BIRN prezantoi sot studimin mbi Shpërndarjen e Narrativave të Dezinformimit Kundër NATO-s dhe BE-së Nga Aktorë Kundërshtarë

BIRN prezantoi sot në Librarinë Tirana Times studimin mbi “Shpërndarjen e Narrativave të Dezinformimit Kundër NATO-s dhe BE-së Nga Aktorë Kundërshtarë”.

Studimi u bazua në monitorimin e 36 mediave shqiptare për periudhën 15 maj 2023-15 maj 2024, dhe kaloi në “sitë” 196,597 artikuj në lidhje me BE /NATO, nga të cilët u përzgjodhën 15,177 artikuj.

Në konkluzionet kryesore rezulton që propaganda kundër NATO-s dhe BE-së, si institucione ekspansionistë dhe kundër lirisë së medias, është e pranishme në median shqiptare, kryesisht në artikuj pa emër autori, me tituj bombastikë, shpesh të pasaktë e me pretendime të paverfikuara.

Si përfundim i studimit, propaganda e aktorëve kundërshtarë ndaj NATO/BE është e pranishme, por për momentin nuk është shqetësuese, gjithsesi, duhet mbajtur në monitorim.

Studimi mund të gjendet, këtu, në faqen e www.Reporter.al

Organizatat ndërkombëtare e kombëtare të gazetarëve në mbrojtje të SCIDEV dhe KSHM, pas sulmeve denigruese nga 2 media online

Pas sulmeve denigruese ndaj Scidev dhe Drejtoreshës Ekzekutive Blerjana Bino, nga portali Prapaskena.com, dhe sulmit nga mediat online sot.com.al dhe prapaskena.com ndaj KSHM dhe Kryetarit të saj, Koloreto Cukali, knaë reaguar disa nga organizatat ndërkombëtare e kombëtare të gazetarëve.

Reporterët pa Kufinj (RSF), në një postim në platformën X, RSF shkruan:

“Shprehim mbështetjen ndaj Blerjana Binos dhe Koloreto Cukalit dhe ndaj organizatave të tyre — partnerë të RSF — të cilët janë sulmuar me akuza të pabaza. Këto sulme ndaj profesionistëve të medias që luftojnë për një media të lirë dhe gazetari cilësore duhet të ndalojnë.”

Po ashtu, SafeJournalists Network dhe organizatat e Media Freedom Rapid Response (MFRR) e kanë dënuar sulmin

duke thënë se këto “incidente, shenjojnë një trend shqetësues armiqësor ndaj medieve të pavarura dhe organizatave të shoqërisë civile, duke rritur shqetësimin mes grupeve që vëzhgojnë lirinë e medias“.

Edhe Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutiérrez dënoi përmes postimi në platformën Facbook sulmin ndaj SCIDeV dhe Znj Bino, duke shkruar që “Mbështetja jonë e plotë shkon për kolegen e shkëlqyer Blerjana Bino (SCiDEV), e cila prej vitesh dokumenton me shumë përmbajtje dhe objektivitet shkeljet e Lirisë së Shtypit në Ballkan. Sulmet e neveritshme ndaj saj nga propagandistët shqiptarë, të cilët e kalojnë kohën duke dezinformuar, tregojnë rëndësinë e punës së saj,”.

Po ashtu, Asosacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) lëshoi një deklaratë duke u shprehur se “sulmet janë të motivuara ekskluzivisht nga puna e palodhur e organizatave në fjalë të cilat dokumentojnë, raportojnë dhe reagojnë për sulmet ndaj mediave dhe gazetarëve”.

Sulmet e panënshkruara në këto media ishin të dhe mbushur me fakte të paqena e shpifje, siç dhe është argumetuar në reagimin e organizatave, këtu dhe këtu.

