarët në atë mënyrë që respekton rolin e tyre si mbikëqyrës të demokracisë, me mirëbesim dhe në një mënyrë konstruktive. Gazetarët duhet të lejohen të kryejnë detyrat e tyre pa frikë nga intimidimi apo censura, duke bërë që publiku të jetë mirë i informuar dhe ata që janë në pushtet të mbahen përgjegjës.

Shënim: ky tekst është përkthyer me ndihmën e AI.

Deklarata e z. Rrumbullaku cënon rëndë lirinë e medias e të shprehjes

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim të madh ndaj deklaratave të Drejtorit të Policisë, z. Rrumbullaku, në raport me ngjarjen e Pogradecit.

Ngjarja e rëndë meriton vëmendje maksimale të mediave dhe ka interes të lartë publik, ndaj tentativa e Policisë së Shtetit, përmes përfaqësuesit të saj, z. Rrumbullaku, për të kontrolluar narrativën jo vetëm mediatike por dhe në rrjetet sociale të kësaj ngjarjeje, duke kërcënuar me procedime penale është kundër parimeve të lirisë së shprehjes në botën demokratike dhe në kundërshtim me çdo princip të lirisë së medias e tëshprehjes së individit në hapësirën e BE-së ku qeveria e z. Rrumbullaku ka premtuar të na integrojë.

Sigurisht, në hapësirën e mediave sociale por dhe në mediat shqiptare mund të gjesh vazhdimisht keqinformim dhe dezinformim. Por dezinformimi nuk luftohet me përndjekje penale dhe aq më tepër, liria e shprehjes së individëve në rrjete sociale nuk mund të ndalohet sepse nuk i pëlqen z. Rrumbullaku, Kryeministrit, apo kujtdo personi me pushtet.

Koha kur njeriu ka frikë të flasë, qoftë edhe “thashetheme”, sepse mund ta procedojnë penalisht i përket një kohe tjetër, asaj të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Mënyra më serioze për të luftuar dizinformimin është përmes transparencës e jo përmes kallëzimeve penale. Dhe, transparenca prej kohësh nuk është pika e fortë e institucionit të z. Rrumbullaku e as e qeverisë që e ka emëruar në atë pozicion.

Gjithashtu, përcaktimi, përkufizimi apo përndjekja e atyre që shpërndajnë “dezinformim keqdashës”, nuk hyjnë në tagrin, as në kompetencat, as në ekspertizën, as tek detyrat e as tek të drejtat e z. Rrumbullaku, të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Median në Policinë e Shtetit apo të departamenteve të tjera të ndjekjes penale që përmend z. Rrumbullaku në deklaratën e tij.

I vetmi institucion i shtetit shqiptar që ka tagrin dhe kompetencën për të përcaktuar se çfarë është dezinformim (dhe me dashje), dhe kush duhet dënuar sipas të drejtës civile e jo asaj penale për shpifje, është Gjykata Shqiptare.

KSHM dëshiron t’i kujtojë edhe Kryeministrit, se arsyeja pse Shqipëria renditet aq poshtë në lirinë e medias, është pikërisht një qasje e tillë institucionale që jo thjesht minon por vë në rrezik serioz lirinë e shprehjes në Shqipëri.

Këshilli Shqiptar i Medias pjesë e fushatës për lajmet e rreme

Në maj të ketij viti nisi fushata në bashkëpunim me këshillat e rajonit për luftën kundër  lajmeve të rreme. 

Këshilli Shqiptar i Medias ishte pjesë e kësaj fushate së bashku me Kosovën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Bosnje dhe Herzegovinë.

Në rrjetet sociale të KSHM-së, janë të publikuara 6 postime rreth fushatës, duke treguar rendësinë që ka e vërteta dhe se lajmet e rreme dhe gjuha e urrejtjes ndikojnë në jetën e secilit prej nesh. 

Fushata u mbështet nga  UNESCO-s në kuadër të projektit  “Building Trust in Media in South East Europe: Support to Journalism as a Public Good”.

MAPPING The Albanian ONLINE Media

Liria e shtypit “e shtypur” nga pesha e politikës

Etika profesionale pothuajse mungon, kapja e mediave nga politika dhe pamundësia financiare janë vetëm disa nga çështjet kryesore që e bëjnë peizazhin mediatik shqiptar veçanërisht alarmant.

