Tentativa për të nxjerrë burimet nga gazetari Qyno, e papranueshme për profesionin, e rrezikshme për lirinë e medias dhe kundër çdo praktike europiane

KSHM po ndjek me shqetësim raportimet se gazetarit të Ora News, Elton Qyno, i është kontrolluar shtëpia dhe është thirrur në SPAK ku për disa orë rresht i është kërkuar të dorëzojë burimin e informacionit që ka publikuar.

Kjo lloj praktike shkel lirinë e medias; krijon atmosferë terrori precedent të rrezikshëm ku burimet do të kenë frikë të denoncojnë apo të informojnë, sepse identiteti i tyre mund të kompromentohet.

Veprimi ndaj gazetarit Qyno shkon kundër çdo standarti të medies së lirë, të drejtave kushtetuese dhe kundër çdo praktike perëndimore ku mbrojtja e burimeve është një nga parimet bazë të punës së gazetarit.

KSHM i bën thirrje SPAK të ndërpresë këtë lloj qasjeje kufizuese e censuruese ndaj lirisë së medias, si dhe të respektojë integritetin dhe parimin e mbrojtjes së burimeve nga ana e gazetarëve.

Reagim për dhunën ndaj administratorit të portalit “Pamfleti”

Administratori i portalit Pamfleti.net, z. Gjergj Zefi, raportohet të jetë sulmuar dhe dhunuar nga persona të paidentifikuar. KSHM e dënon me forcë këtë sulm dhe u kërkon organeve ligjzbatuese të vënë përpara përgjegjësisë fajtorët. Në një shoqëri të lirë e ku media është e lirë, dhuna nuk mund e nuk duhet të jetë kurrë as zgjedhje e as zgjidhje.

KSHM dënon agresionin ndaj gazetares Ola Xama

KSHM u bashkohet organizatave të medias në shqetësimin për agresionin ndaj gazetares Ola Xama, nga ana e Kryetarit të Bashkisë dhe elementëve mediatikë të propagandës pranë tij. Sulmi verbal i Kryetarit të Bashkisë Tiranë për shkrimin e gazetares Xama “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK” dhe të publikuar nga Birn, është i papranueshëm në një shoqëri ku media është e lirë. Agresioni i fshehur pas akuzave se znj. Xama “nuk është gazetare, por një killer me pagesë”, etj, përveçse intimidimit, krijon hapësirë dhe i hap rrugën agresionit fizik apo denigrimit të mëtejshëm në rrjete sociale. KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë të kërkojë ndjesë e të heqë dorë nga intimidimi i gazetarëve.

KSHM organizon trajnimin me gazetarë për trafikimin e qenieve njerëzore

Ditën e djeshme Këshilli Shqiptar i Medias me mbështetjen e UNICEF Shqipëri, organizoi në platformën Zoom trajnimin me gazetarë me temë “Ngritja e kapaciteteve të mediave kombëtare dhe lokale për raportim të përgjithshëm të çështjeve të trafikimit  të qenieve njerëzore.”

Trajnimi pati si qëllim forcimin e kapaciteteve të gazetarëve të rinj shqiptarë, për të punuar sipas standardeve ndërkombëtare të etikës së gazetarisë, kur raportojnë për çështje të trafikimit të qenieve njerëzore.  Në trajnim morën pjesë 11 gazetarë të cilët u njohën më nga afër me programin që UNICEF ka për personat që janë viktimë të trafikimit si dhe u njohën me përvojën e mentorëve, Mark Marku dhe Alfred Lela.

Sonila Pema, përfaqësuese e UNICEF gjatë prezantimit  të saj tha se, UNICEF Shqipëri në bashkëpunim më partnerët e  tij po zbaton projektin i cili do t’i vijë në ndihmë viktimave të trafikimit dhe individëve të cilët janë në rrezik.

Drejtori ekzekutiv i Politiko.al, Alfred Lela u shpreh se, media ka një prirje për të transmetuar shifra  pa histori njerëzore në thelb dhe se gazetarët priren drejt sensacionalizimit sidomos në ato raste ku viktima janë gratë dhe fëmijët.

Pjesë e trajnimit ishte edhe gazetarja Rashela Shehu e cila do të jetë edhe mentorja e gazetarëve gjatë procesit të realizimit të artikujve të tyre. 

