Si mund të mbrojmë privatësinë tonë?

Nga Loneta Progni

“Përdhunohet 15-vjeçarja nga roja i shkollës dhe tre të rinj të tjerë”. E mitura, e lindur më 26.09.2004, nxënëse në shkollën “Gramoz Palushi” në Babrru, shprehet në dëshminë e saj (të publikuar në media) se është detyruar dhe kërcënuar të kryejë marrëdhënie seksuale jashtë dëshirës së saj. Mediat shkojnë në ambientet e shkollës, të lagjes, flasin me babain, me mësuesit etj. Nga këto të dhëna, vajza bëhet lehtësisht e identifikueshme.

“22-vjeçarja dhunohet në Shkodër”. Video publikohet në media online dhe bën xhiron e rrjeteve sociale. Më pas, vajzës së dhunuar i publikohet fotoja, emri e mbiemri dhe të dhëna të tjera personale.

Lajme të tilla, ku ekspozohen të dhënat personale të individëve të ndryshëm ndeshim jo rrallë në media dhe në rrjetet sociale. Sipas ligjit, “Të dhëna personale” është çdo informacion për një person fizik, i cili është i identifikuar ose i identifikueshëm. Elementet, me të cilat realizohet identifikimi i një personi, drejtpërdrejt apo tërthorazi, janë numrat e identitetit ose faktorë të tjerë të veçantë fizikë, psikologjikë, ekonomikë, socialë, kulturorë etj.

Por, a janë të informuar mjaftueshëm njerëzit se e gëzojnë të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale? Sa e kërkojnë zbatimin e kësaj të drejte?

Publikimi i të dhënave personale është në shkelje të parimeve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar, ligjit nr.97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të Kodit të Transmetimit, një kuadër ligjor që sanksionon të drejtat e fëmijëve për të qenë të mbrojtur, për ruajtjen e të dhënave personale, privatësisë dhe konfidencialitetit.

Sipas Nenit 16, të ligjit “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, çdo person, që pretendon se i janë shkelur të drejtat, liritë dhe interesat e ligjshëm për të dhënat personale, ka të drejtë të ankohet ose të njoftojë komisionerin dhe të kërkojë ndërhyrjen e tij për vënien në vend të së drejtës së shkelur.

Juristi Eno Muja sqaron se personi i cënuar ka të drejtë të bëjë ankim pranë Komisionerit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe nëse ka pësuar dëm jo pasuror dhe/ose pasuror, mund të ngrejë padi drejtpërdrejtë në gjykatë, duke kërkuar shpërblim dëmi.

“Konsiderohet kundërvajtje administrative dhe komisioneri mund të gjobisë personin që ka përpunuar të dhënat në kundërshtim me ligjin, nga 10 000 Lekë deri në 50 000 Lekë. Nëse shkelja kryhet nga një person juridik, për shembull shoqëri, fondacion, etj, gjoba dyfishohet në vlerë. Nuk ka dënim me burg në këto raste. Komisioneri urdhëron shkatërrimin ose fshirjen e të dhënave të pasakta ose të përpunuara në mënyrë të paligjshme në rast konstatimi shkeljeje”, shpjegon juristi.

Psikologia Anisa Zaçe na shpjegon edhe pasojat psikologjike të publikimit të të dhënave pas përjetimit të një situate traumatike. Zaçe shprehet se publikimi i të dhënave, sidomos i të të miturve që kanë kaluar ngjarje të rënda, si për shembull rasti i vajzës në Babrru, që u kuptua nga të gjithë se kush ishte familja e të miturës, lënë pasoja të pashlyeshme.

“Këto situata janë traumatike për fëmijën, janë traumatike për familjen, por edhe për shoqërinë. Edhe miqtë e fëmijës, minimalisht i ndikon të mendojnë se si nuk kanë kuptuar asgjë dhe nuk mundën të ndihmonin, etj. Ka pasur disa qëndrime nga Urdhri i Psikologut, ku presidentja ka bërë disa deklarata përsa i përket faktit që duhen evituar në maksimum emrat e njerëzve jo publikë që janë përfshirë në ngjarje problematike si përdhunime, vrasje etj ,qofshin këta të mitur, por edhe të rritur. Duhet të ruhemi sa përket të dhënave personale, pasi publikimi i tyre ndikon në riviktimizimin e fëmijës dhe rehabilitimi i tyre bëhet shumë i vështirë. Fëmijë dhe të rritur priren të fshehin ngjarje të tilla për shkak se kanë frikë se do iu zbulohet identiteti publikisht. Nuk është aspak e lehtë për dikë që ka kaluar një përvojë traumatike, të përjetojë edhe traumën e publikimit të të dhënave”, shpjegon Zaçe.

Po sa i perket anës profesionale, a është gazetari ajo që shkel të drejtën për mbrojtjen e të dhënave personale? Deri ku është limiti i një gazetarie korrekte, duke i qëndruar besnik lajmit pa shkelur të drejtat e individit?

“Gazetaria jo rrallë shkel etikën duke mos respektuar të drejtën e privatësisë. Kufiri është i qartë: ruajtja e identitetit dhe të dhënave të personave që nuk janë të sferës publike. Në raste të tjera hyjmë në një territor më të pakontrolluar ku dorashkat hiqen, dhe e kam këtu fjalën për personat e zgjedhur apo të emëruar në poste publike, njerëz të njohur etj. Rregulat bëhen më poroze dhe duhen konsideruar rast pas rasti. Kjo nuk do të thotë se nuk duhet konsideruar interesi publik edhe në raste të tilla. Me interes publik nuk duhet kuptuar interesimi apo i publikut apo interesantja për të. Interes publik do të thotë kur një zyrtar ka kryer një shkelje, psh një transfertë bankare nëpërmjet së shoqes apo një të afërmi, në këtë rast i afërmi duhet ekspozuar si pjesë e korrupsionit. Interesim apo interesant do të thotë kur njerëzit, të tunduar nga një sens vojerizmi do të donin të dinin mbi jetën private të njerëzve të famshëm”, shprehet gazetari Alfred Lela, i cili ka marrë pjesë në shumë studime për shkeljet që bëhen nga mediat në Shqipëri.

Gazetarisë nuk i shërben publikimi i të dhënave personale të një vajze 15-vjeçare që është përdhunuar, dhe as të ndonjë personi në situatë të ngjashme. Është e rëndësishme të evidentohet fenomeni që përdhunon njëlloj edhe shoqërinë, por pa shkelur ligjin dhe pa shkaktuar trauma psikologjike edhe më të rënda.