Tag Archive for: portal

Në redaksinë e NEWS24: pikëpyetje etike mbi identitetin e fëmijëve

KSHM zhvilloi sot një vizitë në redaksinë e News24, një prej televizioneve informative më të vjetër në vend, si pjesë e turit të redaksive të mediave shqiptare. Kjo vizitë ishte e para në një redaksi televizive, dhe për më tepër, një redaksi e cila “ushqen” me lajme shumë portale e gazeta.

Biseda përfshiu ngjarjet e fundit që lidhen me etikën në vend, gjendjen e gazetarëve, përgjegjësinë për gazetarinë joetike të pronarëve.

Në bisedë u trajtua çështja etike nëse duhet mbrojtur identiteti i fëmijës në lajme, Në redaksinë e NEWS24nëse jeta e tij varet nga ky lajm. Në redaksinë e News 24 kishte raste kur prindërit e fëmijës kërkojnë ndihmën e publikut për të mundësuar shërimin e fëmijëve të sëmurë, por, për të krijuar besueshmëri mbi këto raste dhe për të ngacmuar empatinë dhe angazhimin e qytetarëve, gazetarët e redaksisë janë të detyruar ta zbulojnë imazhin e fëmijës. Pedagogu Mark Marku, ekspert i etikës, u shpreh që jeta e fëmijës është më e rëndësishmja, dhe shkeljet etike (si moszbulimi i identitetit të fëmijës) mund të anashkalohen me qëllim mbrojtjen e jetës.

Gazetarja Klodiana Lala vuri në dukje cilësinë në rënie të redaksive, ku punësohen gazetarë të papregatitur e të palexuar.

Në raport me “kasetat e gatëshme” që prodhohen nga Bashkia, Qeveria e partitë politike, dhe që transmetohen nga televizionet pa u verifikuar si lajme, gazetarët u shprehën se ky është problem i shkaktuar nga pronarët dhe që gazetarët kërcënohen me “heqjen e bukës”. Pavarësisht, KShM u shpreh se profesioni i gazetarit është të bëjë rezistencë në rast se pronarët e kryeredaktorët tentojnë t’u shtrembërojnë raportimin, t’i detyrojnë të prodhojnë raportime joetike ose t’u bëjnë presion që u heq pavarësinë.

Gazetarët e NEWS 24 ishin shumë të interesuar të bashkohen në luftën kundër ligjit për median, një ligj që ka si synim kontrollin e mediave nga Qeveria përmes AMA’s, duke përdorur gjoba e sanksione për çështje etike.

Vizitat në redaksitë, mbështetur nga projekti për mediat nga OSFA, do të vijojë në javët e ardhëshme në redaksi të tjera mediatike shqiptare. 

Në redaksinë e Dosja.al: duhet pregatitur për kohën e mediave serioze

Prof. Mark Marku, gjatë vizitës në redaksinë e Dosja.al

Këshilli Shqiptar i Medias rifilloi vizitat nëpër redaksitë e mediave shqiptare, duke vizituar sot redaksinë e DOSJA.AL ku për 90 minuta zhvilloi një bisedë të gjerë mbi etikën dhe problemet e pëditshme të medias së re. Dosja.al është nga të paktat portale që i vendos emrat e gazetarëve në faqen hyrëse, një veprim që tregon përkushtim ndaj etikës dhe mbajtjen e përgjegjësisë për shkrimet e botuara.

Gazetari Sokol Shameti me stafin e redaksisë Dosja.al

Në takim u fol dhe problemi më i fundit i etikës në Shqipëri, paniku i tërmetit falë mungesës së etikës së medias, por mbi të gjitha i nevojës për shokuar në vend të asaj për të raportuar.
Gjatë bisedës u fol dhe për një nga problemet më të mprehta të gazetarisë online: nevoja për klikim në raport me etikën.
“Një shkrim për një status për Çiljetën, merr mijëra klikime më shumë se një shkrim për mungesën e ujit në qytet” vuri në pah një gazetare. Sipas ekspertit të Etikës, pedagogut Mark Marku, kjo është një situatë e përkohëshme, e ngjashme me “katrahurën” në mediat e pas ’90-s, por që zhvillimi shoqëror seleksionoi vetëm gazetat serioze duke i çuar drejt falimentimit gazetat jo etike. Situata kaotike me mediat e reja dhe mungesa e theksuar e etikës në disa prej tyre do çojë brenda pak vitesh në një seleksionim të mediave serioze kundër atyre abuzive.
Sipas gazetarit dhe ekspertit të etikës, Sokol Shameti, “kalimi nga lajmi i gazetës tek lajmi i portalit është njëlloj si kalimi nga artizanati në prodhim industrial dhe ka nevojë të gjejmë mundësinë që edhe prodhimi “industrial” i lajmit të ruaje ato standarde e cilësi qe kishte prodhimi “artizanal” i tij.
KShM u largua nga takimi me ndjesinë që edhe një media tjetër është e përkushtuar ndaj etikës dhe një aleancë e mediave etike të Shqipërisë është e mundur.

 

* Ky projekt mbështetet nga OSFA.