Deklaratë: Për paketën e projektligjeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave për rregullim e medias online

Pasi u njohëm me projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr.97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar; dhe projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin Nr.9918 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë,” të ndryshuar, të miratuar nga Këshilli i Ministrave me datë 3 korrik 2019, si pjesë e të ashtuquajturës ‘paketa anti-shpifje”, ne, përfaqësuesit e organizatave të lirisë së medias, shprehjes dhe organizatave të të drejtave të njeriut, deklarojmë sa më poshtë:

Projektligjet e miratuara nga qeveria shqiptare nuk përmbushin standardet ndërkombëtare dhe principet e lirisë së medias dhe shprehjes të parashikuara në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Projektligjet i japin fuqi një enti administrativ shtetëror për të rregulluar përmbajtën e mediave online, ndërkohë që nuk adresojnë problemin e gjithpërhapur të propagandës së kamufluar si informacion dhe dizininformimit të sponsorizuar nga qeveria, njësitë e qeverisjes vendore dhe partitë politike.

Këto projektligje rrezikojnë të rrisin censurën dhe vetcensurën në median shqiptare dhe mund të kontribuojnë në përkeqësimin e mëtejshëm të lirisë së shprehjes dhe medias në Shqipëri, e cila siç u konstatua dhe nga një mision i shtatë organizatave ndërkombëtare në qershor 2019 është “në përkeqësim”.

Projektligjet në mënyrë të paprecedentë në vendet demokratike, synojnë të krijojnë një regjim kontrolli administrativ mbi median online, përmes Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA). AMA është institucion anëtarët e të cilit emërohen dhe shkarkohen në pothuajse diskrecion të plotë nga partitë politike. Ky institucion administrativ, Këshilli i Ankesave pranë AMA, synon të zëvendësojë modelin e vetë-rregullimit të mediave online dhe rolin e gjykatave me një mandat të gjerë e përkufizuar si “mbrojtja e dinjitetit dhe privatësisë”.

Ndryshimet e propozuara në ligjin Nr.97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” në mënyrë të tërthortë imponojnë regjistrimin e ‘ofertueseve të shërbimeve të mediave’ si parakusht për të përftuar “lehtësira fiskale apo të ndonjë lloji tjetër.”

Ky projektligj i jep fuqinë Këshillit të Ankesave pranë Autoritetit të Medias Audiovizive në rastet e shkeljes së “dinjitetit dhe privatësisë së qytetarëve,” të detyrojë mediat online të publikojnë kërkesa ndjese – bazuar në një formulë të aprovuar nga AMA, të heq përmbajtjen nga interneti ose parashikon vendosjen nga Autoriteti i Komunikimeve Postare dhe Elektronike të një njoftimi “pop-up” me vendimin e AMA-s. Detyrimi i vendosur ndaj medieve online për ruajtjen e “dinjitetit dhe privatësisë së qytetarëve” është shumë i gjerë dhe i paqartë, çfarë i jep mundësinë Këshillit të Ankesave të kthehet në një organ cenzure, duke urdhëruar heqjen e përmbajtjes nga media online në një mënyrë diskrecionale dhe pa urdhër të gjykatës.

Ne besojmë se një organ administrativ, si AMA, nuk mund dhe nuk duhet të ngarkohet me kompetencat e shqyrtimit të shpifjes, të cilat gjykohen nga gjykatat penale dhe civile në vend.
Projektligji për ndryshimin e ligjit Nr.97/2013, “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë,” gjithashtu parashikon fuqizimin e Këshillit të Ankesave për të vendosur masa administrative joproporcionale që variojnë nga 100,000 lekë deri në 1 milion lekë, të cilat nuk pezullohen nga ankimi në gjykatë. Këto masa ‘drakonike’ administrative nuk diferencojnë qartë nëse ofertuesi i shërbimeve mediatike është një ‘blog’ i një qytetari apo publikimi online i një televizioni kombëtar.

