KSHM publikon shkeljet e etikës në mediat online

 

Këshilli Shqiptar i Medias prezantoi sot, 29 Janar 2019, gjetjet nga një proces monitorimi mediash i zhvilluar nga KSHM në një periudhë gjashtë mujore. Ky proces u realizua ne kuadër të projektit Media Observatory II, që synon vetërregullimin e medias në Shqipëri nëpërmjet zbatimit të Kodit të Etikës së Gazetarit.

Takimi u përshendet nga Znj. Vasilika Laci, përfaqësuese e Civil Rights Defenders, (CRD) që edhe mbështetën realizimin e këtij procesi. Z.Koloreto Cukali, kryetar i Keshillit Shqiptar të Medias shpjegoi metodën e zbatuar në kryerjen e këtij monitorimi.

Monitorimi u fokusua në 40 media online, kryesisht portale por dhe TV e media print. Studimi kishte si synim të paraqiste një fotografim numerik për të parë shkeljet më të shpeshta që hasen në media. Shkeljet e monitoruara u përzgjodhen nga Kodi i Etikës së Gazetarit. Numri i përgjithshem i mediave që u konstatuan shkelje është 35, ndërsa numri i përgjithshëm i shkeljeve në të gjithë procesin është 1280 për 5 muaj.

Numri më i lartë i shkeljeve është konstatuar në mediat me prodhim dhe qarkullim më të lartë informacioni, ndërsa shkelja më e shpeshtë e vënë re në proces është raportimi i procedurave gjyqësore dhe prezumimi i pafajsisë.

KSHM (kshm.al) është një organizatë e pavarur gazetarësh dhe mediash që ka si synim të promovojë vetërregullimin e komunitetit të medias si një mjet për të vendosur besimin te media dhe për të mbajtur lart besueshmërinë e saj para publikut shqiptar.

Të dhënat e detajuara të shkeljeve do të mund t’i gjeni pas pak ditësh nëwww.kshm.al

Bashkëlidhur gjeni prezantimin e gjetjeve dhe atë të metodologjisë.

Shkeljet e Etikës në median online

prezantimi metodologjia

5 shoqata të medias dhe për të drejtat e njeriut i kërkojnë qeverisë të tërheqë ligjet për mediat online

Organizatat shqiptare për të drejtave të njeriut i kërkojnë qeverisë të tërheqëligjet për mediat online

 

Tiranë më 27 dhjetor 2018

Organizatat nënshkruese të kësaj letre publike shprehin shqetësimin për kërcënimin ndaj lirisë së medias dhe lirisë së shprehjes nga ana e dy projektligjeve të propozuara nga qeveria e Kryeministrit Edi Rama dhe i bëjnë thirrje qeverisë t’i tërheqë këto projektligje menjëherë.

Projektligjet janë prezantuar për konsultim publik pa u shoqëruar me një relacion shpjegues mbi nevojën apo jo për ligje të tilla, pa studime të mirëfillta për gjendjen aktuale, pa identifikuar probleme të mundshme dhe pa arsyetuar nevojën e ndërhyrjes dhe masën e saj.

Projektligjet, të cilat synojnë të krijojnë një regjim licencimi, kontrolli, gjobitjeje dhe mbylljeje të faqeve të internetit, i japin hapësira të gjera autoriteteve të kërcënojnë me gjoba disproporcionale dhe me mbyllje mediat në internet.

Organizatat besojnë se të dyja projektligjet në formë dhe në frymë bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Të Drejtën Europiane. Ato përbëjnë kufizim krejtësisht të panevojshëm të lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias dhe përmbajnë rrezikun e krijimit të një regjimi policor mbi median në internet.

Parë kjo në kuadër të gjendjes aktuale të medias në Shqipëri, me dominimin e “lajmeve” false që shpërndahen nga zyrat e shtypit dhe që prezantohen si informacione të pavarura në median konvencionale, kryesisht televizione, synimi i projektligjeve duket se është vendosja nën kontroll të plotë të informacionit në duart e qeverisë.

Nga ana tjetër, partitizmi i tejskajshëm i institucioneve që konvencionalisht janë dhe duhet të jenë të pavarura nga pushteti politik, nuk përbën aspak garanci për mbikëqyrje të pavarur dhe profesionale të medias online, siç parashikohet nga projektligjet.

