Gazetarët dhe Studentët Diskutojnë Etikën dhe Vetërregullimin në Media

Vlorë, 27 maj 2025 – Një workshop i rëndësishëm mbi “Etikën në media dhe vetërregullimin” u zhvillua më 27 maj 2025 në ambientet e Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi” pranë Universitetit të Vlorës. Aktiviteti u organizua nga Këshilli Shqiptar i Medias dhe organizata Res Publika, në bashkëpunim me Laboratorin Mediatik Universitar.

Workshop-i u realizua si një bashkëpunim mes KSHM dhe Res Publica, dhe u drejtua nga gazetarët Koloreto Cukali dhe Dorian Matlija. Ky aktivitet u mbështet nga Bashkimi Evropian, si pjesë e projektit për Etikën në Mediat Lokale, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes ndërkombëtare për zhvillimin e gazetarisë profesionale në Shqipëri.

Trajnimi u fokusua në tre aspekte kryesore të gazetarisë profesionale: rëndësinë e etikës në raportimin mediatik, mekanizmat e vetërregullimit profesional dhe sfidat që hasin gazetarët në ofrimin e informimit të përgjegjshëm në epokën dixhitale.

Një vëmendje e veçantë iu kushtua diskutimit të problemeve të etikës në mediat lokale, të identifikuara përmes një fokus grupi të mëparshëm të zhvilluar në qytetin e Vlorës. Sipas gjetjeve të prezantuara, dy nga problemet më të mëdha që vërehen në mediat lokale janë mungesa e thellimit dhe raportimit në kategori të caktuara problemesh, kryesisht për shkak të vetë-censurës, si dhe pamundësia për të kryer verifikim rigoroz të fakteve (fact-checking).

(nga e majta në të djathtë)
Dorian Matlija dhe Koloreto Cukali,
nga takimi në Vlorë.

Në workshop morën pjesë gazetarë me përvojë dhe studentë të gazetarisë, duke krijuar një platformë të vlefshme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave. Diskutimet u përqendruan veçanërisht në gjetjen e ekuilibrit delikat mes së drejtës themelore për të informuar publikun dhe detyrimit etik për të mbrojtur dinjitetin njerëzor në raportim.

Pjesëmarrësit trajtuan gjithashtu çështje aktuale si verifikimi i fakteve, përdorimi i burimeve, respektimi i privatësisë dhe raportimi i përgjegjshëm në kohën e mediave sociale. Studentët patën mundësinë të dëgjojnë nga kolegët më të përvojë sfidat reale të profesionit dhe praktikat më të mira për t’i përballuar ato.

Workshop-i përfundoi me një thirrje për angazhim më të madh të brezit të ri në ndërtimin e një peizazhi mediatik që respekton standardet etike dhe i shërben interesit publik. Organizatorët theksuan se aktivitete të tilla janë thelbësore për formimin e gazetarëve të ardhshëm dhe për forcimin e kulturës së vetërregullimit në median shqiptare.

Partitë politike dhe kandidatët dështuan në respektimin e plotë të lirisë dhe transparencës së medias gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025.

Tiranë, 14 Maj 2025

Më 22 janar 2025, katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile publikuan një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të respektojnë parimet themelore të lirisë së medias, transparencës dhe debatit demokratik para dhe gjatë fushatës zgjedhore që çoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri më 11 maj 2025. Për fat të keq, u vunë re shkelje të shumta të këtyre parimeve gjatë muajve para, gjatë dhe në ditën e zgjedhjeve.

Qasje e Plotë për Gazetarët në Aktivitetet Zgjedhore

Edhe pse partitë politike dhe kandidatët nuk vendosën kufizime formale për qasjen e gazetarëve në aktivitetet zgjedhore, në praktikë aftësia e gazetarëve për të mbuluar në mënyrë të pavarur aktivitetet e fushatës ishte e kufizuar. Aktorët politikë përgjithësisht nuk ndanë në mënyrë proaktive agjendat e ngjarjeve, nuk nxorrën ftesa të qarta, as nuk lehtësuan pjesëmarrjen e gazetarëve, duke penguar përpjekjet e medias për një mbulim të pavarur dhe gjithëpërfshirës. Për më tepër, disa incidente në ditën e zgjedhjeve penguan drejtpërdrejt aftësinë e gazetarëve për të raportuar në mënyrë të pavarur, duke shkelur më tej parimin themelor të zgjedhjeve të hapura dhe transparente.

