Tag Archive for: BE Shqiperi

Takim i Këshillit të Medias me Ambasadorin e BE-së, Soreka

Dje, në mjediset e Europa House u zhvillua një takim me Ambasadorin e BE-së në Shqipëri, z. Luigi Soreka.

Takimi pati si qëllim shkëmbimin e ideve mbi situatën e medias në Shqipëri. Ambasadori Soreka u shpreh se bashkë me reformën në drejtësi, liria e medias është një nga prioritetet e BE-së për Shqipërinë në rrugën drejt familjes europiane. Gazetaria cilësore është thelbësore për të mbajtur nën kontroll të gjithë sektorët e tjerë & për të ofruar informacion të besueshëm për publikun, theksoi Ambasadori.

Sipas Kryetarit të KShM, Cukali, vetërregullimi si proces është shumë i rëndësishëm, por ai duhet shoqëruar me vullnet politik për të bërë reforma që të përmirësojnë klimën e medias si psh, në aspektin ligjor të konfliktit të interesit.

Ambasadori foli me bindje se ndihma e BE-së për mediat e gazetarët do vijë në rritje, si në sasi por dhe në shpërndarje.

Takimi në Europa House mes Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreka dhe Kryetarit të Këshillit të Medias, Koloreto Cukali

Takimi mes Ambasadorit të BE-së, Luigi Soreka dhe Kryetarit të Këshillit të Medias, Koloreto Cukali

 

Holanda kërkon për negociatat BE-Shqipëri të plotësohet paraprakisht Ligji i Medias dhe Gjykata Kushtetuese

Me rastin e organizimit të konferencës së parë ndërqeveritare dhe hapjes së negociatave BE-Shqipëri, qeveria Holandeze përgëzon gjetjet e progres raportit të Komisionit Evropian si dhe kërkon paraprakisht nga Shqipëria plotësimin e dy kushteve të mbetura.

Këshilli i Europës do të mbajë një takim me ministrat e jashtëm të BE-së më datën 10 nëntor ku ndër të tjera do të diskutojë fillimin e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Vetëm kur kushtet e vendosura në konkluzionet e Këshillit Evropian të Marsit 2020 të plotësohen bindshëm, mund të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë, shprehet e vendosur qeveria Holandeze.

Ajo vuri në dukje se ligji i medias duhet të rishikohet në përputhje me propozimet e Komisionit të Venecias.

Që nga dhjetori i vitit 2018 kur drafti i parë i paketës Anti-shpifje u propozua nga Këshilli i Ministrave e deri më 19 dhjetor 2019, kur ndryshimet në ligje u miratuan në Kuvendin e Shqipërisë, janë konfirmuar si shqetësime  madhore për lirinë e shprehjes, për demokracinë dhe Shtetin e së Drejtës nga Opinioni i Venecias për organizatat shqiptare të medias si dhe ato të huaja.

Në muajin Qershor, u bë publik draft-opinioni i Komisionit të Venecias për Paketën Antishpifje.

Fillimisht, Komisioni i Venecias theksoi se ky ligj i jep Autoritetit të Medias Audiovizive dhe Komisionit të Ankesave fuqi të mëdha administrative për median “online” dhe këto fuqi nuk mund t’iu besohen këtyre organeve, pa siguruar më parë se janë mjaftueshëm të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha mediatike ose interesat e korporatave të lidhura me politikën.

Komisioni i Venecias nënvizoi se ka nevojë për rishikim edhe në mënyrën se si përzgjidhen anëtarët e AMA-s dhe Komisionit të Ankesave për të pasur sigurinë se këto institucione përbëhen nga individë të kualifikuar dhe që e përfaqësojnë komunitetin e medias dhe gëzojnë autonomi të besueshme nga qeveritë.