KSHM dënon një tjetër akt dhune ndaj gazetarëve, atë ndaj gazetarit dhe Kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani.
Agresioni ndaj Xhanit është bërë ndërsa ai po bënte punën e tij si gazetar fare pranë redaksisë së tij.
Arrestimi, prangosja e keqtrajtimi i Xhanit, është një shenjë e keqe pë lirinë e medias dhe një sinjal shqetësues që policia tashmë nuk respekton asnjë standart demokratik, ku ai bazë, është lejimi i raportimit të lirë nga terreni dhe mos-ngacmimi i gazetarëve në krye të detyrës.
Gazetari Xhani në një deklaratë në FB, të botuar dhe nga gazeta Koha Jonë, deklaron ndër të tjera:
“Unë që u prangosa para redaksisë kur po fotografoja arrestimin e dhunshëm të dy të miturve, po më firmoseshin letrat për “Pjesëmarrje në tubim të paligjshëm!”. Nuk isha në protestë dhe as pjesë e ndonjë grupi protestuesish. Isha 5 metra larg hyrjes së redaksisë e gazetës dhe dola pas zhurmës së sirenave të policisë dhe ulërimave që vinin nga oborri.”
KSHM i kërkon dhe një herë Drejtorit të Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu dhe drejtuesve të lartë të policisë të edukojnë trupat policore për respektin e lirisë së shprehjes që zë fill tek liria për të raportuar e gazetarit.
KSHM i kërkon dhe një herë Drejtorit të Policisë së Shtetit, z. Ardi Veliu, të kërkojë falje për rastet e përsëritura të dhunimit të gazetarëve gjatë kryerjes së detyrës në raportimin e revoltave të ditëve të fundit, nxitur nga vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha.