KiE boton raportin vjetor “Mos e prekni lirinë e medias: Sulmi ndaj mediave në Evropë nuk duhet të kthehet në një normë”
Këshilli i Evropës ka botuar raportin i cili paraqet vlerësimin vjetor të kërcënimeve ndaj lirisë së mediave në vendet anëtare të Këshillit të Evropës në vitin 2019, nga organizatat partnere në Platformën e Sigurisë së Gazetarëve. (Për të lexuar raportin e plotë në anglisht kliko këtu.)
Platforma është krijuar nga Këshilli i Evropës në vitin 2015, në bashkëpunim me OJQ të shquara ndërkombëtare dhe aktive në fushën e lirisë së shprehjes dhe shoqatave të gazetarëve, për të lehtësuar mbledhjen dhe shpërndarjen e informacionit mbi kërcënime serioze për lirinë e mediave dhe sigurinë e gazetarëve në vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Qëllimi i saj është të përmirësojë mbrojtjen e gazetarëve, të adresojë më mirë kërcënimet dhe dhunën kundër profesionistëve të mediave dhe të forcojë aftësinë e reagimit brenda Këshillit të Evropës.
Në mesin e 13 vendeve dhe rajoneve që ishin në fokusin e raportit të 2020 edhe Shqipëria bënte pjesë në vlerësimin vjetor të kërcënimeve ndaj lirisë së mediave.
Shqipëria
- Në fund të dhjetorit 2019 kishte 11 paralajmërime aktive për Shqipërinë, me shtatë raste të reja të paraqitura në Platformë në vitin 2019, në krahasim me një në vitin 2018. Kjo rritje e dukshme sinjalizon një përkeqësim të kushteve të punës së gazetarëve në vend.
- Katër alarme u përqendruan në ngacmimin dhe frikësimin e gazetarëve, përfshirë dhunën fizike. Një gazetare britanike, Alice Taylor, e cila punon për portalin në internet Exit.al, ishte shënjestra e një fushate njollosje pas një deklarate që ajo dha për Russia Today. Portalet lokale publikuan foto duke akuzuar gazetaren se ishte paguar nga Federata Ruse dhe pretendohej se portali i saj ishte i lidhur me një parti opozitare.
Shtatë alarmet e reja në vitin 2019 sinjalizojnë një përkeqësim të kushtet e punës së gazetarëve në Shqipëri.
- Më 13 Prill 2019, disa gazetarë u plagosën kur policia shqiptare ndezi gaz lotsjellës në një turmë gjatë një demonstrate në Tiranë. Një reporter dëmtua nga gazi lotsjellës. Një tjetër u godit në kokë me një shkop metalik, kinse nga një oficer policie. Autoritetet shqiptare iu përgjigjën alarmit në qershor, duke thënë se në asnjë rast policia nuk kishte kryer ndonjë dhunë kundër gazetarëve ose ekuipazheve të kamerave.
- Më 29 qershor 2019, gazetari dhe kameramani Enver Doçi nga kanali televiziv News 24 u sulmua nga oficerët e policisë ndërsa po filmonte arrestimin e demonstruesve në Dibër. Raportohet se policia e rrahu dhunshëm në këmbë dhe në një krah. Policia e Shtetit iu përgjigj alarmit, duke thënë se i vjen keq për “veprimit të pakujdesshëm të kryer nga një oficer policie i Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë, duke rrëzuar gazetarin Enver Doçi ndërsa ai ishte duke filmuar operacionin policor”.
- News 24 njoftoi mbylljen e dy talk show-ve: “Të Paekspozuarit” nga Ylli Rakipi dhe “A Show” nga Adi Krasta. Të dy programet ishin kritikë të Kryeministrit Edi Rama. Gazetarit Adi Krasta i ishte ndërprerë kontrata e punës pasi presidenti i News 24, Irfan Hysenbelliu, u raportua “i kërcënuar” nga Kryeministri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Më 19 korrik 2019, gazetari Artur Cani zbuloi se Kryeministri ishte takuar me pronari i News 24 për të kërkuar shkarkimin e gazetarit Ylli Rakipi, duke paralajmëruar se Adi Krasta ka të ngjarë të humbasë edhe punën e tij.
- Këshilli Shqiptar i Medias, një OJQ që përfshin gazetarë dhe media profesioniste, ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për shfrytëzimin e tërmetit të 26 nëntorit 2019 për të mbyllur ose bllokuar mediat kritike në internet.
- Më 30 nëntor 2019 Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare bllokoi portalin e lajmeve joqalbania.com.