Viti 2020 ka qenë një vit sfidues për gazetarët në Shqipëri
Nga Loneta Progni
Viti 2020 ka qenë një vit sfidues për gazetarët në Shqipëri, që përveç pandemisë janë përballur edhe me sulme të formave të ndryshme. Fillimisht, kundrejt gazetarëve janë përdorur një varg fjalësh ofenduese nga vetë kryeministri Edi Rama, si: kazanë, kadrinj, derra, zuzarë, të palexuar, dembelë, gënjeshtarë, parazitë, etj. Drejtëpërdrejtë janë sulmuar të paktën 12 gazetarë, me shoqërime në komisariat në momentin që ishin duke kryer punën e tyre, janë dhunuar, iu kanë sulmuar banësat apo automjetet, etj. Ngjarje këto që kanë nxitur edhe reagime ndërkombëtare nga Reporterët pa Kufij, Mapping Media Freedom, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit, etj.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare e kanë kritikuar shumë Shqipërinë gjatë viteve të fundit, lidhur me lirinë e medias dhe marrëdhëniet e autoriteteve në raport me gazetarët. Më poshtë po sjellim në vëmendje gazetarët që janë ndaluar, sulmuar, dhunuar gjatë vitit që lamë pas.
Mbrëmjen e 10 dhjetorit, në ditën e dytë të protestave pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i Shqiponjave, gazetari i Ora News, Xhoi Malësia është ndaluar nga policia ndërkohë që ishte në transmetim live. Gazetari ka denoncuar edhe dhunën e ushtruar ndaj tij në komisariat. “Reporterët pa Kufij” lidhur me këtë rast bënë thirrje për hetim të pavarur të sjelljes abuzive të policisë.
“Ndjesia e ndalimit për mua ishte eksperiencë e paprecedentë, qoftë si gazetar apo njeri i thjeshtë. Ishte një gabim i madh në të gjitha aspektet e mundshme procedurale; një veprim tejet i rëndë në qasjen e të drejtave dhe lirive themelore.
Çështja ime po përfaqësohet nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Aktualisht por përballemi në disa “fronte” të drejtësisë. Së pari, kemi bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës, ku pretendojmë se gjatë gjithë incidentit janë konsumuar disa vepra penale. Ndër më kryesoret “shpërdorimi i detyrës” dhe “heqja ose pengimi i paligjshëm i lirisë”. Së dyti, po përballemi në nivel administrativ pranë Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (ShÇBA) pranë Policisë së Shtetit. Aty pretendojmë për shkelje procedurale nga efektivët e policisë. Dhe së treti, pas konkludimit të këtyre dy hapave, do të ngremë një padi civile ku do të pretendojmë për dëm civil dhe moral. Hapi i katërt, nëse drejtësia jonë nuk do të japë një përgjigje që ne e konsiderojmë të nevojshme, do të jetë padia në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut (Gjykata e Strasburgut). Ky institucion ka trajtuar raste të ngjashme dhe ka precedent të mjaftueshëm për trajtimin e çështjes sime.”, shprehet Malësia.
Një tjetër akt dhune gjatë protestave të dhjetorit u krye nga policia ndaj gazetarit dhe kryeredaktorit të gazetës Koha Jonë, Qamil Xhani. Agresioni ndaj Xhanit është bërë, ndërsa ai po bënte punën e tij si gazetar fare pranë redaksisë së tij. Arrestimi, prangosja e keqtrajtimi i Xhanit është dënuar edhe nga Këshilli Shqiptar i Medias si një sinjal shqetësues që policia tashmë nuk respekton asnjë standard demokratik, ku ai bazë, është lejimi i raportimit të lirë nga terreni dhe mos-ngacmimi i gazetarëve në krye të detyrës.
