KSHM dënon agresionin ndaj gazetares Ola Xama
KSHM u bashkohet organizatave të medias në shqetësimin për agresionin ndaj gazetares Ola Xama, nga ana e Kryetarit të Bashkisë dhe elementëve mediatikë të propagandës pranë tij. Sulmi verbal i Kryetarit të Bashkisë Tiranë për shkrimin e gazetares Xama “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK” dhe të publikuar nga Birn, është i papranueshëm në një shoqëri ku media është e lirë. Agresioni i fshehur pas akuzave se znj. Xama “nuk është gazetare, por një killer me pagesë”, etj, përveçse intimidimit, krijon hapësirë dhe i hap rrugën agresionit fizik apo denigrimit të mëtejshëm në rrjete sociale. KSHM i kërkon Kryetarit të Bashkisë të kërkojë ndjesë e të heqë dorë nga intimidimi i gazetarëve.