Deklarata e z. Rrumbullaku cënon rëndë lirinë e medias e të shprehjes

Këshilli Shqiptar i Medias reagon me shqetësim të madh ndaj deklaratave të Drejtorit të Policisë, z. Rrumbullaku, në raport me ngjarjen e Pogradecit.

Ngjarja e rëndë meriton vëmendje maksimale të mediave dhe ka interes të lartë publik, ndaj tentativa e Policisë së Shtetit, përmes përfaqësuesit të saj, z. Rrumbullaku, për të kontrolluar narrativën jo vetëm mediatike por dhe në rrjetet sociale të kësaj ngjarjeje, duke kërcënuar me procedime penale është kundër parimeve të lirisë së shprehjes në botën demokratike dhe në kundërshtim me çdo princip të lirisë së medias e tëshprehjes së individit në hapësirën e BE-së ku qeveria e z. Rrumbullaku ka premtuar të na integrojë.

Sigurisht, në hapësirën e mediave sociale por dhe në mediat shqiptare mund të gjesh vazhdimisht keqinformim dhe dezinformim. Por dezinformimi nuk luftohet me përndjekje penale dhe aq më tepër, liria e shprehjes së individëve në rrjete sociale nuk mund të ndalohet sepse nuk i pëlqen z. Rrumbullaku, Kryeministrit, apo kujtdo personi me pushtet.

Koha kur njeriu ka frikë të flasë, qoftë edhe “thashetheme”, sepse mund ta procedojnë penalisht i përket një kohe tjetër, asaj të regjimit diktatorial të Enver Hoxhës.

Mënyra më serioze për të luftuar dizinformimin është përmes transparencës e jo përmes kallëzimeve penale. Dhe, transparenca prej kohësh nuk është pika e fortë e institucionit të z. Rrumbullaku e as e qeverisë që e ka emëruar në atë pozicion.

Gjithashtu, përcaktimi, përkufizimi apo përndjekja e atyre që shpërndajnë “dezinformim keqdashës”, nuk hyjnë në tagrin, as në kompetencat, as në ekspertizën, as tek detyrat e as tek të drejtat e z. Rrumbullaku, të Policisë së Shtetit, të Drejtorisë së Marrëdhënieve me Median në Policinë e Shtetit apo të departamenteve të tjera të ndjekjes penale që përmend z. Rrumbullaku në deklaratën e tij.

I vetmi institucion i shtetit shqiptar që ka tagrin dhe kompetencën për të përcaktuar se çfarë është dezinformim (dhe me dashje), dhe kush duhet dënuar sipas të drejtës civile e jo asaj penale për shpifje, është Gjykata Shqiptare.

KSHM dëshiron t’i kujtojë edhe Kryeministrit, se arsyeja pse Shqipëria renditet aq poshtë në lirinë e medias, është pikërisht një qasje e tillë institucionale që jo thjesht minon por vë në rrezik serioz lirinë e shprehjes në Shqipëri.