Mëngjesi i datës 30 tetor 2020 shënoi një tjetër ngjarje tronditëse, pasi një sasi lëndë plasëse shpërtheu në portën e oborrit të shtëpisë së gazetarit të Neës 24 në Lezhë, Elidon Ndreka. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Ndreka e lidh ngjarjen me detyrën që ushtron prej vitesh si gazetar terreni, pasi thekson se ai dhe familjarët nuk kanë konflikte personale.
Më 14 gusht 2020, Ora Neës publikon mesazhet, që sipas tyre, ishin dërguar në telefonin e presidentit të “Yldon Media Group”, Ylli Ndroqi nga kryebashkiaku Erion Veliaj. Ajo që bie në sy në këto mesazhe janë ofendimet dhe kërcënimet e vazhdueshme për gazetaren dhe drejtoreshën e atëhershme të informacionit në këtë televizion, Beti Njuma. “Nuk ia fal asaj, këtu do jemi.” “Unë bashkëpunoj me ty, jo me atë idioten që ke marrë.” “Lejove një hajvane të futej mes nesh.” “Shumë kurajo paska.” Këto janë vetëm disa nga mesazhet ku shfaqej emri i gazetarës, e ndër të tjera bëhej presion për të ndryshuar linjën editorial.
Më 17 qershor 2020, gazetari i Report TV, Elvis Hila është shoqëruar nga policia në momentin që ishte duke raportuar për aksionin e IKMT në Shëngjin, ku u prishën disa ndërtime pa leje. Gazetari denoncoi se shefi i Rendit në komisariatin e policisë Lezhë, Agron Qullhaje i ka marrë telefonin dhe policët e kanë shoqëruar me forcë në komisariat. Sipas Hilës, shefi i rendit Agron Qullhaje i ka kontrolluar telefonin gazetarit, duke cënuar privatësinë e tij.
17 maji 2020, pas shembjes së Teatrit Kombëtar, shënoi dhe një tjetër moment i cili ngjalli reagime të shumta në Shqipëri dhe jashtë saj: dhuna ndaj gazetarit Alfred Lela. Videot që qarkulluan në mediat tradicionale dhe ato online treguan qartë dhunimin dhe shoqërimin e gazetarit.
‘Mapping Media Freedom’ që ka më fokur kufizimet, kërcënimet dhe shkeljet që prekin profesionistët e mediave në Europë, ndërsa ata bëjnë punën e tyre, ka pasqyruar arrestimin e drejtuesit të Politiko.al, Alfred Lela gjatë protestës kundër prishjes së Teatrit Kombëtar. Përmes këtij reagimi dënoi arrestimin dhe bëri thirrje për falje publike. Reagime të ngjashme postuan edhe Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe shumë organizata kombëtare dhe ndërkombëtare. Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama mohoi publikisht dhunën e ushtruar nga policia ndaj gazetarit.
Pas shembjes së Teatrit Kombëtar u regjistruan episode dhune dhe ofendimesh edhe ndaj reporterëve dhe operatorëve në terren, mes të cilëve edhe operatori Mirsald Hajdarmataj i Report TV, i cili u godit dhe fye rëndë prej policëve.
Më 25 prill 2020, efektivi i rrugores që më pas u pezullua nga detyra Anxhelo Bardhi, i shoqëruar nga një i shok i tij, dhunoi gazetarin e Fierit Xhoen Osmënaj, duke i dëmtuar edhe makinën.
10 marsi 2020 shënoi një tjetër shoqërim arbitrar për në komisariat nga ana e policisë ndaj gazetarit të Fax News Bekim Bici. Qendra europiane për lirinë e shtypit dhe të medias reagoi për shoqërimin e paligjshëm të gazetarit Bekim Bici, duke kërkuar sqarime nga autoritetet shqiptare. Po ashtu edhe Instituti Ndërkombëtar i Medias me qendër në Vjene iu bashkua këtij reagimi. Ndërsa më 14 janar 2020 është sulmuar qëllimisht makina e gazetarit të Lezhës, Gjergj Figuri.
A do të jetë viti 2021 fundi i pandemisë dhe gjithashtu i cënimit të lirisë së fjalës?