Deklaratë e KSHM mbi vendimin e Prokurorisë që ndalon publikimin e materialeve të hakeruara

KSHM shpreh shqetësimin për vendimin e fundit të prokurorisë që ndalon mediat të publikojnë materialet e hakeruara dhe që qarkullojnë online. Fakti që materialet janë tashmë online heq çdo përgjegjësi nga gazetarët për abuzim me informacione sekrete, të cilat tashmë nuk janë sekretedhe fakti që po qarkullojnë online do të thotë që janë lehtësisht të gjendshëm nga çdo individ, brenda apo jashtë Shqipërisë. Në vendimin e Prokurorisë ka një paqartësi se çfarë konsiderohet sekret hetimor, dhe a mund të jenë pjesë e një dosjeje hetimore të gjitha emailet e drejtorëve apo ministrave. Nga ana tjetër shumë nga emailet e bëra publike përbëjnë një interes legjitim publik, sepse përmes tyre mund të analizohet përgjegjshmëria e menaxhimit të shtetit e të institucioneve, dhe është detyrë e mediave të qëmtojnë e të raportojnë për to.

Përmbledhur, vendimi është në kufinjtë e censurës, dhe tregon papërgjegjshmëri nga ana e Prokurorisë.

Thënë kjo, KSHM u kërkon mediave të jenë sa më të përgjegjëshme nga ana e tyre. Mediat kanë një rol tejet të rëndësishëm në këtë rast, sepse ato mund të bëjnë përpunimin e duhur të materialeve të hakeruara. Por, ato duhet të bëjnë kujdes që mos të botojnë materiale që nuk përbëjnë interes publik, të vënë në rrezik persona të tretë, të dekonspirojnë persona apo hetime të mundshme. Mediat duhet ta përpunojnë me shumë kujdes materalin duke redaktuar e mbuluar me të zezë pjesët që mund të përbëjnë informacion delikat por që nuk kanë interes të mirëfilltë publik.

Ky rast, është unik në mundësinë që u jep mendiave shqiptare për të treguar profesionalizëm, përgjegjshmëri, dhe se mbajnë interesin e publikut në vend të parë më shumë sesa dëshirën për të thithur klikime me tituj bombastikë.

Liria e Shtypit, është liria për të bërë pyetje!

KSHM mbështet protestën në solidaritet me gazetarin Klevi Muka

Këshilli Shqiptar i Medias mbështet protestën e sotme të gazetarëve ndaj aktit të fundit në kufizim të lirisë së informacionit nga ana e Kryeministrit Rama, me përjashtimin e gazetarit Klevin Muka nga konferencat për shtyp për 3 muaj.

Liria e shtypit është e liria për të bërë pyetje në interes të informimit të publikut dhe detyra e Kryeministrit dhe e kujdo funksionari të emëruar është që të japë përgjigje e jo sanksione.

Për sa i përket shkeljes së etikës të përmendur nga Kryeministri, gazetari Muka nuk ka bërë asnjë shkelje etike në bazë të Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, ndaj akti i Kryeministrit që “bezdiset” nga pyetjet është e papranueshme.

Akti i Kryeministrit, të cilin ai e quajti me termin e diktaturës “riedukim” është kufizim i pastër i lirisë së shtypit.

Etika në raportimin e ngjarjes së Korçës

Rasti i rëndë i raportuar në Korçë me foshnjën e vdekur, kërkon një vëmendje të madhe përsa i përket raportimit etik.

KSHM vëren se në shumë raste, janë shkelur nenet e kodit të etikës në këtë raportim.

Së pari, etika e kërkon që në rastet e ngjarjeve të rënda media të mos sensacionalizojë vdekjen apo brutalitetin. (Neni 11 i Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar). Në rastin e Korçës, disa media nuk e respektuan këtë duke ofruar detaje makabre të ngjarjes të cilat nuk ka pse të jenë pjesë e interesit publik.

Së dyti, disa media, në kërkim të sensacionit nuk respektuan dinjitetin e viktimave dhe familjarëve të tyre (Neni 12 i Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar) duke ndërhyrë në mënyrë jo-etike në jetën private të familjarëve (Neni 9).

