AKEP – kush e ka në dorë “çelësin” për të mbyllur një portal?
Nga Loneta Progni
Institucione dhe organizata ndërkombëtare kanë ngritur pikëpyetje të shumta dhe kanë shprehur kritikat e tyre lidhur me “paketën antishpifje”, projektligje të cilat ndryshojnë misionin e Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe gjithashtu i delegojnë Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare kompetenca për të kontrolluar përmbajtjen e publikimeve të medias online.
Pas “paketës antishpifje”, një rast që shkaktoi shumë debat lidhur me kompetencat, bazën ligjore por edhe pavarësinë e AKEP ishte edhe lista e publikuar në tetor 2018 me 44 faqe interneti (portale) që do të mbylleshin brenda 72 orësh nëse nuk regjistroheshin në Qendrën Kombëtare të Bisnesit.
Me publikimin e këtij urdhri, ngrihen dyshime për kërkimet dhe studimet paraprake për mbylljen e një portali, sikurse edhe për bazën ligjore që zbatohet.
“AKEP në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi informon të gjitha subjektet e regjistruara si portale online se duhet të publikojnë brenda 72 orësh nipt-in përkatës në seksionin Kontakt të faqes së tyre online,” shkruhej në njoftimin zyrtar, pa përcaktuar në mënyrë konkrete se cilit ligj i referohet.
Reagimet ishin të shumta pas publikimit të listës së portaleve, pasi mes tyre kishte portale të regjistruara si organizata jofitimprurëse në Gjykatën e Tiranës, në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, të regjistruara si biznese me NIPT të rregullt, si dhe faqe interneti që operojnë dhe paguajnë taksa në Kosovë.
Baza ligjore mbi të cilën bazohet AKEP është e paqartë, dhe nuk publikohen studime që argumentojnë urdhrat që lëshohen, si merret vendimi për mbyllen e një portali? Kush e jep urdhrin?
Situate ligjore e paqartë me vendimin për mbyllje komplikohet edhe më nga përfshirja e AKEP-it në paketën anti-shpifje. Janë 15 organizata të medias në Shqipëri, mes tyre edhe Këshilli Shqiptar i Medias, që kanë kundërshtuar kontrollin e AMA-s dhe AKEP-it mbi përmbajtjen e medias online, pikërisht për faktin se sipas tyre nuk është e besueshme pavarësia e tyre nga politika. “Dy projektligjet i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetenca gati gjyqësore me natyrë sanksionuese, edhe pse këto organe të pavarura sipas ligjit, nuk ofrojnë garanci funksionale për të qenë efektivisht të pavarura sikurse janë organet e pushtetit gjyqësor”, shkruhej në deklaratën e përbashkët të këtyre organizatave, që është publikuar më herët.
Argumenti kryesor i maxhorancës për të miratuar këto dy projektigje, në dëgjesat e realizuara para deputetëve është se influenca e medias online po rritet ndjeshëm dhe lajmet e rreme, që po përdoren për përfitime ekonomike, kanë një ndikim të jashtëzakonshëm tek opinion publik. Këto argumente dhe deklarata nuk janë shoqëruar me prova konkrete dhe studime të realizuara paraprakisht.