KSHM dënon dhunën verbale të z. Valter Haliti ndaj gazetarit Enton Abilekaj

KSHM dënon me forcë dhunën verbale dhe kërcënimet me dhunë të një përfaqësuesi politik, z. Valter Haliti, ndaj gazetarit Enton Abilekaj, një nga themeluesit e KSHM dhe anëtar i Bordit të Aleancës për Media Etike.

Kërcënimi verbal ndaj z. Abilekaj është bërë në transmetim të drejtpërdrejtë, në emisionin “Të Paekspozuarit” në mbrëmjen e 17 shkurtit, në MCN TV.

Z. Valter Haliti në këtë program, pasi e ndërtoi narrativën e debatit më herët me akuza ndaj gazetarit, si “gënjen”, helmon të “tjerët” “flet si pazari i Milotit”, “gazetar që paguhet”, përfundoi në kërcënime, si:  “të kap në shpulla unë, debil, se je mësuar me këta ti, por unë të palloj në dru. Hajvan”. Akuzës së gazetarit për ulje të nivelit, z. Haliti iu përgjigj me “Ta tregoj nivelin unë. Zhuls. Ordiner. Ta tregoj unë pastaj.”

Asnjë përfaqësuesi politik, aq më tepër i zgjedhur me vota, nuk i lejohet të kërcënojë gazetarët.

KSHM i bën thirrje forcës politike ku militon z. Haliti, të mbajë një qendrim të qartë ndaj këtij kërcënimi të hapur ndaj një gazetari dhe drejtuesi medie, duke i dhënë një përgjigje të qartë precedentëve të tillë.