Partitë politike dhe kandidatët dështuan në respektimin e plotë të lirisë dhe transparencës së medias gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 11 majit 2025.

Tiranë, 14 Maj 2025

Më 22 janar 2025, katërmbëdhjetë organizata të shoqërisë civile publikuan një deklaratë të përbashkët duke u bërë thirrje partive politike dhe kandidatëve që të respektojnë parimet themelore të lirisë së medias, transparencës dhe debatit demokratik para dhe gjatë fushatës zgjedhore që çoi në zgjedhjet e përgjithshme në Shqipëri më 11 maj 2025. Për fat të keq, u vunë re shkelje të shumta të këtyre parimeve gjatë muajve para, gjatë dhe në ditën e zgjedhjeve.

Qasje e Plotë për Gazetarët në Aktivitetet Zgjedhore

Edhe pse partitë politike dhe kandidatët nuk vendosën kufizime formale për qasjen e gazetarëve në aktivitetet zgjedhore, në praktikë aftësia e gazetarëve për të mbuluar në mënyrë të pavarur aktivitetet e fushatës ishte e kufizuar. Aktorët politikë përgjithësisht nuk ndanë në mënyrë proaktive agjendat e ngjarjeve, nuk nxorrën ftesa të qarta, as nuk lehtësuan pjesëmarrjen e gazetarëve, duke penguar përpjekjet e medias për një mbulim të pavarur dhe gjithëpërfshirës. Për më tepër, disa incidente në ditën e zgjedhjeve penguan drejtpërdrejt aftësinë e gazetarëve për të raportuar në mënyrë të pavarur, duke shkelur më tej parimin themelor të zgjedhjeve të hapura dhe transparente.

Transparenca mbi Materialet Politike të Gatshme

Pavarësisht rekomandimeve të qarta që kërkonin transparencë në mbulimin zgjedhor, partitë politike vazhduan praktikën e rrënjosur të shpërndarjes së materialeve të gatshme video dhe shtypi për mediat gjatë gjithë fushatës. Si pasojë, mbulimi mediatik shpesh përbëhej nga mesazhe politike të prodhuara në mënyrë qendrore, përmes transmetimeve video të ofruara nga ekipet e partive, në vend të gazetarie që verifikon në mënyrë të pavarur. Mungesa e deklarimit të qartë mbi origjinën e këtyre materialeve mjedulloi kufirin midis gazetarisë së pavarur dhe propagandës politike, duke dëmtuar rëndë transparencën dhe duke penguar aftësinë e publikut për të vlerësuar në mënyrë kritike informacionin zgjedhor.

Mbrojtja e Pluralizmit

Periudha zgjedhore e vitit 2025 theksoi një peizazh mediatik të pabalancuar, me mbulim të shpërndarë në mënyrë të pabarabartë që favorizoi kryesisht dy partitë më të mëdha. Gjithashtu, në fillim të marsit 2025, qeveria urdhëroi pezullimin njëvjeçar të platformës TikTok, duke përmendur shqetësime për sigurinë. Kjo vendimmarrje u kritikua gjerësisht dhe u denoncua si një akt censure që kufizoi rëndë diskursin politik online gjatë një periudhe kritike zgjedhore. Organizatat e shoqërisë civile e kanë sfiduar këtë vendim në Gjykatën Kushtetuese, duke argumentuar se ai cenon lirinë e shprehjes dhe pluralizmin demokratik.

Debati Publik dhe Përballja mes Kandidatëve

Edhe pse studiot televizive ofruan hapësirë të bollshme për mbulim zgjedhor, fushata u zhvillua pa asnjë debat ballë për ballë midis drejtuesve të Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike, ndërsa shumica e ministrave dhe kandidatëve për deputetë shmangën po ashtu forumet e përbashkëta me kundërshtarët e tyre. Kandidatët preferuan intervista individuale, ndërsa emisionet prime-time u mbushën me analistë dhe komentatorë që flisnin në vend të politikanëve. Në mungesë të debateve të drejtpërdrejta, iniciativa si seria “Ballë për Ballë me Faktet” u përpoqën të mbushnin këtë boshllëk duke u paraqitur kandidatëve pyetje identike mbi çështje të rëndësishme publike. Megjithatë, preferenca e përgjithshme për paraqitje të kontrolluara me kujdes në vend të shkëmbimeve të drejtpërdrejta, i la votuesit pa mundësinë për të parë programet konkurruese të sfidohen në kohë reale, duke dobësuar cilësinë përfaqësuese dhe debatuese të fushatës.  Fushata favorizoi viralitetin online në vend të dialogut të mirëfilltë, duke u mbështetur në sulme personale, retorikë të njëanshme dhe, herë pas here, haptazi në gjuhë urrejtjeje. Spektakli zëvendësoi përmbajtjen, duke përjashtuar diskutimin mbi politikat konkrete apo performancën e qeverisë dhe duke minimizuar besimin e publikut. 