Blerjana Bino – Prapaskena.com

Reagim mbi sulmin e medias online Prapaskena.com ndaj Këshillit Shqiptar të Medias dhe organizatave të tjera të medias

Këshilli Shqiptar i Medias dhe disa organizata të tjera bashkë me kryetarët e tyre, janë sulmuar nominalisht përmes një serie shkrimesh online në portalin Prapaskena.com, në shkrime anonime të panënshkruara.

(këtu, këtu, dhe këtu)

Shkrimet, janë botuar pasi organizatat e medias bënë deklarata publike në mbrojtje të mbylljes së paparaljamëruar të faqeve në rrjete sociale të medias CNA.al, media me të cilën portali Prapaskena.com duket se është në konflikt, çka mund të lexohet dhe në shumë artikuj në faqet e saj.

Në deklaratat e tyre, organizatat e medias nuk merren me emrin e medias e as me pronarin e saj, por me principin në bazë të të cilit asnjë media nuk mund të mbyllet pa paralajmërim, dhe se kjo është censurë ndaj lirisë së informimit.

Shkrimi kundër Këshillit të Medias, botuar në datën 01/10/2024 në Prapaskena.com, me titullin “Këshilli i Medias i Koloreto Cukalit ose xhepi i pasëm i Berishës që ‘rruan’ fondet e BE-së, pseudogazetarë me vila dhe ish deputetë që po pasurohen në kurriz të gazetarëve”, është i mbushur me të pavërteta, fakte të paqena dhe shpifje të pastra.

  1. Vetë titulli është abuziv, dhe i pavërtetë dhe një shpifje e pastër. Në artikull nuk ka asnjë fakt që të vërtetojë “abuzimin me fondet e BE”, lidhjet e “KSHM me Z. Berisha”, apo “pasurimin në kurriz të gazetarëve”. Artikulli nuk fakton e nuk dop mundet kurrë të faktojë asnjë lidhje mes aktivitetit të KSHM dhe pasurisë së kujtdo gazetari, sepse lidhjew të tilla nuk ekzistojnë. Gjithashtu, të jesh ish-deputet nuk është as krim e as turp. KSHM është krenare që Kryetar të Bordit të Etikës ka një prej Profesorëve më të respektuar profesionalisht të gazetarisë, z. Mark Marku.
  2. Akuza për “rruajtje të fondeve të BE”, dhe që KSHM është një “zgafellë që thith, qarkullon dhe ndan donacionet e Bashkimit Evropian, që janë taksat e qytetarëve evropianë” përveç vulgaritetit, nuk ka asnjë të vërtetë. Praktikisht, krejt insinuata është shpifje, sepse: 1)Në momentin kur është botuar ai shkrim, KSHM nuk ka asnjë financim, as nga BE e as nga ndonjë burim tjetër. 2) KSHM është krenare që është mbështetur në të shkuarën nga BE e do të mbështetet në të ardhmen për punën e vet në promovim të vetërregullimit e të mbrojtjes së lirisë së medias. Të financohesh nga BE nuk është as krim e as turp, por e vetmja mënyrë për të ruajtur pavarësinë nga qeveria, oligarkët apo paratë e mafias. 3) KSHM, është audituar rregullisht në mënyrë të pavarur dhe nga donatorët, për të gjithë projektet e saj.
