Reagim ndaj dhunës policore kundër gazetarit së Ora News, Xhoi Malësia
Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim për sjelljen e Policisë së Shtetit kundër gazetareve e gazetarëve duke penguar ushtrimit të profesionit të tyre gjatë protestave.
Ne dënojmë rastin më të fundit, të ndodhur ditën e djeshme ndaj gazetarit të Ora News, Xhoi Malësia.
Xhoi Malësia ka qenë duke transmetuar drejtpërdrejt pamjet nga zona e “21 Dhjetorit”, kur policia nisi arrestimet duke urdhëruar “fikni kamerat” dhe duke e tërhequr zvarrë gazetarin pa marrë parasysh thirrjet e tij “jam gazetar”, ndërkohë duke mospranuar shqyrtimin e mjetit të tij të identifikimit.
KSHM shpreh solidaritetin me gazetarin Malësia dhe me tërë gazetarët e tjerë që janë bërë objekt sulmi kohët e fundit, shpesh për shkak të qëndrimeve të tyre kritike apo gjatë kryerjes së detyrës së tyre siç është informimi i publikut.
Ne kërkojmë që Policia Shtetit, së bashku me Komisariatin numër 2, të kërkojnë ndjesë publike për këtë rast dhe të edukojnë trupat e veta me standardet demokratike ku media ka të drejtën kushtetuese të jetë në vend ngjarje për të informuar publikun. Arrestimi, ndalimi e shoqërimi i gazetarëve që po bëjnë punën e tyre është antikushtetues dhe dhunë e drejtpërdrejtë mbi lirinë e shprehjes. Gjithashtu kërkojmë që të identifikohen e të vihen para përgjegjësisë efektivët që dhunuan dhe penguan gazetarin Malësia të kryejë detyrën.