Etika në raportimin e ngjarjes së Korçës

Rasti i rëndë i raportuar në Korçë me foshnjën e vdekur, kërkon një vëmendje të madhe përsa i përket raportimit etik.

KSHM vëren se në shumë raste, janë shkelur nenet e kodit të etikës në këtë raportim.

Së pari, etika e kërkon që në rastet e ngjarjeve të rënda media të mos sensacionalizojë vdekjen apo brutalitetin. (Neni 11 i Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar). Në rastin e Korçës, disa media nuk e respektuan këtë duke ofruar detaje makabre të ngjarjes të cilat nuk ka pse të jenë pjesë e interesit publik.

Së dyti, disa media, në kërkim të sensacionit nuk respektuan dinjitetin e viktimave dhe familjarëve të tyre (Neni 12 i Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar) duke ndërhyrë në mënyrë jo-etike në jetën private të familjarëve (Neni 9).

Së treti, disa media raportuan në mënyrë jo-profesionale për sëmundjen e shëndetit mendor të njërit prej protagonistëve, duke krijuar hapësirë për gjuhë urrejtjeje ndaj të prekurve nga sëmundje të shëndetit mendor.

KSHM vlerëson që në këtë rast dhe raste të tjera të ngjashme, qasja e medias mund të bëjë një ndryshim të madh në shoqërinë shqiptare dhe në reagimin e kësaj shoqërie ndaj fenomeneve të tilla, çka e bën përgjegjësinë e medias akoma më të madhe dhe rolin e saj shumë të rëndësishëm.