Tag Archive for: qeveria

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt shprehet kundër ligjit Anti-shpifje

Rreti i Gazetarëve të Sigurt ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me planet e qeverisë për miratimin e ligjit kontravers “paketa anti-shpifje” pa marrë në konsideratë rekomandimet e Komisionit të Venecias.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt është platformë rajonale e cila përfaqëson më shumë se 8200 media profesioniste në Ballkanin Perëndimor.

“Ndërkohë që është e rëndësishme të adresosh problemet e gjuhës së urrejtjes, shpifjes, dizinformimit dhe fenomene të tjera të ngjashme që u atribuohen medias online. Kjo duhet bërë duke u konsultutar me aktorët dhe me pjesëmarrjen e shoqërisë civile dhe organizatave të medias, tha Blerjana Bino nga Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt. Vetë-rregullimi është i rëndësishëm si dhe mbështetja e profesionalizmit dhe lirisë së medias.

Sipas Binos nëse qeveria është e vendosur të miratojë ligjin e medias atëherë ajo do të duhet të duhet të përballet me një pjesë të vogël të opozitës të ngelur në Kuvend pasi aktualisht Parlamenti është me një parti.

Që nga dhjetori i vitit 2018 kur drafti i parë i paketës Anti-shpifje u propozua nga Këshilli i Ministrave e deri më 19 dhjetor 2019, kur ndryshimet në ligje u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, janë konfirmuar si shqetësime  madhore për lirinë e shprehjes, për demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës nga Opinioni i Venecias për organizatat shqiptare të medias si dhe ato të huaja.

Deklaratë 17 dhjetor 2019

Organizatat e shoqërisë civile shqiptare të të drejtave të njeriut dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve të renditura më poshtë falënderojnë Komisionin Europian dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë si dhe Komisioneren e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic për kontributin që kanë dhënë gjatë këtyre ditëve të tensionuara në mbrojtje të lirisë së shprehjes në Republikën e Shqipërisë.
Organizatat vërejnë se kërkesat tona në lidhje me të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” janë tërësisht të përputhura me qëndrimet e Komisionit Europian dhe Komisioneres Mijatovic si më poshtë:

  1. Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;
  2. Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi;
    Për sa më sipër, organizatat përsërisin kërkesën ndaj qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare.

Ne i kërkojmë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që specifikisht thotë:

“interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online.”

Organizatat theksojnë se në rast se shumica parlamentare do të votojë në kundërshtim të kërkesave të Komisionit Europian këto projektligje, beteja do të vijojë deri në rrëzimin e plotë të çdo tendence anti-demokratike dhe anti-europiane.

Lista e organizatave firmëtare:

  • BIRN Albania
  • Civil Rights Defenders
  • Citizens Channel
  • Faktoje
  • Instituti Shqiptar i Medias
  • Instituti Shqiptar i Shkencave
  • Këshilli Shqiptar i Medias
  • Komiteti shqiptar i Helsinkit
  • Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
  • Qendra Res Publica
  • Qendra Shqiptare MediaLook
  • Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
  • Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

DEKLARATË: RAPORTI SHQETËSUES I QEVERISË ME MEDIAT

Këshilli Shqiptar i Mediave po ndjek me shqetësim raportet e Qeverisë me median në situatën e rëndë të krijuar nga pasojat e tërmetit të 26 nëntorit.

Rasti i parë ka të bëjë me një qarkore të dërguar portaleve online ku AKEP shprehet: “kerkojme URGJENTISHT publikimin e informacionit bashkelidhur, sic kerkohet ne shkresen e Ministrise se Mbrojtjes...” “si nje detyrim nga Ligji 45/2019 “Për mbrojtjen civile””.

KShM i kujton qeverisë që kërkesa është e jashtëligjëshme, sepse ky ligj i referohet vetëm TV-ve dhe Radiove, (liçensat e të cilëve i shpërndan qeveria dhe frekuencat ku ato transmetojnë janë pronë e qeverisë), dhe nuk përfshin hapësirën globale, publike, falas të botës online. 

