Tag Archive for: KSHM

Dënojmë Sulmet dhe Frikësimet ndaj Gazetarëve gjatë Ditës së Zgjedhjeve në Shqipëri

KSHM dënon fuqimisht kërcënimin dhe pengimin me të cilin u përballën gazetarët në të gjithë Shqipërinë më 11 maj 2025, gjatë zgjedhjeve parlamentare të vendit.

Në Tiranë, gazetarja e Syri TV Ambrozia Meta u përball me sulme verbale dhe konfrontim fizik nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndërsa raportonte nga një zyrë e paidentifikuar që dyshohet se përdorej nga punonjës patronazhistë të PS. Ndërsa ekipi i Syri TV afrohej, individët brenda u përpoqën të largoheshin duke mbuluar fytyrat. Deputeti Braçe mbërriti pak më pas, duke ofenduar gazetarët dhe duke bërë kontakt fizik me Metën gjatë përplasjes. Kur u pyet për praninë e tij, ai reagoi me agresivitet, duke i urdhëruar gazetarët të largoheshin dhe duke përdorur një gjuhë denigruese.

Në Pogradec, korrespondentja e MCN TV Elsa Xhindole u përball me dhunë fizike në qendrën e votimit nr. 39/01. Një person i paidentifikuar i mori me forcë telefonin celular dhe fshiu materialet dhe videot që lidhen me zgjedhjet. Xhindole raportoi se telefoni iu mor dy herë me forcë, duke çuar në humbjen e plotë të regjistrimeve. Rasti u referua pranë autoriteteve.

Në Sarandë, gazetari i EuroNews Albania Enriko Gaba u urdhërua nga zyrtarët zgjedhorë në qendrën e votimit “Adem Sheme” që të mos filmonte më shumë se 15 minuta – një kufizim arbitrar që cenon të drejtën e medias për të vëzhguar dhe raportuar mbi procesin zgjedhor.

Një situatë e ngjashme u shënua në Durrës, në Qendrën e Votimit 1486, ku anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit nuk lejuan vëzhguesit e akredituar të medias të kryenin raportime mediatike mbi procesin e votimit.

Në Gjirokastër, gazetari Armando Rabi u kërcënua gjatë kryerjes së detyrës. Një 26-vjeçar nga një fshat i zonës dyshohet se e ka kanosur Rabiun, me pretendimin se po e filmonte pa lejen e tij. Policia e Gjirokastrës ka nisur procedim penal, duke ia referuar çështjen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Këto raste tregojnë një model shqetësues të pengesave dhe intimidimit ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën publike në një moment kyç për demokracinë, siç janë zgjedhjet. Këshilli Shqiptar i Medias u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me transparencë dhe pa vonesë këto raste dhe të sigurojnë ndëshkimin ligjor për të gjithë përgjegjësit. Politikanët, zyrtarët publikë dhe qytetarët duhet të respektojnë rolin themelor të medias në ruajtjen e integritetit zgjedhor dhe llogaridhënies publike.

KSHM do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi këto zhvillime shqetësuese dhe do të vijojë monitorimin nga afër të situatës.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

KSHM dhe RES PUBLICA nisin një projekt për fuqizimin etik të mediave lokale

Këshilli Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Qendrën RES Publica bëri sot një takim në qytetin e Shkodrës, me një grup fokusi të përbërë nga gazetarë të njohur, të medias së shkruar e televizive, si dhe me studentë të gazetarisë për të diskutuar situatën e etikës e të mediave lokale, në kuadër të projektit “Promovimi i etikës dhe vetërregullimit në mediat lokale. Sfidimi i dezinformimit.”, mbështetur nga BE.

Përmes këtij grupi të fokusit, rezultoi që problemi kryesor i mediave lokale është financimi, çka jo vetëm kufizon resurset dhe mundësinë për një gazetari cilësore, por dhe i bën dhe editorialisht të varura mediat lokale nga burimi financiar.

Pagesat e ulëta të gazetarëve krijojnë një klimë ku gazetari nuk ndjehet i sigurt, çka ul cilësinë e puunës dhe ngre mosdëshirën për të marrë përsipër raportime të guximshme, që mund të vinin në rrezik sigurinë financiare ose dhe të jetës.