Së treti, disa media raportuan në mënyrë jo-profesionale për sëmundjen e shëndetit mendor të njërit prej protagonistëve, duke krijuar hapësirë për gjuhë urrejtjeje ndaj të prekurve nga sëmundje të shëndetit mendor.

KSHM vlerëson që në këtë rast dhe raste të tjera të ngjashme, qasja e medias mund të bëjë një ndryshim të madh në shoqërinë shqiptare dhe në reagimin e kësaj shoqërie ndaj fenomeneve të tilla, çka e bën përgjegjësinë e medias akoma më të madhe dhe rolin e saj shumë të rëndësishëm.

Reagim: Mediat Kanë të Drejtën e Aksesit!

KSHM shpreh shqetësimin e vet për mos-akreditimin e medias Report TV për të ndjekur e raportuar ndeshjen e rradhës së Kombëtares shqiptare.

Detyra e medias është të raportojë, ndër të tjera dhe eventet me interes të lartë publik dhe lejimi i aksesit është e drejtë parësore e cila duhet respektuar pavarësisht politikave editoriale të çdo medieje.

Shqipëria ka plot shembuj negativë të listave të “zeza” të mediave ose gazetarëve që u mohohet aksesi për të raportuar, që nga Qeveria, Bashkitë e deri te Partitë politike. KSHM fton FSHF-në që të mos e aplikojë këtë metodë anti-demokratike dhe të dëshmojë që është një institucion modern me standarte perëndimore.

REAGIM: Policia e shtetit duhet të bëjë kujdes me trajtimin e gazetarëve që raportojnë protestat!

KSHM është shumë i shqetësuar për disa episode ku është penguar puna e gazetarëve në raportimin e protestave të ditëve të fundit.

Sipas raportimeve që na vijnë nga media anëtare të Aleancës për Media Etike, ka patur një episod ku një kameran është goditur nga një civil (i dyshuar që mund të qenë ketë efektiv policie) në Durrës, ndërsa gazetarët janë shtyrë e shtypur nga policia në Tiranë,  ku një gazetare ka përfunduar në Spital në Tiranë nga dhuna e policisë.

Policia e shtetit duhet të ketë vëmendje maksimale që çdo gazetar e kameraman që gjendet në protesta për të raportuar është i paprekshëm dhe çdo episod dhune do të raportohet në instancat më të larta europiane e ndërkombëtare. Ne nuk mund të presim që gazetarët të vriten, për të reaguar.

Çfarë duhet të respektojnë mediat në rastin e rrjedhjes së informacioneve mbi pagat

KSHM dhe Aleanca për Media Etike, e vlerësojnë kritike situatën e krijuar me rrjedhjen e të dhënave personale të shtetasve, si pagat, targat, etj.

Ndërsa rrjedhjet mund të mos jenë dokumente të marra në mënyrë legjitime (shembuj botërorë janë që nga Wikileaks, tek Lista LeGarde, deri te Pandora Papers, etj) shpesh ato mund të përmbajnë dokumente me interes publik.

Nisur nga kjo, KSHM dhe Aleanca për Media Etike konsiderojnë që përderisa këto të dhëna kanë rënë në duar të shumëkujt, aq më shumë i takon medias që në mënyrë të përgjegjëshme të orientojë publikun tek ajo pjesë e informacionit që është me interes publik, duke mos cënuar pa të drejtë privatësinë e shtetasve.

Aleanca e Mediave Për Etikën

Aleanca e Mediave Për Etikën

KSHM dhe AME, i bëjnë thirrje të tëra mediave që të kenë parasysh disa elementë të rëndësishëm.

  • Media ka të drejtë për të përpunuar të dhënat e rrjedhura për të informuar publikun. Përpunimi i të dhënave duhet të orientohet vetëm drejt temave që kanë interes publik dhe jo që paraqesin kërshëri publike.
  • Të shmangen nga ky përpunim, sa më shumë të jetë e mundur, detajet personale të shtetasve.
  • Në rast se media, konsideron se rroga dhe institucioni që e paguan një individ përbën çështje me interes të lartë publik, para se të publikohen të dhënat e përpunuara, individëve të përmendur duhet t’u jepet patjetër hapësira për të komentuar mbi akuzat.