Transparenca mbi Materialet Politike të Gatshme

Pavarësisht rekomandimeve të qarta që kërkonin transparencë në mbulimin zgjedhor, partitë politike vazhduan praktikën e rrënjosur të shpërndarjes së materialeve të gatshme video dhe shtypi për mediat gjatë gjithë fushatës. Si pasojë, mbulimi mediatik shpesh përbëhej nga mesazhe politike të prodhuara në mënyrë qendrore, përmes transmetimeve video të ofruara nga ekipet e partive, në vend të gazetarie që verifikon në mënyrë të pavarur. Mungesa e deklarimit të qartë mbi origjinën e këtyre materialeve mjedulloi kufirin midis gazetarisë së pavarur dhe propagandës politike, duke dëmtuar rëndë transparencën dhe duke penguar aftësinë e publikut për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin zgjedhor.

Mbrojtja e Pluralizmit

Periudha zgjedhore e vitit 2025 theksoi një peizazh mediatik të pabalancuar, me mbulim të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë që favorizoi kryesisht dy partitë më të mëdha. Gjithashtu, në fillim të marsit 2025, qeveria urdhëroi pezullimin njëvjeçar të platformës TikTok, duke përmendur shqetësime për sigurinë. Kjo vendimmarrje u kritikua gjerësisht dhe u denoncua si një akt censure që kufizoi rëndë diskursin politik online gjatë një periudhe kritike zgjedhore. Organizatat e shoqërisë civile e kanë sfiduar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ai cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin demokratik.

Debati Publik dhe Përballja mes Kandidatëve

Edhe pse studiot televizive ofruan hapësirë të bollshme për mbulim zgjedhor, fushata u zhvillua pa asnjë debat ballë për ballë midis drejtuesve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, ndërsa shumica e ministrave dhe kandidatëve për deputetë shmangën po ashtu forumet e përbashkëta me kundërshtarët e tyre. Kandidatët preferuan intervista individuale, ndërsa emisionet prime-time u mbushën me analistë dhe komentatorë që flisnin në vend të politikanëve. Në mungesë të debateve të drejtpërdrejta, iniciativa si seria “Ballë për Ballë me Faktet” u përpoqën të mbushnin këtë boshllëk duke u paraqitur kandidatëve pyetje identike mbi çështje të rëndësishme publike. Megjithatë, preferenca e përgjithshme për paraqitje të kontrolluara me kujdes në vend të shkëmbimeve të drejtpërdrejta, i la votuesit pa mundësinë për të parë programet konkurruese të sfidohen në kohë reale, duke dobësuar cilësinë përfaqësuese dhe debatuese të fushatës.  Fushata favorizoi viralitetin online në vend të dialogut të mirëfilltë, duke u mbështetur në sulme personale, retorikë të njëanshme dhe, herë pas here, haptazi në gjuhë urrejtjeje. Spektakli zëvendësoi përmbajtjen, duke përjashtuar diskutimin mbi politikat konkrete apo performancën e qeverisë dhe duke minimizuar besimin e publikut. 

Pavarësia dhe Liria Redaksionale e Medias dhe Gazetarëve

Pavarësisht angazhimeve formale për mbrojtjen e lirisë së shtypit, periudha zgjedhore u karakterizua nga ndërhyrje të përsëritura në pavarësinë redaksionale dhe një klimë frikësimi. Zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin, përçmuan publikisht mediat kritike dhe shfaqën armiqësi ndaj gazetarëve; gazetaret femra ishin në shënjestër të fushatave denigruese me bazë gjinore dhe ngacmimeve të koordinuara online; disa gazetarë morën kërcënime të drejtpërdrejta, disa prej të cilave arritën në përplasje fizike në ditën e zgjedhjeve. Kjo retorikë armiqësore shoqërohej me ndërhyrje politike, veçanërisht me zgjedhjen e Këshillit të ri Drejtues të RTSH-së nga Kuvendi, duke ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin politik ndaj transmetuesit publik. Të gjitha këto presione së bashku nxitën autocensurë tek gazetarët dhe i privuan votuesit nga një shqyrtim i pavarur i kandidatëve që garonin.

