Respublica dhe KSHM rikthehen në Shkodër në një mision për etikën
Dy drejtuesit e RES Publica, Dorian Matlija dhe KSHM, Koloreto Cukali, ishin sot në Shkodër në një takim përmbyllës të projektit “Promovimi i etikës dhe vetërregullimit në mediat lokale. Sfidimi i dezinformimit,” mbështetur nga BE, përmes SEEMPM*
Pas takimit të parë të zhvilluar më 22 Prill në Shkodër, u identifikuan disa probleme kryesore që mund të pengojnë gazetartinë cilësore. Problemi i parë ishte ekonomik. Mediat lokale funksionojnë në një territor të paqartë ekonomik, çka nuk u mundëson atyre një platformë financiare afatgjatë që tu sigurojë pavarësi dhe funksionalitet. Shumica e gazetarëve lokalë janë të detyruar të punojnë disa punë, si korrespondentë të TV-ve të mëdha nga Tirana, ndërkohë edhe në portalet apo TV-të lokale.
Nga takimi por dhe monitorimi u vu re që Shkodra është më e mbrojtur nga dezinformimi i qëllimtë për disa arsye, epara dhe më kryesorja, prej standarteve etike të gazetarëve lokalë të qytetit. Megjithatë, mediat lokale nuk i kanë mundësitë të bëjnë investigime të thelluara dhe mjaftohen kryesisht vetëm tek raportimi i ngjarjeve.
Të pranishmit shprehën interes për anëtarësim në AME, si dhe për të ditur më shumë rreth JTI- Journalist Trust Initiative, që është standarti i ri ndërkombëtar i certifikimit të mediave të besueshme.

Dorian Matlija (Res Publica), gjatë takimit në Shkodër, më 26 maj 2025.
* South East European Network for Professional Media