Protestë ndaj mesazheve fyese e kërcënuese ndaj gazetares Beti Njuma nga Kryetari i Bashkisë Tiranë!!

Këshilli Shqiptar i Medias, bashkë me gazetarët dhe mediat partnere, PROTESTON fuqimisht lidhur me skandalin e mesazheve të drejtuara pronarit të Ora News, z. Ylli ndroqi nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.

Siç raportohet, mesazhet janë mb 1 një vit të vjetra, dhe nuk kanë lidhje me situatën e sekuestros ndaj z. Ndroqi të javëve të fundit. Mesazhet, përveçse fyerjejeve personale e profesionale ndaj një gazetareje, janë presion i hapur për të ndryshuar linjën editoriale dhe ndërhyrje jo vetëm imorale por dhe e paligjshme në pavarësinë e medias.

Këto mesazhe tregojnë dhe mënyrën  kërcënuese me të cilën trajtohet media dhe presionin mbi të cilin vihen gazetarët shqiptarë nga funksionarët e zgjedhur, si Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ato paraqesin një frymë thellësisht anti-europiane dhe autokratike të menaxhimit të PR-it nga ana e z. Veliaj.

KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Veliaj, të prononcohet mbi autenticitetin e këtyre mesazheve, dhe të dalë e të kërkojë falje publike, jo vetëm para gazetares Njuma, por dhe ndaj komunitetit të gazetarëve.

KSHM i kërkon organeve përgjegjëse të Drejtësisë të hetojnë urgjentisht autenticitetin e këtyre mesazheve, të cilat, në rast se porovohen të vërteta, shkelin rëndë Kushtetutën e Shqipërisë nga një funksionar i zgjedhur, dhe dhunojnë lirinë e fjalës e të shprehjes.

KSHM i kërkon kolegëve gazetarë, që pavarësisht qendrimit politik, të prononcohen fort për të mbrojtur jo thjesht një kolege, por vetë profesionin e tyre dhe edhe veten e tyre nga sulme të tilla ndaj lirisë së fjalës dhe të informimit.

Reporterë pa Kufij u bën thirrje autoriteteve shqiptare të respektojnë lirinë e medias pas sekuestrimit të pasurive të Ora News

deklaratën për shtyp të publikuar mëngjesin e së premtes, Reporterët pa Kufij (RSF) u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të mos ndërhyjnë në linjën editoriale të dy kanaleve televizive Ora News TV dhe Channel One, të cilat janë kapur si pjesë e një hetimi gjyqësor ndaj pronarit të tyre, biznesmenit Ylli Ndroqi.

Me urdhër të gjykatës speciale për korrupsion dhe krim të organizuar Ndroqi u ndalua në makinën e tij të hënën, më 3 gusht 2020 si dhe forcat e FNSH-së dhe RENEA-s zbritën televizionin e tij për sekuestro duke qenë se dy televizionet e tij, Ora News dhe Channel One bënin pjesë mes 26 pasurive të Ylli Ndroqit. Sipas SPAK Ndroqi dyshohet se ka fituar këto pasuri me të ardhurat nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ministria e brendshme është ngarkuar me administrimin e dy kanaleve televizive dhe kryerjen e një inventari të ambienteve të tyre në prani të policisë dhe zyrtarëve të shtetit.

Këshilli Shqiptar i Medias reagoi menjëherë lidhur me sulmin që i bëhet fjalës së lirë duke i vënë sekuestro linjës editoriale së dy televizioneve. (Reagimin e KSHM-së mund ta lexoni këtu.)

Këto dy kanale televizive janë të njohura për zërin e tyre kritik ndaj qeverisë, por edhe për shkak se kryetari i bashkisë së Tiranës është përpjekur në mënyrë të përsëritur të marrë dy media për të ndaluar kritikat ndaj tij. Në maj, Ora News raportoi se ai kishte kërcënuar me pushim nga puna  punonjësit e bashkisë afër Ndroqit nëse të dy kanalet televizive vazhdojnë të kritikojnë administratën e tij. Ora News akuzoi gjithashtu kryetarin e bashkisë se siguroi mbështetje financiare në uebfaqen e City News Albania në mënyrë që ajo të botonte artikuj që njollosnin Ndroqi. Në përgjigje të sulmeve dhe ngacmimeve të përsëritura të kryetarit të bashkisë, biznesmeni ngriti dy ankesa kundër tij, duke përfshirë një padi për shpifje.

Janë ngritur pyetje edhe për masat joproporcionale të ndërmarra kundër Ora News për mosrespektimin e distancimit shoqëror në programet e saj, të cilat u kritikuan nga gazetarët e kanalit televiziv si shkelje e lirisë së tyre të shprehjes. Autoritetet kombëtare të shëndetit i vendosën gjoba të mëdha Ora News-it dhe urdhëruan mbylljen televizionit  për një periudhë të papërcaktuar.

Kryeredaktori i i RSF-së, Pauline Adès-Mével tha se procedimet gjyqësore kundër pronarit të mediave nuk duhet të kërcënojnë linjën editoriale dhe pavarësinë e gazetarëve. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të pranverës së ardhshme, është më thelbësore se kurrë që autoritetet të respektojnë pluralizmin në media dhe të lejojnë të shprehen të gjitha pikëpamjet, përfshirë edhe ato më kritike, u shpreh Adès-Mével.

