Shkeljet Etike në Raportimin e ngjarjes së Shkollës Fan Noli
Këshilli i Medias reagon me shqetësim për shkelhet e etikës në disa raportime mbi ngjarjen e djeshme në Tiranë, ku mbeti i vrarë një 14 vjeçar.
Në disa raportime, vihet re përdorimi i akuzës si “vrasës” për një nga 14 vjeçarët e dyshuar. Sipas Kodit të Etikës së Gazetarit Shqiptar, por dhe sipas të gjitha standarteve ndërkombëtare etike të medias, askush nuk duhet të konsiderohet “kriminel” apo “vrasës” pa një vendim të prerë të gjykatës. Deri atëherë, kushdo është vetëm “i dyshuar”.
Një tjetër shkelje, është edhe ajo e identifikimit të të miturve. Identifikimi i pjesëmarrësve në ngjarje, qoftë viktima apo agresorë të dyshuar, është një shkelje e rëndë etike. Media nuk duhet në asnjë mënyrë të publikojë identitetin e minorenëve, për çfarëdo arsye, përveç rasteve kur vihet në rrezik siguria kombëtare ose ajo e personave të caktuar.
Gjithashtu, publikimi i të dhënave dhe fotos së viktimës është në shkelje të nenit mbi raportimin e fatkeqësive e aksidenteve. Respekti për viktimat dhe familjen në fatkeqësi ka vlerë më të madhe se kurioziteti për të ditur “kush ishte”, “kujt i ndodhi”, etj.
KSHM, duke qenë e vetëdijshme për nevojën për audiencë, u bën thirrje mediave t”u përmbahen standarteve etike, sepse dëmi i shkaktuar nga raportimi jo etik i tejkalon përfitimet afatshkurtra të audiencës.