Gjatë prezantimit të saj, Shehu i solli në vëmemendje gazetarëve format  e ndryshme të trafikimit dhe se ku ata mund të orientohen gjatë shkrimeve të tyre.

Trajnimi do të ketë edhe takimin e tij përmbyllës më datën 5 Maj ku gazetarët do të prezantojnë dhe diskutojnë artikujt e tyre.

IPI reagon ndaj krizës me të cilën po përballet gazetaria e pavarur në Serbi

IPI – Rrjeti Global për Lirinë e Shtypit, ka reaguar me një deklaratë në twitter, ku është shprehur në lidhje me krizën që po përballet gazetaria e pavarur në Serbi. Gjatë një vizite të kryer në Beograd më 10 dhe 11 prill për të përkujtuar përvjetorin e vrasjes së redaktorit dhe botuesit Slavko Ćuruvija, IPI ka thënë se, edhe pse kanë kaluar 24 vite nga vrasja e Ćuruvijas mundësia e një sulmi të rëndë fizik ndaj një gazetari mbetet.

Në reagimin e vet IPI shpreh shqetësim në lidhje me kushtet e këqija për sigurinë e gazetarëve, për kapjen e mediave dhe një klimë e acaruar armiqësie të cilat bëjnë që gazetaria e pavarur në Serbi të përballet me periudhë krize.  Sipas tyre, palët e interesuara vazhdojnë sulmet për të ndjekur penalisht gazetarët dhe derisa të trajtohet kjo dhe të normalizohet diskursi publik në lidhje me gazetarinë kritike, progresi i prekshëm do të mbetet i pakapshëm.

Reagim mbi një episod në programin Pa Gjurmë.

KSHM reagon me shqetësim për një episod të rëndë të ndodhur në emisionin “Pa Gjurmë” në Report TV, ku një nënë që kërkonte fëmijën e saj në lidhje Skype u informua live e bija të cilën ajo shpresonte ta gjente përmes emisionit, kishte vdekur.

Ky rast përbën një shkelje të rëndë të Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, përkatësisht Nenit 12, mbi “Raportimin e aksidenteve dhe fatkeqësive” ku shprehimisht thuhet: “Gazetarët duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre” si dhe “Viktimat apo personat e zhdukur nuk duhen identifikuar nëse të afërmit e tyre nuk janë informuar më parë.

Programet e gjetjes së të humburve janë programe me vlerë të madhe shoqërore, por, kërkojnë që dhe etika e trajtimit të rasteve të jetë në maksimum.

KSHM i bën thirrje televizionit Report TV dhe moderatores, që t’i kërkojnë falje publike nënës së dëmtuar, si dhe gazetarëve të emisionit që të jenë më të përgjegjshëm.

Duke mos qenë rasti i parë kur raportimi i aksidenteve apo fatkeqësive bëhet në mënyrë jo-etike, po publikojmë të plotë nenin 12 më poshtë:

Neni 12. Raportimi i aksidenteve dhe fatkeqësive

Gazetarët duhet të respektojnë dinjitetin e viktimave dhe familjeve të tyre dhe duhet të lejojnë njerëzit të mbajnë zi privatisht duke i raportuar tema të tilla me simpati dhe vetëpërmbajtje.

Në raste aksidentesh dhe fatkeqësish, media duhet të mbajë parasysh që operacionet e shpëtimit për viktimat dhe personat në rrezik kanë përparësi kundrejt të drejtës së publikut për t’u informuar.

Media duhet të mos sensacionalizojë raportimin me foto eksplicite të katastrofave, aksidenteve apo dhunës që mund të fyejnë ndjenjat e të afërmve të të prekurve si dhe ndjeshmërinë e publikut.

Viktimat apo personat e zhdukur nuk duhen identifikuar nëse të afërmit e tyre nuk janë informuar më parë.

Sulmi mbi TCH – sulm mbi të gjithë median

Kshm dënon me forcë sulmin ndaj TCH ku mbeti i vrarë roja i sigurisë i ndërtesës. Ky sulm i paprecedentë tregon edhe një herë për pozicionin e vështirë të mediave në Shqipëri, ku siguria e tyre nuk është e garantuar dhe ku krimi merr kurajon të godasë deri dhe një nga mediat më të mëdha në vend.

