Këshilli i Medias, takim në universitetin e Korçës

Studentë dhe pedagogë të Universitetit “Fan Noli” të qytetit të Korçës pritën në një takim përfaqësues të Këshillit Shqiptar të Medias.

Takimi u zhvillua në kuadrin e turit informues që Këshilli i Medias po organizon në qytete të ndryshme universitare të Shqipërisë me qëllim informimin dhe rritjen e shkallës së njohjes nga të rinjtë, të kodit të etikës dhe veprimtarisë së këtij Këshilli.

Në takim, KSHM u përfaqësua nga drejtuesi i bordit të ankesave Mark Marku si dhe nga gazetarët Alfred Lela dhe Sokol Shameti.

Mark Marku bëri një prezantim të qëllimeve të KSHM-së dhe veprimtarinë e bordit të ankesave ku merren në shqyrtim raste të ndryshme të shkeljes së rregullave etike nga ana e medias.

Sokol Shameti shtjelloi para të pranishmëve rezultatet e monitorimeve që KSHM kryen në mënyrë të vazhdueshme dhe shkeljet më të pranishme të cilat shoqërojnë sot punën e përditshme të gazetarëve në Shqipëri.

Alfred Lela foli mbi rëndësinë e raportimit të paanshëm dhe profesional pavarësisht prirjeve personale të gazetarëve apo linjës editoriale të medias.

Studentët dhe pedagogët e pranishëm ndoqën me shumë interesim të gjithë takimin dhe bënë pyetje të ndryshme të cilat kryesisht shprehnin shqetësimin mbi humbjen e vlerave të etikës në media si dhe cënimit të vazhdueshëm të pavarësisë së saj.

Takimi zgjati mbi dy orë dhe biseda e pyetje të tjera u bënë nga të pranishmit edhe pas përfundimit të tij.