Deklaratë e organizatave mbi raportin e Komisionit të Venecias për Paketën Anti-Shpifje

Tiranë më 6 Qershor 2020

Një grup organizatash të shoqërisë civile të renditura në fund të kësaj deklarate dëshirojnë të përshëndesin opinionin e ekspertëve të Komisionit Europian për Demokraci Përmes Ligjit (Komisioni i Venecias) dhe të falënderojnë ekspertët e Komisionit për analizën e thellë që i bënë propozimeve shumë shqetësuese të Këshillit të Ministrave në të ashtuquajturën Paketë Antishpifje.

Organizatat vërejnë se të gjitha shqetësimet e ngritura prej nesh që nga dhjetori i vitit 2018 kur drafti i parë u propozua nga Këshilli i Ministrave e deri më 19 dhjetor 2019, kur ndryshimet në ligje u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, janë konfirmuar si shqetësime madhore për lirinë e shprehjes, për demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës nga Opinioni i Venecias.

Ne i bëjmë thirrje Kryeministrit Edi Rama si nismëtar i këtij ligji dhe maxhorancës parlamentare të pranojnë opinionin e Venecias si përfundimtar e shterues dhe rrjedhimisht, të tërheqin ligjin në fjalë.

Siç theksohet në opinionin e Venecias “…mjetet ligjore të futura në amendimet e ligjit mund të bëjnë më shumë dëm se sa mirë në drejtim të lirisë së shprehjes në Shqipëri.”

Ne i bëjmë thirrje kryeministrit dhe maxhorancës socialiste të shfrytëzojnë këtë mundësi për të demonstruar se janë të gatshëm të reflektojnë publikisht mbi gabimet e tyre në të menduarit mbi lirinë e shprehjes.

Organizatat falënderojnë qytetarët e shumtë që mbështetën përpjekjen tonë 18 mujore në mbrojtje të lirisë së shprehjes në Shqipëri.

Lista e organizatave
BIRN Albania
Civil Rights Defenders
Citizens Channel
Faktoje
Grupi Shqiptar per te drejtat e njeriut
Instituti Shqiptar i Medias
Këshilli Shqiptar i Medias
Komiteti shqiptar i Helsinkit
Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
Neë Media Netëork
Qendra Res Publica
Qendra Shqiptare MediaLook
Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Deklaratë e “Aleancës kundër urrejtjes”

“Aleanca kundër urrejtjes”e përbërë nga Avokati i Popullit, Komisioneri për mbrojtjen nga Diskriminimi, Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Shoqatës “Këshilli Shqiptar i Medias” ,  shpreh shqetësimin e saj lidhur me përdorimin e një gjuhe urrejtjeje nga disa përfaqësues të rëndësishëm të grupimeve politike, të cilët kanë etiketuar me fyerje dhe stigmë grupe të caktuara, sidomos nga komuniteti LGBTI, për të luftuar disa veprime të institucioneve të ndryshme gjatë përkujtimit të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë dhe Transfobisë.

Është totalisht e dënueshme dhe e patolerueshme që të flitet apo të shkruhet në rrjetet sociale apo në media duke përçuar këtë frymë të dhunshme e cila nuk i përket fare komunikimit apo respektimit të të drejtave të njeriut.

Gjuha e urrejtjes krijon një mjedis ku mund të ndodhë dhuna e vërtetë.

“Aleanca kundër urrejtjes” ka bindjen se nuk mund të pretendosh se je në mbrojtje të një kauze të caktuar duke qenë vetë një shkelës I të drejtave të një grupimi tjetër dhe që shpërndan frymën e konfliktit apo shkeljes së të drejtave të të tjerëve.

“Aleanca kundër urrejtjes” e përbërë nga  institucionet kryesore në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave themelore të njeriut, vlerëson rëndësinë e kundërshtimit të gjuhës së urrejtjes për një shoqëri tolerante dhe demokratike, ku njerëzit gëzojnë të drejta të barabarta pavarësisht cilit grupimi shoqëror I përkasin.

“Aleanca kundër urrejtjes” është e vetëdijshme se vetëm me qëndrime të bashkërenduara nga të gjithë mbrojtësit e të drejtave të njeriut në shoqërinë tonë, mund ti jepet fund gjuhës së urrejtjes dhe pandëshkueshmërisë së cilitdo që përdor atë në foltoret e institucioneve, televizione, apo mediat sociale.

“Aleanca kundër urrejtjes” do të vijojë përpjekjet e saj për rritjen e vetëdijes, informimin dhe kontribuimin në dialogun, veçanërisht midis të rinjve, për luftën ndaj gjuhën e urrejtjes, dhe krijimin e urave të dialogut dhe bashkëveprimit me shoqërinë civile dhe organet publike, mbi pasojat e gjuhës së urrejtjes në shoqërinë shqiptare, ndikimin e saj në zhvillimin demokratik të vendit dhe reduktimin e këtij fenomeni në shoqërinë shqiptare.

EWB/ Liria e medias në Evropën Juglindore po zvogëlohet për shkak të krizës COVID-19

Qendra për Studim në Demokraci, Bullgari në bashkëpunim me Konrad Adenauer Stiftung organizuan ditën e djeshme një panel diskutimi për hapësirën që ze liria e medias në Evropën Juglindore gjatë pandemisë COVID-19.
Ky panel arriti në përfundimin që kontrolli i tepërt i qeverisë, rrëshqitja e demokracisë mbështetur në trendin paraekzistues e kapjes së medias dhe shtrëngimi i hapësirës për lirinë e mediave, janë pasoja të ngjashme kur vjen puna te masat e imponuara të COVID-19 në të gjithë Evropën Juglindore. (Për të lexuar artikullin e plotë nga EWB kliko këtu.)