Gjithashtu, ndryshimet e propozuara në ligjin Nr.9918 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë,” lënë hapësirë për një rregullim të dyfishte të medias online, jo vetëm nga AMA por edhe nga AKEP. Ndryshimet e propozuara të nenit 137 të këtij ligji, i ekspozojnë “ofruesit e shërbimit të komunikimeve publike’” që nuk zbatojnë urdhrat/vendimet e AKEP-it, të cilat lidhen me zbatimin e akteve/vendimeve të Këshillit të Ankesave dhe të AMA-s apo të nxjerra nga çdo organ tjetër me kompetenca ligjore në këtë fushë, ndaj gjobave që shkojnë deri në 100 milionë lekë.
Të dy projektligjet e propozuara bien ndesh me praktikat më të mira ndërkombëtare që synojnë vetë-rregullimin e medias online dhe jo rregullim shtetëror të saj, përmes ngritjes së institucioneve administrative censuruese. Gjithashtu, ata nuk janë hartuar pëmes një procedure transparente dhe në konsultim me aktorët e interesuar.

Ne inkurajomë Qeverinë Shqiptare të tërheqë dy projektligjet si dhe i bëjmë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të mos i miratojë ato, duke marrë parasysh kundërshtitë e ngritura nga gazetarët, shoqëria civile dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë. Qeveria, në vend se të bëjë rregullim të dyfishtë të shpifjes dhe fyerjes, duhet të fokusohet në dekriminalizimin e plotë të tyre, bazuar në shembujt më të mirë ndërkombëtarë.

Miratimi i këtyre projektligjeve në formatin aktual apo me ndryshime kozmetike do të ishte një hap pas për demokracinë dhe liritë themelore në Shqipëri dhe procesin e integrimit të vendit në familjen evropiane.

Organizatat firmëtare

  1. BIRN Albania
  2. Civil Rights Defenders
  3. Instituti Shqiptar i Medias
  4. Instituti Shqiptar i Shkencave
  5. Këshilli Shqiptar i Medias
  6. Qendra Res Publica
  7. Qendra Shqiptare MediaLook
  8. Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
  9. Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
  10. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë

*Letra do t’i dërgohet si njoftim edhe të gjitha institucioneve, organizatave dhe mediave ndërkombëtare.

REAGIM: Projektligji i ri i medias, edhe më i keq se i pari

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim në lidhje me projektligjin e ri të medias, të miratuar nga Qeveria në datën 3 korrik 2019 e që pritet të dërgohet për miratim në Kuvend.

Së pari, Projektligji, duke qenë se është një variant krejt i ri, nuk ka kaluar në asnjë tryezë konsultimi me palët e interesuara, çka bie ndesh me ligjin për konsultimin publik.

Së dyti, ky projektligj thyen principin e rregullimit të çështjeve etike të medias në Europë, që është “Vetërregullimi”. Projektligji vendos që çështjet etike t’i zgjidhë me rregullim nga ana e shtetit, përmes AMA-s, duke bërë që në frymë ligji të cënojë këtë princip rrënjësor në lidhje me lirinë e medias në BE e më tej.

Së treti, projektligji i kalon kompetencat për rregullim një zyre brenda AMA-s. Por,

a) AMA, nuk ka kapacitetet e duhura për të bërë këtë rregullim. AMA nuk po arrin as të kryejë detyrat që ka (si p.sh., mbledhjen e pagesave nga operatorët televizivë) jo më të ketë detyra më të vështira e të komplikuara si kontrolli e gjykimi i shkeljeve të etikës.

b) AMA, nuk krijon asnjë garanci që punonjësit e Zyrës së Këshillit të Ankesave kanë integritetin, pavarësinë, dhe kualifikimet e duhura për të bërë ekzaminimin e rasteve të shkeljes së etikës.

Së katërti, ky projektligj i jep një organi Administrativ të gjykojë mbi tema të lirisë së shprehjes. Kjo duhet të jetë kompetencë vetëm e gjykatës. Gjykimi se ku mbaron liria e shprehjes dhe ku fillojnë të drejta të tjera, si e drejta për jetë private apo e drejta për të mbrojtjen e nderit e të dinjitetit të personit nuk mund t’i lihet një organi adminstrativ si zyra e Këshillit të Ankesave të AMA-s. Kjo ëshët kompetencë vetëm e gjykatave shqiptare që kanë të tërë instrumentet për të gjykuar e vendosur në këto raste.