Pavarësia dhe Liria Redaksionale e Medias dhe Gazetarëve

Pavarësisht angazhimeve formale për mbrojtjen e lirisë së shtypit, periudha zgjedhore u karakterizua nga ndërhyrje të përsëritura në pavarësinë redaksionale dhe një klimë frikësimi. Zyrtarë të lartë, përfshirë Kryeministrin, përçmuan publikisht mediat kritike dhe shfaqën armiqësi ndaj gazetarëve; gazetaret femra ishin në shënjestër të fushatave denigruese me bazë gjinore dhe ngacmimeve të koordinuara online; disa gazetarë morën kërcënime të drejtpërdrejta, disa prej të cilave arritën në përplasje fizike në ditën e zgjedhjeve. Kjo retorikë armiqësore shoqërohej me ndërhyrje politike, veçanërisht me zgjedhjen e Këshillit të ri Drejtues të RTSH-së nga Kuvendi, duke ngritur shqetësime serioze mbi kontrollin politik ndaj transmetuesit publik. Të gjitha këto presione së bashku nxitën autocensurë tek gazetarët dhe i privuan votuesit nga një shqyrtim i pavarur i kandidatëve që garonin.

Transparenca në Komunikime

Transparenca në komunikimet e fushatës, si etiketimi i qartë i përmbajtjes së paguar politike dhe ndarja e burimeve shtetërore nga aktiviteti partiak, ishte një parim thelbësor që u shkel vazhdimisht gjatë kësaj periudhe zgjedhore. Disa televizione shitën hapur “paketa mbulimi” dhe intervista të transmetuara për partitë politike, pa i etiketuar si të tilla, duke i shndërruar edicionet informative në reklama të paetiketuara. Në të njëjtën kohë, kanalet zyrtare të mediave sociale të qeverisë u kthyen në tabela reklamimi (billboard) partiak, me faqe zyrtare që shpërndanin postera dhe slogane të fushatës. Online, një rritje e faqeve dhe reklamave politike anonime ose mashtruese, disa të gjeneruara apo të përforcuara nga mjete inteligjence artificiale, qarkulluan pa sponsorë të qartë, duke e bërë edhe më të turbullt origjinën e mesazheve zgjedhore. 

Ne i bëjmë thirrje partive politike, institucioneve shtetërore, organeve rregullatore dhe aktorëve të tjerë relevantë që të adresojnë menjëherë këto mangësi dhe të rikonfirmojnë përkushtimin e tyre ndaj lirisë së medias, transparencës dhe llogaridhënies demokratike.

Organizatat tona do të vazhdojnë të monitorojnë zhvillimet, të avokojnë për reforma thelbësore dhe të bashkëpunojnë me aktorët për të forcuar parimet demokratike.

Nënshkruesit:

Qendra Shkencë dhe Inovacioni për Zhvillim (SCiDEV)

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH)

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM)

Keshilli Shqiptar i Medias (KSHM)

Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH)

Citizens Channel (Citizens.al

Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Investigative në Shqipëri (BIRN Albania)

Instituti i Studimeve Politike (ISP)

Qëndresa Qytetare (QQ)

Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore (ACQJ)

Qendra Shqiptare MediaLook

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (CSDG)

Shoqata “Gazetarët Profesionalë të Shqipërisë” (APJA)

Faktoje.al

Dënojmë Sulmet dhe Frikësimet ndaj Gazetarëve gjatë Ditës së Zgjedhjeve në Shqipëri

KSHM dënon fuqimisht kërcënimin dhe pengimin me të cilin u përballën gazetarët në të gjithë Shqipërinë më 11 maj 2025, gjatë zgjedhjeve parlamentare të vendit.

Në Tiranë, gazetarja e Syri TV Ambrozia Meta u përball me sulme verbale dhe konfrontim fizik nga deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ndërsa raportonte nga një zyrë e paidentifikuar që dyshohet se përdorej nga punonjës patronazhistë të PS. Ndërsa ekipi i Syri TV afrohej, individët brenda u përpoqën të largoheshin duke mbuluar fytyrat. Deputeti Braçe mbërriti pak më pas, duke ofenduar gazetarët dhe duke bërë kontakt fizik me Metën gjatë përplasjes. Kur u pyet për praninë e tij, ai reagoi me agresivitet, duke i urdhëruar gazetarët të largoheshin dhe duke përdorur një gjuhë denigruese.