  3. Përmendja e z. Armand Shkullaku, Z. Sokol Shameti dhe z. Alfred Lela, është keqinformuese. Z. Shkullaku, Z. Shameti dhe z. Lela, janë vetëm 3 nga 36 themeluesit e KSHM, të gjithë gazetarë me emër e reputacion e që, njësoj si 36 themeluesit, në momentin e themelimit të Këshillit, nuk kanë pasur poste apo ofiqe partiake, institucionale apo shtetërore. Si z. Shkullaku, z. Shameti dhe z. Lela nuk janë të angazhuar në punën e përditëshme e as në vendimet e Këshillit. Në momentin që z. Shameti e z. Lela kanë marrë përsipër pozicione në institucione të tjera, i kanë shkëputur krejtësisht të gjitha ndërveprimet e komunikimet me KSHM.
  4. Përmendja e z. Baçi, znj Toçe dhe z. Haxhimihali është keqinformim i qëllimshëm. Zonja dhe zotërinjtë e cituar, secili me integritetin e vet personal e profesional, kanë qenë anëtarë të Bordit të Etikës deri në vitin 2019. Që prej atij viti nuk kanë më asnjë lidhje, të asnjë lloji me aktivitetin e KSHM. Që prej atij viti, KSHM ka një bord të ri etike i cili përditësohet rregullisht çdo vit në Aleancën e Mediave Për Etikën, e cila ka 38 media anëtare, e ku Prapaskena.com nuk bën pjesë.
  5. Akuza ndaj Kryetarit të KSHM, Koloreto Cukali, si “person, i cili merr fonde nga BE për të mbrojtur mediet, paraqitet si dëshmitar nëpër gjyqe kundër mediave, ndërsa e përdor Këshillin si një kondom për Ilir Metën dhe Sali Berishën” është shpifje e pastër. Z. Cukali nuk ka qenë në asnjë rast dëshmitar në asnjë gjyq kundër asnjë medie. Përdorimi i Këshillit, përtej vulgaritetit të shkrimit, në shërbim të një partie apo politikani është gjithashtu shpifje e pastër. Online mund të gjenden deklaratat e z. Cukali, në emër të Këshillit, kundër z. Meta dhe z. Berisha, kur ka qenë puna për të mbrojtur mediat dhe gazetarët. Gjithashtu, z. Cukali nuk ka asnjë njohje personale e asnjë kontakt të çfarëdo natyre me z. Meta e z. Berisha.
  6. Së fundi, fakti që Prapaskena.com sulmon 4 organizata të medias dhe/ose Kryetarët e tyre brenda pak ditësh nga botimi i deklaratave në mbrojtje të lirisë së medias ndaj censurës në platformat online, është një shenjë e keqe jo për organizatat, por për vetë lirinë, sepse tregon që ka dhe media të cilat janë të interesuara për censurën ndaj fjalës së lirë.
  7. Pavarësisht sulmit ndaj saj, KSHM, mbetet në mbrojtje të lirisë së cënuar të çdo gazetari e çdo medieje, përfshirë edhe Prapaskena.com nëse do vijë rasti, pa paragjykim.

