Tag Archive for: news 24

Në redaksinë e NEWS24: pikëpyetje etike mbi identitetin e fëmijëve

KSHM zhvilloi sot një vizitë në redaksinë e News24, një prej televizioneve informative më të vjetër në vend, si pjesë e turit të redaksive të mediave shqiptare. Kjo vizitë ishte e para në një redaksi televizive, dhe për më tepër, një redaksi e cila “ushqen” me lajme shumë portale e gazeta.

Biseda përfshiu ngjarjet e fundit që lidhen me etikën në vend, gjendjen e gazetarëve, përgjegjësinë për gazetarinë joetike të pronarëve.

Në bisedë u trajtua çështja etike nëse duhet mbrojtur identiteti i fëmijës në lajme, Në redaksinë e NEWS24nëse jeta e tij varet nga ky lajm. Në redaksinë e News 24 kishte raste kur prindërit e fëmijës kërkojnë ndihmën e publikut për të mundësuar shërimin e fëmijëve të sëmurë, por, për të krijuar besueshmëri mbi këto raste dhe për të ngacmuar empatinë dhe angazhimin e qytetarëve, gazetarët e redaksisë janë të detyruar ta zbulojnë imazhin e fëmijës. Pedagogu Mark Marku, ekspert i etikës, u shpreh që jeta e fëmijës është më e rëndësishmja, dhe shkeljet etike (si moszbulimi i identitetit të fëmijës) mund të anashkalohen me qëllim mbrojtjen e jetës.

Gazetarja Klodiana Lala vuri në dukje cilësinë në rënie të redaksive, ku punësohen gazetarë të papregatitur e të palexuar.

Në raport me “kasetat e gatëshme” që prodhohen nga Bashkia, Qeveria e partitë politike, dhe që transmetohen nga televizionet pa u verifikuar si lajme, gazetarët u shprehën se ky është problem i shkaktuar nga pronarët dhe që gazetarët kërcënohen me “heqjen e bukës”. Pavarësisht, KShM u shpreh se profesioni i gazetarit është të bëjë rezistencë në rast se pronarët e kryeredaktorët tentojnë t’u shtrembërojnë raportimin, t’i detyrojnë të prodhojnë raportime joetike ose t’u bëjnë presion që u heq pavarësinë.

Gazetarët e NEWS 24 ishin shumë të interesuar të bashkohen në luftën kundër ligjit për median, një ligj që ka si synim kontrollin e mediave nga Qeveria përmes AMA’s, duke përdorur gjoba e sanksione për çështje etike.

Vizitat në redaksitë, mbështetur nga projekti për mediat nga OSFA, do të vijojë në javët e ardhëshme në redaksi të tjera mediatike shqiptare. 

AMA gjobit televizionet KLAN, News 24 e Report TV, ndërsa i tërheq vëmendjen “Ora News”-it

Sipas njoftimi për shtyp të datës 17 prill 2019, AMA ka marrë vendim për të gjobitur televizionet KLAN, News 24 dhe Report TV për shkelje etike ndërsa një tërheqje vëmendjeje ndaj TV Ora News. Sanksionet e AMA-s vlejnë për të kuptuar nivelin e shkeljeve të etikës në televizionet shqiptare.

Sipas njoftimit për shtyp nga AMA, Televizioni Ora News propozohet të gjobitet me masën administrative me gjobë në vlerën 400.000 lekë, ndaj Televizionit Ora News, për emisionin “Ju flet Moska”, të transmetuar në datën 18 Mars 2019 me temën “Skënderbeu dhe vrasjet në xhamitë e Zelandës së Re”. Këto deklarime, sipas njoftimit për shtyp, nxisin intolerancën ndërmjet shtetasve, nxisin dhe justifikojnë dhunën, nuk respektojnë gjuhën dhe larminë e traditave, besimeve fetare, kulturës dhe moralit të qytetarëve. Shkelja e këtyre parimeve ligjore gjatë këtij transmetimi përbën nxitje të urrejtjes mbi baza fetare dhe, si e tillë, është e dënueshme nga ligji.

Televizioni Report TV po ashtu propozohet për masën administrative me gjobë në vlerën 200.000 lekë, pasi në emisionin “Pa gjurmë”, të datës 14.01.2019, janë dhunuar të drejtat e një fëmije, duke cenuar privatësinë dhe dinjitetin e tij.

Një masë administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, propozohet ndaj Televizionit News 24, për edicionin informativ qendror të datës 15.03.2019 ora 19.00. Këshilli i Ankesave evidentoi dy reklama të fshehta të dhëna njëra pas tjetrës. Gjithashtu, transmetimi brenda edicionit të lajmeve i dy kronikave shkel edhe nenin 44 të Ligjit 97/2013, për “vendosjen e produkteve gjatë programeve”, pasi insertet konsiderohen produkte.

Televizioni Klan propozohet për masën administrative me gjobë në vlerën 120.000 lekë, pasi në programin “Rudina”, të datës 27.03.2019, nuk janë respektuar kërkesat për reklamat dhe komunikimet tregtare. Përmbajtja e transmetuar në pjesën e dytë të programit “Rudina” kishte dhe reklamë të fshehur, që përbën mosrespektim të kërkesave të Ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, nenin 42, pika 1, si dhe nenin 44.

Ndërkohë, që të intervistuarit kanë shkelur dhe “Kodin e etikës dhe deontologjisë mjekësore”, pika 3 e nenit 60 ku ndalohet për mjekun, “të merret me reklama a publicitet të çfarëdo lloji, me përjashtim të rasteve kur këto kanë qëllim shkencor apo edukativ. Në këtë rast, mjeku duhet të bëjë kujdes që publiciteti të jetë objektiv dhe në përshtatje me rregullat e deontologjisë mjekësore. Mjekut nuk i lejohet të bëjë asnjë publicitet në favor të aktivitetit të tij personal, apo të një institucioni të caktuar”.

Bordi vendos tërheqjen e vëmendjes për Televizionin Ora News, pasi në Emisionin “Why not”, të datës 07.04.2019, ora 19.00, që rezulton në shkelje të normave ligjore dhe etike. Bordi vëren se “fjalori i përdorur gjatë bashkëbisedimit dhe përgatitja e cigareve në studio, para kamerave, promovon përdorimin e duhanit dhe produkteve të tjera të tij, si dhe nxit fëmijët për përdorimin e këtyre produkteve të dëmshme jo vetëm për shëndetin e fëmijëve”. Kjo jo vetëm që dëmton dhe cënon fëmmijet por gjithashtu bie ndesh me Ligjin organik dhe Kodin e Transmetimit, i cili detyron OSHMA-të të vendosin shenja paralajmëruese.