DEKLARATË mbi sekuestrimin e serverit dhe aseteve të medias Lapsi.al
KSHM reagon me shumë shqetësim ndaj zhvillimeve të fundit ku prokuroria ka kërkuar sekuestrimin e serverit të Lapsi.al.
Standartet etike të gazetarisë përcaktojnë se një gazetar ka të drejtë dhe detyrë të mbrojë burimin e vet, të mos e vërë në rrezik dhe të mos e dekonspirojë atë. Investigimet bëhen për të ekspozuar problematika të ndryshme dhe detyra e prokurorisë është të ndjekë burimin e problemeve të investiguara, jo gazetarët që e investigojnë dhe burimet e tyre konfidenciale.
Për më tepër, sekuestrimi i serverit të medias Lapsi.al vë në rrezik jo vetëm burimin e këtij investigimi por dhe gjithë burimet e investigimeve të mëparshme të LAPSI.AL, duke dekonspiruar të gjithë burimet konfidenciale të mëherëshme të kësaj medieje.
Pasoja indirekte e këtij veprimi të papërgjegjshëm nga ana e Prokurorisë është se do të shkaktojë një frikësim tek çdo person (whistleblower) që ka denoncuar dhe mund të denoncojë tek gazetarët në mënyrë konfidenciale abuzimet e pushtetit.
KSHM e konsideron këtë veprim të papërgjegjshëm të Prokurorisë si një cënim të drejtpërdrejtë të lirisë së medias dhe i kërkon, në emër edhe të reformës në drejtësi, të tërhiqet menjëherë nga ky veprim dhe të kthejë mbrapsht të paprekura të gjitha objektet e sekuestruara.
KSHM i bën thirrje organizatave kombëtare e ndërkombëtare të gazetarëve, Këshillit të Europës, OSBE-së, Ambasadorit të BE-së, Ambasadores Amerikane dhe Ambasadave të tjera europiane në vend, të mbështesin këtë deklaratë të KSHM në mbrojtje të një prej shtyllave kryesore për funksionimin e një shtypi të lirë.