Sulmi ndaj TCH nuk është sulm vetëm kundër një medie, po kundër gjithë medias, madje dhe kundër publikut që e ndjek atë media.

KSHM i kërkon organeve të rendit të zbardhin sa më shpejt rastin e të vënë agresorët para përgjegjësisë ligjore, dhe njëkohësisht fton edhe mediat e tjera në vend të solidarizohen për t’i dhënë një mesazh sa më të fortë krimit.

Deklaratë e KSHM mbi audio-përgjimin publikuar nga portali Publik Live

Deklaratë mbi audio-përgjimin nga portali Publik Live

Këshilli i Medias ka ndjekur me shqetësim raportimet mediatike të një audio-përgjimi ku presupozohet të jetë protagonist një pjesëtar i komunitetit të gazetarëve, z. Adriatik Doçi.

Siç biseda audio lë të kuptohet, gazetari i përgjuar, artikulon verbalisht disa shkelje të rënda të Kodit të Etikës së gazetarit.

Reklama në shkëmbim të heshtjes apo mossulmit, tarifa mujore të marra nga biznese në shkëmbim të mos- raportimit të problemeve të produkteve tregtare të cilat dëmtojnë jetën e konsumatorëve, janë vetëm një pjesë në arsenalin që personi në audio-përgjim pranon se disponon dhe përdor, në mënyrë jo etike, por edhe të paligjshme.

I një shkeljeje sipërore jo vetëm jo-etike, por dhe e turpshme, është edhe rasti kur personazhi i përgjuar flet për marrëveshje me narkotrafikantët.

Këshilli i Medias ka qenë dëshmitar i raportimeve, asnjëherë të provuara, se ka gazetarë, sidomos të kronikës së zezë që marrin shuma monetare për të shtrembëruar informacione, apo shpërndarë lajme të rreme, të cilat favorizojnë një kriminel apo grup dhe dëmtojnë një tjetër.

Ajo që gazetari pranon në këtë audio-përgjim është treguesi i parë publik i shantazhit mediatik ku përfshihen gazetarë.

Këshilli i Medias e sheh me alarm audio-përgjimin dhe informacionet që dalin prej aty, dhe e dënon këtë akt, siç dënon çdo rast kur gazetarët nuk ndjekin dhe nuk respektojnë misionin e tyre, të të qenit rojtarë të shkeljeve të pushtetit dhe njerëzve të fuqishëm.

Problemi i gazetarëve gjobëvënës është problem i medias, por gjithashtu problem i pushtetit dhe faktit se si ky pushtet përdor gazetarët të caktuar dhe media të caktuara për të instrumentalizuar lirinë e shprehjes dhe goditur kundërshtarin politik.

Këshilli i Media do t’i kërkojë Bordit të Etikës që të mblidhet në një mbledhje urgjente dhe të formulojë një qëndrim që nuk merret vetëm me rastin, por edhe kontekstin.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje organizatave lokale dhe ndërkombëtare të medias, të senibilizohen në lidhje me raste të tilla, që përbëjnë një front të ri lufte në betejën e medias dhe operatorëve të saj për mbrojtjen e të vërtetës dhe integritetit profesional.

Mediat, gazetarët, bizneset, qytetarët duhet të denoncojnë publikisht rastet e gjobëvënies, që nuk është më gazetari por krim penal. Gjobëvënësit duhen treguar publikisht mer gisht, duhen ndjekur penalisht dhe duhet të përjashtohen nga komuniteti i gazetarëve.

Ne u kërkojmë organeve të ligjit që ta hetojnë këtë rast, i cili jo vetëm shkel ligjin, por tregon shenja të një shoqërie pasive ndaj instrumenteve të demokracisë dhe përdorimit dashakeq dhe antiligjor të tyre.

Në fund i bëjmë me dije publikut se, ky rast nuk mund dhe nuk duhet të merret si një shfajësim për ligjin “anti-shpifje” të qeverisë. Ai ligj nuk ishte dizenjuar për të kapur këta “gazetarë”. Republika e Shqipërisë ka kuadrin ligjor përkatës për të trajtuar rreptë të gjitha llojet e shantazhit.