Paneli përbëhej nga Elena Calistru, Drejtore dhe Themeluese e Qytetarëve Funky nga Rumania, Zef Preci, Drejtor Ekzekutiv, Qendra Shqiptare për Kërkime nga Tirana, Irina Nedeva, Presidente e Shoqatës së Gazetarëve Evropian nga Bullgaria dhe Igor Novakovic, Drejtori i Kërkimit, Qendra e Internationale Çështjeve Ndërkombëtare dhe Sigurisë nga Serbia.

Media, Gazeta; Foto marrë Pixabay

Drejtori i Qendrës për Studim në Demokraci, Stefanov Ruslan theksoi se mund të vërehen trende shqetësuese gjatë pandemisë duke shtuar se krahas përkeqësimit të gjendjes ekonomike të medias, mund të vëzhgohen gjithashtu tendencat e brendshme të autoriteteve.

Së pari është rikthimi i politikës globale të energjisë dhe lufta për mendjet dhe zemrat, tha ai.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, zef Preci tha se në kohën e pandemisë COVID-19 media nuk ka mjete për të monitoruar dhe verifikuar infornacionin e lëshuar nga qeveria dhe roli i mediave ka qenë për të qartësuar informacionin, jo për të siguruar infomacion të ri.

“Paketa kundër shpifjes u miratua nga Parlamenti, megjithëse të gjitha organet ndërkombëtare shprehen shqetësime për këtë, pasi i jep qeverisë autorizimin për rregullimin e mediave në internet, për shembull duke bllokuar një faqe në internet”, theksoi Preci .

 

Deklaratë e Përbashkët për Lirinë e Shprehjes dhe Zgjedhjet në Epokën Dixhitale

Më 30 prill 2020 u nënshkrua deklarata e Raportuesit të Posaçëm të Kombeve të Bashkuara (OKB) për Lirinë e Mendimit dhe Shprehjes, e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe e Raportuesit të Posaçëm për Lirinë e Shprehjes pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS).

 

DEKLARATË E PËRBASHKËT PËR LIRINË E SHPREHJES DHE ZGJEDHJET NË EPOKËN DIXHITALE

 

Raportuesit i Posaçëm i Kombeve të Bashkuara (OKB) për Lirinë e Mendimit dhe Shprehjes, Përfaqësuesi për Lirinë e Medias pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), si dhe Raportuesit i Posaçëm për Lirinë e Shprehjes pranë Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS),

Pasi diskutuan këto çështje me ndihmën e ARTICLE 19, Fushata Globale për Shprehjen e Lirë dhe të Qendrës për Ligj dhe Demokraci (CLD);

Duke kujtuar dhe riafirmuar Deklaratat tona të Përbashkëta të 26 nëntorit 1999, 30 nëntorit 2000, 20 nëntorit 2001, 10 dhjetorit 2002, 18 dhjetorit 2003, 6 dhjetorit 2004, 21 dhjetorit 2005, 19 dhjetorit 2006, 12 dhjetorit 2007, 10 dhjetorit 2008, 15 majit 2009, 3 shkurtit 2010, 1 qershorit 2011, 25 qershorit 2012, 4 majit 2013, 6 majit 2014, 4 majit 2015, 4 majit 2016, 3 marsit 2017, 2 majit 2018 dhe 10 korrikut 2019;

 Duke nënvizuar rolin thelbësor që luajnë liria e shprehjes dhe informimit, media e lirë, e pavarur dhe e larmishme si edhe Interneti falas dhe i aksesueshëm luajnë për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, përfshirë referendumet, sidomos në informimin e publikut rreth partive dhe kandidatëve si dhe platformave të tyre;

Duke vënë në pah rolin e medias shtetërore gjatë zgjedhjeve, kudo që ajo ekziston, sidomos për t’iu garantuar kandidatëve dhe palëve akses të barabartë te publiku, si platformëpër debat politik dhe informim të paanshëm dhe të saktë mbi çështjet zgjedhore;

Duke njohur rëndësinë që ka për demokracinësi peizazhi mediatik dinamik me debat publik konstruktiv mbi çështje me interes publik, ashtu edhe aksesi i publikut në një larmi të gjerë informacioni dhe idesh;

 Të vetëdijshëm për sfidat bashkëkohore me të cilat përballet liria e shprehjes dhe liria e medias, tëcilat janë shfaqur edhe për shkak të evoluimit të konsiderueshëm të mjeteve të komunikimit, konvergjencës mes medias tradicionale dhe dixhitale, rolit gjithnjë e më të spikatur të medias sociale dhe teknologjive dixhitale, si edhe nevojës për një kuadër normativ që disiplinon lirinë e shprehjes për të reflektuar këto ndryshime dhe për të nxitur mbikëqyrjen transparente dhe llogaridhënëse në moderimin e përmbajtjes së internetit;

Të ndërgjegjshëm për potencialin pozitiv të teknologjisë dixhitale gjatë zgjedhjeve, përfshirë faktin se u ofron zgjedhësve akses nëinformacion dhe i fuqizon që të shprehin opinionet e tyre dhe të ndërveprojnëdrejtpërdrejtë me kandidatët, si edhe u ofron kandidatëve dhe partive – edhe ato me kapacitete të kufizuara – mundësinë që të përhapin mesazhet e tyre dhe të mobilizojnë mbështetje;