Në emër të KSHM,

Kryetari

Koloreto Cukali

Reagim mbi artikullin e botuar në Gazetën SOT me titull: “Këshilli i Medias apendiksi i Samir Manes, ja si kërcënojnë me gjyqe gazetën “SOT” shoqatat e paguara nga BE dhe…”

Në një artikull të botuar online në gazetën SOT, ngrihen disa akuza ndaj Këshillit të Medias.

KShM dëshiron të sqarojë publikun që akuzat janë të pabazuara në fakte, artikulli dezinformon dhe keqinformon, dhe në telb përbën një sulm të drejtpërdrejtë nga një media kundër procesit vetërregullues.

  1. Artikulli në fjalë është prodhuar pas një vendimi të Bordit të Etikës së Këshillit Shqiptar të Medias dhe Aleancës për Media Etike, në lidhje me një ankesë të ardhur ndaj medias Sot.com.al. Me vendim unanim të Bordit, Artikulli i Sot.com.al, objekt ankese u gjet  në shkelje të Kodit të Etikës, përkatësisht të Nenit 1. Argumentimi i shkeljeve të etikës në artikull, është si më poshtë:
    • Artikulli përmban informacione të paverifikuara dhe të pabazuara në fakte.
    • Artikulli është i pabalancuar pasi nuk jepet opinioni i palës së prekur. Nuk vihet re në artikull të jetë pyetur pala e prekur dhe opinioni i saj të jetë reflektuar në artikull.
  2. Jo vetëm një ekspert i etikës, por dhe një student i gazetarisë mund të verifikojë shkeljet e mësipërme dhe të vlerësojë vendimin e Bordit. Për median Sot.com.al u përdor metodologjia e punës standart në rast ankesash. Media u kontaktua paraprakisht, për t’u njohur me ankesën dhe pretendimin e ankimuesit dhe për të ofruar qendrimin e vet. Pasi media nuk e pranoi ankesën, sipas procedurës, ankesa kaloi në Bordin e Etikës, ku dhe u mor vendimi. Bordi jonë i Etikës nuk funksionon si gjykatë, dhe vendimet e tij për mediat jo-anëtare janë sugjerime. Vendimi i bordit për artikullin e sot.com.al objekt ankese, shprehimisht shkruan: “i sugjerohet medias sot.com.al të fshijë artikullin”.
  3. KSHM nuk ka kërcënuar me gjyqe median Sot.com.al. Ky është një dezinformim. Më poshtë, faksimile e komunikimit të plotë me median, ku përkundrazi, është media sot.com.al e cila kërcënon KShM me padi në prokurori.
  4. Akuza e medias Sot.com.al që “oligarku ka tentuar t’i bëjë presion gazetës me një organizatë të quajtur ndryshe Këshilli Medias” dhe “Futja në lojë nga Samir Mane një organizatë anonime që disponon vulën e një shoqate për ti bërë presion gazetës “SOT”” është shpifje e pastër. Stafi ekzekutiv i KShM nuk ka asnjë kontakt, as personal e as të çfarëdo forme tjetër me z. Mane. Ankesa është paraqitur në mënyrë elektronike nga z. Agim Fjolla, që u paraqit në pozicionin “Drejtor i Komunikimit” i Balfin Group. Përveç emaileve në lidhje me ankesën, me z. Agim Fjolla stafi i KShM nuk ka patur asnjë kontakt tjetër, të asnjë forme dhe asnjë njohje paraprake. Siç i është sqaruar me email medias Sot.com.al, ne nuk paragjykojmë askënd, dhe marrim parasysh çdo ankesë që plotëson kriteret sipas rregullores së funksionimit të Bordit të Etikës.
  5. Në të kundërt të asaj çfarë pretendon sot.com.al, KShM dhe Kryetari i saj, Koloreto Cukali, janë shprehur në mënyrë konseguente kundër kapjes së medias nga oligarkët. Këto deklarata gjenden lehtësisht online. Por pavarësisht qendrimit tonë për një media të lirë e të pakapur, kjo nuk do të thotë që komuniteti i gazetarëve, mediat dhe organizatat e mediave duhet të mbyllin sytë para shkeljeve etike. Lufta për të mbrojtur interesin publik nuk mundet e nuk duhet të justifikojë artikuj jo-etikë. Vetërregullimi është pikërisht kjo: gazetari etike pa ndërhyrjen e shtetit, por të komunitetit.
  6. Në lidhje me akuzën e medias Sot.com.al që “Këshilli Medias, e cila merr fonde nga taksapagues evropianë” duhet të sqarojmë 2 gjëra:
    • Në momentin e botimit të këtij shkrimi, KSHM nuk ka asnjë financim, as nga jashtë as nga brenda, dhe stafi i vet punon po pa pagesë. Kjo nuk na ka penguar të vazhdojmë të mbajmë funksional mekanizmin e ankesave e të vetërregullimit e as të luftojmë për lirinë e medias.
