AMA dënon programin e humorit “Be Coffee”

Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA), në mbledhjen e datës 16.05.2019, ka marrë në shqyrtim reagimet mbi qëndrimet që janë mbajtur në rubrikën “Be Coffee”, të emisionit “E diela shqiptare”, transmetuar në televizionin kombëtar “Klan”, më datë 03.02.2019, mbi figurën e dëshmorit Mujo Ulqinaku.

Pasi ka dëgjuar relacionin e Këshillit të Ankesave mbi trajtimin e kësaj çështjeje vërejti se:

Akti i rezistencës dhe kontributi me sakrificën më sublime nga dëshmori Mujo Ulqinaku në momente tragjike për vendin, dukshëm ka marrë vlerësime të papërshtatshme dhe joetike nga autorët dhe aktorët e materialit humoristik. Përmendja me emër dhe mbiemër e tij në një krijim artistik dhe karakterizimi me nota qesharake e cinike shkojnë në favor të denigrimit për ata që konkretisht kontribuuan në mbrojtje të atdheut.

Ne vlerësojmë përfshirjen e përmbajtjeve humoristike dhe satirike në dobi të argëtimit dhe zbavitjes së ndjekësve të transmetimeve audiovizive, por kërkojmë dhe mirëkuptimin e krijuesve dhe aktorëve, për të mos tejkaluar normat etike, që shkaktojnë reagime negative në publik, sidomos në rastet e figurave historike dhe kombëtare.

Ndaj, AMA tërheq vëmendjen ndaj televizionit “Klan”, si dhe OSHMA-ve të tjera, për të pasur në konsideratë shmangien e krijimit të situatave të papërshtatshme që zbehin dhe nënvlerësojnë rolin, kontributin dhe nderimin e figurave historike të kombit.

Këshilli i Medias, takim në universitetin e Korçës

Studentë dhe pedagogë të Universitetit “Fan Noli” të qytetit të Korçës pritën në një takim përfaqësues të Këshillit Shqiptar të Medias.

Takimi u zhvillua në kuadrin e turit informues që Këshilli i Medias po organizon në qytete të ndryshme universitare të Shqipërisë me qëllim informimin dhe rritjen e shkallës së njohjes nga të rinjtë, të kodit të etikës dhe veprimtarisë së këtij Këshilli.

Në takim, KSHM u përfaqësua nga drejtuesi i bordit të ankesave Mark Marku si dhe nga gazetarët Alfred Lela dhe Sokol Shameti.

Mark Marku bëri një prezantim të qëllimeve të KSHM-së dhe veprimtarinë e bordit të ankesave ku merren në shqyrtim raste të ndryshme të shkeljes së rregullave etike nga ana e medias.

Sokol Shameti shtjelloi para të pranishmëve rezultatet e monitorimeve që KSHM kryen në mënyrë të vazhdueshme dhe shkeljet më të pranishme të cilat shoqërojnë sot punën e përditshme të gazetarëve në Shqipëri.

Alfred Lela foli mbi rëndësinë e raportimit të paanshëm dhe profesional pavarësisht prirjeve personale të gazetarëve apo linjës editoriale të medias.

Studentët dhe pedagogët e pranishëm ndoqën me shumë interesim të gjithë takimin dhe bënë pyetje të ndryshme të cilat kryesisht shprehnin shqetësimin mbi humbjen e vlerave të etikës në media si dhe cënimit të vazhdueshëm të pavarësisë së saj.

Takimi zgjati mbi dy orë dhe biseda e pyetje të tjera u bënë nga të pranishmit edhe pas përfundimit të tij.

UNESCO boton udhëzuesin e ri për praktikat më të mira të këshillave mediatikë në epokën dixhitale

Si janë përshtatur këshillat e shtypit në epokën digjitale? A kanë zhvilluar ata fjala vjen udhëzime për përdorimin e algoritmave nga mediat sociale? A i trajtojnë ata çështje të tilla si gjuha e urrejtjes në internet dhe dezinformimi? A po përdorin ICT-të për të përmirësuar aksesin ndaj përdoruesve të mediave?
Këto janë disa nga pyetjet e adresuara nga studimi i sapo publikuar i UNESCO “Udhëzues për Praktikat më të Mira në Epoken Dixhitale – Vetë-Rregullimi i Medias në Evropën Juglindore”.
Ky botim ofron një përmbledhje analitike të kombinuar me praktikat më të mira që organet vetë-rregulluese të medias në Evropën Juglindore po përdorin për tu përshtatur me epokën dixhitale.
“Këshillat e medias në Evropën Juglindore janë duke u përshtatur dhe duke iu përgjigjur sfidave rregullatore të paraqitura nga forcimi i mediave të reja. Në këtë drejtim, shumica e tyre kanë zgjeruar anëtarësimin e tyre me mediat online, duke zgjeruar spektrin e punës së tyre nëpërmjet përshtatjes së kodeve ndaj dilemave të reja etike digjitale, siç janë trajtimi i përmbajtjeve të krijuara nga përdoruesit ose çështjet e autorit online “, thekson raporti.

Ky botim unik hedh dritë mbi praktikat e vendosura tashmë nga këshillat e mediave të Evropës Juglindore. Ai gjithashtu trajton sfidat me të cilat ata përballen për të përfituar nga bota online. Raporti tregon se si mediat po përdorin teknologji të reja për të rritur funksionimin dhe shikueshmërinë e tyre. Një faqe interneti funksionale me një bazë të dhënash transparente të ankesave të pranuara dhe gjykuara, mundësinë që lexuesit e medias të paraqesin një ankesë nëpërmjet një forme online, përdorimi i faqeve të mediave sociale në Facebook dhe Instagram janë bërë normat për këshillat e mediave në rajon .
Praktikat më të mira të identifikuara nga sondazhi përfshijnë: zhvillimin e udhëzimeve të reja rreth automatizimit të lajmeve dhe inteligjencës artificiale; shpërblimi i pajtueshmërisë me etikën përmes përdorimit të etiketave në internet për anëtarët e këshillave të shtypit; inkurajimin e reklamuesve që të mos e mbajnë reklamën kur mediat nuk po respektojnë kritere të caktuara etike; zhvillimin e aplikacioneve të telefonisë celulare, dhe investimin në literaturën mediatike dhe informative (MIL).
Duke ofruar praktika dhe këshilla më të mira, është shpresë e UNESCO-s se mekanizmat e tjerë vetë-rregullues mund të përfitojnë nga përvoja e këshillave të shtypit dhe medias në Evropën Juglindore, të cilat kanë marrë mbështetje përmes projektit “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqi” . Projekti përfundoi në maj të vitit 2019 dhe u zbatua nëpërmjet bashkëpunimit me partnerë të ndryshëm rajonalë dhe ndërkombëtarë, së bashku me organet vetërregulluese dhe shoqatat e gazetarëve dhe me mbështetjen financiare nga Bashkimi Evropian.
Në përgjithësi, projekti rezultoi shumë i suksesshëm në përforcimin e vetë-rregullimit të medias dhe qeverisjen e mirë të medias në rajon. Në këtë drejtim, UNESCO sapo lëshoi një tjetër botim për të nxjerrë në pah ndikimin kryesor dhe rezultatet e projektit. Për më shumë informacion, kliko këtu.

