Në deklaratën për shtyp të publikuar mëngjesin e së premtes, Reporterët pa Kufij (RSF) u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të mos ndërhyjnë në linjën editoriale të dy kanaleve televizive Ora News TV dhe Channel One, të cilat janë kapur si pjesë e një hetimi gjyqësor ndaj pronarit të tyre, biznesmenit Ylli Ndroqi.
Me urdhër të gjykatës speciale për korrupsion dhe krim të organizuar Ndroqi u ndalua në makinën e tij të hënën, më 3 gusht 2020 si dhe forcat e FNSH-së dhe RENEA-s zbritën televizionin e tij për sekuestro duke qenë se dy televizionet e tij, Ora News dhe Channel One bënin pjesë mes 26 pasurive të Ylli Ndroqit. Sipas SPAK Ndroqi dyshohet se ka fituar këto pasuri me të ardhurat nga trafiku ndërkombëtar i drogës. Ministria e brendshme është ngarkuar me administrimin e dy kanaleve televizive dhe kryerjen e një inventari të ambienteve të tyre në prani të policisë dhe zyrtarëve të shtetit.
Këshilli Shqiptar i Medias reagoi menjëherë lidhur me sulmin që i bëhet fjalës së lirë duke i vënë sekuestro linjës editoriale së dy televizioneve. (Reagimin e KSHM-së mund ta lexoni këtu.)
Këto dy kanale televizive janë të njohura për zërin e tyre kritik ndaj qeverisë, por edhe për shkak se kryetari i bashkisë së Tiranës është përpjekur në mënyrë të përsëritur të marrë dy media për të ndaluar kritikat ndaj tij. Në maj, Ora News raportoi se ai kishte kërcënuar me pushim nga puna punonjësit e bashkisë afër Ndroqit nëse të dy kanalet televizive vazhdojnë të kritikojnë administratën e tij. Ora News akuzoi gjithashtu kryetarin e bashkisë se siguroi mbështetje financiare në uebfaqen e City News Albania në mënyrë që ajo të botonte artikuj që njollosnin Ndroqi. Në përgjigje të sulmeve dhe ngacmimeve të përsëritura të kryetarit të bashkisë, biznesmeni ngriti dy ankesa kundër tij, duke përfshirë një padi për shpifje.
Janë ngritur pyetje edhe për masat joproporcionale të ndërmarra kundër Ora News për mosrespektimin e distancimit shoqëror në programet e saj, të cilat u kritikuan nga gazetarët e kanalit televiziv si shkelje e lirisë së tyre të shprehjes. Autoritetet kombëtare të shëndetit i vendosën gjoba të mëdha Ora News-it dhe urdhëruan mbylljen televizionit për një periudhë të papërcaktuar.
Kryeredaktori i i RSF-së, Pauline Adès-Mével tha se procedimet gjyqësore kundër pronarit të mediave nuk duhet të kërcënojnë linjën editoriale dhe pavarësinë e gazetarëve. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të pranverës së ardhshme, është më thelbësore se kurrë që autoritetet të respektojnë pluralizmin në media dhe të lejojnë të shprehen të gjitha pikëpamjet, përfshirë edhe ato më kritike, u shpreh Adès-Mével.