Së pesti, ligji ka plot probleme teknike në vetvete, që nga formulimi, afatet e ngushta të caktuara për reagim, sanksionet e larta e deri tek vendosja e sanksioneve fikse që janë antikushtetuese.

Së gjashti, ky draft është politikisht i pasinqertë sepse përmban gjoja parime që synon t’i respektojë, por përmes formulimeve i cënon ato. Sanksionet e larta, afatet e shkutra dhe mos garancia e AMA’s për gjykim të pavarur do të nxisin vetëcensurën ndër media e tek gazetarët.

Prandaj, KSHM, kërkon që Qeveria të tërheqë urgjentisht projektligjin.

Gjithashtu, KSHM fton organizatat ndërkombëtare, OSBE-në, Këshillin e Europës, Bashkimin Europian që të ushtrojnë presionin e duhur që ky ligj të mos kalojë, për shkak se në frymë por dhe në përmbajtje cënon lirinë e medias dhe nxit vetë-censurën.

Kryeministri i Shqipërisë duhet të respektojë lirinë e shtypit!

Reporterë pa Kufinj dhe Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias kanë kritikuar ashpër sjelljen e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili ka kërcënuar gazetarin e gazetës BILD, Tiede, në rrugë ligjore.

Gazeta publikoi një artikull online më datë 5 qershor 2019, i cili akuzonte kreun e qeverisë për blerjen e votave me para të pista, gjatë zgjedhjeve të mbajtura në vitin 2017. BILD mbështet këto akuza me anë të përgjimeve telefonike të cilat dokumentojnë lidhjet e qeverisë me mafian.

Sipas BILD, autenticiteti i përgjimeve është i vërtetuar. Z. Rama në mënyrë të menjëherëshme njoftoi se do të padisë Tiede-n në gjykatën gjermane. Ai u justifikua duke u shprehur se gjykata gjermane nuk bën lojëra dhe se dinjiteti i njerëzve dhe i shtetit respektohen.

Të martën, më 26 qershor, në një postim në Twitter, z. Rama shtoi se ka angazhuar avokatin gjerman të medias, Matthias Prinz. Postimi vazhdon pak a shumë kështu: “Gjykata gjermane duhet të vendosë se cili ka të drejtë dhe cili jo. Po e bëj këtë sepse shqiptarët meritojnë të dinë të vërtetën, e thënë nga një gjykatë e një vendi i cili është përtej kritikave”. Gazetari i BILD, Peter Tiede replikoi me anë të një pyetjeje: “Për çfarë supozohet që të jem fajtor, për publikimin e audio-regjistrimeve të vërteta?”

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka një perceptim jo të zakonshëm për demokracinë dhe të drejtat e njeriut” shprehet Christian Mihr, Drejtori i Reportereve pa Kufinj në Gjermani. “Ndër të tjera, është detyra e medias të mbajë përgjegjësi. Kjo është pikërisht ajo çfarë gazeta BILD ka bërë duke mbështetur gjithnjë e më tepër kërkimin e burimeve. Këto janë gurët e themelit të lirisë së shtypit, të cilën ne e kemi vendosur si një nga vlerat e Bashkimit Europian. ”

Një komb i cili kërkon me patjetër të jetë pjesë e komunitetit që respekton këto vlera”, vazhdon Mihr.

Në vend që të nisë prokurë kundër gazetarëve, KM Edi Rama duhet të angazhohet në përmirësimin e lirisë së shtypit në vend dhe të ndalojë së etiketuari gazetarët si ‘kazan’, tha Flutura Kusari, Këshilltarja Ligjore e Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias.

Shqipëria ashtu si edhe Maqedonia e Veriut po tenton të bëhet anëtare e BE-së. Por Brukseli e ka shtyrë hapjen e negociatave. Për javë të tëra, mijëra qytetarrë shqipëtarë kanë dalë të protestojnë në rrugë kundër përfshirjes së qeverisë në afera korruptive. Protestat janë nxitur nga publikimi i audio-përgjimeve. Regjistrimet janë bërë në 2016-n dhe 2017-n, si pjesë e një investigimi anti-mafie dhe zbardhjet dolën nga dokumentet e Prokurorisë. Si fillim Prokurori i mbajti këto të fshehta dhe reagoi vetëm pas publikimeve nga BILD. Gjithsesi, si përgjigje të kërkesës nga Deutsche Ëelle, Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare për manipulimin e zgjedhjeve.

Opozita është duke kërkuar dorëheqjen e Kryeministrit, dhe Partia Socialiste është nën presion për zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Vetëm javën e fundit, përfaqësuesit e Reporterë pa Kufinj, Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias, Neni 19, Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Federatës Europiane të Gazetarëve, Institutit të Shtypit Ndërkombëtar dhe Shoqatës së Medias për Europën Juglindore janë rikthyer nga një mision 4-ditor në Shqipëri. Ata takuan punonjës të medias, përfaqësues të shoqërisë civile dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, duke përfshirë edhe vetë Kryeministrin.

U bë e qartë se situata e lirisë së shtypit në Shqipëri është përkeqësuar. Mbizotëron mosndëshkimi i sulmeve të fundit ndaj gazetarëve, fyerjet e liderave politikë dhe shpifjet ndaj punonjësve të medias. Autoritetet duke përfshirë zyrën e Kryeministrisë dhe Bashkisë së Tiranës veprojnë në mungesë të transparencës dhe refuzojnë aksesin e gazetarëve kritikë.

Rama i tha delegacionit se ai “nuk do të përdorë ligjin e krimit kundër gazetarëve por do të vazhdojë që të sjellë çështje të shpifjes civile kundër gazetarëve në raste ‘ekstreme’. ”

Së fundmi, qeveria propozoi ligje të reja për median, të cilat do të aplikonin masa të rënda ndëshkimore ndaj medias shqipëtare dhe asaj të huaj.

Shqipëria renditet e 82-ta nga 180 shtete në listën e lirisë së shtypit të Gazetarëve pa Kufinj.

 

Përkthyer nga deklarata për shtyp e REPORTERS SANS FRONTIÈRES/ REPORTERS WITHOUT BORDERS, dt 28 qershor 2019.

Misioni i organizatave ndërkombëtare të mediave në Shqipëri: “Liria e shtypit, në rënie”

Një Mision i përbashkët i 7 Organizatave Ndërkombëtare të Shtypit (Qendra Europiane për Lirinë e Shtypit e të Medias  (ECPMF), ARTICLE 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve  (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufinj (RSF) Dhe Organizata për Median e Europës Juglindore (SEEMO) kryen një vizitë 3 ditore në Shqipëri ku u takuan me shumë aktorë të shtypit, shoqërisë civile dhe politikës, ndër to edhe Këshilli Shqiptar i Medias.

Misioni i Përbashkët i Shtypit në Konferencën për shtyp:  (nga e majta) Oliver Vujovic (SEEMO), Attila Mong (CPJ), Flutura Kusari (ECPMF), Sarah Clarke (Article 19), Scott Griffen (IPI).

I përmbledhur nga Besar Likmeta për Birn, konkluzioni i vizitës që këtij Misioni të Medias ka përfunduar me një raport dërrmues ndaj autoriteteve dhe klasës politike shqiptare, duke nënvizuar se Shqipëria nuk po përmbush detyrimet e saj përpara ligjit vendas, detyrimet si anëtare e Këshillit të Europës, OSBE-së dhe aspiratat si vend kandidat në Bashkimin e Evropian.

‘Delegacioni gjeti se liria e medias në Shqipëri po përkeqësohet. Sulmet e fundit fizike ndaj gazetarëve nuk janë zbardhur. Zyrtarë të lartë publik rregullisht përdorin gjuhë fyese dhe nënvleftësuese ndaj gazetarëve kritikë. Administrata publike, duke përfshirë zyrën e kryeministrit dhe kryetarin e bashkisë së Tiranës, nuk është transparente në ndërveprimet e saj me median dhe kufizon qasjen e gazetarëve kritikë. Legjislacioni i propozuar kohët e fundit për mediat, përfshirë një skemë rregullimi të drakoniane për mediat shqiptare dhe të huaja në internet, nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut,” nënvizoi në një raport paraprak delegacioni.

