Gazetarët shqiptarë gjatë periudhës së shpallur nga qeveria shqiptare nga 9 marsi deri me 31 maj 2020, përveç rreziqeve për jetën dhe vështirësive ekonomike u përballën me vështirësi që ndikuan në cilësinë, paanshmërinë dhe saktësinë e raportimit.
Studimi i organizuar nga Këshilli Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, kishte si objekt të monitoronte dhe analizonte cilësinë dhe standardet e informimit të mediave shqiptare përgjatë periudhës së pandemisë COVID-19. Mediat e zgjedhura për monitorim ishin kanalet kombëtare dhe kanalet kryesore me informacion të pandërprerë si dhe disa nga portalet kryesore. Pikërisht këto media mbajtën edhe peshën kryesore të informimit të publikut gjatë pandemisë së koronavirusit.
U mblodhën të dhëna që na bënë të mundur të verifikonin kapacitetin e saj për të prodhuar në kohën e COVID-19 përmbajtje të ndryshme nga ato që prodhojnë burimet zyrtare si insitucionet qeveritare dhe publike, aftësinë për t’i verifikuar burimet zyrtare dhe ballafaqimin e tyre me burime alternative, saktësinë e informacionit të prodhuar nga kanalet televizive, pavarësinë ose varësinë e këtyre mediave nga politika, etj.
Nga të dhënat e mbledhura janë analizuar gjithashtu edhe dy dukuri shumë të diskutuara për median shqiptare (të pranishme edhe para pandemisë).
E para, problemi i shndërrimit të mediave shqiptare në riprodhuese të përmbajtjeve të emetuara nga zyrat e PR-it të kryeministrit, të partive politike dhe institucioneve.
Nga ana tjetër, përmes të dhënave të nxjerra nga monitorimi krijohet edhe një përceptim për marrëdhënien e mediave tradicionale apo të reja me mediat sociale, marrëdhënie që e ka transformuar totalisht marrëdhënien e qytetarit modern me median.
Problemi ishte të dalloje dukuritë normale mediatike në një gjendje anormale, pra dukuritë mediatike universalisht të shfaqura në të gjitha sistemet demokratike gjatë pandemisë, nga dukuritë specifikisht shqiptare, domethënë përpjekjet që u bënë në sistemet demokratike hibride për t’i përdorur sistemet mediatike në funksion të kontrollit të informacionit nga ana e qeverive dhe në rastet më ekstreme të përdorimit të mediave për manipulimin e opinionit publik.
Lajmi si gjini informative qëndron në disa themele si paanshmëria, saktësia, ndershmëria. Pikërisht këto standarte të gazetarisë u goditën rëndë gjatë pandemisë së COVID-19. Për të lexuar studimin e plotë kliko Raport studimor Mediat dhe informimi i qytetarëve në kohën e koronavirusit.
*Studim për standartet dhe cilësinë e informimit të qytetarëve në Shqipëri në periudhën 9 mars – 31 Maj 2020, nga kanalet televizive të vendit dhe portalet kryesore shqiptare në Web realizuar nga Këshilli Shqiptar i Medias, në bashkëpunim me Fondacionin Konrad Adenauer, Shqipëri.
Drejtues shkencorë dhe hartues të raportit përfundimtar: Prof. Assoc. Dr. Mark Marku Prof. Dr. Akademik Artan Fuga
Grupi i monitorimit: Lorena Memo, Klaudia Muçollari, Enxhi Sula