Duke shprehur shqetësim të thellë për kërcënimet dhe sulmet e dhunshme me të cilat mund të përballen gazetarët gjatë zgjedhjeve dhe faktin se fushatat e përbaltjes që shënjestrojnë gazetarët, sidomos gazetaret, cenojnë punën e tyre si dhe besimin e publikut te gazetaria;

Duke u bërë thirrje qeverive që të mos abuzojnë me pozitën e tyre për ta bërë mbulimin mediatik të njëanshëm, qoftë të medias shtetërore apo medias private, apo duke përhapur propagandë që mund të ndikojë te rezultati i zgjedhjeve;

Duke denoncuar keqinformimin, çinformimin dhe dezinformimin si edhe “gjuhën e urrejtjes” të cilat mund të provokojnë dhe madje të acarojnë tensione zgjedhore, duke u bërë thirrje partive dhe kandidatëve të shmangin përdorimin e qëllimshëm të këtyre lloj deklaratash me qëllim që të rrisin kapitalin zgjedhor si dhe duke njohur rolin e rëndësishëm qërregullatorët e pavarur zgjedhorëluajnë në trajtimin e këtyre formave të shprehjes dhe në nxitjen e aksesit në informacion;

Të alarmuar për keqpërdorimin e medias si nga aktorët shtetërore ashtu edhe ato privatë për të minuar proceset zgjedhore, edhe përmes formave të ndryshme të sjelljes joautentike dhe përdorimittë “propagandës së automatizuar” (mjete automatike që ndikojnë sjelljen);

Të shqetësuar se shumë Shtete po miratojnë ligje të cilat, edhe pse formalisht të justifikuara nga problemet e paraqitura më lart, kufizojnë në mënyrë të padrejtë lirinë e shprehjes, zgjerojnë kontrollin e Shtetit mbi median, si dhe kufizojnë lirinë e internetit dhe/ose mundësinë e palëve të ndryshme që të mbledhin të dhëna personale;

Duke dënuar me forcëkufizimet mbi aksesin e publikut në internet, përfshirë bllokimin e pjesshëm apo tërësor të tij, gjë që kufizon rëndësi aftësinë e medias, partive, kandidatëve dhe palëve të tjera që të komunikojnë me publikun, ashtu edhe aksesin në informacion për pjesëtarët e publikut;

 Duke theksuar nevojën për rregulla dhe sisteme solide që imponojnë transparencë të partive dhe kandidatëve lidhur me shpenzimet mediatike gjatë zgjedhjeve;

 Duke pasur në vëmendje faktin se në mbarë botën është planifikuar të mbahen zgjedhje gjatë pandemisë së COVID-19, duke i krijuar kështu pengesa të reja raportimit që ndonjëherëështë i imponuar padrejtësisht nga aktorët shtetërorë, në njëkohë kur zgjedhësit kanë nevojë thelbësore për akses në informacion dhe ide me qëllim që të bëjnë zgjedhje të mirinformuara në zgjedhje;

Miratuan, më 30 prill 2020, në kuadrin e kremtimit të Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit, këtë Deklaratë të Përbashkët për Lirinë e Shprehjes dhe Zgjedhjet në Epokën Dixhitale:

 

  1. Rekomandime për Shtetet

 

a) Parime të Përgjithshme

i. Shtetet duhet të miratojnë një kuadër rregullator dhe institucional që nxit median e lirë, të pavarur dhe të larmishme, si në sektorin e medias tradicionale ashtu edhe në atë të medias dixhitale, që të jetëe aftë t’iu ofrojë zgjedhësve akses në informacion të plotë, të saktë dhe të besueshëm rreth partive, kandidatëve dhe procesit zgjedhor nëtërësi;

ii. Shtetet duhet të nxisin aksesin efektiv në Internet dhe në teknologji dixhitale për të gjitha pjesët e popullsisë, edhe duke ngushtuar hendeqet dixhitale me bazë gjinie, race, përkatësie etnike, aftësie të kufizuar, statusi socioekonomik dhe baza të tjera, si edhe duke miratuar kritere dhe politika të qarta që garantojnë respektimin e parimit tëpaanshmërisë së rrjetit.

iii. Shtetet duhet të garantojnë që çdo kufizim që i vihet lirisë së shprehjes gjatë periudhave zgjedhore të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare lidhur me tri kriteret testuese të ligjshmërisë, legjitimitetit të qëllimit, si dhe nevojës e cila nënkupton si vijon:

  • Nuk duhet të ketë censurë paraprake të medias, as përmes mjeteve si bllokimi administrativ i faqeve të internetit mediatike apo bllokimittë Internetit;
  • Çdo kufizim i të drejtës për të përhapur deklarata zgjedhore duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare, ku figurat publike duhet të kenë detyrimin të tolerojnë masë më të lartë kritike dhe mbikëqyrjeje sesa qytetarët e thjeshtë;
  • Nuk duhet të ketë ligje dezinformimi që janë të përgjithshme apo të paqarta, si p.sh. ndalime për përhapjen e “informacionit të rremë” apo “të informacionit joobjektiv”.
  • Çdo kufizim që i vihet medias kur raporton mbi sondazhe të opinionit publik gjatë zgjedhjeve duhet të jetë në përputhje rigoroze edhe me tri kriteret testuese.

