Tag Archive for: diktatura

Shoqata e mediave dhe të shoqërisë civile kundër tentativave të reja për të kaluar projektligjin Antishpifje

Deklaratë

Tiranë më 12 shtator 2020

 

Shoqëria civile i bën thirrje Kuvendit të Shqipërisë të heqë dorë nga projektligji aktual antishpifje dhe të nisë procesin nga e para

 

Pesëmbëdhjetë organizata shqiptare të Shoqërisë Civile janë informuar në rrugë jozyrtare për një përpjekje nga ana e shumicës parlamentare të Partisë Socialiste për të çuar përpara, në mënyrë jokorrekte dhe jotransparente projektligjin e shumëdebatuar për mediat online, duke mos respektuar në tërësi opinionin e Komisionit të Venecias dhe duke anashkaluar disa nga vërejtjet më të rëndësishme të këtij opinioni.

Organizatat janë informuar se Kuvendi i Shqipërisë ka në plan të shqyrtojë dekretin e Presidentit Meta për rikthim të ligjit për rishqyrtim dhe në bazë të nenit 86 të rregullores, të trajtojë vetëm ato pika për të cilat Presidenti ka pasur vërejtje.

Organizatat vërejnë se kjo është mënyra e gabuar e trajtimit të problemit dhe nuk adreson shqetësimin kryesor të ngritur nga Opinioni i Komisionit të Venecias. Për rrjedhojë, organizatat i bëjnë thirrje Kuvendit të Shqipërisë të pranojë dekretin e Presidentit dhe të rinisë procesin nga e para në mënyrë që një nismë e tillë ligjore të ndërmerret vetëm pasi të jemi siguruar për respektimin e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe standardeve ndërkombëtare mbi lirinë e shprehjes.

Trajtimi nga ana e ligjvënësve i vetëm shqetësimeve të ngritura nga dekreti i Presidentit do të sillte injorimin e disa vërejtjeve shumë serioze të ngritura nga Komisioni i Venecias dhe për rrjedhojë, do të krijonte një ligj problematik dhe cenues të lirisë së shprehjes.

Komisioni i Venecias, në opinionin e vet në pikën 71 shkruhet: [Komisioni] këshillon kundër zgjerimit të mandatit të AMA në fushën e medias online pa një fuqizim korrespondues të pavarësisë dhe profesionalizmit të këtij institucioni.”

Organizatat vërejnë se pavarësia dhe profesionalizmi i këtij Institucioni të pavarur (AMA) që Venecia rekomandon, nuk garantohet me korrektime në legjislacion, aq më tepër në kushte të urgjencës/shpejtësisë, por kërkon një debat të mirëfilltë që më së pari duhet te vijë si nismë e vetë gazetarëve profesionistë dhe jo e ekzekutivit/parlamentit.

Organizatat rikujtojnë gjithashtu se në pikën 72 të opinionit, Venecia rekomandon trajtimin e problemit të sjelljes dashakeqe dhe të papërgjegjshme në internet përmes vetërregullimit dhe jo rregullimit administrativ, gjë që tregon se përpjekja e parlamentit për të çuar përpara këtë ligj bie ndesh me opinionin e Venecias.

Për sa më sipër, organizatat kërkojnë nga Kuvendi i Shqipërisë të mos vijojë me planet për të vënë në fuqi një ligj që bie ndesh me kushtetutën dhe praktikat më të mira ndërkombëtare.

Organizatat shprehin gatishmërinë të ndihmojnë Kuvendin e Shqipërisë në trajtimin e shqetësimeve të ngritura më herët.

 

Lista e organizatave nënshkruese:

BIRN Albania

Civil Rights Defenders

Citizens Channel

Faktoje

Grupi Shqiptar për të drejtat e njeriut

Këshilli Shqiptar i Medias

Komiteti shqiptar i Helsinkit

Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë

New Media Network

Qendra Res Publica

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë

Shoqata e Gazetarëve Europianë të Shqipërisë

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

 

Protestë ndaj mesazheve fyese e kërcënuese ndaj gazetares Beti Njuma nga Kryetari i Bashkisë Tiranë!!

Këshilli Shqiptar i Medias, bashkë me gazetarët dhe mediat partnere, PROTESTON fuqimisht lidhur me skandalin e mesazheve të drejtuara pronarit të Ora News, z. Ylli ndroqi nga Kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj.

Siç raportohet, mesazhet janë mb 1 një vit të vjetra, dhe nuk kanë lidhje me situatën e sekuestros ndaj z. Ndroqi të javëve të fundit. Mesazhet, përveçse fyerjejeve personale e profesionale ndaj një gazetareje, janë presion i hapur për të ndryshuar linjën editoriale dhe ndërhyrje jo vetëm imorale por dhe e paligjshme në pavarësinë e medias.

Këto mesazhe tregojnë dhe mënyrën  kërcënuese me të cilën trajtohet media dhe presionin mbi të cilin vihen gazetarët shqiptarë nga funksionarët e zgjedhur, si Kryetari i Bashkisë së Tiranës. Ato paraqesin një frymë thellësisht anti-europiane dhe autokratike të menaxhimit të PR-it nga ana e z. Veliaj.

KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Veliaj, të prononcohet mbi autenticitetin e këtyre mesazheve, dhe të dalë e të kërkojë falje publike, jo vetëm para gazetares Njuma, por dhe ndaj komunitetit të gazetarëve.

KSHM i kërkon organeve përgjegjëse të Drejtësisë të hetojnë urgjentisht autenticitetin e këtyre mesazheve, të cilat, në rast se porovohen të vërteta, shkelin rëndë Kushtetutën e Shqipërisë nga një funksionar i zgjedhur, dhe dhunojnë lirinë e fjalës e të shprehjes.

KSHM i kërkon kolegëve gazetarë, që pavarësisht qendrimit politik, të prononcohen fort për të mbrojtur jo thjesht një kolege, por vetë profesionin e tyre dhe edhe veten e tyre nga sulme të tilla ndaj lirisë së fjalës dhe të informimit.