Transparenca në Komunikime

Transparenca në komunikimet e fushatës, si etiketimi i qartë i përmbajtjes së paguar politike dhe ndarja e burimeve shtetërore nga aktiviteti partiak, ishte një parim thelbësor që u shkel vazhdimisht gjatë kësaj periudhe zgjedhore. Disa televizione shitën hapur “paketa mbulimi” dhe intervista të transmetuara për partitë politike, pa i etiketuar si të tilla, duke i shndërruar edicionet informative në reklama të paetiketuara. Në të njëjtën kohë, kanalet zyrtare të mediave sociale të qeverisë u kthyen në tabela reklamimi (billboard) partiak, me faqe zyrtare që shpërndanin postera dhe slogane të fushatës. Online, një rritje e faqeve dhe reklamave politike anonime ose mashtruese, disa të gjeneruara apo të përforcuara nga mjete inteligjence artificiale, qarkulluan pa sponsorë të qartë, duke e bërë edhe më të turbullt origjinën e mesazheve zgjedhore. 

Ne i bëjmë thirrje partive politike, institucioneve shtetërore, organeve rregullatore dhe aktorëve të tjerë relevantë që të adresojnë menjëherë këto mangësi dhe të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj lirisë së medias, transparencës dhe llogaridhënies demokratike.

Organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet, të avokojnë për reforma thelbësore dhe të bashkëpunojnë me aktorët për të forcuar parimet demokratike.

Nënshkruesit:

Qendra Shkencë dhe Inovacioni për Zhvillim (SCiDEV)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Keshilli Shqiptar i Medias (KSHM)

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)

Citizens Channel (Citizens.al

Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania)

Instituti i Studimeve Politike (ISP)

Qëndresa Qytetare (QQ)

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)

Shoqata “Gazetarët Profesionalë të Shqipërisë” (APJA)

Faktoje.al

Dënojmë Sulmet dhe Frikësimet ndaj Gazetarëve gjatë Ditës së Zgjedhjeve në Shqipëri

KSHM dënon fuqimisht kërcënimin dhe pengimin me të cilin u përballën gazetarët në të gjithë Shqipërinë më 11 maj 2025, gjatë zgjedhjeve parlamentare të vendit.

Në Tiranë, gazetarja e Syri TV Ambrozia Meta u përball me sulme verbale dhe konfrontim fizik nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndërsa raportonte nga një zyrë e paidentifikuar që dyshohet se përdorej nga punonjës patronazhistë të PS. Ndërsa ekipi i Syri TV afrohej, individët brenda u përpoqën të largoheshin duke mbuluar fytyrat. Deputeti Braçe mbërriti pak më pas, duke ofenduar gazetarët dhe duke bërë kontakt fizik me Metën gjatë përplasjes. Kur u pyet për praninë e tij, ai reagoi me agresivitet, duke i urdhëruar gazetarët të largoheshin dhe duke përdorur një gjuhë denigruese.

Në Pogradec, korrespondentja e MCN TV Elsa Xhindole u përball me dhunë fizike në qendrën e votimit nr. 39/01. Një person i paidentifikuar i mori me forcë telefonin celular dhe fshiu materialet dhe videot që lidhen me zgjedhjet. Xhindole raportoi se telefoni iu mor dy herë me forcë, duke çuar në humbjen e plotë të regjistrimeve. Rasti u referua pranë autoriteteve.

Në Sarandë, gazetari i EuroNews Albania Enriko Gaba u urdhërua nga zyrtarët zgjedhorë në qendrën e votimit “Adem Sheme” që të mos filmonte më shumë se 15 minuta – një kufizim arbitrar që cenon të drejtën e medias për të vëzhguar dhe raportuar mbi procesin zgjedhor.

Një situatë e ngjashme u shënua në Durrës, në Qendrën e Votimit 1486, ku anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit nuk lejuan vëzhguesit e akredituar të medias të kryenin raportime mediatike mbi procesin e votimit.

Në Gjirokastër, gazetari Armando Rabi u kërcënua gjatë kryerjes së detyrës. Një 26-vjeçar nga një fshat i zonës dyshohet se e ka kanosur Rabiun, me pretendimin se po e filmonte pa lejen e tij. Policia e Gjirokastrës ka nisur procedim penal, duke ia referuar çështjen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Këto raste tregojnë një model shqetësues të pengesave dhe intimidimit ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën publike në një moment kyç për demokracinë, siç janë zgjedhjet. Këshilli Shqiptar i Medias u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me transparencë dhe pa vonesë këto raste dhe të sigurojnë ndëshkimin ligjor për të gjithë përgjegjësit. Politikanët, zyrtarët publikë dhe qytetarët duhet të respektojnë rolin themelor të medias në ruajtjen e integritetit zgjedhor dhe llogaridhënies publike.

KSHM do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi këto zhvillime shqetësuese dhe do të vijojë monitorimin nga afër të situatës.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

KSHM dhe RES PUBLICA nisin një projekt për fuqizimin etik të mediave lokale

Këshilli Shqiptar i Medias në bashkëpunim me Qendrën RES Publica bëri sot një takim në qytetin e Shkodrës, me një grup fokusi të përbërë nga gazetarë të njohur, të medias së shkruar e televizive, si dhe me studentë të gazetarisë për të diskutuar situatën e etikës e të mediave lokale, në kuadër të projektit “Promovimi i etikës dhe vetërregullimit në mediat lokale. Sfidimi i dezinformimit.”, mbështetur nga BE.

Përmes këtij grupi të fokusit, rezultoi që problemi kryesor i mediave lokale është financimi, çka jo vetëm kufizon resurset dhe mundësinë për një gazetari cilësore, por dhe i bën dhe editorialisht të varura mediat lokale nga burimi financiar.

Pagesat e ulëta të gazetarëve krijojnë një klimë ku gazetari nuk ndjehet i sigurt, çka ul cilësinë e puunës dhe ngre mosdëshirën për të marrë përsipër raportime të guximshme, që mund të vinin në rrezik sigurinë financiare ose dhe të jetës.

Humbja graduale e standartit të shumë burimeve të lajmit ishte një tjetër vëzhgim i cili u pranua dhe nga pjesëmarrësit në grupin e fokusit.

Një nga kërkesat kryesore ishte dhe aksesi në fondet e donatorëve për gazetarët.

Megjithatë, pavarësisht situatës jo të favorshme, duket sikur ka akoma një energji mes gazetarëve për të vazhduar punën me kurajë dhe studentët e gazetarisë për të mos hequr dorë nga ëndrra për t’u bërë gazetar, dhe gazetar i mirë.

Nga takimi me grupin e fokusit në Shkodër, nën kujdesin e gazetarit Ardi Hoti

KSHM dhe Organizatat e mediave: Ndalimi i TikTok-ut në Shqipëri kërcënim për lirinë e shprehjes përpara zgjedhjeve!

Këshilli Shqiptar i Medias, së bashku me shumë organizata të tjera, vendase e të huaja, jnaë shprehur publikisht lidhur me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë më 6 mars 2025 për të pezulluar aksesin në platformën TikTok në shkallë kombëtare për 12 muaj. Duke e mriëkuptuar synimin e pohuar të qeverisë për të mbrojtur fëmijët nga përmbajtjet e dëmshme dhe për të siguruar mbrojtjen e të dhënave personale, theksojmë me forcë se masa të tilla mbrojtëse duhet të respektojnë plotësisht të drejtat themelore të njeriut, veçanërisht lirinë e shprehjes, aksesin në informacion dhe procesin e rregullt ligjor.

Liria e shprehjes dhe proporcionaliteti

Theksojmë se ndalimi i plotë i një platforme përfaqëson një kufizim ekstrem të së drejtës për lirinë e shprehjes dhe aksesin në informacion. Pezullimi në tëresi i një platforme të tërë tejkalon ndjeshëm parimin e proporcionalitetit, duke ndikuar në shprehjen legjitime të të gjithë përdoruesve dhe duke kufizuar debatin publik si dhe aksesin në burime të ndryshme informacioni.

Zgjidhje alternative të synuara, si moderimi i përmbajtjes, verifikimi i moshës dhe programe të përmirësuara të edukimit të përdoruesve, duhet të ishin shqyrtuar përpara se të vendosej një ndalim i përgjithshëm. Natyra e gjerë e kësaj mase krijon një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen joproporcionale të shtetit në të drejtat digjitale.

Si një vend kandidat për anëtarësim në BE, Shqipëria pritet të respektojë standardet evropiane për shtetin e së drejtës dhe liritë themelore. Kuadri ligjor i Aktit për Shërbimet Digjitale (DSA) të BE-së thekson llogaridhënien e platformave dhe transparencën në moderimin e përmbajtjes përmes një qasjeje të bazuar në analizën e riskut dhe proporcionalitet. DSA favorizon bërjen e platformave përgjegjëse për menaxhimin e risqeve në shërbimet e tyre, në vend që të ndëshkojë përdoruesit duke mbyllur platformat. Ne inkurajojmë Shqipërinë të harmonizojë qasjen e saj me këtë paradigmë.

