Komsioni i Venecias: “Paketa shqiptare e anti-shpifjes cënon lirinë e shprehjes”.
Postuar në Zëriamerikës.com
Komisioni Europian për Demokraci përmes Ligjit vlerësoi në Draft – Opinionin e vet paketën ligjore të Shqipërisë, e ashtuquajtura paketa anti-shpifje.
Komisioni Europian, i njohur si Komisioni i Venecias, shqyrtoi ndryshimet ligjore, që iu bënë dhjetorin e kaluar ligjit për shërbimet mediatike audio-vizuale.
Në përfundimet e Draft-Opinionit, Komisioni thekson se projekt-amendamentet e ligjit nuk janë gati për t’u zbatuar në formën e tyre aktuale.
“Ligji vuan nga paqartësitë dhe rrezikon të shtypë në mënyrë të ngurtë diskutimin e lirë dhe shprehjen politike përmes internetit në Shqipëri” – theksoi Komisioni i Venecias.
Ai tha se një prej të metave kryesore është synimi i hartuesve për të zgjeruar komptencat e AMA-s dhe Këshillit të Ankesave për të ushtruar kontroll editorial ndaj përmbajtjes së botimeve në mediat online.
“Kjo nuk është e përcaktuar qartë në ligj dhe ekziston rreziku që blogerët individualë, përdoruesit e platformave sociale do të goditen nga ky ligj, ndaj është thelbësore që projekt-ligji të përjashtojë nga fusha e veprimit çdo prodhim joprofesional në mediat online – thuhet në Draft – Opinion.
Si një tjetër mangësi kryesore renditet edhe kërkesa e ligjit për të zbuluar burimet e mediave shqiptare online.
“Kjo mund të shkojë në kundërshtim me standartin ndërkombëtar, sipas të cilit, duhet respektuar gjithmonë dëshira e përdoruesve të internetit për të mos zbuluar identitetin e tyre” – thekson Draft-Opinioni i Komisionit të Venecias.
Në të thuhet se AMA-s dhe Këshillit të Ankesave u janë dhënë fuqi të mëdha administrative ndaj mediave online, gjë që është problematike në lidhje me lirinë e shprehjes së mediave online, duke nisur që nga kufizimet, pasi ka dyshime mbi pavarësinë e këtyre institucioneve.
“Këto fuqi të reja nuk duhet t’u besohen institucioneve të tilla pa u siguruar më parë nëse janë të pavarura nga partitë politike, bizneset e mëdha të mediave, ose interesat e korporatave të lidhura me politikën” – thotë Komisioni i Venecias.
Ai thekson në Draft-Opinion se AMA dhe Këshilli i Ankesave mund të ndërhyjnë në ushtrimin e lirisë së shprehjes, ndërsa pavarësia e saj është në dyshim, ndaj procedura e ankesave nuk ofron masa mbrojtëse të mjaftueshme, pasi vendimet mund të merren në mënyrë shumë të shpejtë për gjoba të rënda për t’u zbatuar menjëherë dhe për heqjen e menjëhershme të shkrimeve nga interneti.
“Kapaciteti ekonomik i këtyre mediave nuk është një faktor që merret parasysh në përmasat e gjobës, e cila mund të sjellë paralizimin e mediave të vogla (edhe të blogerëve individualë) me gjoba joproporcionale në raport me fuqitë e tyre” – thuhet në Draft-Opinion.
Sipas Komisionit të Venecias, kjo do të zmadhojë rreptësinë e këtyre masave dhe do të nxitë auto-censurën, duke dëmtuar debatin politik, që është thelbësor për demokracinë.
Për këto arsye, Komisioni i Venecias rekomandoi të rishqyrtohet miratimi i projekt-ndryshimeve në ligj përkatës, të votuara nga parlamenti shqiptar në dhjetor 2019.
“Problemet e ngritura nga autoritetet mund të jenë serioze, por mjetet ligjore të përfshira në këto projekt-ndryshime mund t’i bëjnë më shumë dëme se sa të mira lirisë së shprehjes në Shqipëri, për të cilat mediat online janë të shqetësuara” – theksohet në Draft-Opinion.
Komisioni i Venecias nxiti autoritetet shqiptare të mbështesin ngritjen e një njësie vetë-rregulluese, me funksionim të efektshëm, ku të përfshihen gjithë aktorët përkatës në fushën e medias, të aftë për të siguruar një sistem të respektueshëm për media të përgjegjshme në fushën e gazetarisë online.
“Do të ishte e dobishme të rishikohet metoda e zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s dhe Këshillit të Ankesave, për t’u siguruar që këto institucione kanë një përbërje pluraliste, me individë të kualifikuar, përfaqësues të bashkësisë së medias, dhe që gëzojnë një autonomi të besueshme prej qeverisë dhe kontrollit të korporatave” – thuhet në Draft-Opinion.
Madje, sipas tij, është e nevojshme po ashtu të sigurohet efektiviteti i mjeteve ligjore ekzistuese që godasin shpifjen dhe fjalimet e urrejtjes në publikimet online.
Presidenca reagoi e para për këtë qëndrim të Komisionit të Venecias. Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, deklaroi se Draft – Opinioni i Komisionit të Venecias për paketën antishpifje konfirmoi qëndrimin e drejtë të Presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta.
“Paketa antishpifje është antikushtetuese, ndaj pa liri të shprehjes nuk ka demokraci dhe për rrjedhojë as çelje të negociatave” – tha zoti Blushi.
Sipas tij, presidenti Meta vërtetoi përmes dekreteve, se paketa antishpifje bie ndesh me parimet themelore kushtetuese, me dispozitat kushtetuese, që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit, nuk janë në harmoni me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut as me jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
Qeveria socialiste tha se propozoi të ashtuquajturën paketën anti – shpifje për të frenuar shpifjet dhe fyerjet në mediat online, dhe e miratoi atë më 18 dhjetor në parlament, megjithë protestat e vazhdueshme nga bashkësia e gazetarëve shqiptarë.
Deputetët socialistë u tërhoqën nga paketa ligjore, duke thënë se do të pritnin Opinionin e Komisionit të Venecias.