Deklaratë e Këshillit Shqiptar të Medias mbi propozimin për kriminalizimin e shpifjes
Këshilli i Medias i ka ndjekur me vëmendje zhvillimet në lidhje me propozimin për kriminalzimin e shpifjes duke e vlerësuar si një hap mbrapa në raport me lirinë e medias, por edhe me direktivat e BE-së në raport me procesin e integrimit.
Këshilli beson se liria e shprehjes është instumentale për Shqipërinë, një vend që preket herë pas here nga tendecat e politikës për të ushtruar trysni mbi median dhe zërat kritikë të shoqërisë.
E vetmja mënyrë për të imponuar etikë më të lartë në gazetari është lehtësimi dhe mbështjetja e proceseve të vetërregullimit të medias, që është dhe objektivi kryesor i Këshillit Shqiptar të Medias.
Regjistrimin e portaleve, në anë tjetër, e shohim si një proces adekuat dhe të vlefshëm, por jo edhe procesin publik të ushtrimit të presionit, siç ishte rasti i publikimit të listës nga ana e AKEP. Listë e cila rezultoi pjesërisht e pasaktë dhe e padrejtë me disa prej portaleve të regjistruara me procese të rregullta ligjore.
Po ashtu nuk mbështesim përpjekjet për ta parë këtë hap normal legalizimi jo si databazë por si bazë për intimidim të gazetarëve të pavarur apo kritikë me qeverinë.
Këshilli do të oganizojë së afërmi një konferencë me faktorët relevantë të medias, politikës, shoqërisë civile dhe komunitetit ndërkombëtar me qëllim konfigurimin e një kornize profesionale, ligjore dhe integruese qe bazohet te shembujt më të mirë europianë.
Këshilli i nxit të gjitha palët drejt të kuptuarit se Media dhe liria e fjalës janë thelbësore në procesin, jo vetëm të integrimit europian, por edhe atij të brendshëm.