Gjendja e lirisë së medias në Shqipëri sakaq është e keqe dhe në përkeqësim të vazhdueshëm. Treguesi i lirisë së medias sipas vlerësimit të Freedom House është përkeqësuar nga 3.75 pikë në vitin 2009 në 4.25 pikë më 2016 dhe aktualisht gjendet shumë pranë nivelit të lirisë së medias në vendet me regjime totalitare siç janë ato të vendeve ish-sovjetike.

Shkaku i përkeqësimit tësituatës së medias nuk është tepria e lirisë por mungesa e saj.

Organizatat rikujtojnë se dy projektligjet aktuale janë tentativa e katërt në më pak se katër vjet që synon të krijojë një regjim kontrolli qeveritar mbi mediat online.

Media nuk duhet t’i nënshtrohet asnjë kriteri licencimi apo mbikëqyrjeje të ndryshme nga të gjitha llojet e bizneseve të tjera.

Për sa më sipër, organizatat e mëposhtme i kërkojnë kryeministrit Edi Rama tërheqjen e menjëhershme të projektligjeve ” DISA NDRYSHIME DHE SHTESA NË LIGJIN NR.97/2013 “PËR MEDIAT AUDIOVIZIVE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË”, TË NDRYSHUAR” dhe “DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 9918, DATË 19.5.2008 “PËR KOMUNIKIMET ELEKTRONIKE NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË” I NDRYSHUAR”.

 

Lista e organizatave:

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

AIS/Open Data Albania

BIRN Albania

Këshilli Shqiptar i Mediave

NY Times raporton për ligjin e shpifjes

Edhe NEW York Times raporton për reagimin e 4 mediave ndërkombëtare që i kërkojnë Qeverisë Shqiptare të tërheqë 2 projekt-ligjet për rregullimin e mediave dhe regjistrimin e detyrueshëm online me qëllim luftimin e lajmeve të rreme.

Në një letër dërguar të Mërkurën Kryeministrit Edi Rama dhe Ministres që Drejtësisë, Etilda Gjonaj, Qendra Europiane Për lirinë e Shtypit dhe të Medias, Federata Europiane e Gazetarëve, Reporterët pa Kufinj dhe PEN International, u kërkuan atyre të tërheqin këto ligje, të përfshijnë gazetarët në vendim-marrje dhe të kërkojnë asistencë ndërkombëtare për të thurur ligjet e reja.

Ata thanë që në vendet demokratike, “media online bazohen në vetë-rregullim.”

Në Tetor, OSBE, gjithashtu shprehu shqetësim për një plan për regjistrimin e detyrueshëm të website-ve në Shqipëri.

Shqipëria, sipas NYTimes, pret të hapë negociatat me BE-në vitin që vjen.

Lexo artikullin origjinal në lidhjen e mëposhtme

 

https://www.nytimes.com/aponline/2018/12/26/world/europe/ap-eu-albania-media-laws.html

Paketa anti-shpifje kundërshtohet nga Qendra Europiane e Mediave

Dy projektligjet e propozuara nga Këshilli i Ministrave dhe të shpërndara nga AMA në datën 11 dhjetor kanë nisur të kundërshtohen nga organizatat ndërkombëtare.

Politiko.al raporton që Qendra Europiane për Lirinë e Mediave me qendër në Laipzig të Gjermanisë i tha Politiko.al se propozimi që mediat online të rregullohen nga shteti është në kundërshtim me praktikat e vendeve europiane dhe përbën tentativë për kontrollimin e përmbajtjes dhe rrjedhjes së lirë të informacioneve.

Kliko në lidhjen me Politiko.al për të lexuar artikullin e plotë.

https://politiko.al/paketa-anti-shpifje-kundershtohet-nga-qendra-europiane-e-mediave-qeveria-te-ndaloje-procedimin-e-projektligjeve/

 

Top Talk/ “Koloreto Cukali mbi Paketën Antishpifje”

Koloreto Cukali, kryetar i Këshillit Shqiptar të Medias, deklaroi në studion e Top Talk me gazetarin Denis Dyrnjaja se Shqipëria nuk ka nevojë për paketën antishpifje që detyron portalet që të regjistrohen si subjekte të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe lejon AMA-n që të kontrollojë korrektësinë e informacionit.

Kliko në lidhjen me websitin e Top Channel për të parë intervistën e plotë.

Reagim i KShM mbi projektligjin e AMA-s për mediat online

Këshilli i Medias reagon me shqetësim për 2 projektligjet e propozuara prej Këshillit të Ministrave e të shpërndara nga AMA në datën 11 dhjetor, te grupet e Interesit të Medias, përkatësisht: “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”, si dhe “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”.

Këto 2 projektligje, sidomos ai për Mediat Audiovizive është një projektligj represiv e regresiv që cënon rëndë lirinë e fjalës, lirinë e informimit dhe procesin e vetërregullimit të medias.

Tryeza e parë e debatit u bë vetëm 6 ditë pas marrjes në dorë të ligjit, më 17 dhjetor, dhe vërehet një ngut për t’i mbyllur 4 takimet e debatit mbi projektligjet (që kërkohen sipas ligjit) në një kohë rekord, gjatë periudhës së festave, kur ndërkombëtarët i kanë mbyllur zyrat e kur njerëzit ikin me pushime.

Ekspertët ligjorë të medias të konsultuar nga Këshilli i Medias vërejnë se ligji është fokusuar kryesisht për të futur nën kontroll mediat e reja (online) dhe organi që ka në dorë sanksionimin me gjoba marramendëse (deri në 1.000.000 Lekë të reja) ose ndëshkimin me mbyllje të portaleve online (edhe për 1 vit) është Këshilli i Ankesave i AMA-s i cili nuk garanton paanësi e pavarësi politike, duke qenë pjesë e një institucioni shtetëror.

Shqetësues është dhe fakti që projektligji për AMA-n i jep të drejtë Këshillit të Ankesave të AMA-s që të mbyllë në një kohë rekord çdo portal të regjistruar në AKEP deri dhe për një vit, madje, të bllokojë përjetësisht aksesin në çdo website të regjistruar jashtë vendit, qoftë ky portal dhe NY Times apo CNN.com. Kjo qasje dëmton një nga themelet bazë të lirisë të individit në Shqipëri.

Pasojat nëse ky ligj kalon, do të jenë të katastrofale për procesin e vetërregullimit ku institucionet e BE-së e UN-it janë investuar prej vitesh. Gjithashtu, pasojë direkt e këtij ligjit do të jetë autencura e mediave nga frika e reagimit të shproporcionuar por dhe censura e drejtpërdrejtë nga ana e kujtdo të veshur me pushtetin e mjaftueshëm për të ndikuar vendimet e një institucioni tashmë politik, si AMA dhe këshilli i saj i Ankesave.

Mediat online paraqesin mjaft problematika, por, këto 2 projektligje nuk ofrojnë zgjidhje reale, por veç mjete ligjore për censurë e auto-censurë. Koha ka ardhur që për të zgjidhur problemet e medias të nisim një proces serioz vetë-rregullimi.

Këshilli i Medias, në emër të gazetarëve dhe medieve që përfaqëson, u kërkon BE-së, OSBE-së, organizatave të gazetarëve,organizatave për të drejtat e njeriut dhe komunitetit të mediave që të bashkohen e të reagojnë ndaj këtyre 2 projektligjeve që cënojnë lirinë e medieve të reja në Shqipëri dhe të bëjnë presion pranë Qeverisë e Kuvendit që problemet e medies të zgjidhen përmes vetërregullimit.

Shtypi është i lirë! Por, sipas këtyre projektligjeve, jo edhe për shumë kohë.

Në emër të Këshillit të Medias

Kryetari

Koloreto Cukali

lidhje për 2 projektligjet

[icon type=”download” size=”1x” pull=”left”]Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”,

[icon type=”download” size=”1x” pull=”left”]Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar”

Workshop dy-ditor “Privatësia dhe mbulimi mediatik”