KSHM dhe AME, konsiderojnë se sjellja e përgjegjëshme e mediave në këtë situatë është kusht themelor për ta orientuar debatin mbi këto lista aty ku duhet: tek interesi më i lartë publik.

 

Deklarata Rajonale e Këshillëve të Mediave në Evropën Juglindore, Sarajevë, 17 nëntor 2021

Ne, përfaqësuesit e Këshillëve të Mediave nga Evropa Juglindore dhe Turqia,

Duke njohur rolin e gazetarisë në prodhimin dhe shpërndarjen e informatave me interes publik, sidomos në kohë krizash, dhe duke theksuar rëndësinë e madhe që ky rol të mos jetë i kapur e të mos i nënshtrohet ndikimit;

Duke ditur rolin qenësor që ka vetërregullimi i mediave për të mbështur lirinë e mediave përmes sigurimit të respektimit të standardeve etike të mediave, duke ndihmuar në zvogëlimin e ndërhyrjes shtetërore në fushën e lirisë së mediave, dhe duke shërbyer për t’i zvogëluar veprimet gjyqësore kundër mediave;

Duke theksuar rëndësinë e besimit publik në media dhe sfidat e ruajtjes së profesionalizmit të mediave në një mjedis ku format e reja të mediave janë duke u zhvilluar vazhdimisht;

Duke rikujtuar përpjekjen e këshillëve të mediave për të përshtatur kodet e tyre të etikës me ekosistemin e ri të mediave digjitale duke u siguruar gazetarëve udhëzime specifike se si të punojnë në këtë mjedis;

Të alarmuar nga gjendja e tmerrshme financiare e këshillëve të mediave që shkakton kërcënime ekzistenciale për pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre organeve;

Duke dënuar kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë së gazetarëve në rajon dhe të alarmuar nga rishfaqja e kërcënimeve politike ndaj pavarësisë së mediave, siç është keqpërdorimi i resurseve shtetërore duke përfshirë reklamat, përpjekjet e figurave politike për të kapur mediat, heqjen e akreditimit të gazetarëve, sulmet e ashpra që kanë për qëllim stigmatizimin dhe diskreditimin e mediave, si dhe shënjestrimin e mediave përmes keqpërdorimit të procedurave gjyqësore;

Duke theksuar kërcënimet potenciale të përpjekjeve të qeverisë për të rregulluar mediat online, në veçanti ndikimin e mundshëm në rolin e vetërregullimit të mediave dhe me këtë ekzistencën e këshillëve të mediave;

Duke ditur se mungesa e transparencës së pronësisë së mediave mund të nxisë përqendrimin joadekuat të pronësisë së mediave dhe kësisoji të kufizojë diversitetin e mediave;

Të vetëdijshëm për mundësitë e reja që platformat e rrjeteve sociale u ofrojnë gazetarëve për shpërndarjen e punës së tyre, por edhe duke vërejtur se platformat nuk janë neutrale por kanë marrë rol aktiv kuratorial e redaktorial, duke përfshirë përdorimin e sistemeve algoritmike për shpërndarjen e përmbajtjes së përmbajtjes së prodhuar nga mediat dhe aktorët e tjerë;

Të alarmuar nga rritja e numrit të aktorëve keqdashës që shënjestrojnë dhe sulmojnë mediat e pavarura në platformat e rrjeteve sociale për të zvogëluar apo për të parandaluar përhapjen dhe shtrirjen e tyre në këto platforma;

Të shqetësuar me rritjen e numrit të ankesave të marra nga këshillët e mediave në lidhje me përhapjen, shumëzimin dhe nxitjen e përmbajtjeve potencialisht të dëmshme online, duke përfshirë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes;

Duke parë shumëllojshmërinë e aktorëve të rinj të mediave online që bëjnë punë mediale dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes tyre në realizimin e gazetarisë si e mirë publike;