Misioni për lirinë e medias në Shqipëri, i cili zgjati nga data 18 deri në 21 maj, përbëhej nga Qendra Europiane për Lirinë e Medias dhe të Shtypit ( ECPMF), Artikulli 19, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Reporterët pa Kufij (RSF) dhe Organizata e Medias në Europën Juglindore (SEEMO).

“Ne jemi në mënyrë të veçantë të shqetësuar nga rritja e gjuhës fyese dhe denigruese ndaj gazetarëve nga politikanët, sepje kjo lloj sjellje i hap rrugën kërcënimeve dhe ngacmimeve,” tha Sarah Clarke, nga organizata Artikulli 19 gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Tiranë, ku u prezantuan gjetjet e misionit.

“Ne jemi gjithashtu të shqetësuar për vet-censurën dhe jemi të tronditur nga lidhja e ngushtë midis politikanëve, pronarëve të mediave dhe grupeve të interesit,” shtoi ajo.

Gjatë tre ditëve në Tiranë, delegacioni mblodhi informacione dhe pati takime me gazetarë, kryeredaktorë, përfaqësues të shoqërisë civile, organizata ndërkombëtare, ambasada të atashuara në Tiranë dhe zyrtarë të lartë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama. Kryetari i bashkisë së Tiranës Erjon Veliaj refuzoi të takohej me delegacionin.

“Fakti që ne jemi këtu tregon se ka një problem,” tha Oliver Vujovic, sekretar i përgjithshëm i Organizatës së Medias në Europën Juglindore. “Shqipëria është një nga vendet e rajonit me problemet më të mëdha në media,” shtoi ai.

Koalicioni i organizatave të lirisë së medias u shpreh shumë i shqetësuar mbi amendamentet e propozuara nga qeveria për legjislacionin e medias në dhjetor 2018, të cilat parashikojnë vendosjen e regjistrimit të detyrueshëm për media online dhe krijojnë një ent administrativ me fuqinë për të gjobitur dhe mbyllur median online, si dhe me pushtetin që të bllokojë aksesin në median ndërkombëtare pa një vendim gjykate.

“Në konsideratën tonë këto masa përpiqen të fusin rregullimin shtetëror të mediave në internet, gjë që është në kundërshtim me praktikat më të mira ndërkombëtare mbi vetë-rregullimin dhe do të kishte një ndikim të dëmshëm në lirinë e shprehjes, informacionit dhe lirinë e shtypit në Shqipëri,” tha koalicioni.

Koalicioni vuri në dukje se këto amendamente ishin diskutuar gjatë takimit me kryeministrin Edi Rama, i cili është shprehur se pas kritikave ndërkombëtare të këtij draft-legjistlacioni, mundësia për të mbyllur mediat nga qeveria do të eliminohet dhe vlera e gjobave do të ulet.

Koalicioni nënvizoi se mbetet i shqetësuar për mungesën e konsultimeve për draftet ligjore të propozuara, të cilat u paraqitën gjatë periudhës festive të Krishtlindjeve dhe i kërkon qeverisë që të ndërmarrë hapa për ti konsultuar amendamentet me gazetarët dhe shoqërinë civile.

Delegacioni i organizatave të lirisë se medias gjithashtu shprehu shqetësimin për rritjen e numrit të padive për shpije të motivuara politikisht- të depozituara nga politikanë dhe që kërkojnë shuma joproporcionale për dëmshpërblim.

Ato nënvizuan se edhe pse dënimet me burg për raste shpifjeje u shfuqizuan në vitin 2012, shpifja dhe fyerja mbeten vepra penale të dënuara me gjobë dhe vitet e fundit ka pasur propozime për të rifutur në kodin penal dënimet me burg për shpifje kundër zyrtarëve të lartë shtetëror.

“Edhe pa kërcënimin e dënimit me burg, mundësia e përballjes me një dënim penal mund ti shtyjë gazetarët drejt vet-censurës,” tha koalicioni. “Ne e inkurajojmë Shqipërinë që t’i shfuqizojë të gjithë ligjet penale për shpifjen dhe fyerjen,” shtoi ai.

Koalicioni u njoftua gjatë takimeve me palët e interesuara se sulmet serioze fizike ndaj gazetarëve dhe kërcënimet mbeten të pahetuara dhe të pazbardhura nga autoritetet. Gjithashtu gjatë protestave të fundit ka pasur gazetarë që janë plagosur. Ndërkohë, delegacioni është njoftuar se gazetarët investigativë janë hequr nga puna ose kërcënuar për shkak të raportimeve të tyre, në disa raste me ndërhyrjen e dyshuar të politikanëve të partisë në pushtet. Në disa raste gazetarët nuk i kanë raportuar sulmet dhe kërcënimet tek autoritet dhe nuk kanë informuar publikun.

“Ne jemi të shqetësuar që gazetarët nuk i raportojnë sulmet dhe kërcënimet,” tha Attila Mong nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve.

Delegacioni deklaroi se autoritetet nuk i ndjekin këto raste dhe nuk i hetojnë motivet që qëndrojnë mbas këtyre sulmeve.

“Ne jemi të shqetësuar se dështimi i autoriteteve për t’i hetuar në tërësi këto raste, kontribuon në atmosferën e pandëshkueshmërisë që mund ti jap guxim autorëve për të ndërmarrë sulme të ngjashme dhe t‘i frikësojnë gazetarët që të heshtin,” thanë organizatat. “Ne jemi gjithashtu të shqetësuar që autoritet kanë dështuar të krijojnë siguri për gazetarët që mbulojnë protesta,” ata shtuan.

Gjatë takimeve me gazetarë, delegacioni u informua se kryeministri Edi Rama u referohet shpesh medias me termin ‘kazan’ dhe gazetarëve me termin ‘kadri’, ndërkohë lideri i opozitës Lulzim Basha u referohet mediave si të ‘kapura dhe të blera.” Sipas anëtarëve të misionit kjo lloj gjuhe i denigron gazetarët dhe i bën ato shënjestra për sulme në sy të publikut, duke rritur riskun e kërcënimeve dhe dhunës ndaj tyre.

“Ne jemi të alarmuar nga një gjuhë e tillë fyese dhe propagandistike e përdorur nga liderët politik dhe politikanë të tjerë ndaj gazetarëve,” thanë ata.

Koalicioni gjithashtu shprehu shqetësim mbi aksesin e gazetarëve në informacion dhe transparencën e institucioneve. Sipas delegacionit edhe pse Shqipëria ka një ligj shumë të mirë për të drejtën për informimin, administrata publike e kufizon aksesin e gazetarëve të pavarur duke përdorur platformat e saj komunikuese si ERTV për t’i mënjanuar.

“Praktika e imponimit të një lidhje direkte video të kontrolluar nga qeveria apo të materialeve të tjera, kufizon gjerësisht aksesin e gazetarëve në informacion dhe mundësinë e tyre për të dhënë një perspektivë të pavarur mbi veprimet e personave me pushtet,” tha koalicioni.

Scott Griffen nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, nënvizoi se qeveria shqiptare po i përdor këto teknologji të reja të informacionit për të kontrolluar narrativën dhe për të kufizuar aksesin e gazetarëve kritikë.

Misioni gjithashtu konfirmoi shqetësimet e ngritura më parë nga BIRN Albania dhe Reporterët pa Kufij se pronësia e medias shqiptare dhe të ardhurat nga reklamat janë shumë të përqendruara në duart e pak grupeve nën pronësi familjare, me një shkallë të lartë pronësie ndërsektoriale.

Deklarata e plotë mund të lexohet këtu.

Reagim i KSHM për shkeljen e Kushtetutës nga Prokuroria e Krimeve të Rënda

 

 

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim ndaj një materiali fakismile që po qarkullon që dje në faqet e mediave online, ku prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda urdhërojnë mediat për:

Ndalimin e publikimit të akteve të proçedimit penal nr.339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv.”

Pavarësisht se lajmi nuk i ka vajtur zyrtarisht akoma mediave partnere, faksimilja duket autentike.

