Tag Archive for: etika në media

Liria e Shtypit, është liria për të bërë pyetje!

KSHM mbështet protestën në solidaritet me gazetarin Klevi Muka

Këshilli Shqiptar i Medias mbështet protestën e sotme të gazetarëve ndaj aktit të fundit në kufizim të lirisë së informacionit nga ana e Kryeministrit Rama, me përjashtimin e gazetarit Klevin Muka nga konferencat për shtyp për 3 muaj.

Liria e shtypit është e liria për të bërë pyetje në interes të informimit të publikut dhe detyra e Kryeministrit dhe e kujdo funksionari të emëruar është që të japë përgjigje e jo sanksione.

Për sa i përket shkeljes së etikës të përmendur nga Kryeministri, gazetari Muka nuk ka bërë asnjë shkelje etike në bazë të Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, ndaj akti i Kryeministrit që “bezdiset” nga pyetjet është e papranueshme.

Akti i Kryeministrit, të cilin ai e quajti me termin e diktaturës “riedukim” është kufizim i pastër i lirisë së shtypit.

Kundër denigrimit të figurës së gazetares Sonila Meço në media

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim ndaj klimës së sulmeve kundër gazetareve e gazetarëve nga kolegët e tyre me qëllim denigrimi. Suilme të tilla kanë qenë të herëpasherëshme, dhe nuk kanë kursyer kolegë të rreshtuar nga të tëra anët, gra e burra, shqiptarë e të huaj.

I fundit në këtë listë është sulmi ndaj gazetares Sonila Meço botuar në gazetën Tema me 4 gusht 2020 me autor z Frrok Çupi. Sulmi, dukshëm me natyrë personale dhe ad hominem është në shkelje flagrante me Kodin e Etikës së Gazetarit Shqiptar. Specifikisht, neni 16 i Kodit të Etikës kërkon që marrëdhëniet mes gazetarëve të jenë marrëdhënie soldiariteti e konkurence të ndershme dhe që mediat mos përdoren për rivalitetete e probleme personale a profesionale.

Ky artikull është i papranueshëm për standartet e etikës së gazetarisë kombëtare e ndërkombëtare. Përveçse një sulmi personal, shkrimi bëhet akoma më i rëndë në kushtet kur gazetarët e Ora News dhe TV Ora, 2 televizione kritikë me Qeverinë Shqiptare janë të rrethuar me policë, nën trysninë e një ekzbicioni dhune nga ana e Qeverisë Shqiptare.

KShM u bën thirrje kryeredaktorëve që të mos pranojnë të botojnë shkrime të tilla që dëmtojnë në radhë të parë besueshmërinë e vetë medias që i boton, por, së dyti dëmtojnë rëndë profesionin e gazetarit, nivelin e gazetarisë dhe besimin e audiencës.

KShM dhe mediat partnere shprehin solidaritetin me gazetaren Meço dhe me tërë gazetarët e tjerë që janë bërë objekt sulmi kohët e fundit, shpesh për shkak të qendrimeve të tyre kritike.

Në redaksinë e NEWS24: pikëpyetje etike mbi identitetin e fëmijëve

KSHM zhvilloi sot një vizitë në redaksinë e News24, një prej televizioneve informative më të vjetër në vend, si pjesë e turit të redaksive të mediave shqiptare. Kjo vizitë ishte e para në një redaksi televizive, dhe për më tepër, një redaksi e cila “ushqen” me lajme shumë portale e gazeta.

Biseda përfshiu ngjarjet e fundit që lidhen me etikën në vend, gjendjen e gazetarëve, përgjegjësinë për gazetarinë joetike të pronarëve.

Në bisedë u trajtua çështja etike nëse duhet mbrojtur identiteti i fëmijës në lajme, Në redaksinë e NEWS24nëse jeta e tij varet nga ky lajm. Në redaksinë e News 24 kishte raste kur prindërit e fëmijës kërkojnë ndihmën e publikut për të mundësuar shërimin e fëmijëve të sëmurë, por, për të krijuar besueshmëri mbi këto raste dhe për të ngacmuar empatinë dhe angazhimin e qytetarëve, gazetarët e redaksisë janë të detyruar ta zbulojnë imazhin e fëmijës. Pedagogu Mark Marku, ekspert i etikës, u shpreh që jeta e fëmijës është më e rëndësishmja, dhe shkeljet etike (si moszbulimi i identitetit të fëmijës) mund të anashkalohen me qëllim mbrojtjen e jetës.

Gazetarja Klodiana Lala vuri në dukje cilësinë në rënie të redaksive, ku punësohen gazetarë të papregatitur e të palexuar.

Në raport me “kasetat e gatëshme” që prodhohen nga Bashkia, Qeveria e partitë politike, dhe që transmetohen nga televizionet pa u verifikuar si lajme, gazetarët u shprehën se ky është problem i shkaktuar nga pronarët dhe që gazetarët kërcënohen me “heqjen e bukës”. Pavarësisht, KShM u shpreh se profesioni i gazetarit është të bëjë rezistencë në rast se pronarët e kryeredaktorët tentojnë t’u shtrembërojnë raportimin, t’i detyrojnë të prodhojnë raportime joetike ose t’u bëjnë presion që u heq pavarësinë.

Gazetarët e NEWS 24 ishin shumë të interesuar të bashkohen në luftën kundër ligjit për median, një ligj që ka si synim kontrollin e mediave nga Qeveria përmes AMA’s, duke përdorur gjoba e sanksione për çështje etike.

Vizitat në redaksitë, mbështetur nga projekti për mediat nga OSFA, do të vijojë në javët e ardhëshme në redaksi të tjera mediatike shqiptare.