KSHM mbështet gazetarët në pretestën kundër rregullores së re të Kuvendit

KSHM mbështet protestën e gazetarëve që po zhvillohet sot për rregulloren e re të Kuvendit të Shqipërisë dhe shpreh shqetësimin e vet për këtë akt të ri në frenim të raportimit të lirë dhe lirisë së informimit.

Vendimi i Parlamentit paraqet disa probleme.

Së pari, mbyllja e gazetarëve në një dhomë që punimet e Kuvendit t’i ndjekin nga TV është absurde, për të mos thënë qesharake. Media duhet të jetë aty ku ngjarja ndodh, në emër të publikut dhe për të informuar publikun. Dhe ngjarja ndodh sidomos në Komisionet Parlamentare, ku me rregulloren e re gazetarët nuk lejohen të jenë prezent. Heqja e kësaj lirie është praktikisht heqje e lirisë për informim të publikut. Ky është defakto ERTV-zim i Parlamentit.
Së dyti, krijimi i diskriminimit mes gazetarëve me badge të institucioneve të kontrolluara nga qeveria si RTSH e ATSH me gazetarët të mediave të tjera, është një tjetër dhunim në dëm të lirisë së informimit. Kuvendi e Shqipërisë e ka për detyrë të krijojë kushte të barabarta për pubnën e të tërë gazetyarëve, e jo t’i trajtojë disa si të nënës e të tjerë si të njerkës.

KSHM i kërkon Kuvendit të Shqipërisë ta tërheqë këtë rregullore që nuk bën gjë tjetër veçse ul dhe më shumë standartet e lirisë së medias.