Intervistë e Kryetarit të KSHM, Koloreto Cukali për Balcanicaucaso

28/06/2024 – Nga Luisa Chiodi 

Pavarësia e mediave është një temë që ngjall shumë shqetësime në Shqipëri, veçanërisht në dritën e një kontrolli pothuajse total nga qeveria që ka shndërruar mjetet kryesore të komunikimit në mjete të propagandës politike. Ne folëm me Koloreto Cukalin, gazetar dhe producent që prej vitit 2017 kryeson Këshillin Shqiptar të Mediave, një organizatë që ka për qëllim të vendosë standarde etike për profesionin e gazetarisë dhe të prezantojë mekanizmat e vetërregullimit të mediave.

Ju drejtoni Këshillin Shqiptar të Mediave, një organizatë që promovon vetërregullimin e mediave. Çfarë përfaqëson kjo?

Këshilli Shqiptar i Mediave është një produkt i importuar, do të thosha, nga Europa. BE-ja mbështet vetërregullimin e mediave dhe shtyn për krijimin e të ashtuquajturve këshilla të mediave [siç parashikohet edhe nga Rregullorja Evropiane për Lirinë e Mediave e miratuar së fundmi, red.]. Këto janë organe ku publiku mund të drejtohet për të paraqitur ankesa për sjelljen e mediave.

Nuk ishte e lehtë të krijohej ky Këshill, është një rrugëtim që kemi nisur prej disa vitesh dhe qeveria jonë ka bërë gjithçka për ta sabotuar atë.

Politika shqiptare gjithmonë kërkon të kontrollojë mediat, por kryeministri aktual është angazhuar më shumë se të tjerët në këtë drejtim: duke mos mundur të tregojë rezultate konkrete, punon me propagandë mediatike për të treguar se gjithçka shkon mirë.

Në një mënyrë ose tjetër, qeveria shqiptare kontrollon shumicën e rrjeteve televizive. Studimi Media Ownership Monitor realizuar nga BIRN ekzaminon pikërisht këtë kontroll të hollësishëm të mediave tradicionale nga qeveria. Në rastin e TV-ve, shumica e pronarëve janë biznesmenë, të ashtuquajtur oligarkë, të cilët në këmbim të propagandës pro qeverisë marrin kontrata publike. Është një situatë që zgjat prej vitesh.

Fusha e vetme që kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës – dy njerëzit më të rëndësishëm të vendit – nuk mund të kontrollojnë plotësisht janë mediat online. Për vite kanë kërkuar të prezantojnë një ligj për shpifjen që do të rregullonte edhe mediat online. Këshilli ynë ka tentuar ta bllokojë atë me një fushatë mobilizimi; kemi marrë mbështetjen e shumë gazetarëve dhe mediave dhe gjithashtu Bashkimi Evropian na ka mbështetur për një kohë. Në një moment ka ndërhyrë edhe Komisioni i Venecias me një opinion që vlerësonte dhe në fakt rrëzonte propozimin e ligjit.

Ka rregullore evropiane që herët a vonë Shqipëria do të duhet t’i prezantojë: direktiva e re kundër SLAPP, për shembull, shkon në një drejtim të kundërt me atë të kryeministrit tonë, por ky është një temë për të cilën ende nuk flitet në Shqipëri.

Fatkeqësisht ka shumë probleme, ka shumë shpifje, etika profesionale është në nivelin më të ulët ndonjëherë. Mediat bëjnë shantazhe ndaj politikanëve, ndaj biznesmenëve, për të bërë para. Nuk ka një klimë të mirë.

Këshilli Shqiptar i Mediave përpiqet të kundërshtojë këtë prirje, veçanërisht në temën e etikës së gazetarisë. Një detyrë mjaft e vështirë…

Është e vështirë sepse qeveria po bën gjithçka për të sabotuar këtë nismë. Kryeministrit i duhet të thotë se vetërregullimi nuk funksionon dhe mediat afër qeverisë nuk marrin pjesë në nismën tonë sepse dikush ka bërë presion ndaj tyre.

Në Shqipëri nuk ka organizata profesionale ose sindikata të gazetarëve?

Jo, ka vetëm shoqata që merren me mediat, por nuk janë sindikata, as organizata profesionale, dhe asnjëra nga këto organizata nuk është në gjendje të mobilizojë siç do të bënte një sindikatë.

Cili është sipas jush arsyeja?

Është një histori e gjatë. Sindikatat janë shkatërruar nga regjimi komunist. Nuk kemi një traditë sindikale të vërtetë. Pastaj diktatura ka shkatërruar frymën bashkëpunuese të popullatës. Njerëzit nuk duan më të jenë pjesë e një organizate sepse për 45 vjet janë detyruar të jenë pjesë e organizatave të partisë.

Megjithatë, ka pasur disa lëvizje: për shembull për mbrojtjen e mjedisit ka pasur nisma që kanë lëvizur shoqërinë shqiptare.

Personalisht nuk shoh një ndikim të vërtetë as në këtë rast. Kjo lloj lëvizjeje arrin të bëjë diferencën vetëm nëse arrin të angazhojë Bashkimin Evropian ose ndonjë organizatë tjetër ndërkombëtare që thotë “Jo, këtë nuk mund ta bëni”, sepse këtu çdo rezistencë është e kotë.

Pra, ndërhyrja politike është një problem themelor.

Është modeli i biznesit problemi i vërtetë i mediave. Në vitet e fundit publiku nuk paguan më: më parë kishte gazeta, publiku i blinte, tani askush nuk do të paguajë më sepse pritet që informacioni të jetë falas.

Këtu mungojnë numrat për të mbajtur në këmbë edhe botimet e vogla. Fondet për mediat janë publike dhe kontrollohen nga politika ose vijnë nga oligarkët që blejnë reklama. Pastaj ka para që vijnë nga krimi i organizuar, nga droga, nga krimi…

Nuk ka mënyrë për të qenë financiarisht të pavarur. Zgjidhur problemin e burimeve, zgjidhet pothuajse gjithçka. Zgjidhja është një: Bashkimi Evropian duhet të financojë mediat, pra të gjejë mekanizma që, për një periudhë le të themi 5-vjeçare, të bëjnë mediat të forta dhe të pavarura.

Sot të vetmet media që bëjnë diferencën janë ato të financuara nga donatorët, për shembull BIRN, Citizens Channel, Faktoje.al, por janë shumë pak. Duhet në vend të kësaj të ndihmojnë mediat komerciale që duan të bëjnë gazetari të mirë.

Cila është situata në lidhje me sigurinë e gazetarëve në Shqipëri?

Një anëtar i Këshillit tonë të etikës, që është gjithashtu profesor në Universitetin e Tiranës, një herë më tha: “Në Shqipëri nuk vriten gazetarët sepse nuk ka nevojë, e kanë vrarë tashmë gazetarinë”. Qeveria nuk ka nevojë të kërcënojë gazetarët, çështjet i zgjidh drejtpërdrejt duke u marrë me pronarët e mediave.

Ka kërcënime që vijnë nga krimi i organizuar, por nga sa di unë shumë gazetarë nuk i denoncojnë më sepse kanë perceptimin që policia nuk është shumë e motivuar për të ndihmuar gazetarët.

Procesi i integrimit evropian ka luajtur një rol gjatë këtyre viteve për mbrojtjen e lirisë së mediave në Shqipëri?

Nuk shoh asnjë ndikim të vërtetë. Për shembull, disa muaj më parë, [qeveria] bëri disa shtesa në ligjin për Autoritetin e Mediave Audiovizive, por bëri pikërisht minimumin e kërkuar. Edhe pse Komisioni i Venecias u shpreh qartë, [qeveria] bëri vetëm ndryshime të vogla, formale…

Kemi tentuar të bëjmë pak presion, por shumë shpesh nuk dihet çfarë ndodh, pothuajse asgjë nuk është transparente. Tani thuhet se po punojnë mbi Kapitullin 21 të acquis (kushtuar rrjeteve transeuropiane, red.), por nuk dihet kush, çfarë, si, kur po e bën. Nuk ka transparencë në asnjë nivel.

Edhe kur [qeveria] takon përfaqësuesit e OSBE-së ose të Këshillit të Evropës, askush nuk vjen tek ne dhe konsultimet shpesh janë vetëm formale.

Sipas jush, çfarë roli kanë mediat ndërkombëtare? Nëse flasin për Shqipërinë dhe ngrenë çështje të caktuara, kanë një ndikim edhe në nivelin e brendshëm?

Dy ose tre vjet më parë takova një gazetare italiane që punonte si freelance për disa media dhe më tha: “Nëse shkruaj kritikisht për Shqipërinë, askush nuk më publikon, më kanë thënë qartë…”

Pastaj ka raste kur kryeministri shqiptar pritet në një program italian dhe askush nuk i bën asnjë pyetje të vërtetë…

përkthyer nga Italishtjame ndihmën e IA