Reagim mbi rregulloren e re të KLP për komunikim me mediat

KSHM shpreh shqetësimin e vet për RREGULLOREN “Për Komunikimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) me Median”

Ndërsa është një ide e mirë që të ketë një komunikim sa më të stukturuar institucional, në rregullore ka pika që bien ndesh me lirinë e medias dhe të informimit. Madje, disa nga ato pika sabotojnë vetërregullimin dhe tentojnë të rregullojnë etikën e medias në raportimet lidhur me KLP.

Si të tilla,

Tek PARIMET, Neni 5, pika B,  që thotë:

Parimi i prezantimit të saktë të lajmit, që nënkupton shmangien e deformimit dhe të keqinterpretimit dhe ndalimin e shpërdorimit të lajmit për komente dhe opinione që bien ndesh me vlerat e drejtësisë dhe të një shoqërie demokratike, apo që nuk kanë lidhje me vlerat e shtetit të së drejtës.

Kjo pikë i jep tagër KLP-së të gjykojë se çfarë është “deformim dhe keqinterpretim” dhe të pretendojë nga mediat (mos) “shpërdorim të lajmit për komente dhe opinione” duke bllokuar praktikisht jo veëtm lirinë e informimit por dhe lirinë e debatit.

Tek PARIMET, Neni 5, pika C, që thotë:

“Parimi i respektimit të pavarësisë së prokurorisë dhe mosndërhyrjes në funksionin e saj.“

Kjo pikë lë hapësirë keqinterpretimi. Media nuk ka asnjë instrument ligjor për të ndërhyrë në funksionimin e Prokurisë. Por, kjo pikë krijon hapësirë abuzive që çdo gjë lajm, koment, opinion, të mund të interpretohet si ndërhyrje në funksionin e Prokurorisë.

Të dyja këto pika praktikisht hedhin poshtë vetërregullimin e medias, dhe marrin përsipër ta rregullojnë sjelljen e gazetarëve përmes rregulloreve.

Tek Neni 8, “Lehtësitë për aksesin në informacion nga media”:

Pika 3, që thotë:

Çdo kërkesë për informacion duhet t’i drejtohet Koordinatorit për të Drejtën e Informimit, i cili është përgjegjës edhe për koordinimin e sigurimit të informacionit brenda institucionit. Koordinatori për të Drejtën e Informimit, me miratimin e anëtarit të caktuar të Këshillit, ka të drejtë të kërkojë nga drejtuesi përkatës i medias së akredituar zëvendësimin e një gazetari, nëse rezultojnë shkelje qartësisht të dallueshme të objektivitetit dhe profesionalizmit, si dhe për shkelje të Kushtetutës, ligjit, dhe të parimeve të kësaj rregulloreje.

Bazuar mbi Nenin ku shprehen “Parimet” përmes kësaj pike mund të bëhet një ndërhyrje abuzive, preferenciale, për të zëvendësuar gazetarët që bëjnë pyetje. Se çfarë mund të përbëjnë “shkelje qartësisht dallueshme të objektivitetit dhe profesionalizmit” ngelet në diskrecionin individual të Koordinatorit i cili, as ai e as institucioni që ai përfaqëson nuk kanë tagër ta përkufizojnë. Objektiviteti dhe Profesionalizmi, janë norma etike që vetërregullohen nga komuniteti i gazetarëve dhe nga asnjë pushtet apo institucion tjetër.

Kjo ndërhyhje nga institucioni për “eleminimin” e gazetarëve “problematikë” për pyetjet e tyre, shkon në masë edhe më drastike përmes Pikës 4 të Nenit 8:

Pika 4, po aty, që thotë:

Në rastin kur shkelja është publike, e rëndë, apo flagrante, anëtari i caktuar nga Këshilli merr vendim për heqjen e akreditimit të gazetarit që kryen shkeljen. Vendimi i komunikohet drejtuesit të medias përkatëse, nëpërmjet Koordinatorit për të Drejtën e Informimit. Në këtë rast, anëtari i caktuar njofton Këshillin në mbledhjen e radhës.

Bazuar në sa më sipër, KSHM, i kërkon KLP të rishikojë rregulloren në mbrojtje të lirisë së informimit e të opinionit, por dhe për mos të dëmtuar vetërregullimin.