 

iv. Aktorët shtetërorë nuk duhet të përdorin kurrë pozitën apo fuqinë e tyre që të ndërmarrin masa për të ndikuar padrejtësisht te raportimi i medias, përfshirë këtu edhe gjatë zgjedhjeve, qoftë me masa të drejtpërdrejta siç është licencimi i medias ose ushtrimi i kontrollit mbi median publike apo rregullatorët e medias, apo me masa të tërthorta si kufizimi i aksesit në letër shtypi, në frekuenca radiofonike apo në mundësinë e operatorëve mediatikë që të shpërndajnë produktet e tyre lirshëm në mbarë vendin.

v. Aktorët shtetërorë duhet t’i garantojnë medias që të gëzojë qenësisht aksesinte burimet zyrtare të informacionit dhe te kandidatët që garojnë për post publik, si edhe që të mos përballet me pengesa të padrejta gjatë përhapjes së informacionit dhe ideve, përfshirë këtu gjatë pandemisë së shëndetit publik COVID-19, duke përfshirë edhe zbatimin e parimeve të kësaj Deklarate të Përbashkët.

 

b) Mbulimi i Zgjedhjeve nga ana e Medias

 

i. Mediat, si ato tradicionale edhe ato digjitale, përgjatë periudhave zgjedhore,duhet të përjashtohen nga përgjegjësia në lidhje me shpërndarjen e deklaratave të bëra drejtpërsëdrejti nga partitë apo nga kandidatët, përveç rasteve kur ato deklarata janë gjykuar posaçërisht si të paligjshme nga një gjykatë apo trupë rregullatore e pavarur dhe e paanshme, ose kur ato deklarata përbëjnë nxitje për dhunë dhe organet e medias kanë pasur mundësi të vërtetë të parandalojnë shpërndarjen e tyre.

ii. Çdo trupë administrative e cila ka autoritetin të mbikëqyrë rregullat në lidhje me mediat përgjatë periudhave zgjedhore duhet të jetë e pavarur nga qeveria dhe vendimet e saj duhet t’u nënshtrohen shqyrtimit gjyqësor në kohë.

iii. Përgjatë periudhave zgjedhore, të gjitha mediat me pronësi publike duhet të sigurohen që publiku të informohet në lidhje me çështjet zgjedhore, të respektojnë rregullat e ngurta të drejtësisë, paanshmërisë dhe ekuilibrit, dhe t’u ofrojnë të gjitha partive dhe kandidatëve mundësi të barabarta për të komunikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë me publikun, qoftë pa pagesë ose sipas tarifave të subvencionuara.

iv. Të gjitha rregullat në lidhje me shpenzimet zgjedhore, hartuar me qëllim krijimin e një fushe loje zgjedhore të barabartë, duhet të vlejnë si për mediat tradicionale edhe për ato digjitale, duke pasur parasysh ndryshimet ndërmjet tyre, përfshirë këtu edhe rregullat në lidhje me transparencën e reklamave politike.

v. Shtetet duhet të bëjnë përpjekje të bashkërenduara për të përkrahur median digjitale dhe aftësinë për të kuptuar informacionet, edhe në lidhje me zgjedhjet.

vi. Nuk duhet të lejohet drejtimi me anë të medias i reklamave politike të synuara, në bazë të të dhënave personale, ndaj individëve, veçanërisht përgjatë periudhave zgjedhore, përveç rasteve kur ata individë japin pëlqim për përdorimin e të dhënave të tyre personale për atë qëllim.

 

c) Kufizimet e Lirisë së Shprehjes/Lirisë së Medias Përgjatë Zgjedhjeve

 

i. Shtetet duhet të shqyrtojnë mbështetjen e masave pozitive për të trajtuar dezinformimin në rrjet, siç janë përkrahja e mekanizmave të pavarur për kontrollin e fakteve dhe fushatat për edukimin e publikut, duke shmangur ndërkohë miratimin e rregullave që kriminalizojnë dezinformimin.

ii. Shtetet duhet të miratojnë ligje përshtatshmërish të qartë dhe përpjesëtimorë që ndalojnë shpërndarjen e deklaratave të hartuara posaçërisht për të penguar të drejtën e individëve për të votuar, siç është shpërndarja e qëllimshme e informacioneve të pasakta në lidhje me vendin dhe kohën e votimit,

iii. Shtetet kanë një detyrim të veçantë të ndërmarrin masa të shpejta dhe të efektshme për të parandaluar, mbrojtur, hetuar, ndjekur ligjërisht dhe ndëshkuar sulmet, kërcënimet, frikësimet dhe ngacmimet, qofshin jashtë rrjetit apo në rrjet, ndaj gazetarëve dhe punonjësve të tjerë te medias, përfshirë këtu edhe ndaj pronës apo familjes së tyre, përgjatë periudhave zgjedhore, veçanërisht kur përfshihen ose kur mund të përfshihen aktorë shtetërorë. Ky detyrim theksohet veçanërisht në rastin e grave gazetare dhe individëve që u përkasin grupeve të margjinalizuara.

iv. Ndërmjetësit në rrjet nuk duhet të jenë përgjegjës për dezinformimin, çinformimin apo keqinformimin e shpërndarë në platformat e tyre, përveç rasteve kur ata ndërhyjnë posaçërisht në përmbajtje ose kur nuk zbatojnë urdhrat e detyrueshëm për heqjen e asaj përmbajtjeje.