KShM inkurajon portalet të botojnë të gjitha njoftimet që janë në funksion të ndihmesës së gjendjes, por, i kujton qeverisë që NUK mundet me ligjin në fjalë të urdhërojë asnjë portal që ta bëjë këtë aq më tepër përmes AKEP, një agjensi që nuk ka lidhje me ligjin në fjalë.

Rasti i dytë është bllokimi në FB i një editoriali të Gazetës Dita. 

Kritikat ndaj qeverisë nuk mund t'i dalojë askush, aq më tepër nën pretekstin e gjendjes së jashtëzakonshme, sidomos nëse janë të bazuara.

Rasti i tretë ka të bëjë me bllokimin e aksesit në portalin JOQ në Shqipëri, një akt që bëhet në mënyrë të paligjëshme. Qeveria nuk mund të ndalojë qytetarët e as portalet të denoncojnë keq-menaxhimin e situatës (aty ku ka) dhe për më tepër, nuk mund të bllokojë një portal të tërë për një publikim të vetëm. Rasti i JOQ reflekton qartë se çfarë do të ndodhë me mediat në të ardhmen nëse Qeveria kalon ligjin famëkeq të ashtuquajtur “kundër-shpifjes”. Qeveria ka të drejtën të dërgojë për ndjekje penale këdo që ka shkelur ligjet, qoftë dhe në kuadrin e gjendjhes së jashtëzakonshme, por, nuk mundet të mbyllë me anën e AKEP-it dhe instrumenteve të tjerë, pa një vendim gjyqësor, asnjë media.


Mediat, duhet të përmban nga përhapja e lajmeve të rreme. Media ka për detyrë që sidomos në këtë situatë të ruhet nga publikimi i lajmeve të paverifikuara që mund të përhapin panik. Çdo lajm, në këtë periudhë, para se të përcillet si i vërtetë duhet të verifikohet me shumë saktësi. Jo çdo citim, qoftë dhe nga sizmiologë, duhet publikuar, nëse fjalët e thëna përhapin panik.

Gjithashtu, media duhet të evitojë të përdorë gjatë raportimit terminologji bombastike si “frikë”, “tmerr”, “apokaliptik”, etj, terma që nuk shprehin fakte por thjesht opinione të gazetarëve raportues. 

Nga ana tjetër, Qeveria nuk duhet ta përkthejë gjendjen si një arsye për të ushtruar censurë mbi mediat, siç ishte rasti i Gazetës Dita dhe mbyllja e JOQ.

Së pari, Qeveria duhet të bëjë publike se cila është zyra dhe personat përgjegjës që në këtë situatë janë ngarkuar me monitorimin e medias, dhe, kryesorja, Qeveria duhet të bëjë të qartë se cilat janë pikat ku ajo u kërkon mediave të bëjnë kujdes.

Në këtë mënyrë, evitohet që situata e gjendjes së jashtëzakonëshme nuk do të mund të përdoret në mënyrë selektive për të bllokuar shkrime apo goditur media. 

Qeveria po ashtu, nuk mundet të arrestojë qytetarë vetëm se ripublikojnë lajme, siç ishte rasti i vajzës që ka ripublikuar një lajm nga një portal italian mbi depozitat e Porto Romanos. 

Mënyra më e mirë për të qetësuar publikun e përballuar situatën nuk është përmes mbylljes së mediave, por përmes transparencës së vet dhe informimimit serioz, rigoroz e të vazhdueshëm mbi gjendjen, përfshirë dhe atë të depozitave në Porto Romano. 

Por, për sa kohë që Qeveria lejon vetëm kamerat e ERTV të raportojnë mbledhjet e Qeverisë, kjo do të thotë që ajo bllkon aksesin e të tërave mediave në raportimin e saktë e të vërtetë të gjendjes e të situatës. Bllokimi i informacionit dhe zëvendësimi i tij me propagandë nuk ndihmon as në qetësimin e publikut e as në menaxhimin e panikut. Ndaj, faji nuk duhet kërkuar te qytetarët që drejtojnë sytë kudo munden për t'u informuar, për sa kohë qeveria e tyre nuk ua mundëson këtë.