    • Në faqen tonë, ne ekspozojmë logot e partnerëve që na kanë mbështetur në 5 vitet e fundit. Ne jemi krenarë për partneritetin me BE, UNESCO, dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Të mbështetesh nga BE, nuk është as turp e as krim. Madje, është e vetmja mënyrë për të ruajtur pavarësinë tonë.
  7. Akuza që “Fondet që ky Këshill i Medias i merr nga evropianët nuk i shpenzon për të krijuar një terren sa më të sigurt për gazetarët, të ngrejë zërin për kushtet dhe presionet në punë, por vendoset në shërbim të interesave të Samir Manes” është një shpifje e pastër. KShM, ka qenë në ballë të luftës kundër paketës anti-shpifje. Kshm dhe Kryetari i saj, Koloreto Cukali janë shprehur e shprehen publikisht por dhe në takime të vazhdueshme me aktorët ndërkombëtarë në mbrojtje të lirisë së medias e të gazetarëve dhe kundër kapjes së mediave nga koorporatat, oligarkët dhe politikanët e pasur. Për këtë mjafton të bësh një search të thjeshtë në Google. Por, media Sot.com.al ngatërron mbrojtjen e lirisë së informimit dhe të gazetarëve me gazetarinë jo etike. Liri e medias nuk do të thotë papërgjegjshmëri, gazetari etike dhe shpifje. Vetërregullimi është procesi që i detyron mediat të ruajnë etikën e profesionalizmit, jo përmes ndërhyrjes së shtetit,por përmes mekanizmave të vendosur nga komuniteti i gazetarëve dhe i medieve. Bordi ynë i Etikës është një bord i zgjedhur nga Asambleja e përvitshme e Aleancës për Media Etike, e përbërë nga 38 media (në momentin që po shkruhet ky reagim). Pra, Bordi jonë i Etikës jo vetëm është i përbërë nga njerëz me integritet, profesionalë e të respektuar, por është i VOTUAR nga një organizatë me 38 media. (Media sot.com.al nuk ka pranuar të jetë pjesë e AME.) Kjo quhet “Vetërregullim”, dhe është alternativa e vetme ndaj rregullimit prej shtetit. KSHM mbron do të mbrojë çdo media e çdo gazetar, përfshirë dhe sot.com.al nga çdo cënim i lirisë, por nuk do të përkrahë e as mbrojë artikuj joprofesionalë dhe joetikë.
  8. Në lidhje me tentativën e Sot.com.al për ta quajtur KSHM “një organizatë anonime”, duhet të themi që KSHM është anëtare krenare e AIPCE – Aleancës Së Këshillave të Pavarur të Shtypit në Europë, dhe i vetmi organizëm vetërregullimi në Shqipëri i njohur nga organizatat ndërkombëtare dhe BE. Një vizitë në website-n tonë dhe të Aleancës për Media Etike, do i mundësonte medias Sot.com.al të informohej që Bordi jonë i etikës ka mbështetjen e 38 mediave, anëtare të Aleancës për Media Etike, që KSHM e operon.
  9. Përmendja e z. Shkullaku në shkrim është më e pakta një akt joprofesionalizmi, për të mos thënë një tentativë për të keqinformuar me qëllim. Z. Shkullaku është thjesht njëri 36 themeluesit e KShM, dhe nuk është aspak i angazhuar në punën e përditshme të KShM. Lapsi.al, e bashkëdrejtuar nga z. Shkullaku, është vetëm një prej 38 mediave anëtare të AME, qëzgjedh Bordin e Etikës. Një vizitë në website-n tonë, do i kish mundësuar medias Sot.com.al që të mësonte se vendimet për ankesat i merr një Bord prej 5 anëtarësh, ku z. Shkullaku nuk bën pjesë. Sa për akuzën për KSHM “pas të cilës fshihen gazetarë me vila pranë Samir Manes, ish deputetë dhe rrogëtarë pranë institucioneve të Edi Ramës”, është thjesht absurde, dhe është i paqartë labirinthi i fantazive të artikullshkruesit.
  10. Në tërësi artikulli pa emër në sot.com.al synon të diskretitojë procesin e vetërregullimit. Kjo është në linjë pikërisht me qeverinë shqiptare e cila po përpiqet prej kohësh të pretendojë që vetërregullimi nuk ekziston ose nuk funksionon në Shqipëri, dhe që vazhdon përpjekjet për të futur mekanizma rregulluatorë në tregun e mediave online, ku për etikën të mos vendosë Bordi i Etikës i AME-s, i zgjedhur nga 38 media, por njerëz anonimë në zyrat e shtetit.

Në emër të KSHM,

Kryetari

Koloreto Cukali

Faksimile të komunikimit me median sot.com.al