Humbja graduale e standartit të shumë burimeve të lajmit ishte një tjetër vëzhgim i cili u pranua dhe nga pjesëmarrësit në grupin e fokusit.

Një nga kërkesat kryesore ishte dhe aksesi në fondet e donatorëve për gazetarët.

Megjithatë, pavarësisht situatës jo të favorshme, duket sikur ka akoma një energji mes gazetarëve për të vazhduar punën me kurajë dhe studentët e gazetarisë për të mos hequr dorë nga ëndrra për t’u bërë gazetar, dhe gazetar i mirë.

Nga takimi me grupin e fokusit në Shkodër, nën kujdesin e gazetarit Ardi Hoti

KSHM dhe Organizatat e mediave: Ndalimi i TikTok-ut në Shqipëri kërcënim për lirinë e shprehjes përpara zgjedhjeve!

Këshilli Shqiptar i Medias, së bashku me shumë organizata të tjera, vendase e të huaja, jnaë shprehur publikisht lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më 6 mars 2025 për të pezulluar aksesin në platformën TikTok në shkallë kombëtare për 12 muaj. Duke e mriëkuptuar synimin e pohuar të qeverisë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale, theksojmë me forcë se masa të tilla mbrojtëse duhet të respektojnë plotësisht të drejtat themelore të njeriut, veçanërisht lirinë e shprehjes, aksesin në informacion dhe procesin e rregullt ligjor.

Liria e shprehjes dhe proporcionaliteti

Theksojmë se ndalimi i plotë i një platforme përfaqëson një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion. Pezullimi në tëresi i një platforme të tërë tejkalon ndjeshëm parimin e proporcionalitetit, duke ndikuar në shprehjen legjitime të të gjithë përdoruesve dhe duke kufizuar debatin publik si dhe aksesin në burime të ndryshme informacioni.

Zgjidhje alternative të synuara, si moderimi i përmbajtjes, verifikimi i moshës dhe programe të përmirësuara të edukimit të përdoruesve, duhet të ishin shqyrtuar përpara se të vendosej një ndalim i përgjithshëm. Natyra e gjerë e kësaj mase krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen joproporcionale të shtetit në të drejtat digjitale.

Si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria pritet të respektojë standardet evropiane për shtetin e së drejtës dhe liritë themelore. Kuadri ligjor i Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) të BE-së thekson llogaridhënien e platformave dhe transparencën në moderimin e përmbajtjes përmes një qasjeje të bazuar në analizën e riskut dhe proporcionalitet. DSA favorizon bërjen e platformave përgjegjëse për menaxhimin e risqeve në shërbimet e tyre, në vend që të ndëshkojë përdoruesit duke mbyllur platformat. Ne inkurajojmë Shqipërinë të harmonizojë qasjen e saj me këtë paradigmë.

Shqetësimet lidhur me procedet demokratike dhe zgjedhore

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në maj 2025, momenti i këtij pezullimi është veçanërisht shqetësues. TikTok është shndërruar në një platformë në rritje për komunikimin politik dhe angazhimin e votuesve, veçanërisht për të rinjtë, votuesit për herë të parë dhe partitë politike apo lëvizjet e reja, të cilat argumentojnë se do të preken në mënyrë joproporcionale.

Duke kufizuar aksesin në këtë platformë, qeveria rrezikon të shtypë këto zëra në zhvillim, të dobësojë pluralizmin politik dhe të krijojë një efekt frikësues që mund të shtrihet përtej përdoruesve të TikTok-ut, duke ndikuar gazetarët, krijuesit digjital, aktivistët e shoqërisë civile dhe organizatat monitoruese të procesit demokratik.

Procesi i Rregullt Ligjor dhe Transparenca

Vëmë re se ky vendim pason njoftimin publik të Kryeministrit Rama në dhjetor 2024, ku ai përmendi konsultime me një grup të përzgjedhur prindërish dhe arsimtarësh. Megjithatë, ende mungojnë prova të mjaftueshme publike mbi shtrirjen, përfaqësueshmërinë dhe rezultatet e këtyre konsultimeve.

Theksojmë se vendime të kësaj shkalle dhe rëndësie duhet të bazohen në konsultime të plota, transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, organizatat mediatike, industrinë, avokatët e të drejtave digjitale dhe komunitetet e prekura.