Deklaratë e KSHM për Ditën ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit

Liria e shtypit ka degradim në një pjesë të madhe të botës, por është më e ndjeshme në vende me demokraci të pakonsoliduar, si Shqipëria.
Problemet më të mëdha që përballet sot gazetaria, gazetarët dhe publiku janë:

  1. Prodhimi masiv i lajmeve të rreme, të ashtuquajturave fake news, një pjesë e madhe me burim pushtetin, kryesisht Qeverinë dhe Bashkinë e Tiranës.
  2. Financimi jo-transparent i shumë mediave, kryesisht online. Ky financim vjen shpesh nga njerëz me pushtet, politikanë të pasur ose oligarkë. Jo rrallë, liria e medias blihet dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë përmes financimeve shtetërore ose reklamave të kompanive ët mëdha.
  3. Siguria e gazetarëve qoftë ajo fizike apo siguria e vendit të punës. Gazetarët janë të kërcënuar shpesh nga pronarët e kryeredaktorët që të mos bëjnë punën e tyre, ose më keq, të raportojnë lajme të pavërteta. Ata nuk mbrohen me kontrata, nuk kanë sindikata funksionale dhe janë në mëshirën, fjalë për fjalë, të pronarëve për mbijetesë.

Në kushtet e sotme, kur Qeveria ka hartuar një projektligj regresiv që krijon kushte për censurë e vetë-censurë me synim median online, situata e medias bëhet dhe më e vështirë.

Hapi i parë drejt një procesi të përmirësimit të punës e të kushteve të medias është krijimi i hapësirave ligjore për vetërregullimin e medias (përkundër tentativave për rregullim nga Qeveria), krijimi i sindikatave dhe aplikimi i kontratave kolektive në çdo media ku gazetarët punojnë. Pa këto 3 kushte nuk mund të presim një përmirësim të punës së gazetarit e as produkteve mediatike.

 

AMA gjobit televizionet KLAN, News 24 e Report TV, ndërsa i tërheq vëmendjen “Ora News”-it

Sipas njoftimi për shtyp të datës 17 prill 2019, AMA ka marrë vendim për të gjobitur televizionet KLAN, News 24 dhe Report TV për shkelje etike ndërsa një tërheqje vëmendjeje ndaj TV Ora News. Sanksionet e AMA-s vlejnë për të kuptuar nivelin e shkeljeve të etikës në televizionet shqiptare.

Sipas njoftimit për shtyp nga AMA, Televizioni Ora News propozohet të gjobitet me masën administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë, ndaj Televizionit Ora News, për emisionin “Ju flet Moska”, të transmetuar në datën 18 Mars 2019 me temën “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”. Këto deklarime, sipas njoftimit për shtyp, nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, nxisin dhe justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve. Shkelja e këtyre parimeve ligjore gjatë këtij transmetimi përbën nxitje të urrejtjes mbi baza fetare dhe, si e tillë, është e dënueshme nga ligji.

Televizioni Report TV po ashtu propozohet për masën administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë, pasi në emisionin “Pa gjurmë”, të datës 14.01.2019, janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.

Një masë administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, propozohet ndaj Televizionit News 24, për edicionin informativ qendror të datës 15.03.2019 ora 19.00. Këshilli i Ankesave evidentoi dy reklama të fshehta të dhëna njëra pas tjetrës. Gjithashtu, transmetimi brenda edicionit të lajmeve i dy kronikave shkel edhe nenin 44 të Ligjit 97/2013, për “vendosjen e produkteve gjatë programeve”, pasi insertet konsiderohen produkte.

Televizioni Klan propozohet për masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, pasi në programin “Rudina”, të datës 27.03.2019, nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare. Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur, që përbën mosrespektim të kërkesave të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 42, pika 1, si dhe nenin 44.

Ndërkohë, që të intervistuarit kanë shkelur dhe “Kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore”, pika 3 e nenit 60 ku ndalohet për mjekun, “të merret me reklama a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal, apo të një institucioni të caktuar”.

Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin Ora News, pasi në Emisionin “Why not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, që rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike. Bordi vëren se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”. Kjo jo vetëm që dëmton dhe cënon fëmmijet por gjithashtu bie ndesh me Ligjin organik dhe Kodin e Transmetimit, i cili detyron OSHMA-të të vendosin shenja paralajmëruese.

KSHM me studentët në Shkodër: “priftërinj” apo “mëkatarë” në raport me etikën?