Shqetësimet lidhur me procedet demokratike dhe zgjedhore

Me afrimin e zgjedhjeve parlamentare në maj 2025, momenti i këtij pezullimi është veçanërisht shqetësues. TikTok është shndërruar në një platformë në rritje për komunikimin politik dhe angazhimin e votuesve, veçanërisht për të rinjtë, votuesit për herë të parë dhe partitë politike apo lëvizjet e reja, të cilat argumentojnë se do të preken në mënyrë joproporcionale.

Duke kufizuar aksesin në këtë platformë, qeveria rrezikon të shtypë këto zëra në zhvillim, të dobësojë pluralizmin politik dhe të krijojë një efekt frikësues që mund të shtrihet përtej përdoruesve të TikTok-ut, duke ndikuar gazetarët, krijuesit digjital, aktivistët e shoqërisë civile dhe organizatat monitoruese të procesit demokratik.

Procesi i Rregullt Ligjor dhe Transparenca

Vëmë re se ky vendim pason njoftimin publik të Kryeministrit Rama në dhjetor 2024, ku ai përmendi konsultime me një grup të përzgjedhur prindërish dhe arsimtarësh. Megjithatë, ende mungojnë prova të mjaftueshme publike mbi shtrirjen, përfaqësueshmërinë dhe rezultatet e këtyre konsultimeve.

Theksojmë se vendime të kësaj shkalle dhe rëndësie duhet të bazohen në konsultime të plota, transparente dhe gjithëpërfshirëse, duke përfshirë organizatat e shoqërisë civile, organizatat mediatike, industrinë, avokatët e të drejtave digjitale dhe komunitetet e prekura.

Rreziqet e krijimit të një precedenti të rrezikshëm

Shprehim shqetësimin tonë se zbatimi i një ndalimi të përgjithshëm të një platforme krijon një precedent alarmues për Shqipërinë dhe rajonin. Kur qeveritë pretendojnë autoritet të gjerë për të mbyllur platforma popullore për shkak të shqetësimeve mbi përmbajtjen, ato rrezikojnë të hapin rrugën për kufizime të mëtejshme, duke kërcënuar lirinë e internetit në mënyrë më të gjerë.

U bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare të shmangin krijimin e një precedenti të tillë dhe të sigurojnë që në të ardhshme aspektet e rregullimit të përmbajtjes në platformat digjitale të trajtohen përmes masave të specifike për grupe të ndryshme, të bazuara në evidenca dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit.

Rekomandime

I bëjmë thirrje qeverisë shqiptare të shfuqizojë menjëherë pezullimin e TikTok-ut dhe të nisë një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe transparent, duke përfshirë parlamentin, shoqërinë civile, organizatat mediatike, avokatët e të drejtave digjitale dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky proces konsultimi duhet të synojë zhvillimin e një kuadri rregullator proporcional dhe të bazuar në evidenca, në përputhje me standardet evropiane, veçanërisht Aktin e BE-së për Shërbimet Digjitale (DSA). Një qasje e tillë do t’i mundësojë Shqipërisë të adresojë në mënyrë efektive shqetësimet legjitime mbi sigurinë e fëmijëve dhe mbrojtjen e të dhënave, duke garantuar plotësisht lirinë e shprehjes, diskursin demokratik dhe procesin e rregullt ligjor të cilat janë elemente thelbësore në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme.

Rrjeti SafeJournalists

Shoqata e Gazetarëve të BH

Shoqata e Gazetarëve të Kosovës

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut

Shoqata e Gazetarëve të Kroacisë

Shoqata e Gazetarëve të Pavarur të Serbisë

Sindikatat e Media të Malit të Zi

Partnerët e Media Freedom Rapid Response:

Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF)

Federata Evropiane e Gazetarëve (EFJ)

Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI)

Shtypi i lirë i pakufizuar (FPU)

Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT)

Organizata të tjera të shoqërisë civile

Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH-AJA)

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania)

Këshilli Shqiptar i Medias

Res Publica

Citizens.al

Qendra MediaLook

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA-ECPAT)

KSHM Dënon me forcë shantazhet e kërcënimet ndaj gazetares Glidona Daci

KSHM shpreh shqetësim të fortë për fushatën e dhunës online që ka nisur ditët e fundit ndaj gazetarëve, dhe në veçanti ndaj gazetares Glidona Daci.

