Deklaratë e KSHM mbi vendimin e Prokurorisë që ndalon publikimin e materialeve të hakeruara
KSHM shpreh shqetësimin për vendimin e fundit të prokurorisë që ndalon mediat të publikojnë materialet e hakeruara dhe që qarkullojnë online. Fakti që materialet janë tashmë online heq çdo përgjegjësi nga gazetarët për abuzim me informacione sekrete, të cilat tashmë nuk janë sekretedhe fakti që po qarkullojnë online do të thotë që janë lehtësisht të gjendshëm nga çdo individ, brenda apo jashtë Shqipërisë. Në vendimin e Prokurorisë ka një paqartësi se çfarë konsiderohet sekret hetimor, dhe a mund të jenë pjesë e një dosjeje hetimore të gjitha emailet e drejtorëve apo ministrave. Nga ana tjetër shumë nga emailet e bëra publike përbëjnë një interes legjitim publik, sepse përmes tyre mund të analizohet përgjegjshmëria e menaxhimit të shtetit e të institucioneve, dhe është detyrë e mediave të qëmtojnë e të raportojnë për to.
Përmbledhur, vendimi është në kufinjtë e censurës, dhe tregon papërgjegjshmëri nga ana e Prokurorisë.
Thënë kjo, KSHM u kërkon mediave të jenë sa më të përgjegjëshme nga ana e tyre. Mediat kanë një rol tejet të rëndësishëm në këtë rast, sepse ato mund të bëjnë përpunimin e duhur të materialeve të hakeruara. Por, ato duhet të bëjnë kujdes që mos të botojnë materiale që nuk përbëjnë interes publik, të vënë në rrezik persona të tretë, të dekonspirojnë persona apo hetime të mundshme. Mediat duhet ta përpunojnë me shumë kujdes materalin duke redaktuar e mbuluar me të zezë pjesët që mund të përbëjnë informacion delikat por që nuk kanë interes të mirëfilltë publik.
Ky rast, është unik në mundësinë që u jep mendiave shqiptare për të treguar profesionalizëm, përgjegjshmëri, dhe se mbajnë interesin e publikut në vend të parë më shumë sesa dëshirën për të thithur klikime me tituj bombastikë.