Rreziqet e krijimit të një precedenti të rrezikshëm

Shprehim shqetësimin tonë se zbatimi i një ndalimi të përgjithshëm të një platforme krijon një precedent alarmues për Shqipërinë dhe rajonin. Kur qeveritë pretendojnë autoritet të gjerë për të mbyllur platforma popullore për shkak të shqetësimeve mbi përmbajtjen, ato rrezikojnë të hapin rrugën për kufizime të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e internetit në mënyrë më të gjerë.

U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të shmangin krijimin e një precedenti të tillë dhe të sigurojnë që në të ardhshme aspektet e rregullimit të përmbajtjes në platformat digjitale të trajtohen përmes masave të specifike për grupe të ndryshme, të bazuara në evidenca dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Rekomandime

I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të shfuqizojë menjëherë pezullimin e TikTok-ut dhe të nisë një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe transparent, duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile, organizatat mediatike, avokatët e të drejtave digjitale dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky proces konsultimi duhet të synojë zhvillimin e një kuadri rregullator proporcional dhe të bazuar në evidenca, në përputhje me standardet evropiane, veçanërisht Aktin e BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA). Një qasje e tillë do t’i mundësojë Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive shqetësimet legjitime mbi sigurinë e fëmijëve dhe mbrojtjen e të dhënave, duke garantuar plotësisht lirinë e shprehjes, diskursin demokratik dhe procesin e rregullt ligjor të cilat janë elemente thelbësore në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme.

Rrjeti SafeJournalists

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikatat e Media të Malit të Zi

Partnerët e Media Freedom Rapid Response:

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)

Shtypi i lirë i pakufizuar (FPU)

Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)

Organizata të tjera të shoqërisë civile

Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH-AJA)

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania)

Këshilli Shqiptar i Medias

Res Publica

Citizens.al

Qendra MediaLook

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT)

Bllokimi i faqeve online të CNA, akt censure

KShM shpreh shqetësimin e vet për sulmin e përsëritur në rrjetet sociale ndaj medias CNA.

Bllokimi i faqeve të çfarëdo medie, qoftë në web, qoftë në rrjete sociale mund dhe duhet të bëhet VETËM me një vendim të prerë të gjykatave shqiptare.

Nëse publikut i bllokohet aksesi, pa vendim gjykate, përveç rasteve të parashikuara me ligj, përbën një shkeljew të pastër të lirisë së infomrimt e lirisë së shprehjes dhe cënim të fjalës së lirë.  

KShM i bën thirrje platformave të rrjeteve sociale të evitojnë bllokime të mediave, dhe sidomos pa një njoftim paraprak të të prekurve.

Deklaratë e KSHM mbi vendimin e Prokurorisë që ndalon publikimin e materialeve të hakeruara

KSHM shpreh shqetësimin për vendimin e fundit të prokurorisë që ndalon mediat të publikojnë materialet e hakeruara dhe që qarkullojnë online. Fakti që materialet janë tashmë online heq çdo përgjegjësi nga gazetarët për abuzim me informacione sekrete, të cilat tashmë nuk janë sekretedhe fakti që po qarkullojnë online do të thotë që janë lehtësisht të gjendshëm nga çdo individ, brenda apo jashtë Shqipërisë. Në vendimin e Prokurorisë ka një paqartësi se çfarë konsiderohet sekret hetimor, dhe a mund të jenë pjesë e një dosjeje hetimore të gjitha emailet e drejtorëve apo ministrave. Nga ana tjetër shumë nga emailet e bëra publike përbëjnë një interes legjitim publik, sepse përmes tyre mund të analizohet përgjegjshmëria e menaxhimit të shtetit e të institucioneve, dhe është detyrë e mediave të qëmtojnë e të raportojnë për to.

Përmbledhur, vendimi është në kufinjtë e censurës, dhe tregon papërgjegjshmëri nga ana e Prokurorisë.

Thënë kjo, KSHM u kërkon mediave të jenë sa më të përgjegjëshme nga ana e tyre. Mediat kanë një rol tejet të rëndësishëm në këtë rast, sepse ato mund të bëjnë përpunimin e duhur të materialeve të hakeruara. Por, ato duhet të bëjnë kujdes që mos të botojnë materiale që nuk përbëjnë interes publik, të vënë në rrezik persona të tretë, të dekonspirojnë persona apo hetime të mundshme. Mediat duhet ta përpunojnë me shumë kujdes materalin duke redaktuar e mbuluar me të zezë pjesët që mund të përbëjnë informacion delikat por që nuk kanë interes të mirëfilltë publik.

Ky rast, është unik në mundësinë që u jep mendiave shqiptare për të treguar profesionalizëm, përgjegjshmëri, dhe se mbajnë interesin e publikut në vend të parë më shumë sesa dëshirën për të thithur klikime me tituj bombastikë.

Mbi standartin etik të publikimit të hetimeve të policisë

Nisur nga një ngjarje e fundit e kronikës, ku mediat kishin publikuar informacion nga hetimet e policisë mbi një krim të kryer në Tiranë, Bordi i Aleancës për Media Etike konsideron se ka nevojë për njësimin e një standarti etik për këto raste.

Ndërsa është pjesë esenciale e punës së medias që të kërkojë informacione nga puna e policisë për çështje e ngjarje me interes publik dhe t’i publikojë ato, mirë është që të kihen parasysh disa elementë etikë në raportim.

Së pari, duhet ruajtur identiteti i dëshmitarëve ose dhe i të dyshuarve që hetohen në gjendje të lirë. Kjo bëhet jo vetëm për të mos dëmtuar hetimet, por dhe për të mbrojtur jetën e dëshmitarëve a të dyshuarve që mund të vihet në rrezik nëse dekonspirohet.

  1. Vendlindja dhe mosha e dëshmitarit ose të dyshuarit (përveçse kur janë esenciale për të kuptuar natyrën e ngjarjes) nuk ka nevojë të vihen në raportim, edhe nëse figurojnë në informacionin e marrë prej policisë.
  2. Elementë të tjerë identifikues, si shkolla, lagjia ku banon, institucioni ku punon, nuk duhen përfshirë në raportim sepse bëjnë të mundur identifikimin e personit (përmes kryqëzimit të të dhënave).
  3. Praktika më e mirë e gazetarisë, kërkon që të mos përdoren inicialet e vërteta, por iniciale të ndryshuara, duke e informuar publikun që inicialet janë ndryshuar për të mbrojtur personin nën hetim apo dëshmitar të një çështje kriminale.

 

 

 

 

Deklaratë kundër dhunës së policisë ndaj gazetarëve të News24 Ergys Gjençajdhe Klodiana Lala

KSHM reagon me forcë ndaj dhunës së ushtruar nga forcat speciale të policisë së shtetit ndaj gazetarëve të News24 Ergys Gjençaj dhe Klodiana Lala.

Është e paimagjinueshme për një vend që synon të integrohet në BE, që gazetarët të trajtohen në mënyrë brutale thjesht sepse po raportojnë nga vendngjarja – çka është dhe misioni e detyra e tyre.

Shqetësimi bëhet edhe më i madh, kur shihet se ky incident nuk mund të konsiderohet i veçuar por është tashmë një frymë e Policisë së Shtetit, që në pamundësi që t’i përgjigjen krimit, e orientojnë dhunën drejt gazetarëve që raportojnë.

KSHM i kërkon Policisë së Shtetit të dënojë aktin dhe ata që e kanë kryer, si dhe të kërkojë falje publikisht ndaj gazetarëve duyke marrë zotim që akte të tilla nuk mund të përsëriten.

Standartet etike dhe incidenti me gazetarin e Ora NEWS, Isa Myzyraj

Në dritën e incidentit të ndodhur dje me gazetarin e Ora News (vjegëza këtu: https://www.oranews.tv/kryebashkiaku-i-tiranes-erion-veliaj-intimidon-e-dhunon-gazetaret-e-rtv-ora-dhe-ora-news/) Këshilli Shqiptar i Medias e ndjen për detyrë të përcaktojë standartet etike të intervistimit, detyrimet profesionale dhe të drejtat e gazetarit që interviston në terren, bazuar mbi Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar.