 

d) Qasja ne Informacione që kanë të Bëjnë me Zgjedhjet

 

i. Shtetet duhet t’u kërkojnë operatorëve të medias, si asaj tradicionale edhe asaj digjitale, të botojnë informacionet rreth pronësisë së tyre, në përputhje me parimet e mosdiskriminimit dhe testimit me tre pjesë.

ii. Partive dhe kandidatëve duhet t’u kërkohet të jenë transparentë në kohë të përshtatshme, edhe ndaj medias, në lidhje me shpenzimet zgjedhore dhe, veçanërisht, për shpenzimet për mediat tradicionale dhe atyre digjitale, si dhe për përpjekjet e tjera të komunikimit digjital.

iii. Aktorët shtetërorë, përfshirë këtu edhe ata përgjegjës për normimin e zgjedhjeve, duhet të jenë plotësisht transparentë në lidhje me marrëveshjet apo partneritetet e tyrenë lidhje me zgjedhjet, qofshin ato zyrtare apo jozyrtare, me ndërmjetësuesit në rrjet dhe, veçanërisht, me kompanitë e mediave digjitale dhe sociale.

 

  1. Rekomandimet për Aktorët Jo-Shtetërorë

 

a) Aktorët Digjitalë

 

i. Ndërmjetësit në rrjet dhe mediat digjitale duhet të zbatojnë Parimet Udhëheqëse të OKB-së për Biznesin dhe të Drejtat e Njeriut si dhe të zbatojnë kujdesin e nevojshëm për t’u siguruar se produktet, politikat dhe praktikat e tyre, edhe në fushat e grumbullimit të të dhënave private dhe mikro-synimit të mesazheve, nuk ndërhyjnë tek të drejtat e njeriut.

ii. Mediat dhe platformat digjitale duhet të bëjnë përpjekje të arsyeshme për miratimin e masave që u mundësojnë përdoruesve qasjen në pikëpamje dhe këndvështrime politike të shumëllojshme. Veçanërisht, ata duhet të sigurohen që mjetet e automatizuara, siç është edhe renditja algoritmike, me apo pa qëllim, të mos pengojnë padrejtësisht qasjen tek përmbajtjet në lidhje me zgjedhjet dhe gjindshmërinë e pikëpamjeve të larmishme të përdoruesve.

 

iii. Ndërmjetësit kryesorë në rrjet, si pjesë të verifikimeve të detyrueshme që duhet të bëjnë, duhet të shqyrtojnë edhe mundësinë e një vlerësimi për të parë nëse produktet, politikat e tyre ose praktikat që ata ndjekin për reklamat politike, kufizojnë në mënyrë arbitrare mundësinë e kandidatëve ose partive për të përcjellë mesazhet e tyre.

iv. Media digjitale dhe ndërmjetësit në rrjet duhet të bëjnë përpjekje të arsyeshme për të trajtuar dezinformimin, çinformimin, dhe keqinformimin, si dhe informacionet spam që kanë lidhje me zgjedhjet, përfshirë përmes verifikimit të pavarur të fakteve dhe formave të tjera, siç janë arkivat e reklamave, moderimi i duhur i përmbajtjes dhe vendosja e shenjave për ta bërë të vëmendshëm publikun.

v. Aktorët digjitalë, kur është e nevojshme, duhet të jenë transparentë në lidhje me përdorimin dhe ndikimet praktike që mund të sjellë çdo mjet i automatizuar që ata përdorin – pa qenë të detyruar të bëjnë transparent kodifikimin e posaçëm me të cilin veprojnë këto mjete – në çdo rast dhe për aq sa këto mjete ndikojnë në grumbullimin e të dhënave, reklamat që synojnë grupe të caktuara, si dhe përdorimin e përbashkët, renditjen dhe/ose heqjen e përmbajtjes, veçanërisht përmbajtjes që ka lidhje me zgjedhjet.

 

b) Palët e tjera të interesit

 

i. Transmetuesit nuk duhet të ndërhyjnë në transmetimin e përmbajtjes zgjedhore të palëve të treta, përveçse kur ata janë urdhëruar ta bëjnë këtë nga një gjykatë ose një organ rregullator i pavarur dhe i paanshëm (përfshirë edhe ato me natyrë administrative), ose kur janë thuajse të sigurt se kjo është e nevojshme për të parandaluar një dëm të qenësishëm që mund t’i bëhet një interesi legjitim, si për shembull përmes një akti dhune.

ii. Partitë, politikanët dhe kandidatët nuk duhet të ndërmarrin hapa që kufizojnë mundësitë e mediave dhe gazetarëve për të disponuar komunikimet publike që ata bëjnë në lidhje me zgjedhjet.

iii. Mediat, si ato tradicionale, ashtu edhe ato digjitale, duhet të bëjnë transparente metodologjitë e përdorura për çdo sondazh të opinionit publik që ato kryejnë ose për të cilin raportojnë.

 

Deklaratë për shtyp/ Prezenca e OSBE-së Shqipëri në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit

OSBE në Shqipëri ka dhënë një deklaratë për shtyp në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit në të cilën thotë se qëndron përkrah gazetarëve shqiptarë në misionin e tyre, veçanërisht në kohë krize si pandemia COVID-19.

Gjithashtu në deklaratën zyrtare ripërmenden rekomandimet e OSBE-së për median. Një ndër to tështë edhe vetërregullimi i medias si një alternativë e rëndësishme në mirëfunksionimin e saj në ndryshim nga rregullimi përmes qeverisë.

Deklarata e plotë e  OSBE-së

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri qëndron përkrah gazetarëve shqiptarë në përmbushjen e misionit kritik të medias në çdo vend demokratik e në çdo kohë, veçanërisht në kohë krize si kjo e pandemisë COVID-19. Ne i mbështetim gazetarët në përpjekjet e tyre për kontrata pune të mirëfillta, për më shumë qasje në informacion, për liri shprehjeje dhe për më shumë profesionalizëm.

