KSHM Dënon me forcë shantazhet e kërcënimet ndaj gazetares Glidona Daci
KSHM shpreh shqetësim të fortë për fushatën e dhunës online që ka nisur ditët e fundit ndaj gazetarëve, dhe në veçanti ndaj gazetares Glidona Daci.
Reporterja e TV Klan, znj. Daci, është sulmuar nga faqe anonime në Facebook, me kërcënime, fyerje e shantazhe, të cilat tentojnë të krijojnë një klimë terrori ndaj reporterëve e gazetarëve. KSHM e dënon me focë këtë gjuhë dhe qendron përkrah gazetares Glidona Daci dhe kolegëve të tjerë të sulmuar.
Gjuha denigruese dhe kërcënuese, që synon të frikësojë sidomos gazetaret, duhet jo vetëm dënuar, por dhe duhet ndjekur ligjërisht. Askush nuk mund të pretendojë të shantazhojë e të dhunojë e të ndjehet i sigurt pas anonimatit të rrjeteve sociale.
KSHM, i kërkon strukturave ligjzbatuese ta trajtojnë me seriozitetin e duhur këtë sulm terrorist ndaj medias e fjalës së lirë, për të parandaluar çdo lloj fryme pandëshkueshmërie të kujtdo që mendon se mund të frikësojë gazetarët.
Gjithashtu, KSHM u kërkon aktorëve politikë të distancohen hapur e të dënojnë pa ekuivok çdo shfaqje të dhunës ndaj gazetarëve për shkak të punës së tyre.