  1. Është e drejtë absolute e gazetar it të bëjë pyetje dhe t’i drejtojë mikrofonin kujtdo. Pyetjet e gazetarit duhet të jenë me interes publik.
  2. Personat e zgjedhur në poste publike, e kanë mbrojtjen e privatësisë më të vogël se njerëzit e zakonshëm. Sa më i lartë posti, aq më e vogël rrezja e privatësisë. Personat publikë e kanë për detyrë të përgjigjen pyetjeve me interes publik.
  3. Gazetari nuk mundet të fusë pajisje regjistruese dhe të realizojë regjistrime pa leje në ambientet private të një individi, qoftë ky dhe funksionar publik.
  4. Gazetari nuk mund të pengohet në punën e tij si gazetar, as ti kufizohet liria gjatë ushtrimit të detyrës, aq më tepër kur kjo detyrë realizohet në mjedise publike.

Për sa më sipër, KSHM gjykon që gazetarit të Ora News, Myzyraj, i është kufizuar ilegalisht liria e ushtrimit të profesionit, në funksion të informimit me interes publik, në ambiente publike.

Workshop: “Të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve”

Njoftim për media

Tiranë, 25 Shkurt 2021-

Këshilli Shqiptar i Medias organizoi workshop-in në platformën Zoom “Mbrojtja e gazetarëve -Të drejtat dhe përgjegjësitë në ushtrimin e profesionit”.

Ky aktivitet u realizua me mbështetjen e Këshillit të Europës në kuadër të programit JUFREX , që synon të promovojë lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Shqipëri në përputhje me standardet e Këshillit të Evropës.

Workshop i zhvilluar në Zoom “Të drejtat dhe përgjegjësitë e gazetarëve”

Qëllimi i këtij workshopi ishte njohja  e gazetarëve të rinj me standardet në mbrojtje të profesionit por edhe detyrimet që i rrjedhin në ushtrimin e tij.

Drejtorit ekzekutiv i Politiko.al,  Alfred Lela, i cili moderoi panelin e ekspertëve e cilësoi mbrojtjen e gazetarëve si sfidë të dyanshme ‘nga njëra anë standardet që duhen mbrojtur pavarësisht vështirësive dhe, nga ana tjetër ne si komunitet përballë faktorëve të tjerë’.

Në panel morën pjesë ekspertë ndërkombëtarë dhe lokal nga fusha e gazetarisë dhe jurisprudencës  ndërsa u ndoq nga gazetarë të rinj.

  1. Koloreto Cukali, Drejtori Ekzekutiv i Këshillit Shqiptar të Medias tha se ‘për çështje të etikës shpresën e kam tek gazetaret e rinj pasi një pjesë e gazetarëve të vjetër i janë futur shumë thellë kompromiseve të profesionit. Ai iu drejtua pjesëmarrësve duke i thënë se ‘Nga puna e bërë me trajnimet jemi shumë entuziast që një pjesë prej jush do të ndihmojë për të ngritur sa më shumë profesionin në të ardhmen”.

Këshilltarja ligjore pranë Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari tha se sipas raporteve rreziqet qe i kanosen gazetareve janë të shumëansheme dhe përdoren si  mjet për t’i frikësuar dhe hutuar gazetarët që të mos e bëjnë punën e tyre ‘Efektet e kërcënimeve janë frenuese dhe nuk lejon kryerjen e një gazetarie të mirëfilltë’. Sipas Kusarit, ne nivele të larta është edhe dhuna ndaj grave që sipas një raporti të 2020  është fizike, politike a akoma më shumë on line. Presioni anonim online krijon një ambient të pasigurtë.

Këshilltarja ligjore pranë Qendrës Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias, Flutura Kusari gjatë prezantimit të saj

Shteti është garantuesi kryesor i të drejtës së profesionit. Siaps Kusarit ‘nëse për arsye të ndryshme Shteti nuk u frikësohet mekanizmave kombëtare të mbrojtjes së gazetarëve, qëndrimi i tyre ndryshon kur u tërhiqet vëmendja nga mekanizmat ndërkombëtarë’.

Kusari përfundoi duke thënë ‘nëse duam që të kemi një mbrojtje më efikase duhet që të ketë dokumentim të rasteve dhe ndihmë nga mekanizmat dhe platformat e huaja’.