Me  këtë rast, përsëritim edhe rekomandimet e OSBE-së që gazetarët të lejohen në veprimtari publike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore; që pronësia e medias të mos jetë e përqendruar; dhe që shpifja të hiqet plotësisht nga Kodi Penal. Ne nxitim vetërregullimin e medias si një alternative më e mirëkrahasuar me rregullimin nga ana e qeverisë.

KiE boton raportin vjetor “Mos e prekni lirinë e medias: Sulmi ndaj mediave në Evropë nuk duhet të kthehet në një normë”

Raporti vjetor i KiE “Mos e prekni lirinë e medias: Sulmi ndaj mediave në Evropë nuk duhet të kthehet në një normë”

 

Këshilli i Evropës ka botuar raportin  i cili paraqet vlerësimin vjetor të kërcënimeve ndaj lirisë së mediave në vendet anëtare të Këshillit të Evropës në vitin 2019, nga organizatat partnere në Platformën e Sigurisë së Gazetarëve. (Për të lexuar raportin e plotë në anglisht kliko këtu.)

Platforma është krijuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2015, në bashkëpunim me OJQ të shquara ndërkombëtare dhe aktive në fushën e lirisë së shprehjes dhe shoqatave të gazetarëve, për të lehtësuar mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit mbi kërcënime serioze për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Qëllimi i saj është të përmirësojë mbrojtjen e gazetarëve, të adresojë më mirë kërcënimet dhe dhunën kundër profesionistëve të mediave dhe të forcojë aftësinë e reagimit brenda Këshillit të Evropës.

Në mesin e 13 vendeve dhe rajoneve që ishin në fokusin e raportit të 2020 edhe Shqipëria bënte pjesë në vlerësimin vjetor të kërcënimeve ndaj lirisë së mediave.

Shqipëria

  • Në fund të dhjetorit 2019 kishte 11 paralajmërime aktive për Shqipërinë, me shtatë raste të reja të paraqitura në Platformë në vitin 2019, në krahasim me një në vitin 2018. Kjo rritje e dukshme sinjalizon një përkeqësim të kushteve të punës së gazetarëve në vend.
  • Katër alarme u përqendruan në ngacmimin dhe frikësimin e gazetarëve, përfshirë dhunën fizike. Një gazetare britanike, Alice Taylor, e cila punon për portalin në internet Exit.al, ishte shënjestra e një fushate njollosje pas një deklarate që ajo dha për Russia Today.  Portalet lokale publikuan foto duke akuzuar gazetaren se ishte paguar nga Federata Ruse dhe pretendohej se portali i saj ishte i lidhur me një parti opozitare.

Shtatë alarmet e reja në vitin 2019 sinjalizojnë një përkeqësim të kushtet e punës së gazetarëve në Shqipëri.

  • Më 13 Prill 2019, disa gazetarë u plagosën kur policia shqiptare ndezi gaz lotsjellës në një turmë gjatë një demonstrate në Tiranë. Një reporter dëmtua nga gazi lotsjellës. Një tjetër u godit në kokë me një shkop metalik, kinse nga një oficer policie. Autoritetet shqiptare iu përgjigjën alarmit në qershor, duke thënë se në asnjë rast policia nuk kishte kryer ndonjë dhunë kundër gazetarëve ose ekuipazheve të kamerave.
  • Më 29 qershor 2019, gazetari dhe kameramani Enver Doçi nga kanali televiziv News 24 u sulmua nga oficerët e policisë ndërsa po filmonte arrestimin e demonstruesve në Dibër. Raportohet se policia e rrahu dhunshëm në këmbë dhe në një krah. Policia e Shtetit iu përgjigj alarmit, duke thënë se i vjen keq për “veprimit të pakujdesshëm të kryer nga një oficer policie i Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë, duke rrëzuar gazetarin Enver Doçi ndërsa ai ishte duke filmuar operacionin policor”.
  • News 24 njoftoi mbylljen e dy talk show-ve: “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi dhe “A Show” nga Adi Krasta. Të dy programet ishin kritikë të Kryeministrit Edi Rama. Gazetarit Adi Krasta i ishte ndërprerë kontrata e punës pasi presidenti i News 24, Irfan Hysenbelliu, u raportua “i kërcënuar” nga Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Më 19 korrik 2019, gazetari Artur Cani zbuloi se Kryeministri ishte takuar me pronari i News 24 për të kërkuar shkarkimin e gazetarit Ylli Rakipi, duke paralajmëruar se Adi Krasta ka të ngjarë të humbasë edhe punën e tij.
  • Këshilli Shqiptar i Medias, një OJQ që përfshin gazetarë dhe media profesioniste, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për shfrytëzimin e tërmetit të 26 nëntorit 2019 për të mbyllur ose bllokuar mediat kritike në internet.
  • Më 30 nëntor 2019 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare bllokoi portalin e lajmeve joqalbania.com.

Liria e shtypit: Shqipëria zbret 2 vende! “Qeveria rriti përpjekjet për të kontrolluar mediat”!

Renditja e Lirisë së shtypit në botë për vitin 2020

Reporterë pa Kufi publikon renditjen e lirisë së shtypit në raportin “Liria e shtypit botëror 2020“. Në raport, Shqipëria ka  bërë regres duke u renditur e 84-a, dy pozicione më poshtë nga vitit i kaluar ku renditej e 82-ta.

Në tri vitet e fundit vendi ka pësuar një rënie të shpejtë të lirisë së medias dhe të drejtave të gazetarëve pavarësisht përpjekjeve për tu bërë pjesë e BE-së.