Reporterja e TV Klan, znj. Daci, është sulmuar nga faqe anonime në Facebook, me kërcënime, fyerje e shantazhe, të cilat tentojnë të krijojnë një klimë terrori ndaj reporterëve e gazetarëve. KSHM e dënon me focë këtë gjuhë dhe qendron përkrah gazetares Glidona Daci dhe kolegëve të tjerë të sulmuar.

Gjuha denigruese dhe kërcënuese, që synon të frikësojë sidomos gazetaret, duhet jo vetëm dënuar, por dhe duhet ndjekur ligjërisht. Askush nuk mund të pretendojë të shantazhojë e të dhunojë e të ndjehet i sigurt pas anonimatit të rrjeteve sociale.

KSHM, i kërkon strukturave ligjzbatuese ta trajtojnë me seriozitetin e duhur këtë sulm terrorist ndaj medias e fjalës së lirë, për të parandaluar çdo lloj fryme pandëshkueshmërie të kujtdo që mendon se mund të frikësojë gazetarët.

Gjithashtu, KSHM u kërkon aktorëve politikë të distancohen hapur e të dënojnë pa ekuivok çdo shfaqje të dhunës ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre.

KSHM dënon dhunën verbale të z. Valter Haliti ndaj gazetarit Enton Abilekaj

KSHM dënon me forcë dhunën verbale dhe kërcënimet me dhunë të një përfaqësuesi politik, z. Valter Haliti, ndaj gazetarit Enton Abilekaj, një nga themeluesit e KSHM dhe anëtar i Bordit të Aleancës për Media Etike.

Kërcënimi verbal ndaj z. Abilekaj është bërë në transmetim të drejtpërdrejtë, në emisionin “Të Paekspozuarit” në mbrëmjen e 17 shkurtit, në MCN TV.

Z. Valter Haliti në këtë program, pasi e ndërtoi narrativën e debatit më herët me akuza ndaj gazetarit, si “gënjen”, helmon të “tjerët” “flet si pazari i Milotit”, “gazetar që paguhet”, përfundoi në kërcënime, si:  “të kap në shpulla unë, debil, se je mësuar me këta ti, por unë të palloj në dru. Hajvan”. Akuzës së gazetarit për ulje të nivelit, z. Haliti iu përgjigj me “Ta tregoj nivelin unë. Zhuls. Ordiner. Ta tregoj unë pastaj.”

Asnjë përfaqësuesi politik, aq më tepër i zgjedhur me vota, nuk i lejohet të kërcënojë gazetarët.

KSHM i bën thirrje forcës politike ku militon z. Haliti, të mbajë një qendrim të qartë ndaj këtij kërcënimi të hapur ndaj një gazetari dhe drejtuesi medie, duke i dhënë një përgjigje të qartë precedentëve të tillë.

SHQETËSIM MBI SULMIN E KRYEMINISTRIT RAMA NDAJ BIRN

KSHM reagon me shqetësim ndaj sulmit të Kryeministrit, z. Edi Rama ndaj BIRN, në lidhje me titullin e shkrimit “Edi Rama: SPAK ka dalë nga shinat, Veliaj nuk do të shkarkohet

Reagimi i z. Kryeministër, ku ndër të tjera e konsideron median BIRN si “frëngji”, përbën, në frymën e tij një tjetër formë denigrimi ndaj mediave, këtë radhë duke tentuar të diktojë titujt e artikujve.

Titujt e artikujve janë të shkurtër, dhe në asnjë media botërore nuk citohet në titull një fjali e gjatë dhe e përbërë, por reduktohet në thelbin e saj, siç dhe BIRN ka bërë.

Sa për shembull krahasues, fjalinë e Presidentit Trump, “They (Ukraine) may make a deal, they may not make a deal. They may be Russian someday, or they may not be Russian someday,” të gjitha mediat botërore e përcollën me titullin: trump thotë se “Ukraine will become russian someday”.

Gjithsesi, në rast pakënaqësie nga mbulimi mediatik, z. Kryeministër ështël i ftuar t’i reklamojë ankesat pranë Bordit të Ankesave të Aleancës për Media Etike dhe Këshillit të Medias për të gjetur drejtësinë e munguar.