Duke theksuar nevojën e pajisjes së qytetarëve me aftësi dhe njohuri të mediave dhe informacionit për t’u mundësuar atyre të lëvizin në peizazhin e informatave, veçanërisht aftësinë për të dalluar informatën e besueshme nga informata e paqëndrueshme dhe për të mbështetur gazetarinë profesionale;

U bëjmë thirrje profesionistëve të mediave në rajon:

TË RESPEKTOJNË standardet profesionale të mediave dhe kodet e etikës të zhvilluara nga këshillët e mediave dhe aktorët e tjerë mediale dhe të sigurojnë se janë të vetëdijshëm dhe mjaft të trajnuar lidhur me standardet profesionale;

TË SIGUROJNË vizibilitetin e përkatësisë në sistemin e vetërregullimit të mediave dhe kësisoji t’i mbështesin qytetarët për të dalluar mediat e përkushtuara ndaj sistemit të vetërregullimit të mediave nga ato që janë jashtë këtij sistemi, dhe për t’i informuar lidhur me ekzistencën e një mekanizmi ankesash falas kur ndodh ndonjë shkelje potenciale e standardeve profesionale të mediave;

TË SIGUROJNË transparencën e pronësisë së tyre dhe t’i mbështesin mediat dhe organizatat e gazetarëve në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e punës së të gjithë punëtorëve të mediave, duke kontribuar kësisoji në rikthimin e besimit në media;

TË KONTRIBOJNË në financimin e këshillëve të mediave për të siguruar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e vetërregullimit të mediave;

U bëjmë thirrje autoriteteve publike dhe institucioneve:

TË PROMOVOJNË pluralizmin e mediave dhe të mbrojnë qëndrueshmërinë e gazetarisë nëpërmjet mbështetjes së mediave që lidhet me sigurimin e respektimit të standardeve profesionale ose të vetërregullimit të mediave;

TË PROMOVOJNË njohuritë për media dhe informacion në arsimin formal dhe joformal;

TË SIGUROJNË që përfaqësuesit e këshillëve të mediave të këshillohen dhe të angazhohen në të gjitha nismat që lidhen ose që kanë të bëjnë me (vetë) rregullimin e mediave online dhe offline;

TË TËRHIQEN nga rregullimi i tepërt i mjedisit të mediave digjitale që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare që lidhen me lirinë e shprehjes;

U bëjmë thirrje platformave të internetit:

TË BASHKËPUNOJNË me organizatat e vetërregullimit të mediave dhe të shoqërisë civile në nivel lokal për të mbrojtur e për të zgjeruar garancitë për ushtrimin e plotë të së drejtës së informimit dhe lirisë së shprehjes, si online ashtu edhe offline;

TË BASHKËPUNOJNË me mediat dhe këshillët e mediave për të nisur dialog dhe për të zhvilluar veprime të duhura që kanë për qëllim zbutjen e përmbajtjes së dëmshme online duke u dhënë prioritet informatave me interes publik në platformat e internetit;

T’U OFROJNË mundësi anëtarëve të këshillëve të mediave me mekanizma të veçantë për ankesa dhe hetime lidhur me përmbajtjen e tyre mediale që hiqet nga platformat e rrjeteve sociale;

TË CAKTOJNË përfaqësues lokalë që janë në dispozicion për të komunikuar me mediat dhe këshillët e mediave;

TË SIGUROJNË që konteksti lokal – sidomos në lidhje me aspektet politike dhe përmbajtja e dëmshme online – të merret parasysh me rastin e moderimit të përmbatjes, gjatë heqjes, rankimit më të ulët dhe rritjes së vizibilitetit të përmbajtjes mediale online, duke rritur nivelin e moderatorëve të trajnuar lidhur me aspektet e ndjeshme politike, kulturore, etnike dhe socio- ekonomike.

 

Mbi standartin etik të publikimit të hetimeve të policisë

Nisur nga një ngjarje e fundit e kronikës, ku mediat kishin publikuar informacion nga hetimet e policisë mbi një krim të kryer në Tiranë, Bordi i Aleancës për Media Etike konsideron se ka nevojë për njësimin e një standarti etik për këto raste.