Shqipërinë e kanë lënë pas vendet si Haiti, Kirgistani, Qipro Veriore si dhe Kosova. Por gjithashtu Shqipëria ja ka kaluar vendeve të tjera të rajonit si Maqedoni, Mali i Zi, Serbi etj.

Raporti për Shqipërinë

Në raportit të Reporterë “Kërcënimi i ligjit për shpifjen” thuhej se 2019 ishte një vit që qeveria rriti përpjekjet për të marrë kontrollin e mediave me justifikimin e parandalimit të lajmeve të rreme. Paketa e ashtuquajtur “anti-shpifje” u votua gjatë dhjetorit, “duke kufizuar liritë e shprehjes, informacionit dhe shtypit dhe duke kundërshtuar praktikat më të mira ndërkombëtare”.

Pasuar me përdorimin e tërmetit të nëntorit të vitit të kaluar me pretekstitn se dy gazetarë dhe aktivistë janë arrestuar për  shpërndarjen e “lajmeve të rreme” , mbylljen e mediave online kritike të qeverisë si dhe thirrjet e Kryeministrit Rama për publikun që të mbrohen nga media gjatë shpërthimit të pandemisë COVID-19 në mars 2020.

Reporterë pa kufij  vuri në dukje se Shqipëria, e cila synon të bëhet pjesë e Bashkimit Europian, nuk ka arritur të zgjidhë dhe të sanksionojë çështje të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimeve serioze kundër gazetarëve.

Reagim ndaj bllokimit të Medium dhe portaleve pornografike nga AKEP

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shumë shqetësim ndaj bllokimit nga AKEP të qasjes në uebsajtin komunitar Medium.com. Prej këtij vendimi, Shqipëria i bashkohet 3 shteteve të tjera që e kanë bllokuar Medium: Kina, Egjipti dhe Malajzia. Ky vendim i AKEP është censurë e pastër, është vendim anti-ligjor dhe anti-kushtetues.

Po ashtu, pak ditë më parë AKEP në mënyrë anti-ligjore bllokoi qasjen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë në disa uebsajte pornografike, që gjithashtu është një censurë e pastër që e çon Shqipërinë drejt grupit të vendeve si Arabia Saudite, ku këto websajte janë të bllokuara për akses.

AKEP nuk e ka tagrin ligjor për të bërë këto veprime.

“Medium” është një blog ndërkombëtar ku me qindra njerëz postojnë artikuj dhe me mijëra të tjerë informohen përditë mes tyre. Uebsajti Medium qendroi i bllokuar për disa ditë, ndërsa ditën e martë akoma disa ISP nuk e kanë hapur aksesin në të.

Arsyeja e bllokimit të “Medium” ishte një ankimim në AMA e Z. Ermal Mamaqi për publikimin e disa linkeve për në sajtet pirate në këtë portal. Ndërsa rasti i uebsajteve pornografike kishte të bënte me publikimin e një videoje intime të një individi në formën e “revenge porn” (publikimit me qëllim dëmtimi të fotove apo videove intime të një individi). Nëse AMA ka kërkuar mbylljen e medium.com, veprimi i AMA-s do të ishte i jashtëligjshëm. Nëse AKEP e ka ndërmarrë vetë këtë vendim, prapë është veprim i jashtëligjshëm.

KSHM është e përkushtuar për të drejtën e autorit, dhe është një nga promovuesit e mbrojtjes së kësaj të drejte. Por, ajo nuk mund të tolerojë censurën dhe veprime anti-ligjore që bëhen në emër të çfarëdo kauze të drejtë.

P.sh., Në rast se dikush poston në FB vjegëza të sajteve pirate, kjo nuk do të thotë që qeveria shqiptare duhet të mbyllë FB. Aq më tepër, që Medium.com ka një faqe ku qartazi mundësohet raportimi i shkeljes së të drejtave të autorit apo plagjiatura  çka e bën akoma më të rëndë rekomandimin e AMA-s dhe censurën e AKEP.

Edhe në rastin e uebsajteve porno, AKEP nuk ka tagër ligjor të bllokojë krejt uebsajtin për një material të vetëm.

“Revenge porn” është një nga fenomenet më të shëmtuara të shoqërisë shqiptare dhe një akt i pastër kriminal. Shteti shqiptar duhet të krijojë mekanizma për të mbrojtur viktimat e “revenge porn” duke dënuar në rradhë të parë personin që e ka shpërndarë këtë video. Por, nëse ajo video po qarkullon në aplikacionin Whatsapp, kjo nuk do të thotë që AKEP apo kushdo tjetër duhet të bllokojë përdorimin e tij në territorin shqiptar.

KSHM është shumë e shqetësuar se, ndërsa ligji censurues ndaj medias nuk është miratuar akoma në pritje të vendimit të Komisionit të Venecias, AKEP dhe AMA po veprojnë sikur ky ligj të ishte në fuqi.

KSHM u bën thirrje organizmave ndërkombëtarë të ndërhyjnë ndaj aplikimit të pastër të censurës në territorin shqiptar.

KSHM u bën thirrje mediave partnere të raportojnë fort aktet e censurës.

KSHM u bën thirrje dhe qytetarëve shqiptarë të reagojnë fort ndaj veprimeve që kufizojnë në mënyrë anti-ligjore e anti-kushtetuese të drejtëne tyre për informim.

Së bashku ne duhe të ndalojmë që këto veprime të kthehen në diçka “normale” për Shqipërinë.