Në rast se është kështu, Prokuroria e Krimeve të Rënda është në shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë, specifikisht Nenit 22 që thotë:

Neni22

1. Liria e shprehjes është e garantuar.

2. Liria e shtypit, e radios dhe e televizionit është e garantuar.

3. Censura paraprake e mjeteve të komunikimit ndalohet.

Kjo urdhëresë përbën cënim të pikës 3. të Nenit 22 të Kushtetutës, duke qenë censurë paraprake e mirëfilltë e mjeteve të komunikimit.

KSHM i kërkon Prokurorisë të distancohet publikisht nga ky akt antikushtetues censure.

Në rast se faksimilja nuk është e vërtetë, Prokuroria të marrë masa të hetojë për atë që e ka prodhuar dhe shpërndarë këtë lajm të pavërtetë.

Shqipëria bie 7 vende në renditjen botërore të “Reporterëve Pa Kufinj”

“Kush dobëson lirinë e shtypit, dobëson edhe shtetin e shoqërinë” citon Dojçe Vele raportin e organizatës “Reporterë pa Kufinj” (RSF).

Ky raport, e ka ulur Shqipërinë me 7 vende në renditjen botërore, çka e ka bërë presidentin Meta ta quajë kambanë alarmi.

Indeksi i lirës së shtypit publikohet çdo vit nga Organizata ndërkombëtare Reporterë pa Kufinj, e cila përcaktoi se fyerjet, sharjet dhe procedimet ligjore ndaj gazetarëve janë shkaktarë të rënies. Kryeministri Rama mohoi akuzat për shantazhim të medias dhe këmbënguli se do të miratojë një “paketë anti-shpifje”. “Sulmet ndaj medias si nga qeveria ashtu edhe nga krimi i organizuar mbërritën në një nivel të paprecedent gjatë vitit 2018,” shkruhet në raportin e RSF, cituar dhe nga reporter.al.

Këshilli Shqiptar i Medias gjykon që fryma që KM Rama i ka dhënë qeverisjes së tij dhe përcillet në krejt shoqërinë shqiptare është dhunuese ndaj medias e punës së gazetarëve. Problem tjetër i vetë-censurës janë edhe marrëdhëniet okulte të pronarëve të medias me pushtetin dhe pasiguria në punë e gazetarëve, të pambrojtur me kontrata siç duhet.

Ky raport është një kambanë Alarmi, por, kambanat bien për ata që kanë veshë.

Etika “zbret” në Universitetin Aleksandër Moisiu

 

Mbi 50 studentë të Shkencave të Komunikimit në Universitetin Aleksandër Moisiu të Durrësit (UAMD) morën pjesë në një takim me gazetarët Alfred Lela e Sokol Shameti.

Takimi kishte si qëllim promovimin e vetërregullimit si koncept e si praktikë, njëkohësisht dhe debatin e hapur për etikën dhe shkeljet e Kodit të Etikës.

Studentët u ankuan për shkeljet që rëndom hasen në portalet online, si reklamat e kamufluara apo titujt e ekzagjeruar ose të rremë (që funksionojnë click-baits).

Gjithashtu Studenti Isa K. që punon njëkohësisht dhe si gazetar, ngriti problemin që shumica e lajmeve të rreme për fat të keq vijnë nga zyrat e propagandës së qeverisë.

Takimi, si pjesë e projektit “SELFREGULATION – ACT 1” të financuar nga Bashkimi Europian, zgjati rreth 2 orë e gjysëm.

 

Vetërregullimi – KShM nis turin nëpër qytete

Këshilli Shqiptar i Medias gjatë 8 muajve në vazhdim do të nisë një tur nëpër qytetet universitare të Shqipërisë për të promovuar vetërregullimin.

Qëllimi i këtyre takimeve është që të flitet me studentë, studentë të gazetarisë dhe gazetarë lokalë në lidhje me zbatimin e Kodit të Etikës dhe proceset vetërregulluese që kanë nisur në Shqipëri.

Ky projekt, zhvillohet në kuadrin e projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IJF).