Ndërsa është pjesë esenciale e punës së medias që të kërkojë informacione nga puna e policisë për çështje e ngjarje me interes publik dhe t’i publikojë ato, mirë është që të kihen parasysh disa elementë etikë në raportim.

Së pari, duhet ruajtur identiteti i dëshmitarëve ose dhe i të dyshuarve që hetohen në gjendje të lirë. Kjo bëhet jo vetëm për të mos dëmtuar hetimet, por dhe për të mbrojtur jetën e dëshmitarëve a të dyshuarve që mund të vihet në rrezik nëse dekonspirohet.

  1. Vendlindja dhe mosha e dëshmitarit ose të dyshuarit (përveçse kur janë esenciale për të kuptuar natyrën e ngjarjes) nuk ka nevojë të vihen në raportim, edhe nëse figurojnë në informacionin e marrë prej policisë.
  2. Elementë të tjerë identifikues, si shkolla, lagjia ku banon, institucioni ku punon, nuk duhen përfshirë në raportim sepse bëjnë të mundur identifikimin e personit (përmes kryqëzimit të të dhënave).
  3. Praktika më e mirë e gazetarisë, kërkon që të mos përdoren inicialet e vërteta, por iniciale të ndryshuara, duke e informuar publikun që inicialet janë ndryshuar për të mbrojtur personin nën hetim apo dëshmitar të një çështje kriminale.

 

 

 

 

Takim i Këshillit të Medias me Ambasadorin e BE-së, Soreka

Dje, në mjediset e Europa House u zhvillua një takim me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreka.

Takimi pati si qëllim shkëmbimin e ideve mbi situatën e medias në Shqipëri. Ambasadori Soreka u shpreh se bashkë me reformën në drejtësi, liria e medias është një nga prioritetet e BE-së për Shqipërinë në rrugën drejt familjes europiane. Gazetaria cilësore është thelbësore për të mbajtur nën kontroll të gjithë sektorët e tjerë & për të ofruar informacion të besueshëm për publikun, theksoi Ambasadori.

Sipas Kryetarit të KShM, Cukali, vetërregullimi si proces është shumë i rëndësishëm, por ai duhet shoqëruar me vullnet politik për të bërë reforma që të përmirësojnë klimën e medias si psh, në aspektin ligjor të konfliktit të interesit.

Ambasadori foli me bindje se ndihma e BE-së për mediat e gazetarët do vijë në rritje, si në sasi por dhe në shpërndarje.

Takimi në Europa House mes Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreka dhe Kryetarit të Këshillit të Medias, Koloreto Cukali

Takimi mes Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreka dhe Kryetarit të Këshillit të Medias, Koloreto Cukali

 

Transformimi dixhital në një botë mediatike që po ndryshon

Më 30 tetor, Zyra e Zhvillimit të Mediave të Radios Suedeze mbajti një seminar, bazuar në përvojën e SVT-së për mbulimin e sulmit terrorist në Paris në vitin 2015, i cili zbuloi mangësi serioze në këtë media  si për ofertën në transmetim dhe veçanërisht në internet. SVT është tani një nga ofruesit kryesorë të lajmeve në internet në Suedi.

Transformimi dixhital e ka bërë SVT një ofrues më të mirë dhe më të shpejtë të lajmeve në të gjitha platformat e disponueshme. Seminari u organizua në bashkëpunim me Këshillin Shqiptar të Medias dhe TElevizionin Publik Shqiptar (RTSh) dhe morën pjesë gazetarë të mediave anëtare të Aleancës për Median Etike, të RTSh, dhe studentë të Fakultetit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Për të përshpejtuar transformimin dixhital të medias shqiptare, Zyra Suedeze e Zhvillimit të Medias së Radios po kryen gjithashtu një rast studimi për të mbështetur transformimin dixhital brenda peizazhit mediatik në Shqipëri.

Ndër temat e diskutuara ishin: Bota po ndryshon – dhe kështu peizazhi mediatik. Si SVT News kaloi nga transmetimi në aplikacion dhe 8 faktorët e suksesit për një transformim dixhital.