Deklarata Rajonale e Këshillëve të Mediave në Evropën Juglindore, Sarajevë, 17 nëntor 2021
Ne, përfaqësuesit e Këshillëve të Mediave nga Evropa Juglindore dhe Turqia,
Duke njohur rolin e gazetarisë në prodhimin dhe shpërndarjen e informatave me interes publik, sidomos në kohë krizash, dhe duke theksuar rëndësinë e madhe që ky rol të mos jetë i kapur e të mos i nënshtrohet ndikimit;
Duke ditur rolin qenësor që ka vetërregullimi i mediave për të mbështur lirinë e mediave përmes sigurimit të respektimit të standardeve etike të mediave, duke ndihmuar në zvogëlimin e ndërhyrjes shtetërore në fushën e lirisë së mediave, dhe duke shërbyer për t’i zvogëluar veprimet gjyqësore kundër mediave;
Duke theksuar rëndësinë e besimit publik në media dhe sfidat e ruajtjes së profesionalizmit të mediave në një mjedis ku format e reja të mediave janë duke u zhvilluar vazhdimisht;
Duke rikujtuar përpjekjen e këshillëve të mediave për të përshtatur kodet e tyre të etikës me ekosistemin e ri të mediave digjitale duke u siguruar gazetarëve udhëzime specifike se si të punojnë në këtë mjedis;
Të alarmuar nga gjendja e tmerrshme financiare e këshillëve të mediave që shkakton kërcënime ekzistenciale për pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e këtyre organeve;
Duke dënuar kërcënimet e vazhdueshme ndaj sigurisë së gazetarëve në rajon dhe të alarmuar nga rishfaqja e kërcënimeve politike ndaj pavarësisë së mediave, siç është keqpërdorimi i resurseve shtetërore duke përfshirë reklamat, përpjekjet e figurave politike për të kapur mediat, heqjen e akreditimit të gazetarëve, sulmet e ashpra që kanë për qëllim stigmatizimin dhe diskreditimin e mediave, si dhe shënjestrimin e mediave përmes keqpërdorimit të procedurave gjyqësore;
Duke theksuar kërcënimet potenciale të përpjekjeve të qeverisë për të rregulluar mediat online, në veçanti ndikimin e mundshëm në rolin e vetërregullimit të mediave dhe me këtë ekzistencën e këshillëve të mediave;
Duke ditur se mungesa e transparencës së pronësisë së mediave mund të nxisë përqendrimin joadekuat të pronësisë së mediave dhe kësisoji të kufizojë diversitetin e mediave;
Të vetëdijshëm për mundësitë e reja që platformat e rrjeteve sociale u ofrojnë gazetarëve për shpërndarjen e punës së tyre, por edhe duke vërejtur se platformat nuk janë neutrale por kanë marrë rol aktiv kuratorial e redaktorial, duke përfshirë përdorimin e sistemeve algoritmike për shpërndarjen e përmbajtjes së përmbajtjes së prodhuar nga mediat dhe aktorët e tjerë;
Të alarmuar nga rritja e numrit të aktorëve keqdashës që shënjestrojnë dhe sulmojnë mediat e pavarura në platformat e rrjeteve sociale për të zvogëluar apo për të parandaluar përhapjen dhe shtrirjen e tyre në këto platforma;
Të shqetësuar me rritjen e numrit të ankesave të marra nga këshillët e mediave në lidhje me përhapjen, shumëzimin dhe nxitjen e përmbajtjeve potencialisht të dëmshme online, duke përfshirë dezinformimin dhe gjuhën e urrejtjes;
Duke parë shumëllojshmërinë e aktorëve të rinj të mediave online që bëjnë punë mediale dhe rëndësinë e bashkëpunimit mes tyre në realizimin e gazetarisë si e mirë publike;
Duke theksuar nevojën e pajisjes së qytetarëve me aftësi dhe njohuri të mediave dhe informacionit për t’u mundësuar atyre të lëvizin në peizazhin e informatave, veçanërisht aftësinë për të dalluar informatën e besueshme nga informata e paqëndrueshme dhe për të mbështetur gazetarinë profesionale;
U bëjmë thirrje profesionistëve të mediave në rajon:
TË RESPEKTOJNË standardet profesionale të mediave dhe kodet e etikës të zhvilluara nga këshillët e mediave dhe aktorët e tjerë mediale dhe të sigurojnë se janë të vetëdijshëm dhe mjaft të trajnuar lidhur me standardet profesionale;
TË SIGUROJNË vizibilitetin e përkatësisë në sistemin e vetërregullimit të mediave dhe kësisoji t’i mbështesin qytetarët për të dalluar mediat e përkushtuara ndaj sistemit të vetërregullimit të mediave nga ato që janë jashtë këtij sistemi, dhe për t’i informuar lidhur me ekzistencën e një mekanizmi ankesash falas kur ndodh ndonjë shkelje potenciale e standardeve profesionale të mediave;
TË SIGUROJNË transparencën e pronësisë së tyre dhe t’i mbështesin mediat dhe organizatat e gazetarëve në përpjekjet e tyre për të përmirësuar kushtet e punës së të gjithë punëtorëve të mediave, duke kontribuar kësisoji në rikthimin e besimit në media;
TË KONTRIBOJNË në financimin e këshillëve të mediave për të siguruar pavarësinë dhe qëndrueshmërinë e vetërregullimit të mediave;
U bëjmë thirrje autoriteteve publike dhe institucioneve:
TË PROMOVOJNË pluralizmin e mediave dhe të mbrojnë qëndrueshmërinë e gazetarisë nëpërmjet mbështetjes së mediave që lidhet me sigurimin e respektimit të standardeve profesionale ose të vetërregullimit të mediave;
TË PROMOVOJNË njohuritë për media dhe informacion në arsimin formal dhe joformal;
TË SIGUROJNË që përfaqësuesit e këshillëve të mediave të këshillohen dhe të angazhohen në të gjitha nismat që lidhen ose që kanë të bëjnë me (vetë) rregullimin e mediave online dhe offline;
TË TËRHIQEN nga rregullimi i tepërt i mjedisit të mediave digjitale që nuk është në përputhje me standardet ndërkombëtare që lidhen me lirinë e shprehjes;
U bëjmë thirrje platformave të internetit:
TË BASHKËPUNOJNË me organizatat e vetërregullimit të mediave dhe të shoqërisë civile në nivel lokal për të mbrojtur e për të zgjeruar garancitë për ushtrimin e plotë të së drejtës së informimit dhe lirisë së shprehjes, si online ashtu edhe offline;
TË BASHKËPUNOJNË me mediat dhe këshillët e mediave për të nisur dialog dhe për të zhvilluar veprime të duhura që kanë për qëllim zbutjen e përmbajtjes së dëmshme online duke u dhënë prioritet informatave me interes publik në platformat e internetit;
T’U OFROJNË mundësi anëtarëve të këshillëve të mediave me mekanizma të veçantë për ankesa dhe hetime lidhur me përmbajtjen e tyre mediale që hiqet nga platformat e rrjeteve sociale;
TË CAKTOJNË përfaqësues lokalë që janë në dispozicion për të komunikuar me mediat dhe këshillët e mediave;
TË SIGUROJNË që konteksti lokal – sidomos në lidhje me aspektet politike dhe përmbajtja e dëmshme online – të merret parasysh me rastin e moderimit të përmbatjes, gjatë heqjes, rankimit më të ulët dhe rritjes së vizibilitetit të përmbajtjes mediale online, duke rritur nivelin e moderatorëve të trajnuar lidhur me aspektet e ndjeshme politike, kulturore, etnike dhe socio- ekonomike.