Trajnim nëpërmjet ekspozitës
Këshilli Shqiptar i Medias zhvilloi këtë të enjte trajnimin me gazetarët e rinj nën projektin e MATRA-s në ambientet e ekspozitës “Foto të Shtypit Botëror”, në prezencën e Ambasadores së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, znj. Guusje Korthals Altes.
Ekspozita “Fotografia e Shtypit Botëror 2019” në turneun e saj në mbarë botën vjen edhe në Shqipëri duke shfaqur tregimet që kanë rëndësi me fotografinë nga konkursi i 62-të vjetor të Fotografisë së Shtypit Botëror. Fituesit janë zgjedhur nga një juri e pavarur që ka shqyrtuar më shumë se 78.801 fotografi të futura nga 4.738 fotografë nga 129 vende.
Diskutimi me gazetarët e rinj u fokusua te rëndësia e fotoraportimit në median shqiptare si dhe atë të huaj ku, të pyetur
nga ambasadorja znj. Altes, gazetarët treguan problemet e raportimit etik përmes fotove si: dilema për publikimin e të miturve, familjarëve dhe viktimave në aksidente apo fatkeqësi.
Udhëheqësi etik i ekipit, gazetari Alfred Lela, theksoi nevojën që çdo vendim etik të bëhet rast pas rasti, dhe shpjegoi rastet kur e mira e përgjithshme peshon më shumë sesa privatësia, çka bën që disa foto të botohen me qëllimin për të ngritur alarmin për një situatë emergjence humanitare, për shembull.
Në serinë e fotove të ekspozitës ato të cilat lanë mbresë tek të pranishmit ishin: vajzat tifoze të futbollit në Iran, i mituri i shtrirë në dyshekun e rrethuar nga mbetjet dhe i mituri i cili merrte trajtimet mjekësore.
Gjatë bisedës u ndalën edhe tek pjesa e shkeljeve më të shpeshta të kryera nga mediat online dhe si mund të përmirësohej raportimi etik. Stafi i monitorimit të KShM-së tregoi se shkeljet më të kryera deri më tani janë: pavarësia editoriale, dallimi i faktit nga opinioni dhe mospërmendja e vendit në titull.
Në kuadër të projektit Matra të Ambasadës së Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, KSHM do të trainojë në punë e sipër 72 gazetarë të rinj që punojnë në portale të ndryshme, për t’i angazhuar ata më shumë në qasjen për një gazetari etike.