Reagimi i Cukalit në emisionet “Për të fol” dhe “Ilva Now” mbi paketën anti-shpifje
Kryeatri i Këshillit të Medias, Koloreto Cukali ka qenë i ftuar në lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin Për të fol nga gazetari Omer Saraçi ku është shprehur kundra paketës anti-shpifje.
“Qeveria kërkon kontroll mbi mediat sidomos kur priten zgjedhjet e afërta, mbas disa muajsh. Është shumë i nevojshëm kontrolli i narrativës së asaj që thuhet. Nëse ky ligj kalon tani dhunshëm, do jetë një mjet autocensure sepse askush nuk do shkruajë dot nga frika se do të marri 2-3 gjoba të cilat do e nxjerrin jashtë biznesit. Është një ligj totalisht regresiv dhe në momentin e gabuar.”,- tha Cukali.
Ai shtoi se në dijeninë e tij është një draft i cili mbahet i fshehur dhe është i konsultuar me Këshillin e Europës gjithashtu specifikoi se OSBE nuk është përfshirë në shqyrtimin e këtij drafti. Gjithashtu Cukali tha se ky ligj i heq të drejtën Gjykatës.
“Qëllimi i ligjit të parë, atë që kemi parë e jo draftin që nuk e dimë ç’është, ishte ky, që AMA merr vendim të ekzekutueshëm menjëherë dhe ti shkon në Gjykatë pas dy vjetësh por ty ndërkohë të kanë penalizuar dhe gjoba të është vjelur brenda tre ditësh nga përmbarimi”,- tha ai.
Pyetjes së gazetarit nëse mund të ketë një institucion tjetër jashtë gjykatës që mund të rregullojë këtë situatë Koloreto Cukali u përgjigj se vetërregullimi është mënyra më e mirë për zgjidhjen dhe se mediat anëtare të Aleancës për Media Etike përmes Këshillit po punojnë për të ndërtuar një mekanizëm vetërregullimi, i cili kërkon kohën e vet.
“Europa ja ka dhënë zgjidhjen, mënyra më e mirë është vetërregullimi. Një institucion, këshill ankësash por, jo i ngritur nga qeveria, as nga institucionet e qeverisë. Një institucion i ngritur nga vetë gazetarët i cili merr përsipër të zgjidhë të gjitha ankesat që qytetarët kanë me mediat përkatëse. A do të funksionojë kjo më së miri? A do t’i zgjidhë të gjithë problemet? Sigurisht që jo. Në Gjermani ka këshilla të medias të cilat kanë ngritur këto mekanizma, por kur palët nuk e gjejnë zgjidhjen në këto mekanizma vetërregullues fjalën përfundimtare do ta thotë vetëm gjykata. Ky ështe një institucion ndërmjetës për të zgjidhur probleme me mirëkuptim por, nëse palët nuk janë të bindura as te vendimet e këtyre institucioneve gjithmonë shkohet në gjykatë dhe ka gjithë instrumentat e duhur për të gjetur zgjidhjen e çfarëdolloj problemi. Ne po punojmë për të ndërtuar një mekanizëm të tillë. Kërkon pak kohë. Pandemia nuk na ndihmoi spese e gjithë jeta frenoi por, do ta marrim procesin në fund të shtatorit dhe në fillim të tetorit dhe do t’i ndërtojmë këto mekanizma edhe sikur qeveria të ngulmojë për ta miratuar ligjin me dhunë në parlament. Këto do të jenë mekanizma jetëgjatë, ai ligj nuk është jetëgjatë”, – u shpreh kryetari i Këshillit të Medias.
Koloreto ka mbajtur të njëjtin qëndrim rreth paktës anti-shpifje në emisionin “Ilva Now” nën drejtimin e gazetares Ilva Tare ku u ftua në lidhje të drejtpërdrejtë gjatë diskutimit me ekspertët e tjerë të medias.