OSBE në Shqipëri ka dhënë një deklaratë për shtyp në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit në të cilën thotë se qëndron përkrah gazetarëve shqiptarë në misionin e tyre, veçanërisht në kohë krize si pandemia COVID-19.
Gjithashtu në deklaratën zyrtare ripërmenden rekomandimet e OSBE-së për median. Një ndër to tështë edhe vetërregullimi i medias si një alternativë e rëndësishme në mirëfunksionimin e saj në ndryshim nga rregullimi përmes qeverisë.
Deklarata e plotë e OSBE-së
Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri qëndron përkrah gazetarëve shqiptarë në përmbushjen e misionit kritik të medias në çdo vend demokratik e në çdo kohë, veçanërisht në kohë krize si kjo e pandemisë COVID-19. Ne i mbështetim gazetarët në përpjekjet e tyre për kontrata pune të mirëfillta, për më shumë qasje në informacion, për liri shprehjeje dhe për më shumë profesionalizëm.
Me këtë rast, përsëritim edhe rekomandimet e OSBE-së që gazetarët të lejohen në veprimtari publike, veçanërisht gjatë fushatave zgjedhore; që pronësia e medias të mos jetë e përqendruar; dhe që shpifja të hiqet plotësisht nga Kodi Penal. Ne nxitim vetërregullimin e medias si një alternative më e mirëkrahasuar me rregullimin nga ana e qeverisë.