Thirrje për partitë politike dhe kandidatët: Respektoni lirinë e medias dhe transparencën para dhe gjatë fushatës zgjedhore të 11 Majit 2025!

Teksa Shqipëria përgatitet për Zgjedhjet për Kuvend, që do të mbahen në datën 11 Maj 2025, ne, organizatat për lirinë e medias dhe të shoqërisë civile nënshkruese të kësaj deklarate, u bëjmë thirrje partive politike, drejtuesve të tyre dhe kandidatëve të respektojnë dhe të mbështesin parimet e lirisë së medias, transparencës dhe llogaridhënies para dhe gjatë fushatës zgjedhore. 

Si mbikëqyrës të procesit, ne u bëjmë thirrje partive politike:

Siguroni akses të plotë për gazetarët në aktivitetet zgjedhore

  • Të gjitha partitë politike dhe kandidatët duhet të sigurojnë që gazetarët të kenë mundësinë të ndjekin dhe mbulojnë të gjitha aktivitetet e planifikuara gjatë fushatës, pa pengesa apo kufizime.
  • Përjashtimi i gazetarëve nga aktivitetet zgjedhore dëmton transparencën dhe informimin e publikut. Ndërkohë që komunikimi i hapur dhe i vazhdueshëm me mediat forcon besimin publik në procesin zgjedhor.
  • Gazetarët kanë të drejtën dhe detyrimin profesional të informojnë publikun për çdo zhvillim të rëndësishëm gjatë kësaj periudhe dhe për çdo aktivitet të organizuar nga partitë, duke ofruar një pamje të plotë dhe të balancuar të ngjarjeve zgjedhore.

Shmangni përdorimin e materialeve të gatshme pa transparencë të plotë

  • Ne u bëjmë thirrje partive politike, drejtuesve të tyre dhe kandidatëve që të mos përdorin praktika të shpërndarjes së materialeve të gatshme për mediat me qëllim që ato të transmetohen si përmbajtje e pavarur. Çdo material i përgatitur nga zyrat e komunikimit të partive duhet të jetë i qartë dhe i etiketuara si i tillë.
  • Njëkohësisht, u bëjmë thirrje mediave që të shmangin transmetimin e materialeve të tilla pa një etiketim të qartë që tregon se burimi i tyre është një parti politike apo një kandidat.
  • Transparenca në këtë proces është jetike për të ruajtur standardet editoriale, për të parandaluar manipulimin e publikut dhe për të forcuar besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor.

Shmangni çdo formë favorizimi apo diskriminimi që cenon pluralizmin dhe debatin publik

  • Ne kërkojmë nga partitë politike që të jenë të hapura dhe të gatshme të komunikojnë në çdo moment me mediat dhe të përgjigjen pa hezitim për çdo pyetje të gazetarëve. Daljet publike dhe informacionet duhet të jenë të aksesueshme për të gjitha mediat, pavarësisht profilit apo orientimit të tyre editorial.
  • Partitë politike të mos refuzojnë daljet televizive, të mos diskriminojnë në mënyrë të njëanshme televizione të veçanta, dhe të garantojnë që të gjitha mediat, pavarësisht profilit të tyre, të kenë mundësi të intervistojnë përfaqësuesit politikë dhe të mbulojnë ngjarjet e fushatës. 
  • Përgjigjet e partive politike, drejtuesve të partive dhe kandidatëve ndaj pyetjeve të gazetarëve duhet të jenë të hapura dhe të plota, pa shmangie apo manipulim të informacionit.

Pranoni debatet publike dhe përballjet mes kandidatëve

  • Partitë politike të pranojnë debatet dhe përballjet publike të ofertave të tyre, duke ofruar një mundësi për qytetarët që të informohen në mënyrë të drejtpërdrejtë për programet dhe qëndrimet e çdo subjekti politik. 
  • Fushata zgjedhore duhet të jetë një mundësi për të krijuar një dialog të hapur dhe të ndershëm midis qytetarëve dhe partive politike, dhe gazetarët duhet të kenë mundësinë të japin një pasqyrë të saktë dhe të paanshme dhe të plotë për ofertat dhe angazhimet e secilës parti dhe secilit kandidat.