Në Pogradec, korrespondentja e MCN TV Elsa Xhindole u përball me dhunë fizike në qendrën e votimit nr. 39/01. Një person i paidentifikuar i mori me forcë telefonin celular dhe fshiu materialet dhe videot që lidhen me zgjedhjet. Xhindole raportoi se telefoni iu mor dy herë me forcë, duke çuar në humbjen e plotë të regjistrimeve. Rasti u referua pranë autoriteteve.

Në Sarandë, gazetari i EuroNews Albania Enriko Gaba u urdhërua nga zyrtarët zgjedhorë në qendrën e votimit “Adem Sheme” që të mos filmonte më shumë se 15 minuta – një kufizim arbitrar që cenon të drejtën e medias për të vëzhguar dhe raportuar mbi procesin zgjedhor.

Një situatë e ngjashme u shënua në Durrës, në Qendrën e Votimit 1486, ku anëtarët e Komisionit të Qendrës së Votimit nuk lejuan vëzhguesit e akredituar të medias të kryenin raportime mediatike mbi procesin e votimit.

Në Gjirokastër, gazetari Armando Rabi u kërcënua gjatë kryerjes së detyrës. Një 26-vjeçar nga një fshat i zonës dyshohet se e ka kanosur Rabiun, me pretendimin se po e filmonte pa lejen e tij. Policia e Gjirokastrës ka nisur procedim penal, duke ia referuar çështjen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Këto raste tregojnë një model shqetësues të pengesave dhe intimidimit ndaj gazetarëve që kryejnë detyrën publike në një moment kyç për demokracinë, siç janë zgjedhjet. Këshilli Shqiptar i Medias u bën thirrje autoriteteve shqiptare që të hetojnë me transparencë dhe pa vonesë këto raste dhe të sigurojnë ndëshkimin ligjor për të gjithë përgjegjësit. Politikanët, zyrtarët publikë dhe qytetarët duhet të respektojnë rolin themelor të medias në ruajtjen e integritetit zgjedhor dhe llogaridhënies publike.

KSHM do të informojë aktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë mbi këto zhvillime shqetësuese dhe do të vijojë monitorimin nga afër të situatës.

Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.

Ethics in the Time of AI

A regional awareness campaign by the Press and Media Councils of the Western Balkans and Türkiye

In a time where deepfakes look real, AI-generated content goes viral, and trust in media is under fire, one question matters most: who keeps journalism ethical?

This regional campaign, supported by UNESCO and financed by EU*, brings together the Press and Media Councils of Albania, Bosnia and Herzegovina, Kosovo, Montenegro, North Macedonia, Serbia, and Türkiye to raise awareness on how generative AI challenges the truth — and how ethics can fight back.

Through two impactful animated videos we expose:

  • The ethical dangers of misused AI in journalism
  • The vital role of press councils in preserving integrity, transparency, and audience trust

AI can replicate a voice — but only humans can uphold values.
In the age of AI, ethical journalism is not a luxury — it’s a necessity.

Follow your local press council. Support ethical journalism. Choose truth.

*the views expressed are those of the Press Councils, not neccessarily representing the views of UNESCO and EU.

Etika në Kohën e Inteligjencës Artificiale


Një fushatë rajonale ndërgjegjësuese nga Këshillat e Medias dhe Shtypit në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi

Në një epokë ku deepfake duket real, përmbajtja e krijuar nga AI bëhet virale, dhe besimi te media sfidohet çdo ditë, një pyetje bëhet thelbësore: kush mban gazetarinë etike?

Kjo fushatë rajonale, mbështetur nga UNESKO dhe financuar nga BE, bashkon këshillat e medias të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës dhe Turqisë për të ngritur zërin mbi rreziqet që sjell AI për të vërtetën — dhe rolin vendimtar të etikës për ta luftuar keqinformimin.

Përmes dy infografikave të animuara dhe të fuqishme, zbulojmë:

  • Rreziqet etike të përdorimit të gabuar të AI në gazetari
  • Rolin thelbësor të këshillave të shtypit për integritetin, transparencën dhe besimin e publikut

AI mund të imitojë një zë — por vetëm njerëzit ruajnë vlerat.
Në kohën e AI, gazetaria etike nuk është luks — është domosdoshmëri.

🔗 Ndiq këshillin tënd lokal të shtypit. Mbështet gazetarinë etike. Zgjidh të vërtetën.