Reagim për publikimin e fotove të fëmijëve të kthyer nga Siria

Këshilli Shqiptari Medias shpreh shqetësimin e vet maksimal për mënyrën sesi po paraqitet në media rasti i fëmijëve të kthyer në Shqipëri nga kampi Al-Hol në Siri.

Publikimi i fotove dhe videove të katër fëmijëve u bë në fillim nga Kryeministri, më  pas nga mediat televizive. Lajmi u rimor më tej nga të gjitha mediat që kanë publikuar informacione me emrat dhe fotot e fëmijëve, ku dukshëm gjendja e tyre ka qenë e rënduar dhe tepër shqetësuese.

Ky publikim është në shkelje të rëndë të Kodit të Etikës pasi në asnjë rast nuk duhej publikuar identitetit të fëmijëve, as fotot e as emrat. Këto publikime do të mbeten në rrjet për vite të tëra duke i ekspozuar në mënyrë të vazhdueshme fëmijët në të ardhmen, por dhe kur të arrijnë moshën madhore. Fëmijët nuk kanë zgjedhur ta bëjnë publike këtë moment tragjik të tyre, të tjerët po i ekspozojnë ata.

Këshilli Shqiptari Medias i kërkon mediave të mbajnë standardin etik dhe profesional, dhe u kërkon të heqin nga publikimet e këtyre ditëve fotot dhe emrat e këtyre fëmijëve.

Gazetarëve u kërkohet të jenë profesionistë dhe mos të publikojnë më raste të kësaj natyre edhe kur burimi i informacionit është Qeveria dhe shkelja e parë bëhet nga vetë Kryeministri.

Këshilli Shqiptar i Medias i kërkon autoriteteve qeveritare që raste të tilla të mos përsëriten, të tregohen më korrekte në mbrojtjen e fëmijëve dhe mos e dekonspirojnë identitetin e tyre në asnjë rrethanë përveçse kur është e nevojshme për të mbrojtur jetën e tyre.