Respektoni pavarësinë dhe lirinë editoriale të  medias dhe gazetarëve

  • Partitë dhe kandidatët duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive me mediat, duke shmangur çdo formë presioni apo përpjekje për të ndikuar në përmbajtjen editoriale. Shmangni ushtrimin e çdo forme presioni të drejtpërdrejtë ose të tërthortë ndaj gazetarëve apo mediave.
  • Angazhohuni publikisht për të mbrojtur median e lirë dhe mos inkurajoni asnjë lloj sulmi, ngacmimi, apo frikësimi ndaj profesionistëve të medias.
  • Siguroni që të gjitha ndërveprimet me mediat të realizohen me respekt për autonominë gazetareske dhe standardet etike.

Siguroni transparencën në komunikime

  • Etiketoni qartë çdo përmbajtje të sponsorizuar politike, përfshirë reklamat apo segmentet e sponsorizuara, për ta dalluar nga mbulimi i pavarur editorial.
  • Shmangni keqpërdorimin e burimeve shtetërore apo platformave publike për qëllime fushate, siç përcaktohet nga Kodi Zgjedhor.

Gjithashtu, u bëjmë thirrje mediave që të ruajnë standardet më të larta të etikës dhe integritetit gjatë mbulimit të fushatës zgjedhore, duke ofruar informacion të saktë, të paanshëm dhe të verifikuar.

Transparenca, liria e medias dhe aksesi i barabartë në informacion janë shtylla thelbësore të një procesi zgjedhor të drejtë dhe demokratik. Gazetarët duhet të kenë mundësinë të mbulojnë fushatën pa asnjë pengesë, duke siguruar që qytetarët të jenë të informuar plotësisht dhe paanshmërisht për të marrë një vendim të ndërgjegjshëm më 11 maj. 

Është e rëndësishme të respektohen raportet monitoruese nga shoqëria civile dhe nismat e bashkëpunimit mes medias dhe shoqërisë civile si një mundësi për të forcuar integritetin e zgjedhjeve dhe rritur besimin publik. 

Partitë politike mbajnë një përgjegjësi të veçantë për të garantuar një proces zgjedhor transparent dhe gjithëpërfshirës, duke krijuar kushtet që gazetaria të përmbushë rolin e saj thelbësor në mbrojtjen dhe fuqizimin e demokracisë.

Ne do të monitorojmë rregullisht procesin dhe informojmë publikun dhe aktorët e interesuar për zhvillimet në këtë drejtim para dhe gjatë fushatës elektorale. 

Tiranë, 22 Janar 2025 

Organizatat nënshkruese

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë 

Balkan Investigative Reporting Network Albania (BIRN Albania) 

Qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV)

Instituti për Studime Politike (ISP)

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë (APJA)

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Qëndresa Qytetare (QQ)

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Faktoje.al 

Qendra Shqiptare MediaLook

Këshilli Shqiptar i Medias (KShM)

Citizens.al 

Shkeljet Etike në Raportimin e ngjarjes së Shkollës Fan Noli

Këshilli i Medias reagon me shqetësim për shkelhet e etikës në disa raportime mbi ngjarjen e djeshme në Tiranë, ku mbeti i vrarë një 14 vjeçar.

Në disa raportime, vihet re përdorimi i akuzës si “vrasës” për një nga 14 vjeçarët e dyshuar. Sipas Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, por dhe sipas të gjitha standarteve ndërkombëtare etike të medias, askush nuk duhet të konsiderohet “kriminel” apo “vrasës” pa një vendim të prerë të gjykatës. Deri atëherë, kushdo është vetëm “i dyshuar”.

Një tjetër shkelje, është edhe ajo e identifikimit të të miturve. Identifikimi i pjesëmarrësve në ngjarje, qoftë viktima apo agresorë të dyshuar, është një shkelje e rëndë etike. Media nuk duhet në asnjë mënyrë të publikojë identitetin e minorenëve, për çfarëdo arsye, përveç rasteve kur vihet në rrezik siguria kombëtare ose ajo e personave të caktuar.

Gjithashtu, publikimi i të dhënave dhe fotos së viktimës është në shkelje të nenit mbi raportimin e fatkeqësive e aksidenteve. Respekti për viktimat dhe familjen në fatkeqësi ka vlerë më të madhe se kurioziteti për të ditur “kush ishte”, “kujt i ndodhi”, etj.

KSHM, duke qenë e vetëdijshme për nevojën për audiencë, u bën thirrje mediave t”u përmbahen standarteve etike, sepse dëmi i shkaktuar nga raportimi jo etik i tejkalon përfitimet afatshkurtra të audiencës.