Në datat 7 dhe 8 Nëntor, Këshilli Shqiptar i Medias (KSHM) organizoi në Vlorë workshop-in dy ditor me temë “Privatësia dhe mbulimi mediatik, sfidat e reja që lidhen me zbatimin e etikës për gazetarët e rinj”.
Në këtë ngjarje morën pjesë gazetarë të rinj, të punësuar në median vendase si dhe student të gazetarisë.
Workshopi kishte për qëllim të informonte gazetarët e rinj lidhur me të drejtat dhe detyrimet e tyre ndaj profesionit që burojnë nga Kodi i Etikës dhe kuadri ligjor. Ndër të tjera ata u njohën me Kodin e Etikës së Gazetarit, të rishikuar kohet e fundit dhe rolin vetë-rregullues të Këshillit Shqiptar të Medias.
Ekspertët lokal Mark Marku, Sokol Shameti, Besar Likmeta, Redon Skiluli dhe Blendi Salaj prezantuan nocione të ndryshme që lidhen me zbatimin në praktikë të profesionit si gazetaria etike, fake neës, mbrojtja e të dhënave dhe gazetaria investigative.
Ekspertët ndërkombëtarë paraqitën kornizën ligjore të Këshillit të Evropës për privatësinë dhe lirinë e shtypit, si dhe çështjet më të rëndësishme të privatësisë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Nga ana tjetër Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave, z. Besnik Dervishi prezantoi kuadrin ligjor, si ruhet privatësia në Shqipëri, e drejta e mediave për të pasur qasje në informacion siç edhe parashikohet në ligj.
Në pjeësn e dyte të takimit, nën drejtimin e ekspertit ndërkombëtar Z.Bertil Cotier pjesmarrësit stimuluan raste të zgjedhura nga shtypi botëror, ku ata duhej të merrnin vendime për publikimin e informacionit dhe fotografive në funksion të ruajtjes së privatësisë dhe zbatimit së një gazetarie etike.
Aktivitet e Këshillit Shqiptar të Medias po mbështeten nga projekti i përbashkët i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës “Përforcimi i Ekspertizës Gjyqësore për Lirinë e Shprehjes dhe Mediave në Evropën Juglindore (JUFREX)”.

Deklaratë e Këshillit Shqiptar të Medias mbi propozimin për kriminalizimin e shpifjes

Këshilli i Medias i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në lidhje me propozimin për kriminalzimin e shpifjes duke e vlerësuar si një hap mbrapa në raport me lirinë e medias, por edhe me direktivat e BE-së në raport me procesin e integrimit.

Këshilli beson se liria e shprehjes është instumentale për Shqipërinë, një vend që preket herë pas here nga tendecat e politikës për të ushtruar trysni mbi median dhe zërat kritikë të shoqërisë.

E vetmja mënyrë për të imponuar etikë më të lartë në gazetari është lehtësimi dhe mbështjetja e proceseve të vetërregullimit të medias, që është dhe objektivi kryesor i Këshillit Shqiptar të Medias.

Regjistrimin e portaleve, në anë tjetër, e shohim si një proces adekuat dhe të vlefshëm, por jo edhe procesin publik të ushtrimit të presionit, siç ishte rasti i publikimit të listës nga ana e AKEP. Listë e cila rezultoi pjesërisht e pasaktë dhe e padrejtë me disa prej portaleve të regjistruara me procese të rregullta ligjore.

Po ashtu nuk mbështesim përpjekjet për ta parë këtë hap normal legalizimi jo si databazë por si bazë për intimidim të gazetarëve të pavarur apo kritikë me qeverinë.

Këshilli do të oganizojë së afërmi një konferencë me faktorët relevantë të medias, politikës, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar me qëllim konfigurimin e një kornize profesionale, ligjore dhe integruese qe bazohet te shembujt më të mirë europianë.

Këshilli i nxit të gjitha palët drejt të kuptuarit se Media dhe liria e fjalës janë thelbësore në procesin, jo vetëm të integrimit europian, por edhe atij të brendshëm.

Njoftim për Media: Mbi sulmin me armë ndaj shtëpisë së gazetares Klodiana Lala

Këshilli Shqiptar i Medias dënon me forcë sulmin me armë ndaj shtëpisë së gazetares Klodiana Lala.

Këshilli iu kërkon instancave të shtetit, Kryeministrit, Presidentit, Prokurorisë e Gjykatave, që mbështetjen e dhënë me fjalë ta tregojnë qartë me vepra, duke zbardhur të gjitha detajet që shtynë në këtë sulm të paprecedent.

Komuniteti i gazetarëve nuk do të mund të ndjehet kurrë i sigurt nëse nuk vendosen para përgjegjësisë fajtorët.

Këshilli i Medias iu bën thirrje gjithashtu të gjithë aktorëve publike që t’i japin fund gjuhës inflamatore që nxit dhunën ndaj njerëzve të medias. Është kjo gjuhë që vazhdon prej kohësh që ka krijuar një mjedis mediatik vulnerabël ndaj kërcënimeve e shantazheve.

Liria e shprehjes dhe e shtypit është e garantuar me Kushtetutë dhe ne nuk duhet të reshtim së  kërkuari këto garanci për median dhe shoqërinë.

Lexo artikullin në Politiko.al