Duke i bërë thirrje dhe një herë mediave të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve të paverifikuara, KSHM shpreson që Qeveria shqiptare do të bëjë kujdes në marrëdhëniet me mediat në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonëshme 

KËshilli Shqiptar i Medias, gazetarët e mediat që ajo përfaqëson, kërkojnë URGJENTISHT që Qeveria të mos kopjojë rastin famëkeq të Erdoganit që e përdori situatën e pas-Grushtit të Shtetit për të sulmuar, arrestuar, mbyllur e goditur mediat kritike; për të mbyllur gojën opinioneve të pavarura; dhe për të instaluar diktaturën e mendimit.

REAGIM: Projektligji i ri i medias, edhe më i keq se i pari

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim në lidhje me projektligjin e ri të medias, të miratuar nga Qeveria në datën 3 korrik 2019 e që pritet të dërgohet për miratim në Kuvend.

Së pari, Projektligji, duke qenë se është një variant krejt i ri, nuk ka kaluar në asnjë tryezë konsultimi me palët e interesuara, çka bie ndesh me ligjin për konsultimin publik.

Së dyti, ky projektligj thyen principin e rregullimit të çështjeve etike të medias në Europë, që është “Vetërregullimi”. Projektligji vendos që çështjet etike t’i zgjidhë me rregullim nga ana e shtetit, përmes AMA-s, duke bërë që në frymë ligji të cënojë këtë princip rrënjësor në lidhje me lirinë e medias në BE e më tej.

Së treti, projektligji i kalon kompetencat për rregullim një zyre brenda AMA-s. Por,

a) AMA, nuk ka kapacitetet e duhura për të bërë këtë rregullim. AMA nuk po arrin as të kryejë detyrat që ka (si p.sh., mbledhjen e pagesave nga operatorët televizivë) jo më të ketë detyra më të vështira e të komplikuara si kontrolli e gjykimi i shkeljeve të etikës.

b) AMA, nuk krijon asnjë garanci që punonjësit e Zyrës së Këshillit të Ankesave kanë integritetin, pavarësinë, dhe kualifikimet e duhura për të bërë ekzaminimin e rasteve të shkeljes së etikës.

Së katërti, ky projektligj i jep një organi Administrativ të gjykojë mbi tema të lirisë së shprehjes. Kjo duhet të jetë kompetencë vetëm e gjykatës. Gjykimi se ku mbaron liria e shprehjes dhe ku fillojnë të drejta të tjera, si e drejta për jetë private apo e drejta për të mbrojtjen e nderit e të dinjitetit të personit nuk mund t’i lihet një organi adminstrativ si zyra e Këshillit të Ankesave të AMA-s. Kjo ëshët kompetencë vetëm e gjykatave shqiptare që kanë të tërë instrumentet për të gjykuar e vendosur në këto raste.

Së pesti, ligji ka plot probleme teknike në vetvete, që nga formulimi, afatet e ngushta të caktuara për reagim, sanksionet e larta e deri tek vendosja e sanksioneve fikse që janë antikushtetuese.

Së gjashti, ky draft është politikisht i pasinqertë sepse përmban gjoja parime që synon t’i respektojë, por përmes formulimeve i cënon ato. Sanksionet e larta, afatet e shkutra dhe mos garancia e AMA’s për gjykim të pavarur do të nxisin vetëcensurën ndër media e tek gazetarët.

Prandaj, KSHM, kërkon që Qeveria të tërheqë urgjentisht projektligjin.

Gjithashtu, KSHM fton organizatat ndërkombëtare, OSBE-në, Këshillin e Europës, Bashkimin Europian që të ushtrojnë presionin e duhur që ky ligj të mos kalojë, për shkak se në frymë por dhe në përmbajtje cënon lirinë e medias dhe nxit vetë-censurën.