Federata e Gazetarëve Europianë dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, u bashkohen organizatave shqiptare kundër 2 ligjeve për kontrollin e medias online

Pas deklaratës së një grupi organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e informimit si dhe shoqatash të gazetarëve, që i kërkonin Kryeministrit të Shqipërisë të tërhiqet nga 2 projektligjet për rregullimin e medias online, 2 organizata të fuqishme ndërkombëtare të gazetarëve i bashkohen kësaj lufte.

Federata Europiane dhe ajo Ndërkombëtare e gazetarëve (IFJ dhe EFJ) u janë bashkuar organizatave të tyre lokale, Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Shqipërisë dhe Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, si dhe organizatave të tjera në kërkesën e tyre që qeveria të  të tërhiqet nga amendamentet e 2 ligjeve të dizenjuara që të marrin nën kontroll median online e që rrezikojnë lirinë e shtypit në Shqipëri.

Lexo publikimin e tyre, këtu:

Deklaratë: Qeveria shqiptare duhet të tërheqë projektligjet për rregullimin e medias në internet

 

Në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët!

Përfaqësuesi i BIRN Gjergj Erebara dhe përfaqësuesi i KShM Koloreto Cukali gjatë konferencës për shtyp kundër 2 projekt-ligjeve që kontrollojnë mediat online.

Një grup organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirisë së fjalës dhe organizata përfaqësuese të gazetarëve i kërkojnë kryeministrit, të tërheqë dy projektligjet për median online.

Ne bëjmë të ditur për publikun e gjerë, se këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cënojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin.

Të dy projektligjet synojnë të krijojnë një regjistër të çdo faqeje në internet dhe i japin të drejtë një institucioni të quajtur “Këshilli i Ankesave”, të gjobisë mediat në bazë të kërkesave të tëtretëve, ose të urdhërojë mbylljen e mediave, ose të aksesit në faqe interneti në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Projektligjet u japin të drejtë AMA-s ose tatimeve, të gjobisin dhe mbyllin median online, pa një procedurë të mirëfilltë ligjore, duke rritur rrezikshëm nivelin e censurës e vetëcensurës ekzistuese në median shqiptare.

Ne vërejmë se rezulton i pasaktë pretendimi i shprehur disa herë nga AMA dhe zyrtarë të tjerë të qeverisë, përfshirë kryeministrin Edi Rama, se projektligjet në fjalë mbështeten në “modelin kroat”.Nga verifikimet tona, në Kroaci nuk ekziston asnjë legjislacion i ngjashëm për mbikëqyrjen, gjobitjen dhe mbylljen e medias në internet.

Nëse maxhoranca socialiste do të miratojë këto dy projektligje, demokracia jonë hibride do rrëshqasë drejt modelit të një regjimi autoritaritar. Kjo, pasi në vendet demokratike, ligjet synojnë të mbrojnë qytetarët nga qeveria dhe jo qeverinë nga qytetarët.

Duke pranuar problemet e shumta që shfaqen në botën e internetit në formën e fyerjes, shpifjes apo gjuhës së urrejtjes, organizatat gjykojnë se projektligjet në fjalënuk zgjidhin problematikën ekzistuese, por rrezikojnë të kthehen në mjete presioni mbi gazetarët dhe mediat kritike.

Vetërregullimi i medias dhe edukimi i publikut përmes fushatave për rritjen e njohurive mbi median, propagandën, dizinformimin apo lajmet e rreme janë mjetet e duhura për të luftuar problemet në komunikimin online dhe jashtë rrjetit.

Duke marrë parasysh detyrimet e Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me Bashkimin Europian, ne vërejmë se të dy projektligjet e propozuara përbëjnë hap pas në procesin e integrimit.

Lista e organizatave nënshkruese:

BIRN Albania

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

AIS/Open Data Albania

Civil Rights Defenders

Këshilli Shqiptar i Medias

Qendra Shqiptare MediaLook

New Media Network

Ligjet që kërkohen të tërhiqen janë: Për “Disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar” dhe “Disa shtesa dhe ndryshime në ligjin Nr. 9918 Datë 19.5.2008 “Për Komunikimet Elektronike në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar”.