Këshilli Shqiptar i Medias gjatë turit të tij nëpër qytetet studentore, vizitoi Universitetin e Shkodrës Luigj Gurakuqi ku, nën shoqërinë e pedagogut Vinçens Marku, studentët e gazetarisë së Shkodrës diskutuan me ekspertët e Etikës e të Medias, z. Alfred Lela, z. Sokol Shameti dhe znj. Aleksandra Bogdani.
Studentët ishin shumë të ndjeshëm ndaj lajmeve të pavërteta dhe sidomos ndaj raportimeve dukshëm të pandershme ku favorizohet njëra palë. Pyetja që lindi ishte pse edhe gazetarët e njohur nuk arrijnë të jenë etikë në mediat online që ata drejtojnë.

Gjatë debatit, u diskutuan problemet që lidhen me etikën dhe fakti nëse duhet të jesh “prift” apo “mëkatar”, përderisa standartet e Etikës janë strikte ndërsa nevoja për t’ju përshtatur tregut kërkon të jesh elastik.

Projekti, i financuar me fondet e BE-së, është një përpjekje për të njohur studentët me vetë-rregullimin, Kodin e Etikës dhe standartet e një mediaje etike.

 

KShM bisedë për etikën tek Syri.net

z. Mark Marku dhe Z. Sokol Shameti në bisedë me gazetarët e Syri.net

Këshilli Shqiptar i Medias ka nisur një turne miqësor nëpër disa redaksi mediash të reja për të biseduar me gazetarët për etikën në media. Ky tur vjen pas gjetjeve shqetësuese të monitorimit të vitit të kaluar ku në 40 media mesatarja e shkeljeve të etikës ishte 9 (shkelje) në ditë.

Takimi i radhës u bë në redaksinë e Syri.net dhe në takim ishin 2 ekspertë të etikës, z. Mark Marku dhe z. Sokol Shameti.

Një nga pikat që u diskutuan ishte dhe një nga shkeljet më të rëndomta që bëhen në mediat online dhe që ishte “(mos)prezumimi i pafajësisë dhe raportimi i praktikave gjyqësore”. Në shumë raste, gazetarët e konsiderojnë kriminel individin e raportuar nga policia edhe pse nuk ka një vendim gjykate që e konsideron të tillë. Sipas Kodit shqiptar të Etikës së Gazetarit askush nuk duhet konsideruar fajtor pa marrë më parë një vendim gjykata.

Takimi, shumë produktiv për punën e përditshme të gazetarëve të Syri.net, është pjesë e një projekti të mbështetur nga OSFA dhe BE.

(në foto, Dr. Mark Marku dhe Sokol Shameti në bisedë me gazetarët e redaksisë së Syri.NET)

Opinion.al dhe Klan.al, 2 media që përpiqen për etikën

 

Gjatë turit nëpër redaksitë e gazetave, ekipi i KSHM ndaloi sot në redaksitë e klan.al dhe opinion.al shoqëruar nga gazetarët Mark Marku e Sokol Shameti. Opinion.al është një nga redaksitë që rezulton me shkelje të ulëta të etikës nga monitorimet e Këshillit të Medias. Gazetarët e kësaj redaksie kishin si shqetësim konkurencën e pandershme nga portalet jo profesionale të cilat kërkojnë klikime me anë të lajmeve jo etike, titujve bombastikë dhe qasjes jo profesionale.

Klan.al gjithashtu përpiqet për të mbajtur standarte etike të larta. Redaksia e klan.al, sipas Kryeredaktorit Spartak Koka, ka refuzuar më shumë se njëherë për të publikuar lajme jo-etike edhe pse të ndërgjegjshëm që kjo qasje i ka lënë ata në bisht të konkurencës.

Mark Marku, shpjegoi se gazetaria e keqe duket sikur sjell fitime për momentin, por në plan afatgjatë ajo skarcon mediat jo-profesionale. Historia ka treguar se mediat etike kanë jetëgjatësi më të madhe në treg dhe besueshmëria e tyre tek publiku rritet ngadalë, por është e qendrueshme.

Sokol Shameti prezantoi gjetjet e monitorimeve të KSHM për periudhën shtator-dhjetor 2018, gjetej të cilat u diskutuan me gazetarët.

Takimet, mundësuar nga financimi i OSFA, u zhvilluan në një atmosferë debati dhe mjaft pozitive.

Vetërregullimi – KShM nis turin nëpër qytete

Këshilli Shqiptar i Medias gjatë 8 muajve në vazhdim do të nisë një tur nëpër qytetet universitare të Shqipërisë për të promovuar vetërregullimin.

Qëllimi i këtyre takimeve është që të flitet me studentë, studentë të gazetarisë dhe gazetarë lokalë në lidhje me zbatimin e Kodit të Etikës dhe proceset vetërregulluese që kanë nisur në Shqipëri.

Ky projekt, zhvillohet në kuadrin e projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IJF).

Shkeljet e Etikës në Rastin e të Miturës nga Kavaja

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim nga mënyra sesi po paraqitet në media rasti i të miturës nga Kavaja.

Në rastin në fjalë një pjesë e madhe e medias ka shkelur disa nene të kodit të Etikës gjatë pasqyrimit të ngjarjes.

SË PARI,

media nuk duhet të kishte raportuar emrin dhe foton e shkollës dhe detaje të tjera që mund të identifikojnë të miturën. Kjo është shkelje jo vetëm e Kodit të Etikës, por dhe eligjit shqiptar*.

SË DYTI,

disa media po publikojnë lajme të pakonfirmuara duke iu referuar (siç shkruhet) deklaratave të Policisë së Shtetit sikur “ngjarja nuk është përdhunim”. Në asnjë rast nuk është cituar se kush nga Policia e Shtetit e ka dhënë këtë “deklaratë”. Publikimi i burimeve pa emër, është abuzim, sidomos në çështje sensitive si kjo, dhe shkelje flagrante e Kodit të Etikës që kërkon që informacioni të jetë i verifikuar e i saktë.

SË TRETI,

disa media po publikojnë detaje të jetës intime të së miturës. Përderisa në të është e përfshirë një e mitur, jeta e saj intime nuk duhet në asnjë mënyrë të publikohet. Aq më tepër kur prejardhja e këtij informacioni është e paditur. Asnjë media nuk ka publikuar se cili është burimi zyrtar i këtij informacioni. Kjo përbën shkleje flagrante të etikës së gazetarit.

SË KATËRTI,

Në shumë artikuj faktet po përzihen me opinione. Përveçse gazetari duhet të ndajë qartë faktin nga opinioni, në rastin konkret, duke qenë se kjo është një çështje penale që përfshin të mitur media nuk mund të publikojë opinione apo gjykime mbi të miturit e përfshirë.

Gjithashtu, duhen shmangur titujt abuzivë që nuk reflektojnë brendinë e ngjarjes. Përveç medias online, edhe në programet televizive duhet shmangur komentet dhe opinionet mbi detajet intime të kësaj ngjarjeje, përderisa ato kanë të bëjnë me jetën e një ose disa të miturve aq më tepër kur informacioni që qarkullon është abuziv dhe i pasaktë.

SË PESTI,

Mediat duhen të moderojnë në mënyrë rigoroze komentet e lexuesve në faqet online, sidomos ato me natyrë denigruese ndaj të miturës.

Këshilli Shqiptar i Mediave i kërkon mediave partnere por dhe mediave të tjera që të heqin nga publikimi urgjentisht materialet që përmbajnë shkeljet më sipër.

Këshilli Shqiptar i Mediave i kërkon Policisë së Shtetit e Prokurorisë të ndalojnë dhënien e detajeve jo relevante mbi ngjarjen (si psh detajet intime) dhe të marrë masa ndaj punonjësve të vet që nxjerrin fshehurazi informacione të tilla.