KSHM dhe RES PUBLICA nisin një projekt për fuqizimin etik të mediave lokale

Këshilli Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Qendrën RES Publica bëri sot një takim në qytetin e Shkodrës, me një grup fokusi të përbërë nga gazetarë të njohur, të medias së shkruar e televizive, si dhe me studentë të gazetarisë për të diskutuar situatën e etikës e të mediave lokale, në kuadër të projektit “Promovimi i etikës dhe vetërregullimit në mediat lokale. Sfidimi i dezinformimit.”, mbështetur nga BE.

Përmes këtij grupi të fokusit, rezultoi që problemi kryesor i mediave lokale është financimi, çka jo vetëm kufizon resurset dhe mundësinë për një gazetari cilësore, por dhe i bën dhe editorialisht të varura mediat lokale nga burimi financiar.

Pagesat e ulëta të gazetarëve krijojnë një klimë ku gazetari nuk ndjehet i sigurt, çka ul cilësinë e puunës dhe ngre mosdëshirën për të marrë përsipër raportime të guximshme, që mund të vinin në rrezik sigurinë financiare ose dhe të jetës.

Humbja graduale e standartit të shumë burimeve të lajmit ishte një tjetër vëzhgim i cili u pranua dhe nga pjesëmarrësit në grupin e fokusit.

Një nga kërkesat kryesore ishte dhe aksesi në fondet e donatorëve për gazetarët.

Megjithatë, pavarësisht situatës jo të favorshme, duket sikur ka akoma një energji mes gazetarëve për të vazhduar punën me kurajë dhe studentët e gazetarisë për të mos hequr dorë nga ëndrra për t’u bërë gazetar, dhe gazetar i mirë.

Nga takimi me grupin e fokusit në Shkodër, nën kujdesin e gazetarit Ardi Hoti