Tag Archive for: mediat e reja

Mbi standartin etik të publikimit të hetimeve të policisë

Nisur nga një ngjarje e fundit e kronikës, ku mediat kishin publikuar informacion nga hetimet e policisë mbi një krim të kryer në Tiranë, Bordi i Aleancës për Media Etike konsideron se ka nevojë për njësimin e një standarti etik për këto raste.

Ndërsa është pjesë esenciale e punës së medias që të kërkojë informacione nga puna e policisë për çështje e ngjarje me interes publik dhe t’i publikojë ato, mirë është që të kihen parasysh disa elementë etikë në raportim.

Së pari, duhet ruajtur identiteti i dëshmitarëve ose dhe i të dyshuarve që hetohen në gjendje të lirë. Kjo bëhet jo vetëm për të mos dëmtuar hetimet, por dhe për të mbrojtur jetën e dëshmitarëve a të dyshuarve që mund të vihet në rrezik nëse dekonspirohet.

  1. Vendlindja dhe mosha e dëshmitarit ose të dyshuarit (përveçse kur janë esenciale për të kuptuar natyrën e ngjarjes) nuk ka nevojë të vihen në raportim, edhe nëse figurojnë në informacionin e marrë prej policisë.
  2. Elementë të tjerë identifikues, si shkolla, lagjia ku banon, institucioni ku punon, nuk duhen përfshirë në raportim sepse bëjnë të mundur identifikimin e personit (përmes kryqëzimit të të dhënave).
  3. Praktika më e mirë e gazetarisë, kërkon që të mos përdoren inicialet e vërteta, por iniciale të ndryshuara, duke e informuar publikun që inicialet janë ndryshuar për të mbrojtur personin nën hetim apo dëshmitar të një çështje kriminale.

 

 

 

 

KShM bisedë për etikën tek Syri.net

z. Mark Marku dhe Z. Sokol Shameti në bisedë me gazetarët e Syri.net

Këshilli Shqiptar i Medias ka nisur një turne miqësor nëpër disa redaksi mediash të reja për të biseduar me gazetarët për etikën në media. Ky tur vjen pas gjetjeve shqetësuese të monitorimit të vitit të kaluar ku në 40 media mesatarja e shkeljeve të etikës ishte 9 (shkelje) në ditë.

Takimi i radhës u bë në redaksinë e Syri.net dhe në takim ishin 2 ekspertë të etikës, z. Mark Marku dhe z. Sokol Shameti.

Një nga pikat që u diskutuan ishte dhe një nga shkeljet më të rëndomta që bëhen në mediat online dhe që ishte “(mos)prezumimi i pafajësisë dhe raportimi i praktikave gjyqësore”. Në shumë raste, gazetarët e konsiderojnë kriminel individin e raportuar nga policia edhe pse nuk ka një vendim gjykate që e konsideron të tillë. Sipas Kodit shqiptar të Etikës së Gazetarit askush nuk duhet konsideruar fajtor pa marrë më parë një vendim gjykata.

Takimi, shumë produktiv për punën e përditshme të gazetarëve të Syri.net, është pjesë e një projekti të mbështetur nga OSFA dhe BE.

(në foto, Dr. Mark Marku dhe Sokol Shameti në bisedë me gazetarët e redaksisë së Syri.NET)