KshM reagon ndaj censurës së AMA-s ndaj programeve të humorit

Këshilli Shqiptar i Medias ka ndjekur me shqetësim reagimin e AMA’s ndaj rubrikës së humorit “Be Coffee” të Emisionit “E Diela Shqiptare”, transmetuar në TV Klan më datë 03.02.2019.

Vendimi i AMA-s është bazuar mbi gjykimin e “Këshillit të Ankesave” të AMA-s se situatat e humorit të kësaj rubrike mbi figurën e dëshmorit Mujo Ulqinaku kanë krijuar “situata të papërshtatshme që zbehin dhe nënvlerësojnë rolin, kontributin dhe nderimin e figurave historike të kombit” dhe për këtë arsye i ka tërhequr vëmendje televizionit Klan por dhe OSHMA-ve të tjera (radiove e televizioneve). Sipas AMA’s “Përmendja me emër dhe mbiemër e tij në një krijim artistik dhe karakterizimi me nota qesharake e cinike shkojnë në favor të denigrimit për ata që konkretisht kontribuuan në mbrojtje të atdheut.”

Duke qenë se rubrikat e humorit nuk mund të jenë objekt i normave etike, KSHM gjykon se ky vendim është më e pakta jo profesional, dhe është ushtrim censure mbi programin “Be Coffee” por dhe premisë vetë-censure për programet e tjera që AMA i këshillon.

Rasti i Charli Hebdo-së tregoi qartë që pavarësisht se sa provokative mund të jenë materialet humoristike në botën demokratike duhet të ketë vend dhe për to, dhe asnjë lloj censure nuk është e pranueshme.

KSHM i kërkon AMA-s të marrë parasysh që:
1. Normat Etike NUK aplikohen për veprat e humorit, ndaj vendimi në këtë rast është akt i pastër censure.
2. Këshilli i Ankesave i AMA-s nuk ka, nuk duhet të ketë e nuk mund të ketë kualifikimin e duhur për të vlerësuar programet e humorit, ndaj nuk i takon atij të gjykojë shijen e humorit të kujtdo artisti e programi.
3. Termat e përdorur në vendimin e AMA-s janë jo-profesionalë sepse shprehin opinione e ndjeshmëri personale të atyre që kanë përpiluar gjykimin.
4. Të tërheqë vendimin e t’u kërkojë ndjesë artistëve.