Drejtori ekzekutiv i Res Publica Dorian Matlija i cili ka mbrojtur përpara gjykatës shumë çështje të gazetarëve tha se ‘gazetarët duhet t’i njohin të drejtat dhe detyrimet në mënyrë që të kenë konfidencë të mjaftueshme për të përballuar kërcënimet pasi në momentin e parë që marrin një padi krijohet efekti i intimidimit’.

Sipas Matlisë, ‘kur një gazetar bën përpjekje duke respektuar parimet e Kodit të Etikës, tregon që qëllimi i tij është informimi i publikut, jo shpifja dhe gjykata mban anën e gazetarit edhe nëse ky i fundit  ka një informacion jo të saktë në raportimin e tij’.

‘Fushatat shpifëse ndaj gazetarëve janë instrumenti më i mirë i padive. Padia është një proces që zgjat shumë po dhe nxjerr të vërtetën në fund’ përfundoi ai

Për të ndarë eksperiencën e tyre të kërcënimet për shkak të profesionit të pranishëm ishin dhe  gazetari Artan Rama dhe Alice Taylor.

Rama këshilloi gazetarët që nëse duan të zgjedhin që të punojnë shkrime investiguese në momentin e parë që rrezikohen nga kërcënimet apo sulmet nuk duhet të zgjedhin zhurmën si mënyrën më të mirë për tu mbrojtur pasi kështu vështirësojnë punën e tyre.“Të gjithë që zgjidhni gazetarinë investigative do të rrezikoheni të paktën një herë që të përfundoni si të paditur në Gjykatë’ tha ai.

Ndërsa Gazetarja e Exit.al, Alice Taylor, ndaj të cilës dy vjet më parë nisi një fushatë sulmi mediatik duke e akuzuar si ‘spiune ruse’  komentoi se sulmi nisi pas një interviste  për Russia Today dhe se e gjithë situata ndodhi në një kohë që ajo po përjetonte shtatzëninë e saj ‘Krizat e forta të ankthit që më pasuan nga kërcënimet e shumta në rrjetet e mia sociale krijuan një situatë të rrezikshme e cila mund të rezultonte fatale për mua apo vajzën time’ tha Taylor.

Alice i këshillon gazetarët që në punën e tyre, pavarësisht se mund të jenë të detyruar të bëjnë shkrime kundër një personi apo gazetari tjetër duhet të tregohen të kujdesshëm pasi informacion që ata publikojnë mund të krijojë pasoja negative tek individët për të cilët kanë shkruar.

Ky është aktiviteti i dytë në serinë e takimeve me profesionistë të medias që realizohen në kuadër të programit JUFREX.

KSHM dënon me forcë arrestimin e gazetarit Qamil Xhani gjatë kryerjes së detyrës

KSHM dënon një tjetër akt dhune ndaj gazetarëve, atë ndaj gazetarit dhe Kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani.
Agresioni ndaj Xhanit është bërë ndërsa ai po bënte punën e tij si gazetar fare pranë redaksisë së tij.

Arrestimi, prangosja e keqtrajtimi i Xhanit, është një shenjë e keqe pë lirinë e medias dhe një sinjal shqetësues që policia tashmë nuk respekton asnjë standart demokratik, ku ai bazë, është lejimi i raportimit të lirë nga terreni dhe mos-ngacmimi i gazetarëve në krye të detyrës.

Gazetari Xhani në një deklaratë në FB, të botuar dhe nga gazeta Koha Jonë, deklaron ndër të tjera:
“Unë që u prangosa para redaksisë kur po fotografoja arrestimin e dhunshëm të dy të miturve, po më firmoseshin letrat për “Pjesëmarrje në tubim të paligjshëm!”. Nuk isha në protestë dhe as pjesë e ndonjë grupi protestuesish. Isha 5 metra larg hyrjes së redaksisë e gazetës dhe dola pas zhurmës së sirenave të policisë dhe ulërimave që vinin nga oborri.”

KSHM i kërkon dhe një herë Drejtorit të Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu dhe drejtuesve të lartë të policisë të edukojnë trupat policore për respektin e lirisë së shprehjes që zë fill tek liria për të raportuar e gazetarit.

KSHM i kërkon dhe një herë Drejtorit të Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu, të kërkojë falje për rastet e përsëritura të dhunimit të gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës në raportimin e revoltave të ditëve të fundit, nxitur nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha.