Tag Archive for: dictatorship

Vendimi i Presidentit për të kthyer ligjin e AMA-s, gjëja e drejtë për t’u bërë!

Këshilli Shqiptar i Medias gjykon se kthimi nga Presidenti i Republikës i ligjit të AMA-s, i cili gabimisht ose qëllimisht për të keqinformuar quhet referohet si “Anti-shpifje”, është një vendim në mbrojtje të Kushtetutës dhe vlerave Europiane.

Praktikisht, me përjashtim të Partisë Socialiste dhe institucioneve që ajo zotëron, drejton apo ka shumicën absolute, si Qeveria Shqiptare, Kreu i OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë, të gjitha institucionet dhe organizatat kombëtare e ndërkombëtare janë kundër këtij ligji i cili censurën edhe atë pak liri që ka mbetur në mediat shqiptare.

Qendrimi i Presidentit të Republikës në këtë rast, përputhet me qendrimin e Këshillit të Medias, komunitetit të gazetarëve shqiptarë, shoqatave ndërkombëtare e lokale të gazetarëve, shoqatave kombëtare e ndërkombëtare të shoqërisë civile; ai madje përputhet edhe me qendrimin e vetë AMA-s dhe është në një vijë me qendrimin e Këshillit të Europës dhe të BE-së, me atë të Komisionierit të Kombeve të Bashkuara madje edhe qendrimin e zyrës së OSBE-së në Vjenë, e cila përmes z. Desir, (pas miratimit të ligjit) doli me deklaratën që nuk janë të lumtur me këtë produkt.

KSHM dhe organizatat e tjera të medias, në përfaqësim të interesave të medias së re, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojnë ta luftojnë këtë ligj censure me dy mënyra.

Së pari ne do të prezantojmë së shpejti një platformë vetërregullimi e cila do të synojë përmirësimin e etikës në mediat online. Së dyti, nëse Partia Socialiste dëshiron të vazhdojë me këtë projekt për mbylljen e gojës së mediave online, ne do të konsumojmë të tëra hapat juridikë në vend e jashtë tij.

Ky ligj është një tentativë për të kontrolluar median online kritike me qeverinë, dhe faktet kanë treguar që në Europën e sotme këto ligje nuk mund të jenë jetëgjata. Ne jemi shumë afër Europës dhe shanset për të imponuar sistemin kinez apo rus të kontrollit të medias nuk mund, nuk duhet e nuk do të tolerohen.

Deklaratë 17 dhjetor 2019

Organizatat e shoqërisë civile shqiptare të të drejtave të njeriut dhe organizatat përfaqësuese të gazetarëve të renditura më poshtë falënderojnë Komisionin Europian dhe Delegacionin e Bashkimit Europian në Tiranë si dhe Komisioneren e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunja Mijatovic për kontributin që kanë dhënë gjatë këtyre ditëve të tensionuara në mbrojtje të lirisë së shprehjes në Republikën e Shqipërisë.
Organizatat vërejnë se kërkesat tona në lidhje me të ashtuquajturën “paketë anti-shpifje” janë tërësisht të përputhura me qëndrimet e Komisionit Europian dhe Komisioneres Mijatovic si më poshtë:

  1. Nuk mund të ketë regjim rregullimi administrativ për median online, por regjime të tilla janë të pranueshme por jo të detyrueshme vetëm për median audiovizuale;
  2. Një institucion administrativ si AMA nuk mund të zëvendësojë gjykatat në shqyrtimin e ankesave ndaj përmbajtjes së një publikimi;
    Për sa më sipër, organizatat përsërisin kërkesën ndaj qeverisë shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare.

Ne i kërkojmë qeverisë të pranojë vërejtjet e Komisionit Europian si dhe kërkesën e Komisioneres Mijatovic që specifikisht thotë:

“interneti të mbetet i hapur dhe forum publik dhe që të mbizotërojë vetërregullimi në media, përfshirë median online.”

Organizatat theksojnë se në rast se shumica parlamentare do të votojë në kundërshtim të kërkesave të Komisionit Europian këto projektligje, beteja do të vijojë deri në rrëzimin e plotë të çdo tendence anti-demokratike dhe anti-europiane.

Lista e organizatave firmëtare:

  • BIRN Albania
  • Civil Rights Defenders
  • Citizens Channel
  • Faktoje
  • Instituti Shqiptar i Medias
  • Instituti Shqiptar i Shkencave
  • Këshilli Shqiptar i Medias
  • Komiteti shqiptar i Helsinkit
  • Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë
  • Qendra Res Publica
  • Qendra Shqiptare MediaLook
  • Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore
  • Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë
  • Unioni i Gazetarëve Shqiptarë

Gazetarët Kundër Ligjit Censurë për Mediat (“paketa antishpifje”)

Deklaratë e gazetarëve shqiptarë

Tiranë, 13 nëntor

Gazetarët shqiptarë, mediat shqiptare, organizatat e medias dhe ato të shoqërisë civile i bëjnë thirrje qeverisë të tërheqë menjëherë dhe pa negociata dy projektligjet e prezantuara si “Paketa Antishpifje”; i bëjnë thirrje Qeverisë që të tërheqë urgjentisht këto projektligje.Organizatat vërejnë se dy projektligjet, ai për transformimin e AMA-s në një agjenci censure, dhe të AKEP-it në një agjenci përmbarimore për vendimet censuruese të AMA-s, përbëjnë një akt të paprecedent në botën demokratike.
Çështjet e etikës, të tilla si e drejta e përgjigjes ndaj një akuze, apo e drejta e dhënies së fjalës para publikimit të një akuze, në çdo vend demokratik trajtohen nga kodet e etikës dhe organet vetërregulluese të medias.
Çështje të luftës hibride, dizinformimit, financimit me para të pista të medias apo partive politike nga politika apo krimi i organizuar janë të tilla që duhet të hetohen nga organet ligjzbatuese në përputhje me ligjet dhe garancitë që ofrohen nga ligjet ekzistuese, të tilla si kodi penal apo kodi i procedurës penale.
Shqipëria ka ligje që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve dhe çdo ndërhyrje tjetër, përfshirë krijimin e një organi administrativ është krejtësisht i panevojshëm në një shoqëri demokratike.
Çështjet e shpifjes dhe fyerjes në Republikën e Shqipërisë dhe në çdo vend ku sundon shteti i së drejtës duhet të shqyrtohen vetëm dhe vetëm në gjykata si pushtet i pavarur. Tentativa për të zëvendësuar gjykatat me organe drejtpërsëdrejti në varësi të pushtetit politik përbën bazë për shkelje të rënda të të drejtave themelore të njeriut dhe mund të transformohet në një gur themeli për një regjim diktatorial.

Shqipëri, liria e shtypit në rrezik. FNSI: “Qeveria italiane dhe BE të ndërhyjnë”

KOMUNIKATË SHTYPI E FEDERATËS KOMBËTARE ITALIANE TË SHTYPIT

FAKSIMILE E DEKLARATËS së FNSI - Federazione Nazionale Della Stampa Italiana

FAKSIMILE E DEKLARATËS së FNSI – Federazione Nazionale Della Stampa Italiana

“Parlamenti dhe Qeveria e Shqipërisë janë duke përgatitur goditjen përfundimtare ndaj lirisë së shtypit nën heshtjen shurdhuese të bashkësisë ndërkombëtare. Javën e ardhshme do të fillojë procesi parlamentar i propozimit të ligjit, i mbështetur fuqimisht nga qeveria, e cila nën pretekstin e luftimit të fenomenit të lajmeve të rreme, do t’i lejojë një autoriteti publik të kontrolluar nga qeveria të mbyllë dhe bllokojë faqet informative në Internet. Federata Kombëtare Italiane e Shtypit (FNSI) i bashkohet denoncimit të kolegëve të saj shqiptarë dhe i bën thirrje Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, por edhe qeverisë italiane, e cila me Shqipërinë mban marrëdhënie të qendrueshme diplomatike dhe tregtare, të kthejë në qendër të vëmendjes veprimet liri-vrasëse që po zbatohen në Vendin e Shqiponjave kundër gazetarëve dhe operatorëve të mediave. Në Shqipëri, prej vitesh shtypi nuk është në gjendje të ndjekë ngjarjet që përfshijnë kryeministrin, kryetarin e bashkisë së Tiranës dhe partitë e tyre. Konferencat për shtyp nuk bëhen më dhe, edhe kur thirren gazetarëve nuk u lejohet të bëjnë pyetje. Është një situatë e papranueshme, e cila nuk mund të lërë indiferentë institucionet dhe qeveritë evropiane. Nëse është e vërtetë që Shqipëria është një kandidat për të hyrë në Bashkimin Evropian, është e paimagjinueshme që negociatat të zhvillohen vetëm për çështje ekonomiko-financiare dhe të mos përfshijnë dhe garantimin dhe respektimin e lirive dhe të drejtave themelore, duke filluar me lirinë e shprehjes dhe të shtypit.” Deklaruar, nga Raffaele Lorusso, sekretari i përgjithshëm i FNSI dhe anëtar i Komitetit Ekzekutiv të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.

Federata e Gazetarëve Europianë dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve, u bashkohen organizatave shqiptare kundër 2 ligjeve për kontrollin e medias online

Pas deklaratës së një grupi organizatash për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, lirinë e informimit si dhe shoqatash të gazetarëve, që i kërkonin Kryeministrit të Shqipërisë të tërhiqet nga 2 projektligjet për rregullimin e medias online, 2 organizata të fuqishme ndërkombëtare të gazetarëve i bashkohen kësaj lufte.

Federata Europiane dhe ajo Ndërkombëtare e gazetarëve (IFJ dhe EFJ) u janë bashkuar organizatave të tyre lokale, Shoqatës së Gazetarëve të Pavarur të Shqipërisë dhe Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, si dhe organizatave të tjera në kërkesën e tyre që qeveria të  të tërhiqet nga amendamentet e 2 ligjeve të dizenjuara që të marrin nën kontroll median online e që rrezikojnë lirinë e shtypit në Shqipëri.

Lexo publikimin e tyre, këtu: